IDMC: Vizitë studimore në vendet e Kujtesës

spac-1-1

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) ka zhvilluar ne datat 6-7 Maj një vizitë studimore në ish- burgun e Spacit dhe në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës, Shkodër. Pjesëmarrës në këtë vizitë kanë qenë mësues të historisë nga shkolla të ndryshme të vendit.

Vizita studimore ka nisur fillimisht në ish- burgun e Spacit, ku janë njohur me ambjentet në të cilat kanë vuajtur të dënuarit në kohën e komunizmit. I pranishëm për të rrëfyer vuajtjet e kaluar në këtë kamp izolimi ishte edhe Zivko Petrovic, ish i burgosur politik në Spac. Ai rrëfeu punën skllavëruese të kryer në këtë burg dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ikur nga Shqipëria.

Vizita në Spac u mbyll me një diskutim të mbajtur në ambjentet e ish-burgut. Në këtë diskutim, drejtorja  ekzekutive e IDMC, Jonila Godole u shpreh se tekstet e historisë në shkolla duhet të kenë më tepër informacion për vendet ku kanë kaluar dënimin shqiptarët gjatë periudhës së komunizmit.

Dita e dytë e vizitës studimore ka nisur në qytetin e Shkodrës, ku pjesëmarrësit kanë vizituar Vendin e Dëshmisë dhe të Kujtesës. Ata janë njohur jo vetëm me emrat e të burgosurve, por kanë vizituar nga afër edhe qelitë ku ata mbaheshin gjatë dënimit. Përpos muzeut pjesëmarrësit kanë parë nga afër Katedralen, Kishën e Shën Franceskut dhe Kuvendin e Motrave Stigmatine, ku kanë marrë informacion edhe për martirët katolikë.

Vizitës studimore i janë bashkuar edhe përfaqësues të Shoqatës së ish-të Përndjekurve me qendër në Shkodër, të cilët së bashku me mësuesit e historisë kanë diskutuar mbi strategjitë e edukimit për brezat e rinj.  Interesi i mësuesve të historisë për këto vende kujtese ishte i lartë, duke i parë këto aktivitete si një ndihmë në përçimin e informacionit te brezat e rinj.

DSC05862DSC05880DSC05844DSC05886DSC05810DSC05752DSC05745DSC05869

Postime të ngjashme