Kërkimi për të zhdukurit e komunizmit nis nga Mali me Gropa

zhdukurit-e-komunizmit

Nga Fatmira Nikolli

Tri ditë më parë, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u firmos marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (më tej: ICMP). Duke qenë se prej rënies së regjimit komunist familjarë të më shumë se 4 000 të zhdukurve kërkojnë eshtrat e të afërmve, pritet që të nisë puna në terren, duke nisur fillimisht nga identifikimi i 13 mbetjeve njerëzore të gjetura 8 vite më parë në një varrezë masive në Dajt. Më pas, sipas të dhënave të siguruara ndër vite, do të kërkohen eshtra të tjera të pushkatuarish gjatë regjimit, për të bërë të mundur mandej, identifikimin e tyre dhe dorëzimin e eshtrave tek familjarët.

Marrëveshja mes qeverisë dhe ICMP-së është iniciuar nga Genta Mara Sula vite më parë kur ajo ishte zëvendësministre e Çështjeve Sociale. Tani, kur ajo po finalizohet dhe Sula drejton Autoritetin e Dosjeve uron “ata që punuan për këtë standard të ri të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, sidomos familjeve që nuk kanë reshtur kurrë përpjekjet për t’i nderuar njerëzisht personat e humbur”.

Duket se Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit, do të ketë rol edhe për gjetjen e varreve të të zhdukurve. Pak ditë më parë, pranë Autoritetit, është paraqitur Hamz Kazazi. “Na tregoi me skicë e hartë për një vendvarrim të fshehtë, ku mund të gjenden eshtrat e të pushkatuarve nga diktatura komuniste. Këtë informacion të vyer do ta dërgojmë menjëherë tek IIPP dhe ICMP. Z. Hamz ende kërkon eshtrat e 7 pjesëtarëve të familjes së vet”, shkruan Sula.

BE i ka dhënë ICMP rreth 450 000 euro për të nisur punën. Shuma do të përballojë kërkimin në dy vendvarrime ku besohet se prehen viktima të paidentifikuara, por ka edhe dhjetëra vendvarrime të tjera në vend. Gërmimi i parë do të bëhet në një varrezë sekrete në zonën e njohur si Baraka 313 në afërsi të Malit me gropa në Tiranë, ku mendohet se shumë njerëz janë ekzekutuar e varrosur, ndërsa pika e dytë do të jetë një zonë në Ballsh.

Marrëveshja

Marrëveshja mes qeverisë dhe ICMP-së përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj të fundit mbi gjetjen e të zhdukurve. ICMP (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur) do të ndërmarrë përpjekje për të asistuar autoritetet shqiptare në përpilimin e listës së personave që janë zhdukur dhe anëtarët e familjeve të tyre, duke përdorur Qendrën e Kërkimit Online të ICMP-së (OIC) dhe Sistemin e Menaxhimit të Identifikimit të të Dhënave (iDMS).

Ai do të sigurojë asistencë teknike në aspektin e arkeologjisë dhe antropologjisë mjeko-ligjore dhe do të sigurohet që familjet e personave të zhdukur të informohen rregullisht lidhur me përparimin në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.

Komisioni do të shpërndajë informacione në lidhje me procesin e kërkimit, rikuperimit dhe identifikimit për publikun, në konsultim me autoritetet Shqiptare. Ai do të kryejë vlerësime të nevojave për të përcaktuar kërkesat për gërmimin, rikuperimin dhe operacionet identifikuese në lidhje me personat e zhdukur. Nga ana tjetër, gjatë punës kërkimore, do të mbledhë të dhëna ante-mortem (para vdekjes) për personat e zhdukur dhe mostrat gjenetike referuese nga anëtarët e familjes në përputhje me politikat e saj të mbrojtjes së të dhënave.

ICMP do t’i ofrojë Komisionerit Shqiptar për mbrojtjen e të dhënave kopjet e Politikat e ICMP-së mbi Përpunimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Politikën mbi Mbajtjen e të Dhënave, Të Dhëna dhe Prova Fizike dhe Politikën e ICMP-së mbi Konfidencialitetin.

Për identifikimin e eshtrave që gjenden, Komisioni do të kryejë testime të ADN-së së mostrave post-mortem të pranuara nga institucioni përgjegjës i Shqipërisë dhe të kërkojë që të përputhen profilet e ADN-së të marra prej tyre me mostrat e ADN-së të ofruara nga anëtarët e familjes së të zhdukurve në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit ICMP aktuale në kohën e testimit. Ai ka marrë përsipër të komunikojë në kohën e duhur, rezultatet e gjetjeve të saj me institucionin shqiptar përgjegjës për njerëzit e zhdukur, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Për çdo rast, Komisioni Ndërkombëtar i Personave të zhdukur do të dërgojë raportet e ADN-së në formatin e raportimit standard të ICMP-së tek institucioni Shqiptar përgjegjës për njerëzit e zhdukur, i cili pas marrjes së tyre, ua dërgon autoriteteve përgjegjëse gjyqësore dhe ekspertëve për kryerjen e identifikimeve ligjore dhe lëshimin e certifikatave të vdekjes dhe mundësimin e varrimit të denjë të mbetjeve mortore të të zhdukurve.

Gazeta Shqiptare, 9 qershor ’18

Postime të ngjashme