Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” dhe Shqipëria

Ulrich Maehlert

Nga Dr. Ulrich Mählert*

Shtetet dhe shoqëritë e Europës postkomuniste mbajnë mbi vete një peshë historike, e cila ende nuk kuptohet qartë në Europën Perëndimore. 28 nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë qenë deri në 1989-90 më së paku pjesërisht nën pushtetin komunist. Ndërsa në një të ardhme afatmesme, BE-ja do të jetë një bashkësi shtetesh, të cilat kanë në shumicën e tyre një të shkuar komuniste.

Vende potenciale për anëtarë të EU-së si Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria kanë filluar tashmë në masë të madhe një diskutim shkencor, politik, social dhe juridik të së shkuarës së tyre komuniste. Edhe shtete fqinje dhe partnere të BE-së janë përpara një diskutimi të tillë, si Algjeria, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Bjellorusia dhe Ukraina. Ballafaqimi me historinë e komunizmit duhet të jetë më shumë se kurrë në agjendën e kontekstit europian në dekadat që vijnë.

Në këtë kontekst, në Shqipëri merr shumë rëndësi puna që bën në këtë drejtim Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Fondacioni Federal mbi Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore ka mundur të shoqërojë në dhjetë vitet e fundit dhe vëren me kënaqësi se në Tiranë është duke u krijuar ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme, një rrjet institucionesh, i cili vihet përpara sfidës, për të informuar mbi diktaturën komuniste në Shqipëri dhe për të hapur një debat shoqëror.

Është për t’u vlerësuar ajo që Qendra URA ka bërë me BunkArt-in, fakti që sot ekziston “Shtëpia e Gjetheve”. Puna e shoqatave të ish-të përndjekurve të diktaturës komuniste ka qenë shumë e lavdërueshme. Puna e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit është një konfirmim i rëndësisë së diskutimit mbi diktaturën. Dhe fakti që në Muzeun Historik Kombëtar hapet një ekspozitë për historinë e komunizmit në rrafsh global, është tregues se kjo temë po merr ngadalë vendin që meriton.

Për t’u vlerësuar është këtu edhe angazhimi i institucioneve kulturore gjermane në Shqipëri, si OSBE, por veçanërisht Fondacioni Konrad Adenauer, që i kushton kaq shumë vëmendje diskutimit mbi diktaturën komuniste! Ndoshta fjalët e mia tingëllojnë paksa euforike për ata që përballen çdo ditë me pengesa,të cilat ua vështirësojnë punën e përditshme, sidomos po të mendosh mosinteresimin e popullsisë për të kaluarën, siç ka provuar një studim i OSBE-së.

Por duhet të gëzohemi për ato që janë arritur deri tani dhe të gjejmë forcë për të punuar më tej dhe për të zgjuar interesin te të gjithë ata që sot reagojnë duke tundur supet dhe duke refuzuar. Mbështetje kërkon sidomos Burgu famëkeq i Spaçit, që rrezikon të shembet, për t’u kthyer më në fund në një muze kujtese siç e meriton. Kjo kërkon angazhim si nga qeveria shqiptare, ashtu edhe nga investitori i minierës që operon aty. Por edhe diçka tjetër duhet të vendoset në agjendë: Qendra e Tiranës është zbukuruar përreth Skënderbeut, me mund dhe hijeshi.

Por sheshi gjigant nxjerr në pah një vend të zbrazët. Aty ku ka qenë dikur statuja e diktatorit Enver Hoxha, mungon diçka: mungon memoriali për viktimat e komunizmit, që në Shqipëri ka qenë veçanërisht i egër. Ku mund të ngrihej tjetër një memorial i tillë, në mos atje? Përse na shërben analiza e komunizmit? Njohja e komunizmit mund të ndihmojë për të njohur dhe luftuar përpjekjet e sotme për ngritjen e diktaturave të reja. Në këtë kuptim, kjo ekspozitë ndihmon për të pasur një vështrim të përgjithshëm të historisë botërore të komunizmit, e cila krijoi sfondin ku u ngrit pastaj diktatura komuniste në Shqipëri.

Regjimi i Enver Hoxhës dhe i shokëve të tij ishte për Europën një ekstrem i komunizmit ndërkombëtar që mund ta kuptohet vetëm kur njeh prishjen midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës nga fundi i viteve ‘50. Dhe nëse kjo ekspozitë hap diskutime, pyetje, aprovime dhe kontradikta, atëherë ia kemi arritur qëllimit në ballafaqimin tonë me diktaturën. Dhe njëherë: Përse e gjitha kjo? Ne kemi nevojë për një reflektim mbi komunizmin edhe për të bërë drejtësi për viktimat e tij. Shumë fate familjesh, shumë trauma prej të cilave vuajnë ende shumë njerëz sot, i kanë rrënjët tek e kaluara. Për këtë të kaluar edhe sot e kësaj dite heshtet.

Në këtë rast, kujtesa ndihmon për të shëruar plagët. Dhe ne kemi nevojë për analizë të komunizmit, për të ditur se kush dhe në çfarë mënyre, përkatësisht në çfarë funksioni, jo vetëm i ka shërbyer diktaturës, por mban edhe përgjegjësi për padrejtësitë dhe krimet e kryera. Njohuritë për viktimat dhe kriminelët janë kusht për shërimin e plagëve që ka pësuar çdo shoqëri, që ka vuajtur dhjetëra vite nën një regjim komunist. Këto plagë i gjen në të gjitha vendet postkomuniste me intensitet të ndryshëm.

Një i huaj vetëm mund ta marrë me mend si është gjendja në shoqërinë tuaj shqiptare! Por, sado pak të di për jetën tuaj si historian, unë e kam të qartë se në asnjë vend tjetër të Europës Lindore dhe Qendrore nuk ka pasur një diktaturë të tillë, kaq brutale si në Shqipëri. E megjithatë, edhe për Shqipërinë ka vlerë e njëjta gjë si për vendet e tjera lidhur me analizën e së kaluarës: Të gjitha këto përpjekje duhet të synojnë një qëndrim të drejtë ndaj së shkuarës.

Vetëm kur viktimat e diktaturës komuniste të marrin respekt dhe mirënjohje, vetëm kur të jenë bërë të njohur përgjegjësit, vetëm atëherë shoqëria është në gjendje të kapërcejë të shkuarën dhe të arrijë pajtimin. Pajtim nuk do të thotë që krimet të mos ndëshkohen. Por pas çdo dekade që kalon nga rënia e diktaturës së komunizmit, kërkon korrigjimin e kutit matës se si do gjykohen përgjegjësitë personale në diktaturën komuniste.

Kush është sot 60 vjeç, ka poste shtetërore në politikë, ekonomi dhe kulturë dhe, para 1990-ës ishte në moshë të re dhe gjithmonë pjesë e makinerisë së regjimit komunist, integriteti i tij duhet të gjykohet nga këndvështrimi se çfarë qëndrimi ka mbajtur ai në tridhjetë vitet e fundit. Vetëm atëherë, aktiviteti i tij konkret në diktaturën komuniste mund të vendoset në peshore. Janë të paktë ata njerëz, të cilët në diktaturën komuniste të mos kenë pasur përgjegjësi qoftë për bindje apo nga frika në kryerjen e ndonjë padrejtësie në mënyra të ndryshme.

Në masën që rritet njohja e historisë së diktaturës së komunizmit dhe gatishmëria për një vështrim kritik apo autokritik për të kaluarën, në atë masë rritet jo vetëm forca e gjykimit e shoqërisë për të vlerësuar përgjegjësinë personale, por edhe mundësia për të bashkuar shoqërinë e ndarë. Kush mban qëndrim ndaj të kaluarës, flet dhe vepron ndershmërisht, atij duhet t’i zgjasim dorën dhe jo ta gjuajmë me grusht.

Në këtë kuptim, analiza e diktaturës komuniste nuk duhet të jetë larje hesapesh me të kaluarën apo të trajtohet si instrument në politikën e ditës. Shumë më tepër se aq, analiza e diktaturës duhet të kuptohet si një sqarim në kuptimin e parë dhe më të mirë të fjalës, dhe si një ftesë për bashkëveprim edhe për ata që 30 vjet më parë kanë qenë në anën e gabuar të barrikadës. Nëse nuk do të heshtet dhe nuk do të manipulohet më, atëherë pasha e së kaluarës do të jetë e përballueshme për të gjithë.

* Pjesë nga fjala e hapjes së kuratorit të ekspozitës “Komunizmi në epokën e tij”, që u çel në Muzeun Kombëtar më 19 shkurt 2018 si një bashkëpunim i Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Panorama, 23 shkurt ’18

Postime të ngjashme