“Karakteristikë” për aktorin Robert Ndrenika

robert-ndernika2

Nga Dashnor Kaloçi

Libri i Kaloçit “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist…” publikon karakteristikën e kuadrit të aktorit të famshëm të dhjetra roleve, të vitit 1989

Karakteristika “I vëllai i Robert Ndrenikës, inxhinier topograf, u arratis jashtë në 1961-in”

Dokumentet që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i përkasin vitit 1989 dhe janë disa propozime të bëra nga Kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Alfred Uçi, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, për dekorimin e një grupi prej 12 personash, (Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Roland Çene, Shaban Hysa, Haxhi Dalipi, Dhimitraq Orgocka, Agim Qirjaqi, Ndrek Shkjezi, Alfons Balliçi, Fatos Haxhiraj dhe Ahmet Pasha), të gjithë artistë dhe aktorë të njohur të ekranit dhe Kinematografisë shqiptarë të atyre viteve por dhe më pas.

Siç shihet dhe nga dokumentet në fjalë që janë nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit (Fondi 14, Ap, Struktura), propozimet pasi janë bërë nga institucionet përkatëse ku ishin me punë personat e propozuar, ato i janë dërguar Komitetit të Kulturës, të kryesuar nga Alfred Uçi, i cili karakteristikat përkatëse për çdo njërin prej tyre, i ka dërguar në sektorin përkatës të Komitetit Qëndror që asokohe mbulohej nga Enver Halili. Dhe më pas ai (Halili), ja ka dërguar për miratim sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandë, gjë të cilën e kishte mbajtur Ramiz Alia deri në vdekjen e Enver Hoxhës. Për brezin e ri që nuk e ka jetuar atë kohë, theksojmë se karakteristika personale, ishte një dokument mjaft i rëndësishëm për çdo kuadër dhe prej saj varej shumë e gjitha puna dhe karriera e tij.

Po kështu, karakteristika ishte sekret dhe asnjë person nuk kishte të drejtë ta shikonë dhe as nuk e dinte se çfarë shkruhej për të. Ajo ishte pjesë e dosjes personale dhe mbahej në kasafortë nmga dega e kuadrit e institucionit (që ishte e siguruar me hekura) dhe ajo shoqëronte nga pas kudo që mund të transferohej apo emërohej kuadri në punë të ndryshme. Po kështu, këto karakteristika përdoreshin edhe në raste dekorimesh, siç janë këto që po publikojmë në këtë pjesë të librit. Karakteristika e kuadrit ishte një dokument që nuk para ndryshonte shpesh përmbajtjen e saj, me përjashtime të rralla kur personi pësonte gjëra tepër të rëndësishme në punën dhe jetën e tij. Më saktë ajo ndryshonte vetëm për ta rënduar personin, pra kuadrin përkatës dhe rrallë herë për të shënuar gjëra që e vlerësonin apo lavdëronin punën e tij.

Gjëja me interesante që vihet re në këto karakteristika, është fakti që edhe pse ato dërgoheshin për dekorim, aktorit të njohur, Robert Ndrenika (si dhe të tjerëve si Alfons Balliçi etj), u janë shënuar edhe anët e “errëta të tyre” ato biografike, si/p.sh. ajo që vëllai i Robertit, ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1961. Gjë e cila kurrsesi nuk mund të mbahej e fshehtë nga askush, madje as nga vetë Roberti, kur i duhej për të bërë biografinë e tij, e cila u kërkohej kuadrove herë pas here. Por gjithsesi duhet theksuar, se karakteristika e aktorit të famshëm, Ndrenika, është përpiluar me mjaft dashamirësi nga Alfred Uçi, gjë e cila solli dhe miratimin e saj dhe akordimin e titullit të lartë, Artist i Popullit”. Pasi siç kemi parë edhe në dokumentet e tjera në kapitujt paraardhës të këtij libri, ndaj Ndrenikës, ka pasur mjaft akuza, madje deri urdhëra për largimin e tij nga puna si aktor. Gjë të cilat i vinin për të vetmin shkak, vëllanë e arratisur, gjë e cila e ka rrezikuar shpesh herë karrierën e jetën e tij, por që Roberti mundi t’i shpëtonte vetëm në saj të punës, korrektesës dhe talentit të tij. Nga këto dokumente, po publikojmë vetëm karakteristikën e tij.

karakteristike

ROBERT PETRO NDRENIKA –aktor-

Ka lindur në Tiranë në vitin 1942, banues në lagjen nr. 5, Rruga “Islam Alla”. Nr. 126.

Është me origjinë nëpunës i mesëm dhe gjëndje nëpunës.

Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1964.

Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, ka qenë indiferent. Tani është i mirë.

I jati i tij Petro, nga Vunoi i Himarës, para çlirimit ka shërbyer në Ministrinë e Financave. Nga viti 1945 deri në vitin 1948, shërbeu përsëri në Ministrinë e Financave. Më vonë ka punuar në Komitetin e Fiskulturës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Tani është në pension. Një vëlla i tij, inxhinier Topograf, në vitin 1961 është arratisur jashtë shtetit.

E jëma, Krisafgjia, para dhe pas çlirimit deri sa doli në pension ka qenë arsimtare.

Ka filluar punë në Teatër në vitin 1974.

Para se të vinte këtu, ka qenë aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit.

Është një nga aktorët e talentuar të Teatrit Popullor dhe një nga aktorët më me rendiment.

Kontributi i tij është i madh në teatër dhe në film.

Është i përgatitur ideologjikisht dhe bën përpjekje të mira për t’u thelluar në materialet e partisë dhe të shokut Enver.

Gjatë viteve të fundit, veç kontributit të tij të ndjeshëm në Kinematografi, ka realizuar shumë role kryesore ne pjesët “Nata e dymbëdhjetë”, “Kështua të dua”, “Komunistët”, “Shi në plazh”, “Vdekja e një komisioneri”, role që janë mirëpritur nga spektatori dhe kritika letrare. Mban peshë të madhe në repertorin aktiv dhe është i papërtueshëm në punë.Ndihmon shokët më të rinj në realizimin e roleve që u besohen.

Për merita në punë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, i ka akorduar titullin “Artist i Merituar”.

Propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Popullit”.

20.1.89

DREJTORI

(Muharrem Shtylla)

 

Burimi: http://www.gsh.al/2017/06/21/dossier-si-e-ka-pesuar-robert-ndrenika-nga-arratisja-e-vellait-ne-1961/

 

Postime të ngjashme