IDMC zhvillon workshop për raportimin mbi Sigurimin e Shtetit dhe arkivat

image4_cr

Dy vite pas mandatimit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), i ashtuquajturi “procesi i hapjes së dosjeve” ka nxitur rritje të interesimit të të rinjve për të shkuarën. Kjo gjë u vu re më së miri gjatë workshopit “Raportimi mbi dosjet e ish-Sigurimit dhe kërkimi në arkiva” organizuar nga Instituti për Media Demokraci dhe Kulturë (IDMC). Ashtu sikurse vitin e kaluar, sërish IDMC solli vëmendjen te rëndësia e raportimit mbi dosjet në reflektimin shoqëror mbi të shkuarën.

Në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, AIDSSH-në dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave u bë i mundur trajnimi dyditor i rreth 25 të rinjve, të cilët tashmë kanë mundësi të përpilojnë një formular aplikimi pranë AIDSSH dhe të jenë studiues më të zellshëm mbi të shkuarën komuniste.

Diskutimet ishin të shumta. Me mjaft interes për të rinjtë pjesëmarrës ishte krahasimi mes përvojës gjermane dhe asaj shqiptare. Këtë përvojë e solli Dagmar Hovestädt, trajnuese në workshop në cilësinë e ekspertes pranë Fondacionit Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore. Hovestädt tregoi për historinë e agjencisë së inteligjencës sekrete STASI krijuar nga sovjetikët në Gjermaninë Lindore, dallimet me Shqipërinë, tranzicionin pas rënies së murit të Berlinit, apo dhe bashkimit me Gjermaninë Perëndimore dhe më tej me qasjen në arkiva që të dy vendet po i kanë të ndryshme.

Kështu modeli i agjencive sekrete ishte pak a shumë i ngjashëm. Hovestädt përmendi se survejimi i popullatës në mënyrë që të mos cenohej pushteti – ashtu sikurse bëri edhe Sigurimi i Shtetit në Shqipërinë komuniste – ishte synimi dhe objektivi kryesor. STASI gjatë aktivitetit të tij, arriti të krijonte mbi 111 km dokumente për popullsinë e Gjermanisë Lindore. Pas ndërtimit të murit në Berlin, STASI vriste cilindo që mundohej të arratisej nga vendi. Metodat ishin të ngjashme me Sigurimin. Rekrutim informatorësh, apo bashkëpunëtorësh. Përgjim dhe përndjekje.

image3

Ndryshimi ishte se agjencia e inteligjencës në Gjermaninë Lindore ishte ministri e mirëfilltë (Ministerium für Staatssicherheit – Ministria për Sigurimin e Shtetit). Në Shqipërinë komuniste Sigurimi i Shtetit operonte si një organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu ndryshim thelbësor mes përvojës gjermane dhe asaj shqiptare, sipas Dagmar Hovestädt, është momenti i rrëzimit të sistemeve. Në Gjermaninë Lindore, populli i revoltuar zuri me protesta ambientet e STASI-t duke kërkuar hapur largimin e sovjetikëve dhe bllokimin e procesit të asgjësimit të dosjeve.

Pikërisht qasja e tillë që në fillim e shpëtoi arkivën dhe bëri që shumë dokumente të mos humbitnin. Më vonë, kur ambientet e STASI-t i kaluan autoriteteve demokratike dhe puna u bllokua përfundimisht, ata zbuluan rreth 16 mijë thasë me dokumente të grisura. Prej kësaj mase të madhe, që prej vitit 1995 janë mundur të rikuperohen rreth 400. Ndërkohë tashmë procesi është përshpejtuar me ndërfutjen e teknologjisë.

Për sa i përket Shqipërisë, historia tregon se lëvizjet demokratike nisën shumë më vonë se vendet e tjera dhe qasja ishte krejt tjetër. Masat iu drejtuan kryesisht strukturave politike. Tranzicioni ishte tejet i vështirë pasi ndryshe nga gjermano-lindorët, të cilët u asistuan nga patriotët e tyre perëndimorë, shqiptarët ishin pa përvoja në aspektet demokratizuese. Në çështjen e Sigurimit të Shtetit, ky institucion thjesht sa u reformua duke kaluar në Shërbim Informativ Kombëtar e më tej në Shërbim Informativ Shtetëror teksa arkivat nuk u hapën kurrë.

image1

Në Gjermani fill pas bashkimit, diskutimi publik nxiti një valë kërkesash për të shqyrtuar dokumentet e mbajtura nga STASI. Numri i këtyre kërkesave deri në vitin 2011 ishte rreth 7 milionë, ku mbi 2,7 ishin kërkesa individuale. Sot ambientet e STASI-t janë kthyer në muze arkivor dhe krahas punës së vazhdueshme për t’iu qasur kërkesave dhe për të ruajtur informacionet, shoqëria gjermane e vlerëson atë si një objekt të rëndësishëm për të kujtuar dhe reflektuar mbi të shkuarën.

Në Shqipëri muzetë e parë për të kaluarën komuniste u hapën pas vitit 2015, rreth 24 vite pas rënies së komunizmit. Ndërkohë teksa legjislacioni i Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është një formë lustracioni, në Gjermani gjithmonë është mbajtur një qëndrim më liberal. Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore ka si detyrë thjesht të informojë publikun rreth të kaluarës së personave public. Nëse ata figurojnë të implikuar me STASI-n është vetë publiku që e merr në dorë vendimin për t’i zgjedhur apo jo në zyrat e shtetit, pra në Gjermani mundet që të marrin pjesë në zgjedhje, ish-funksionarë të STASI-t, ndërkohë në Shqipëri nëse ke qenë operativ i Sigurimit të Shtetit dhe kjo gjë vërtetohet pas hulumtimit të AIDSSH-së, të ndalohet kategorikisht emërimi.

Këto ishin disa aspekte të cilat u përmendën në mënyrë krahasuese gjatë workshop-it dyditor (gjatë ditës së enjte, datë 13 shtator – premte, datë 14 shtator) të organizuar nga IDMC “Raportimi mbi dosjet e ish-Sigurimit dhe kërkimi në arkiva”. Aspekte të cilat të rinjtë pjesëmarrës patën shansin t’i mësonin direkt nga zëdhënësja e arkivave të ish-STASI-t në Gjermani Dagmar Hovestädt, e cila falë bashkëpunimit me IDMC, rivjen në Shqipëri për të kontribuuar në procesin e saponisur të “hapjes së dosjeve”.

image5

Postime të ngjashme