Konferencë për të shkuarën dhe transformimin e medias

foto-2c-crop-u15558

Media luan një rol kyç në kujtesën kolektive të një vendi përmes mënyrës se si raporton mbi figura dhe ngjarje të ndryshme historike. Gjatë diktaturës, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, media dhe gazetaria shqiptare ishin pjesë e aparatit propagandues të regjimit. Transformimi i tyre në një media të pavarur e demokratike në fillim të viteve ‘90 s’ka qenë i lehtë. Kanë kaluar 25 vjet nga rënia e regjimit stalinist në Shqipëri dhe është koha të ekzaminojmë rolin që media dhe gazetaria shqiptare ka luajtur në reflektimin shoqëror në të kaluarën e vendit gjatë kësaj periudhe.

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri organizoi në datat 9 dhe 10 nëntor 2015 një konference ndërkombëtare, që mblodhi së bashku studiues të medias dhe komunikimit kulturor, të cilët paraqitën studimet e tyre dhe diskutuan mbi qëndrimin e medias ndaj të kaluarës së Shqipërisë, duke pasur si fokus të veçantë regjimin e mëparshëm totalitar.

Në mënyrë që eksperienca shqiptare të vendoset në një kontekst krahasimor, në konferencë u ftuan të marrin pjesë edhe studiues ndërkombëtarë me interes akademik mbi studimet e kujtesës në përgjithësi, dhe veçanërisht në vendet e Europës Qendrore e Lindore që kanë kaluar procese të ngjashme tranzicioni.

Qëllimi i kësaj konference ishte që të promovojë studimet dhe gjetjet për kërkime inovative me anë të kontributeve teorike dhe empirike në këtë fushë.

Konferenca u fokusua në këto tema:

  • Roli i medias në të shkuarën
  • Kultura gazetareske në të shkuarën dhe në të tashmen
  • Tema të kujtesës kolektive, perspektivat dhe zhanret në media
  • Tipat e tregut të medias dhe ndërtimi i kujtesës kolektive
  • Kujtesa kolektive e periudhave të tjera nëpërmjet lenteve të përvojës komuniste
  • Praktikat gazetareske në prodhimin dhe riprodhimin e kujtesës kolektive
  • Roli i producentëve të medias në ndërtimin e kujtesës kolektive
  • Roli i teknologjisë së medias në arkivimin e kujtesës kolektive
  • Kujtesa kolektive te dokumentarët (TV)
  • Rrjetet sociale dhe kujtesa kolektive
  • Mediat e kujtesës: Letërsia
  • Media (e reja) të kujtesës

Postime të ngjashme