JANAR

5 janar 1991

Botohet gazeta e parë e lirë pas vendosjes së pluralizmit politik, si organ i Partisë Demokratike (PD), duke rrëzuar kështu monopolin shtetëror mbi shtypin shqiptar. Në vitin 1991 u botuan 4 gazeta të reja të përditshme, partiake dhe pavarura si “RD”, “Republika”, “Koha Jonë”, “Liria”, ndërsa në vitin 1994 ato u dyfishuan. Aktualisht në Shqipëri botohen 28 gazeta të përditshme, si edhe mjaft revista, që rriten progresivisht, më të përhapurat në tregun mediatik privat: “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli”, “Tema”, “Shqip”, “Mapo”, “Telegraf” etj.

7 janar 1978

Në Berat zhvillohet një nga gjyqet më famëkëqij gjatë diktaturës komuniste. Katër të rinj akuzohen si “sabotatorë” dhe se do të hidhnin në erë Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun”. Luftëtar Protoduari, Muharrem Protoduari, Riza Hazizi dhe Ushtar Çobo u arrestuan në verën e vitit 1977. Luftëtar Protoduari dhe Riza Hazizi u dënuan me pushkatim, ndërsa Muharrem Protoduari dhe Ushtar Çobo u dënuan me 25 dhe 20 vjet burg. Prokuror i çështjes ishte Qemal Lame, kryetar i turpit gjykues Ali Zanko.

9 janar 2004

Tragjedia e 9 janarit ku humbën jetën 28 shqiptarë në brigjet e Palasës që kërkonin të kalonin në mënyrë klandestine me gomone, në Itali në mot të keq. Askush nuk u erdhi në ndihmë.

11 janar 1946

Shqipëria shpallet Republikë Popullore nga Asambleja Kushtetuese. Organizimi shtetëror dhe i gjithë pushteti do të përqendrohen në vijim në duart e diktatorit Hoxha, duke shënuar fillim e një prej diktaturave më të egra në Europën Qendrore dhe Lindore.

11 janar 1954

Më 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë. Galeria Kombëtare e Arteve si institucion kombëtar, qendror, muzeor, studimor, shkencor për ruajtjen, prezantimin, promovimin e trashëgimisë kombëtare të shtetit shqiptar në fushën e arteve pamore.

13 janar 1945

Miratohet “Ligji i tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”, i cili synonte goditjen e të gjithë atyre që ishin pasuruar gjatë luftës.

14 janar 1945

Një ditë pas miratimit të “Ligjit të tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”, u miratua ligji për konfiskimin e pasurive private kriminelëve të luftë dhe armiqve të popullit.

14 janar 1945

U zhvillua beteja e Tamarës ndërmjet forcave të Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe forcave popullore të Malësisë së Madhe (Kelmendit). Në këtë betejë të përgjakshme u vranë vetëm nga Brigada e parë sulmuese 19 partizanë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, ndërsa nga forcat e rezistencës antikomuniste ranë katër malësorë nga Vukli, të gjithë viktima të luftës civile të shkaktuar nga komunistët.

14 janar 1990

Një grup qytetarësh në Shkodër planifikuan një demonstratë mbi gjendjen e rënduar ekonomike dhe heqjen e bustit të Stalinit nga qendra e qytetit. Ky organizim dështoi pas arrestimit të organizatorëve në mesnatën mes 13 dhe 14 janarit nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Për pasojë, më 14 janar u organizua vetëm një demonstratë e heshtur ku morën pjesë rreth 3 mijë persona.

15 janar 1962

Më 15 janar 1962 u hap Konservatori Shtetëror i Tiranës. Ishte shkolla e parë e lartë e muzikës në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, shumë studentë u kthyen nga Moska pa i përfunduar studimet, kryesisht për muzikë. Kështu lindi nevoja për një shkollë të lartë muzike.

21 janar 1920

Nisi punimet Kongresi Kombëtar i Lushnjës, i cili miratoi Aktin Kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, si edhe zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, regjencën, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe Këshillin Kombëtar me 37 vetë, në funksion të parlamentit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Aqif Pashë Elbasani. Kongresi formoi qeverinë demokratike me kryeministër Sulejman Delvinën.

21 janar 1924

Kuvendi Kushtetues, u mblodh nga 21 janari deri më 2 qershor 1924. Detyra e tij kryesore ishte hartimi i ligjit themeltar, kushtetutës. Ky objektiv nuk u arrit për shkak të atentatit ndaj kryeministrit Ahmet Zogut nga Beqir Valteri më 24 shkurt dhe dorëheqjes së tij, si edhe të shpërthimit më vonë të Kryengritjes së Qershorit. Më 2 qershor 1924 Kuvendi mbylli sesionin e parë të procedurës. Periudha e dytë: Me rikthimin në pushtet të Ahmet Zogut, dhjetor 1924, Kuvendi Kushtetues rifilloi punën më 12 janar 1925. Ai realizoi detyrën për të cilën u krijua: miratimin e ligjit themelor të shtetit, që do të përcaktonte formën e qeverisjes dhe institucionet e shtetit.

21 janar 1925

Shpallja e Republikës Shqiptare nga Kuvendi Kushtetues. Më 31 janar 1925 Ahmet Zogu u shpall President i Republikës me vendim të Kuvendit Kushtetues.
Forma e qeverisjes në Shqipëri u përcaktua republikë parlamentare, sovraniteti i të cilës rridhte nga populli. Për herë të vetme në historinë e Shqipërisë, parlamenti i saj përbëhej nga dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve. Dhoma e Deputetëve (Dhoma e ulët) përbëhej nga 57 deputetë të zgjedhur nga populli dhe Senati (Dhoma e lartë) përbëhej nga 18 senatorë (dy të tretat e të cilëve zgjidheshin nga populli dhe një e treta nga Presidenti i Republikës). Mbledhja e dhomave të parlamentit në seancë të përbashkët, njihej si Kuvend Legjislativ dhe në seanca të ndara njiheshin me emrat e tyre respektivë.

21 janar 1925

Menjëherë pas rikthimit të Zogut në pushtet, botohet gazeta “Skënderbeu” dhe po gjatë vitit 1925 botohen: “ Indipendenca shqiptare”, “Brezi i ri”,“Labëria”, “Zan’i Popullit”, “Zëri i Korçës”, “Ushtima e Vlorës”, “Rilindja shqiptare”, “Ideja Kombëtare” dhe “Demokratia”, si edhe vijojnë botimin gjatë mbretërisë “Hylli i Dritës”, Drita”, “ Dituria”, “Përpjekja shqiptare” etj.
Në këtë periudhë ekzistonte censura për botimet, sidomos nuk lejohej cenimi i figurës së Mbretit dhe i familjes mbretërore, siguria kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu, u mbyllën gazetat “Rilindja”(1934-1936) dhe pronari i saj u fut në burg, u mbyll gazeta “Bota e Re”(1937), gazeta “ABC”( u sekuestrua në shtypshkronjë në vitin 1936) e të tjera gazeta që botoheshin jashtë Shqipërisë dhe ndalohej hyrja e tyre, si “Republika” etj.

21 janar 2011

U organizua protesta e opozitës që drejtohej nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Gjatë protestës u vranë me armë zjarri nga forcat e Gardës së Republikës demonstruesit Ziber Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtezai dhe Aleks Nika.

23 janar 1946

Shkrimtarja Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie.

24 janar 1997

Rebelimi i vitit 1997 filloi si protestë popullore dhe vazhdoi si lëvizje antiqeveritare nga 24 janari deri më 24 korrik 1997, kur Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, u dorëhoq. Shkaku i rebelimit ishte falimentimi i të ashtuquajturave skema piramidale që shkaktuan rreth 1,2 miliardë $ humbje në kursimet e qytetarëve shqiptarë.

25 janar 2006

Më 25 janar 2006 Asambleja parlamentare e KE-së votoi Rezolutën Nr.1481, “Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Delegacioni shqiptar votoi pro saj. Në tetor 2006 kjo rezolutë u miratua edhe në parlamentin shqiptar. Në vazhdën e vendimeve të Rezolutës, Parlamenti miratoi themelimin e “Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit” (ISKK) më 2010.

26 janar 1945

Para sheshit të Bashkisë së Shkodrës ekzekutohen me pushkatim Major Shaban Elezi, Palok Pikolini, Elez Hoti, Ded Shabani, Shefki Haliti, Pjeter Nikaj, Abdyl Bushati dhe Selim Rama. Pushkatimi i tyre nga regjimi i sapo instaluar komunist do ishte ngjallja e terrorit në popullsi dhe frika që do pasonte. Vrasja u bë më urdhër të Prokurorit të Shkodrës Josif Pashko, i cili sapo kishte filluar punën, e ndërsa masakra ndodhi 2 muaj pas instalimit të qeverisë së Enver Hoxhës.

27 janar 1945

Dita ndërkombëtare e kujtesës së viktimave të Holokaustit, zhdukjes masive të hebrenjve nga nazistët nëpër kampet shfarosëse të vdekjes. Rreth 6.000.000 hebrenj të të gjitha moshave, përfshirë figura të shquara të shkencës dhe kulturës, u masakruan dhe u zhdukën barbarisht në kampet naziste në Ausshvic, Dachau, Mat’hauzen etj. Vetëm në Shqipëri u mbrojtën të gjithë hebrenjtë, nuk u ekzekutua asnjë. Qeveria shqiptare e asaj kohe nuk lejoi arrestimin dhe asgjësimin e tyre, po ashtu edhe familjet shqiptare i strehuan dhe i mbrojtën.

31 janar 1946

Në Shkodër u zhvillua gjyqi kundër organizatës opozitare “Bashkimi Shqiptar”. Prokurori Aranit Çela dha 6 dënime me vdekje pushkatim dhe dhjetëra dënime me burgim. Ndër të ekzekutuarit ishin dhe krerët e dy urdhërave katolikë më të rëndësishëm të kohës, atij jezuit dhe françeskan.