IDMC rikthen “Ditët e Kujtesës”

observatori

Me kujtesën si mision Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer nisi të enjten, më 16 nëntor, edicionin e dytë të “Ditëve të Kujtesës”. Kjo veprimtari do të zhvillohet deri në datën 23 nëntor  dhe do të ketë një mori  aktivitetesh .

Ceremonia hapëse u përshendet nga organizatorët: Walter Glos, Drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer dhe Dr. Jonila Godole, Drejtoresha ekzekutive e IDMC-së.

Në fjalën e saj, Dr. Jonila Godole u shpreh se ne jemi në fillim të maratonës të ballafaqimit me të shkuarën dhe rruga do të jetë e gjatë. “Pa procesin e ballafaqimit me të shkuarën nuk garantojmë dot një debat të gjerë në mbarë shoqërinë. S’i ti ulim bashkë mendimet e ndryshme në lidhje me të kaluarën tonë? Historia nuk është e bardhë apo e zezë. Vetëm transparenca e fakteve mund të tregojë fytyrën e vërtetë të diktaturës, jo aq për të nxjerrë në dritë të vërtetën absolute, se sa për të nxitur dëshmitare dhe dëshmitë e kohës të marrin një rol aktiv në ballafaqimin me të shkuarën”.

Gjatë ditës së parë të “Ditëve të kujtesës”  u prezantua edhe ekspozita “Propaganda në Diktaturë” e cila do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë javës në Pavijonin e Persekutimit Komunist në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë trajton disa aspekte të manipulimit të masës nga shteti komunist përmes propagandës.

Në ditën e dytë dhe të tretë më 17-18  nëntor do të zhvilohet Konferenca Ndërkombëtare “Midis Apatisë dhe Nostalgjisë” te Hotel Tirana. Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë studiues nga Shqipëria dhe vendet fqinje për të ndarë eksperiencat e vendeve të tyre dhe punën e bërë në lidhje me reflektimin për periudhën komuniste dhe memorien kolektive.

Edicioni i dytë i “Ditëve të Kujtesës” do të vazhdojë me aktivitete të tjera në ditët në vijim me vizitën në vëndet e kujtesës në Tiranë dhe Shkodër, me Simpoziumin “ Ligj dhe Drejtësi” , prezantimin e librave që trajtojnë temën e komunizmit, dhe leximin e dokumentave arkivorë të Musine Kokalarit.

Në mbyllje të “ditëve të Kujtesës” do të keni mundësi të ndiqni edhe ceremorinë e ndarjes së cmimeve të konkursit “Pyet Gjyshërit 2” me pjesëmarrës gjimnazistë nga e gjithë Shqipëria.

Postime të ngjashme