Komunizmi na pengoi të njohim veten, pastaj botën

mnano01

Nga Mustafa Nano

Regjimi e kishte mendjen tek indoktrinimi i njerëzve, e jo tek edukimi dhe emancipimi i tyre. Komunizmi na pengoi të njohim veten, pastaj botën Letërsisë së shkruar nga katolikët e Shkodrës i jam rikthyer shpesh më pas, fillimisht pa asnjë dalldi, por thjesht për një ndjesi detyre, për të plotësuar puzzle-in e dijeve të mijaplot njolla boshe prej kohëve të komunizmit. Ka njerëz që mendojnë se komunizmi ia doli, në mos tjetër, t’u japë dije e kulturë shqiptarëve, por nuk duket se është kështu.

Po, është e vërtetë që komunizmi ndërtoi një sistem arsimor që funksiononte mbi bazën e një disipline të rreptë e që shtrihej në të gjithë territorin, por e gjitha kjo në një plan të gjerë nuk bëri gjë tjetër, veçse e alfabetizoi shoqërinë, dhe në një plan më të ngushtë, bëri të mundur thjesht krijimin e një intelligentsia-je “të formuar mirë teknikisht e kulturalisht” për nevoja të regjimit.Ja, unë isha, deri në vitin 1990, një pjesëtar i kësaj intelligentsia-je, një i diplomuar në Universitetin e Tiranës për inxhinieri elektronike që, me të dalë në jetë, urinë time për dije e kulturë mund ta vrisja veç me ç’më ofronte regjimi në newspeak-un e tij orwell-ian. Të shumtët e morën vesh aposteriori dëmin e madh që iu ishte bërë, dhe jo thjesht ngaqë ishin mbyllur kufijtë me botën, por mbi të gjitha ngaqë ishin ngritur kufij brenda botës sonë.

Gjëja më e rëndë pra nuk ishte që regjimi na pengonte të merrnim të pafiltruar kulturën botërore, por që na fshihte, dhe na ndëshkonte po t’na gjente kureshtarë për të gjurmuar e zbuluar, copëra të kulturës e të historisë sonë. Isha në apartamentin e Fatos Lubonjës, dhe mbi tryezën e dhomës së ndenjies pashë një libër me autor Vangjel Koçën.Ish një emër që mua s’më thoshte asgjë. Aty e mora vesh se kush ish. Nuk di kur kish rënë në kontakt Lubonja me këtë autor të publicistikës shqiptare; ndoshta qysh në të rite e vet, për shkak të një kërshërie a interesi intelektual apo për shkak të statusit (ish i biri i Todi Lubonjës, funksionar I rëndësishëm i regjimit atëbotë, më pas i burgosur politik) që ia bënte të kollajtë aksesin te gjërat e ndaluara, ndoshta gjatë viteve të burgut, që Lubonja vetë, apo dhe bashkëvuajtës të tij, e kanë vizatuar si vendin më ideal për të bërë brainstorming e ku informacioni mbi gjërat e ndaluara ish më i kollajtë, ndoshta gjatë viteve, në të cilat unë rropatesha të gjeja një mënyrë për të mbajtur frymën gjallë, e më pas për të realizuar veten në këtë jetë, por soji im, domethënë masa e madhe e intelligentsia-s asokohe, nuk mund të mos shqyente sytë përballë emrash të tillë, si Vangjel Koça pra, Krist Maloki, Tajar Zavalani, Ismet Toto, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Eqrem bej Vlora (këtë të fundit e kemi njohur shumë vonë të gjithë), ose duke u zhvendosur në lëmin e veprimtarëve politikë, Zef Jubani, Nikolla Naço, familja Qiriazi, Vincenzo Dorsa, D’Auletta, Gjin Aladro Kastrioti, Ibrahim Temo, Preng Doçi, Kristo Dako, Sejfi Vllamasi, Nikollë Ivanaj, apo duke bërë një zhvendosje tjetër në hapësirë e në kohë, për të shkuar mu në themele të Rilindjes sonë kombëtare, tek emrat e albanologëve të parë të huaj që e shpikën/zbuluan Shqipërinë përpara se këtë gjë ta bënin shqiptarët (Branko Merxhani është i sigurt se “… sytë e intelektualëve të pare shqiptarë i hapën ata shkencëtarë europianë, që në mes të shekullit XIX kishin nisur të interesohen për gjuhën shqipe”).

Për të mos folur këtu për emrat e tjerë që ne po njësoj nuk mund t’i lexonim, por nuk mund të mos i njihnim, ngaqë regjimi bënte çmos të na i nxirrte në një dritë të keqe, e këtu bëjnë pjesë edhe autorët katolikë shkodranë, mes të cilëve ishte Gjergj Fishta, Anton Harapi, Ernest Koliqi, e të tjerë. Për Martin Camajn nuk flitej keq.Ngaqë nuk flitej fare.Publicisti kosovar, Nexhmedin Spahiu, rrëfen në një shkrim të vetin, të publikuar në gazetën Mapo, një përvojë argëtuese që ka të bëjë me emrin e Nebil Çikës, publicist i atyre kohëve.Ja ç’thotë ai: “Viteve të ’90-ta, kur isha kryeredaktor i së përditshmes ‘Albania’, që atë kohë ishte njëra prej dy gazetave më të mëdha në Shqipëri, erdhi e u prezantua një djalë: Jam Nebil Çika! Të gjithë e shikuam të habitur, pasi ky emër nuk thoshte asgjë për ne. Djaloshi u vu në siklet dhe me nervozitet të shtuar tha sërish “Jam Nebil Çika, nipi i të famshmit Nebil Çika”. Të gjithë që ishim të pranishëm në redaksi gati sa nuk ia plasëm gazit. Kush na qenka ky i famshëm për ne kurrë I dëgjuar? Më pas rashë në udhë dhe u interesova për gjyshin e këtij djali që [në të vërtetë] kish qenë publicist i famshëm.

…Regjimi e kishte mendjen tek indoktrinimi i njerëzve, e jo tek edukimi dhe emancipimi i tyre. E pyes shpeshherë veten pse është dashur që unë ta vizitoj kalanë e famshme të Beratit, të cilën e kisha veç një çap larg shtëpisë sime, vetëm pasi u përmbys komunizmi. Si është e mundur që strukturat e formimit komunist e nacionalist, ato shkollore e joshkollore, nuk kishin kurrë të programuara në agjendat e tyre të edukimit vizita në Berat për ne, që ishim aq afër këtij qyteti, në një kohë që vetë regjimi asnjë dëm s’do të kish prej kësaj pune? Është jologjike, surreale, por e vërtetë: Kalanë e Beratit, tok me Muzeun e Onufrit aty brenda, unë e kam vizituar për herë të parë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Dhe emrin e Onufrit thjesht e kishim të dëgjuar, si të ish fjala për ndonjë njeri me veprimtari subversive. Nuk na thuhej asgjë në shkolla për piktorin shqiptar të shekullit XVI. Ashtu si nuk na u tha asnjëherë në funksion të edukimit me vlera e tradita lokale se në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912, kish qenë dhe një përfaqësues i asaj zonës sonë. Kish nënshkruar, tok me të tjerë, dokumentin e shpalljes së pavarësisë. Quhej Xhelal Koprëncka. Unë e kam marrë vesh shumë vonë këtë fakt.

Në përgjithësi, Shqipërinë kam nisur ta zbuloj pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, e në këtë mes kam zbuluar (për aq sa i kam zbuluar) dhe autorët katolikë shkodranë. Thashë, që do syresh i kam studiuar në shkollë, dhe unë përmenda çfarë mbaja mend prej atyre moteve, s’ka gjë se të rrëfyera prej meje nga kjo largësi kohore ato mund të ngjajnë me çikërrima pa vlerë. Duhet të ketë të drejtë Ernest Koliqi, kur thotë në tregimin e vet Hanë gjaku, se “… në paç kujtime fëmijnije, mund të vejsh roe në to se ma të dashunat e ma të çuditshmet janë shi njato qi, me i kallzue, duken asgja”.

I fundit shkrimtar katolik që kam zbuluar është Martin Camaj.Dhe e kam zbuluar shumë më vonë sesa Primo Shllaku. Fillimisht kam dëgjuar të flasë për të Ardian Klosin (Dritë pastë!, thosh Koliqi në të tilla raste), i cili ka pasur fatin ta njohë qysh në çastin që u hapën kufijtë, pas rënies së regjimit të komunizmit. Nuk është çudi që edhe gegërishtja t’i kish hyrë në zemër prej Camajt. Për ca kohë, Klosi ishte i vetmi që fliste këtyre anëve për albanologun dhe shkrimtarin e panjohur shqiptar.Ose ndoshta kam qenë unë që shihja vetëm Klosin ta bënte këtë gjë.Më pas, më ka folur Primo Shllaku për të.Më dhuroi dhe studimin e tij mbi Uliksin…, një monografi për poetin Martin Camaj (Camaj është dhe novelist).Shllaku lë të kuptohet se Camaj është më i madhi autor i gegërishtes, dhe ndoshta ka të drejtë.Ajo që mua më bën përshtypje është gjuha e Camajt.Vehbiu e quan opake gegërishten e tij, që është më afër standardit sesa shkodranishtes letrare.Gjuha e librave të tij, afërmendsh, nuk është ajo që ai mori me vete, kur la vendin në vitin 1949.

Ajo që unë e quaj në mënyrë ndoshta të guximshme “fqinjërimi i tij me standardin” dhe që Vehbiu e quan një përpjekje individuale për të ngritur një “gegërishte të përgjithësuar” duket se ka përbërë një synim të tijin për t’iu qasur e për t’iu vardisur sa më shumë lexuesve. Por Karl Gurakuqin, që ia lexonte librat (ndoshta me lutjen e tij), nuk e ka lënë shumë të kënaqur me shqipen që përdorte. “Martin Camaj asht djalosh plot shpresa për të ardhshmen”, i shkruan ai Mustafa Krujës andej nga viti 1958, por “në pikëpamje të gjuhës shkjepon atykëtu, e prandaj] i kam shkrue nji letër të gjatë, nji filipikë, tue i dhanë pak mësime gramatike e sintaksore, sidomos përsa I përket mënyrës së lidhjes së kohvet në fjali”. Siç shihet, jemi në një periudhë të hershme të krijimtarisë së Camajt (1958).Vehbiu nuk e ka shpjeguar se ç’kupton me “gjuhën opake” të Martin Camajt, por mua nuk më duket se gjuha e tij është opake në ndonjë kuptim.Shqipja e tij është e thjeshtë, e qartë, e kuptueshme, shkurt një gegërishte për të gjithë.

Një toskë, apo edhe një gegë i standardizuar, mund ta lexojë pa asnjë problem Camajn, s’ka gjë se mund të mos e shijojë për arsye jashtëgjuhësore, domethënë letrare a kulturore. Vërtet, ku dreqin do të ngecte një toskë në një paragraf si ky që vijon:“Përkundra, atje nalt, një motiv përgojimi tirret e merr  trajta të qarta në rrethana vetmie ku një njeri i vetëm e peshon atë nga të gjitha anët, e tëhollon e kullon çdo gjasë e mundësi se ngjarja paska lindë e qenka zhvillue kështu e kështu dhe mandej, si punë fare të kryeme, e len me ra si prej qiellit, copë akulli në vend të kokrrës së breshnit, as me qenë thashethana një kangë kreshnike treqind vargjesh”? Dhe vini re: nuk është një paragraf që unë e kërkova me qiri për të ilustruar një ide fikse timen. Është thjesht një paragraph çfarëdo, që unë e gjeta duke hapur “ku t’më qëllojë” librin e novelave të Camajt, në faqen 29.

Tjetra cilësi e Camajt është se ai nuk se ai nuk e ndot frazën e tij me pothuaj asnjë fjalë të huaj, nëse përjashtojmë fjalë që kanë hyrë tanimë në shqip e të cilat, edhe pse mund t’u gjendet, apo u është gjetur, një fjalë gjegjëse, na janë bërë si tonat; fjala vjen aksident, vullnetar, motiv, etj. Do fjalë të huaja mund t’i fuste edhe për një kandje stilistike, por ai nuk e bën këtë; nuk e bën asnjëherë, a thua se do të bëhej fjalë për një “kandje t’prujtun” (“Kandje t’prujtna”, thotë Fishta diku, dhe me këtë ka parasysh qejfet e ndyra), në një kohë që një fjalë e huaj, poetit, sidomos poetit, e sidomos Camajt, që është rritur gjithë kohën jashtë vendit e larg gjuhës s’tamblit, do duhej t’i dilte vetvetiu; e me siguri, i kanë ardhur me mijëra fjalë të tilla në çastet e frymëzimit, por ai i ka kthyer mbrapsht. Kjo nuk është një cilësi që ia rrit forcën si poet e si novelist. Jo, s’është fare e thënë. Frazat e vargjet e tij shqipe do të ishin po aq lozonjare sa janë, ndoshta ca më shumë, edhe nëse nëpër to do fekste herë pas here ndonjë barbarizëm. Por jo, ai s’ecën asaj ane, dhe kjo afërmendsh është thjesht një qasje individuale, ndoshta një trill, i tij dhe kaq. Është kështu që ai ka zgjedhur të bëjë atë që bën. Këtë ka bërë gjithë kohën dhe Ismail Kadare, por ky fakt, të gjithë e dime këtë, nuk luan ndonjë rol kushedi se çfarë kur vjen puna te vlerësimi i veprës së Kadaresë, e cila është e madhe për arsye bukur të tjera.

Pjesë nga libri i Mustafa Nanos “Unë jam gegë”

http://www.noa.al/

Postime të ngjashme