KORRIK

2 korrik 1914

Lufta për mbrojtjen e Pogradecit dhe të Korçës nga turmat e armatosura të rebelimit haxhiqamilist. Batalionet vullnetare të Kolonjës, të stërvitura nga oficerët holandezë, u dolën përpara aradheve të Haxhi Qamilit dhe i ndalën në Trebinjë, ku ra dëshmor Zalo Prodani. Në hyrje të Pogradecit u zhvillua një betejë e përgjakshme, ku ranë dëshmorë Gani Butka dhe si edhe 60 luftëtarë kolonjarë.

2 korrik 1990

Eksodi shpërthyes i shqiptarëve drejt Perëndimit, pas gjysmë shekulli robërie. Më 2 korrik 3.200 qytetarë hynë në Ambasadën e RFGJ, mandej edhe në ambasadat e tjera, që u konsideruan portat e lirisë. Natën e 12 korrikut kamionët me refugjatë u nisën nga Tirana drejt portit të Durrësit. Me mijëra të tjerë mësynë tragetet dhe vaporët për të ikur nga Shqipëria, një shpresë, por edhe një dramë kombëtare

6 korrik 1943

Masakra e Borovës. Kur pararoja e Divizionit I Alpin të Vermahtit me 24.000 ushtarë gjermanë nisi marshimin nga Follorina për në Korçë me destinacion Janinën, ra në një pritë partizane të ngritur nga batalioni “Tomorri”, i cili kujtonte se ishte autokolonë italiane, që shkonte në Përmet. Kur panë se kishin të bënin me gjermanë, partizanët u tërhoqën në male, pa siguruar mbrojtjen e banorëve. Për hakmarrje, ushtria gjermane dogji Borovën dhe vrau 107 banorë të pafajshëm. Sipas burimeve arkivore gjermane dhe shqiptare, në këtë përpjekje nuk pati asnjë të vrarë nga të dy anët, vetëm disa të plagosur lehtë, por u pasua me një masakër hakmarrëse të nazistëve gjermanë ndaj popullsisë së pafajshme.

8 korrik 2015

Vizita e kancelares gjermane Merkel në Tiranë merr një rëndësi historike, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, por dhe ecurinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në kuadër të procesit të integrimit europian.

10 korrik 1943

U formua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Labinot të Elbasanit. Komandant i tij u ngarkua major Spiro Moisiu, ndërsa komisar politik Enver Hoxha. Në vitin 1944 u emërua E.Hoxha komandant i Shtabit të Përgjithshëm LANÇ.

10 korrik 1952

U themelua Kinostudio “Shqipëria e Re”. Prodhim i parë i saj është filmi artistik shqiptaro-rus “Skënderbeu”. Dokumentarët dhe filmat artistikë ishin kryesisht propagandues dhe përmbajtjesisht të kontrolluar.

13 korrik 1995 

Shqipëria pranohet në Këshillin e Europës, një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një unitet më të madh midis anëtarëve të tij. Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin: Winston Churchill, Robert Shuman, Konrad Adenauer.

17 korrik 1921

Rebelimi i Mirditës kundër qeverisë dhe shtetit shqiptar, i nxitur dhe i mbështetur ushtarakisht nga Serbia dhe drejtuar nga Gjon Marka Gjoni, që shpalli edhe “Republikën e Mirditës”. Ky ishte një akt antikombëtar ndikues, kur ende nuk kishte përfunduar Konferenca e Paqes.

17 korrik 1915

U pushkatuan nga malazezët në Fushën e Shtoit, Shkodër, Çerçiz Topulli, luftëtari i shquar i lirisë dhe i pavarësisë dhe Muço Qulli, politikan nacionalist, gazetar dhe botues i njohur.

17 korrik 1977

Pushkatimi i dy poetëve të rinj të Bërzeshtës të Librazhdit, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, me pretekstin e disa poezive lirike, që u quajtën reaksionare nga regjimi diktatorial komunist. Poetët u damkosën si armiq dhe u pushkatuan, duke ua fshehur edhe varret.

29 korrik 1913

Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori vendimin formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran dhe të pavarur, por të përgjysmuar, sepse u la më se gjysma e territorit dhe e popullsisë shqiptare jashtë Shqipërisë: vilajeti i Kosovës iu dha padrejtësisht Serbisë dhe Çamëria iu la Greqisë.

29 korrik 1944

Shtabi Aleat i Mesdheut, bëri dy përpjekje për zbarkimin ushtarëve britanikë, për ta çliruar bregdetin e Jonit nga kontrolli gjerman. Tentativa e parë u bë më 29 korrik 1944, kur ushtarë të dy regjimenteve Higland Light Infantru dhe Higland Regiment zbritën në Himarë dhe zhvilluan një betejë të ashpër kundër gjermanëve dhe ku u vranë gjashtë ushtarakë britanikë.

Për çlirimin e Sarandës, forcat britanike kryesisht goditën me artileri. Pas tri ditë luftimesh 8-10 tetor 1944, Saranda u çlirua dhe garnizoni gjerman u dorëzua. Në luftën për çlirimin e Sarandës u vranë 12 ushtarakë të tjerë britanikë. E. Hoxha i dha ultimatum Komandës Aleate: “Në rast se komandot angleze nuk tërhiqen nga Saranda në datën e caktuar, atëherë do të shpërthejë luftë mes partizanëve dhe anglezëve.”