Kriminelët e regjimit komunist sipas “Luftëtarit të Lirisë”

luftetari i lirise copy

Nga Veli Haklaj | Gazeta Mapo (1, 2, 3) 1-2 maj 19

Veprimi i emigracionit shqiptar kundër regjimit komunist të Tiranës

Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, përveç të tjerave, solli dhe një rritje të emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar, në Jugosllavi, Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, Francë, SHBA, Kanada, Australi etj.

Grupimet kryesore në të cilat vepronte ky emigracion ishin: Komiteti Shqipëria e Lirë, Balli Agrar, Grupi i Legalitetit, Balli i Ali Këlcyrës, Grupi i Bllokut Indipendent, Shoqëria Letrare Shqiptare Amerikane, organizata “Vatra”, organizata “Shqipëria e Lirë”, organizata “Heroizma Shqiptare”, organizata “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, organizata Vorio-Epiriote, organizata A.A.N.O., shoqata “Vëllazërimi turko-shqiptar” etj.

Në gjysmën e dytë të viteve ’70, të shekullit të kaluar, konstatohet një radikalizim i qëndrimeve të emigracionit politik shqiptar, e reflektuar kjo dhe në përmbajtjen e periodikut të organizatave të tyre (“Atdheu”, “Dielli”, “Flamuri”, “Lidhja e Prizrenit”, “Shejzat”, “Shqiptari i Lirë” etj.), veçanërisht të trakteve dhe fletushkave që hidheshin në Shqipëri, me anë të të cilave synohej ndërgjegjësimi i popullit shqiptar për një veprim të armatosur për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nëpërmjet disave prej tyre përcillet informacion dhe për format gjakatare të veprimit të strukturave të shtetit diktatorial në Shqipëri nën drejtimin e nomenklaturës së kuqe, veçanërisht të dyshes Hoxha–Shehu.

Duke u bazuar në përmbajtjen e tyre e në të dhënat që dispononin, organet e specializuara në Shqipëri arritën në përfundimin që këto materiale ishin përgatitur jashtë shtetit nga organizata antikomuniste e “Legalitetit” me në krye Leka Zogun, nën drejtimin e zbulimit amerikan.

Faktikisht, në fillim të viteve ’70, të shekullit të kaluar, emigracioni politik jashtë shtetit filloi të riorganizohet për të intensifikuar veprimtarinë e tij kundër regjimit komunist në Shqipëri, regjim që identifikohej me dyshen Hoxha–Shehu: organizata e “Legalitetit” në vitin 1972 zgjodhi “Këshillin Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike”, nën drejtimin e Leka Zogut; organizata “Heroizma Shqiptare” me në krye Ndue Gjonmarkaj, e krijuar në vitin 1965 nga zbulimi italian e Vatikani, në vitin 1975 mbajti kongresin e saj; ndërsa në vitin 1974 krerët e “Komitetit Shqipëria e Lirë” nën drejtimin e zbulimit amerikan krijuan në mënyre sekrete organizatën “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, me në krye Rexhep Krasniqin.

“Legaliteti”, “Heroizma shqiptare” dhe “Fronti i Rezistencës”, duke patur të njëjtën platformë kundërkomuniste, përveç dërgimit të grupeve luftarake për të kryer akte të mprehta dhe veprimtarisë kundër përfaqësive shqiptare jashtë shtetit etj., në bashkëpunim me njëra-tjetrën vunë në programin e tyre edhe shpërndarjen e materialeve propagandistike në Shqipëri.

Në një nga thirrjet e Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, mbasi tregohej domosdoshmëria e krijimit të këtij këshilli, midis të tjerave theksohej: “Shqiptarë, përgatituni, dita e çlirimit po afrohet, regjimi gjakatar do të zhduket, Kosova e Çamëria janë tonat, shqiptarët e mërgimit janë vënë në lëvizje, mjaft me jetë mjerimi nën komunizëm, luftë qeverisë ateiste”.

Organet e specializuara të regjimit komunist morën masa dhe orientuan detyra të posaçme në drejtim të të arratisurve që ishin aktivizuar e pritej të dërgoheshin në formën e grupeve të armatosura në Shqipëri, veçanërisht për ata që ishin aktivizuar nga Leka Zogu dhe “Fronti i Rezistencës”, që drejtohej nga Rexhep Krasniqi.

Profili i Rexhep Krasniqit

Rexhep Krasniqi, me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropojë), lindi në Gjakovë më 1906. Në qytetin e lindjes mbaroi katër vjet të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në Shkodër. Kreu liceun “Theresianum” të Vjenës (Austri) e cila ishte, dhe gjithnjë është, një ndër shkollat më të njohura të Europës Qendrore. Më 1934 mbrojti doktoratën me temën “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipnisë”.

Mbas përfundimit të studimeve, Dr. Krasniqi kthehet në Atdhe dhe fillon punën si profesor i historisë dhe gjeografisë në shkollën qytetëse të Gjirokastrës, ku më vonë emërohet edhe si zëvendësdrejtor. Më 1938 u transferua në Tiranë, ku emërohet Drejtor i Arsimit dhe më vonë Inspektor Epror pranë po asaj ministrie. Në fund të vitit 1941 ai emërohet Komisar i Naltë i Shkollave Shqipe për Tokat e Lirueme dhe drejtor i Shkollës Normale “Sami Frashëri”, në Prishtinë, ku njëkohësisht dha mësimin e gjuhës gjermane. Më 1943 (12 shkurt – 28 prill), merr pjesë në qeverinë e Maliq Bushatit si ministër sekretar shteti i Arsimit.

Në vitin 1943, zgjidhet nënkryetar i Asamblesë Kombëtare (parlamentit) ku për të parën herë morën pjesë përfaqësuesit e zgjedhun me vota të lira (demokratikisht) ndër vise të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë (trevat e verilindjes shqiptare). Në këtë kuvend shpallet bashkimi i tokave të zaptueme me shtetin shqiptar si dhe pavarësia dhe neutraliteti i Shqipërisë përkundrejt fuqive luftuese.

Dr. Krasniqi u zgjodh dy herë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit kur ajo drejtohej prej z. Musa Shehu e Xhafer Deva.

rexhep krasniqi

Me ardhjen e komunizmit në fuqi, i tha lamtumirën atdheut e, së bashku me grupin kosovar të Lidhjes së Prizrenit, mori rrugët e mërgimit. Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri dhe prej andej emigroi në Australi. Aty kah viti 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme Amerikane me marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nju-Jork dhe rizgjidhet Kryetar i Komitetit të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht deri në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.

Dr. Krasniqi është autor i një numri të madh studimesh të botueme shqip, anglisht dhe gjermanisht. Konferencat e tija akademike në universitete të ndryshme t’Amerikës e t’Europës si dhe shkrimet e botueme në shtypin e mërgimit, sidomos në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, gazetën “Shqiptari i Lirë” mund të përbëjshin disa blej (vëllime).

Lidhur me shërbimet e tij ndër shkollat shqipe, në Shqipërinë Verilindore, jashtë kufijve politikë të Shtetit Shqiptar, më 1994 prof. Krasniqi u dekorua prej Presidentit të Shqipërisë Demokratike Dr. Prof. Sali Berisha me urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë.

Prof. Rexhep Krasniqi vdiq në Nju-Jork, SHBA, më 13 shkurt të vitit 2000, duke i dhuruar Federatës “Vatra” me qendër në SHBA gjithë bibliotekën e tij të pasur si dhe mijëra faqe studime të klasit të parë, kryesisht në fushën e historisë dhe albanologjisë, të cilat presin për t’u botuar.

Thirrje popullit shqiptar nga “Luftëtari i Lirisë” për rrëzimin e regjimit komunist

Fletushka me përmbajtjen më radikale në atë periudhe ishte “Luftëtari i Lirisë”, organ i Frontit të Rezistencës për Liri, e cila botohej diku në gjirin e popullit të robëruar shqiptar, dhe në kopertinën e fundit, me siglën “Shumë Sekret”, kishte porosinë: “Lexoje, studjoje, shpërndaje”.

Në vijim, lexuesi i gazetës “Mapo” do të njihet me pjesë të këtij dokumenti, përmbajtja e të cilit alarmoi përfaqësuesit më të lartë të regjimit diktatorial në Shqipëri, në vitin 1977. Theksojmë se një popull që nuk nxjerr mësimet e duhura nga gabimet e të kaluarës është i destinuar të vuajë në të tashmen por dhe në të ardhmen.


Vdekje Stalinizmit

Liri Popullit

Luftëtari i Lirisë

Thirrje e Frontit të Rezistencës Antistaliniste Shqiptare

Për liri, demokraci dhe socializmë

Drejtuar popullit të robëruar shqiptar pa dallim

Popull shqiptar!

Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore, eklipsi i tiranisë staliniste errësoi tokën e bukur dhe të shenjtë shqiptare. Një grusht aventurierësh – stalinista të kryesuar prej kriminelave Hoxha–Shehu, të armatosur prej padronëve të tyre të parë, anglo-amerikanë, pa asnjë ide të qartë dhe filozofi politike, ata morën fuqinë në dorë duke mbjellë terror, vdekje, uri dhe tirani të papame në historinë shumë të vjetër të popullit shqiptar.

Me ardhjen e klikës staliniste në fuqi në vendin tonë, asgjë nuk ndryshoi në vendin tonë për përmirësimin e jetës së popullit shqiptar në përgjithësi: u larguan bejlerët e vjetër dhe vendin e tyre e zunë bejlerët e rinj, Enver Hoxha – Nexhmije Hoxha, Mehmet Shehu – Fiqirete Shehu, Hysni Kapo – Vito Kapo etj., shumë ma terrorista dhe skllavëronjës se ata të parët.

Popull shqiptar!

Atje ku juve jetoni të grumbulluar në kooperativa me imponim kundra vullnetit tuaj, përfund sistemit skllavronjës stalinist e kryesuar prej klikës aventuriero-kriminale Hoxha-Shehu, Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, demokraci dhe socializmë, i bën thirrje të gjithë popullit të robëruar shqiptar, pa dallim ideje dhe mendimi politik: koha ka ardhur për me forcue zemrat tuaja të lodhura prej tiranisë Staliniste 30 vjet në vendin tonë, për me ngritë zërin tuaj të fuqishëm kundra forcave të kalbura të errësirës staliniste në vendin tonë për liri, demokraci dhe socializmë.

Klika staliniste e Tiranës, për me sigurue kolltuket e tyre të zhytur në gjak dhe djersë të popullit, transformuan Shqipërinë në një kamp përqendrimi vdekjeprurës, ku për 30 vjet sundon sistemi stalinist i tiranisë, uria, terrori dhe vdekja në qelitë e errta të burgjeve, në kampet e punës së detyruar dhe në ato të internimit, ku 120 000 patriotë shqiptarë, burra, gra, fëmijë, pleq dhe plaka u torturuan me metoda staliniste të terrorit; 19 000 prej tyre nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre që i dashuronin aq shumë. Ata u mbytën me tortura kanibaleske të konsumuara në trupin e tyre të pafajshëm. Këto krime janë kryer mbrapa perdes së gjakosur të klikës kriminale Hoxha-Shehu, pa dijenin e popullit shqiptar.

Sundonjësit e Tiranës izoluan popullin shqiptar prej gjithë botës, ata janë duke e mbajtur popullin të rrethuar me roje me tela me gjëmba dhe dinamit, për mos me dijtë se ç’ndodh jashtë kufijve të Shqipërisë së izoluar 30 vjet me radhë. Ajo klikë mundohet me mbajtë popullin përfund errësirës dhe injorancës me metodat e tyre staliniste: shtyp, terrorizo dhe sundo pa frikë.

Ideali i përjetshëm i klikës së Tiranës ka qenë, është dhe ka me qenë mbrojtja e kolltukeve të tyre të gjakosur, sado gjak që kishte me i kostue popullit shqiptar. Përleshja e vitit 1959 ndërmjet N.S.Hrushov dhe klikës sundonjëse të Tiranës nuk ishte asgjë tjetër vetëm se përpjekje për mbrojtje kolltukesh. Hrushovi [u bëri] një propozim klikës staliniste të Tiranës për me ndryshue taktikat e tyre kundra popullit shqiptar dhe njëkohësisht ai bëri një tjetër propozim: – Klika Hoxha-Shehu me u dhënë rast komunistave të tjerë shqiptarë për me udhëheqë partin dhe qeverinë. Një propozim i tillë nuk u pëlqeu aspak Hoxha-Shehut, sepse një veprim i tillë rrezikonte kolltuket e klikës së Tiranës. Për me shpëtue kolltuket e tyre prej rrezikut që paraqiste Hrushovi, klika Hoxha-Shehu, pa humbur aspak kohë, u detyrua për me u bë Marko Polo i dytë, këtë radhë shkuan dhe ju gjunjëzuan MaoCeDunit të Kinës staliniste të asaj kohe, master i tiranisë së 750 000 000 popull kinez. Kur sundonjësitstalinistë të Tiranës u siguruan prej kryetarit Mao, ata u kthyen në Tiranë, dhe pa humbur kohë deklaruan prishjen e tyre me N.S.Hrushovin dhe njëkohësisht miqësinë e re me Maon. Ajo klikë, për me justifikue aventurat e tyre të zakonshme para popullit shqiptar, arrestuan një grup oficerësh të ndershëm dhe të pafajshëm të kryesuar prej admiral Teme Sejko etj., të cilët u nxorën para gjyqit me dyer të mbyllura pa ditë asgjë populli shqiptar dhe u pushkatuan prej klikës staliniste Hoxha-Shehu.

luftetari i lirise

Të rinj dhe të reja shqiptarë!

Fronti i Rezistencës Antistaliniste për liri, drejtësi dhe socializmë, i bën thirrje rinisë shqiptare për me ngritë zërin e saj të fuqishëm kundra klikës së kalbur terroriste staliniste e kryesuar prej aventurierëve Hoxha-Shehu, armiq të betuar të popullit shqiptar. Rinisë shqiptare i takon roli kryesor për organizimin e Frontit të Rezistencës Antistaliniste në vendin tonë dhe me ndërtue një sistem demokrato-socialist të vërtetë në vendin tonë, sistem i cili me gëzue të gjithë shqiptarët pa dallim ideje dhe mendimi politik. Për me jetue të lirë, të lumtur, të bashkuar dhe vëllazëruar, ashtu si jetonin të parët tonë. Mos u presjononi prej klikës së kalbur staliniste, qëndroni kryelartë me kurajo të fortë prej shqiptari kundra klikës Hoxha-Shehu, e cila i ka ditët të numëruara.

Mos u ekspozoni para agjentave të sigurimit, mbroni dhe ndihmoni çdo shqiptar me tendenca demokrato-socialiste anti Hoxha-Shehu. Klika staliniste e Tiranës, me terror, gjak dhe eshtra të popullit ndërtoi kështjellën staliniste të tiranisë; me terror, gjak dhe turp ka me përfundue para syve dhe zemrave të popullit shqiptar dhe historisë së tij.

Çdo shqiptar duhet me ditë se: – Koha ka ardhur për me u përgatitë për me ba sakrificat e fundit supreme për liri, demokraci dhe socializmë, për me këputë pranga mizore të tiranisë staliniste prej duarve të popullit të robëruar shqiptar dhe të familjeve tona. Për me ia mbërrijtë atij qëllimi të shenjtë, ne duhet për me u bashkue të gjithë bashkë pa dallim mendimi politik dhe ideje, si një trup i vetëm, për me eliminue plotësisht nga faqja e dheut klikën uzurpatore staliniste e kryesuar prej kriminelave të popullit shqiptar Hoxha-Shehu. Veprimet armiqësore të asaj klike janë veprime ilegale të një klike ilegale, klikë e cila erdhi në fuqi me anë të pushkës kundra vullnetit të popullit shqiptar. Dhe si të tillë, ajo klikë duhet me u eliminue për jetë me forcë të pushkës.

Populli shqiptar në përgjithësi, punëtori, fshatari, nëpunësi, rinia, studenti, ushtari dhe intelektuali, janë duke jetuar 30 vjet me radhë të rrethuar me roje, dinamit dhe tel me gjëmba, përfund errësirës staliniste, me dijenira shumë të pakta në të gjitha fushat, kulturore, shkencore, ekonomike, ideo-politike etj., populli shqiptar nuk duhet me harrue shiun e terrorit stalinist në vendin tonë. Ai duhet me qëndrue ma i fortë se kurrë, sepse klikës së kalbur të Tiranës është duke i shkarë dheu përfund këmbëve të tyre. Fitorja e luftës së popullit shqiptar për liri, bëhet e mundshme prej vetë shumicës së popullit, i cili lufton me heroizëm për liri kundra forcave të kalbura të errësirës staliniste në vendin tonë.

Populli shqiptar në të ardhmen e tij duhet me ndërtue një sistem shoqnor demokrato-socialist, me zgjedhje te lira, populli me u bë udhëheqësi i fatit të vet, ne duhet me ndërtue sistemin e dy partive politike legale në vendin tonë. Organizata e jonë antistaliniste ka marrë përgjegjësira për çdo përfundim – rezultat që mundet me pasë si përfundim. Klika staliniste Hoxha-Shehu deri tani kanë jetuar në sajë të mëshirës së fuqive të huaja. Ne mendojmë se asnjë shtet, qoftë i madh ose i vogël, nuk mundet me qenë i sigurtë e i qetë, kur ai jeton në mëshirën e dikujt tjetër.

Popull shqiptar!

Zëri shqiptar që ra në fushën e nderit për liri, demokraci dhe socializmë po ju thërret për me çue idealet e tyre në vend, për të cilat ideale ata ranë fli. Ideale të cilat u shkelën dhe u tradhëtuan prej klikës tradhëtare në fuqi e kryesuar prej dyshes Hoxha–Shehu. Gjaku i bijëve të popullit u shkel. Shqipëria, populli dhe pasuria e tij u bënë top futbolli duke kaluar në duart e shumë fuqive të huaja 30 vjet me radhë, si pasojë e asaj politike të çmendur dhe aventuriere të klikës Hoxha-Shehu. Zgjedha e rëndë dhe mizerja është duke rëndue dita-ditës edhe më shumë në kurrizin e popullit të shumë vuajtur shqiptar.

Kështjella staliniste e tiranisë u ndërtue në vendin tonë me eshtra, gjak, djersë dhe ngashërime të popullit shqiptar pa dallim. Ajo kështjellë tiranie nuk është kurgjë tjetër vetëm se një kala e ndërtuar prej letre, ku një erë e lehtë me e përshkue ajo rrëzohet për tokë me turp dhe urrejtje para syve dhe zemrave të popullit shqiptar dhe historisë së tij, për jetë. Fronti i Rezistencës Antistaliniste për liri, demokraci dhe socializmë, në vendin tonë, i bën thirrje të gjithë popullit shqiptar pa dallim, për me qenë të gatshëm në alarm kurdoherë për sakrifica supreme, për sulmin vendimtar kundra forcave të kalbura të errësirës staliniste në vendin tonë të kryesuar prej klikës aventuriere kriminale, armiq të betuar të lirisë së popullit shqiptar, Hoxha-Shehu.

Bashkimi i popullit shqiptar rreth Frontit të Rezistencës Antistaliniste kishte me sjellë vdekjen e sigurtë të asaj klike uzurpatore dhe fitoren e plotë të lirisë, demokracisë dhe socializmit për popullin shqiptar, që të ndërtojë të ardhmen e jetës së vet të shkatërruar prej sistemit famëkeq kooperativist në vendin tonë për 30 vjet të robëruar. Sistemi i një partie politike në shtet, e cila me udhëheqë dhe drejtue fatet e popullit, një sistem i tillë është ilegalo-kriminal i një partie ilegalo-kriminale, i papajtuem me interesat e përgjithshme të popullit shqiptar dhe atdheut.

Klikës skllavëronjëse Hoxha-Shehu është duke i shkarë dheu për fund këmbëve të tyre. Bashkë me atë klikë gjakpirëse të popullit shqiptar, ne duhet për me varrosë edhe sistemin skllavëronjës stalinist në vendin tonë, i cili ishte dhe vazhdon për me qenë i huaj në mendje dhe zemër të çdo shqiptari. Injoranca dhe mosstudimi i mirë i dogmës staliniste prej masave popullore në vendin tonë u bë objekti kryesor për ardhjen në fuqi të klikës staliniste në vendin tonë.

Popull shqiptar!

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, demokraci dhe socializmë u bën thirrje vllazërore të gjithë antarëve të PPSH, me uniformë civile ose ushtarake qofshin ata. Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, demokraci dhe socializmë i konsideron ata vëllezër dhe shokë të pandarë nga gjiri dhe zemra e tyre, sepse Organizata e jonë është për bashkim dhe vllazërim të të gjithë popullit shqiptar pa dallim ideje dhe mendimi politik; ai është ideali i ynë dhe programi për të cilën ne jemi duke punuar dhe luftue; për vendosjen e lirisë, demokracisë dhe socializmin e vërtetë; për bashkimin e popullit shqiptar rreth flamurit tonë të shenjtë nacional; për me u pajisë më principe të mira demokrato-socialiste; për bashkim dhe vllazërim të popullit shqiptar për liri dhe socializmë të vërtetët; mos me u bë Shqipëria, populli, liria pasuria e tij pronë personale në duart e një klike uzurpatore, ashtu siç po ndodh sot në vendin tonë.

Enver Hoxha-Nexhmie Hoxha, Mehmet Shehu-Fiqirete Shehu, Hysni Kapo-Vito Kapo etj., 30-vjet me radhë bejlerë stalinistë, mos harroni popullin shqiptar dhe mëmat tuaja të skllavëruara duke jetuar për fund sistemit famëkeq stalinist, me frikë duke jetuar për fund kontrollit të përditshëm të sigurimit gjakatar. Të radhitur në brigada pune të detyruar, si skllevër të mesjetës, me kazma e lopata në krahë, zbathur dhe zhveshur, me këmbë të zhytura thellë në ujë dhe baltë, në mëshirë të natyrës duke jetuar për fund shiut dhe dëborës, të uritur, të tronditur, të lodhur e të rraskapitur, me fytyra dhe duar të rrudhura dhe plakur para kohe, të drejtuar prej perëndisë duke ju lutur për me i ndihmue për me fitue lirinë.

Sundonjësit stalinistë të Tiranës, me gjak dhe terror grabitën lirinë dhe pasurinë e popullit shqiptar, me turp dhe urrejtje kanë me përfundue para syve dhe zemrave të popullit shqiptar dhe historisë. Ajo klikë asnjëherë s’ka përfaqësuar interesat e popullit, ata kanë mbrojtur interesat e tyre personale – kolltuket e tyre të zhytur në gjak, djersë dhe ngashërime të popullit shqiptar, 30 vjet me radhë. Klika e kalbur Hoxha-Shehu, udhëheqësit e tiranisë 30 vjeçare në vendin tonë, me metodat e tyre staliniste shtyp, terrorizon dhe armiqëson popullin ndërmjet tij dhe sundon në sajë të bajonetës. Zgjedhjet e lira në vendin tonë kishin me sjellë vdekjen e sigurtë të klikës staliniste në vendin tonë.

Për shqiptarët e mirë, me ndjenja të larta patriotike, që dashuron atdheun, popullin dhe demokracinë, Partia dhe ideali i tij duhen me qenë atdheu dhe populli shqiptar dhe me dënue pa mëshirë armiqtë e betuar të lirisë së popullit shqiptar dhe të familjeve tona, klikën Hoxha–Shehu, të cilët vazhdojnë me i ra kavallit më të njëjtin avaz 30 vjet me radhë, duke mashtruar popullin me premtime boshe: prit gomar me mbi bar, se kështu na mëson Stalini i Madh. Duke mbajtur popullin shqiptar të rrethuar me roje, mina, tel me gjëmba, të izoluar prej të gjithë botës në errësirë dhe injorancë, mos me ditë se ç’ndodh jashtë kufijve të Shqipërisë, mbrapa perdes së hekurt të sistemit skllavëronjës stalinist.

Populli shqiptar duhet të mendojë për fatin e Atdheut dhe të popullit shqiptar, që sot është në rrezik, në presë të briskut, si pasojë e politikës aventuriero-kriminale të klikës staliniste Hoxha-Shehu. A kanë mbetur më shqiptarë në këtë botë për me kujtue dhe nderue gjakun e bijve të popullit shqiptar që ranë si heronj në fushën e nderit për me mbrojtë atdheun dhe lirinë e popullit dhe të familjeve të tyre.

Populli nuk duhet për me harrue 30 000 bij dhe bija të popullit shqiptar, të cilët u rrëzuan përtokë prej plumbave të kriminelave ordinerë stalinistë, kudo që këmbët e tyre shkelen ata mbollën terror dhe anarki. Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ngjarje të çuditshme ndodhen në vendin tonë: patriotët dhe të ndershmit u quajtën tradhëtarë dhe të pandershëm dhe tradhëtarët dhe të pandershmit u quajtën patriotë dhe të ndershëm. Ajo propogandë staliniste çorientoi popullin shqiptar për mos me e njoftë dhe dallue patriotin e vërtetë prej tradhtarit origjinal.

Ashtu si faraonët e Egjyptit, që për nder dhe lavdi të tyre ndërtonin piramida të larta në dezertin nubjan të Egjyptit, me eshtra të skllevërve Hibru dhe Egjyptianë, ashtu dhe klika kriminale Hoxha–Shehu për nder, kujtim dhe lavdi të tyre ndërtuan sistemin skllavëronjës stalinist, ku është duke sunduar tirania e pashembullt në historinë e njeriut modern, tani në vjetët e fundit të shekullit 20-të, që është shekulli i shkencës, teknikës, qytetërimit, lirisë, demokracisë dhe socializmit.

Në ato ndërtime që klika staliniste e Tiranës është duke ja kontribuue vetes së tyre, morën pjesë 220 000 të burgosur dhe të internuar politikë, ku 20 000 prej tyre nuk u kthyen të gjallë pranë familjeve të tyre; ata u mbytën prej punës së rëndë të detyruar duke punuar 16 orë në ditë, duke jetuar me një lugë supë dhe 600 gram bukë në 24 orë.

Popull shqiptar! Shokë, vëllezër dhe motra të dashur! Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë!

Zëri i dëshmorëve tanë që shekuj me radhë ranë si heronj në fushën e nderit për liri, drejtësi dhe demokraci; populli shqiptar dhe nënat tuaja, që ju kanë rritë juve me shumë vuajtje dhe dashuri, po ju thërret: – Mos i shërbeni klikës!

Një popull që lufton për liri, demokraci dhe socializmë, ai nuk është duke shkelur ligjet e shtetit, të cilat ligje janë shkelur dhe abuzuar prej klikës në fuqi, klikë e cila është duke i përdorur ligjet e shtetit si një armë mbrojtëse, për mbrojtjen e interesave të tyre personale.

Ligjet e ardhme të sistemit tonë demokratiko-socialist kanë me u përgatitë me themele socialo-demokrate, të bazuar në vullnetin e dëshirës së shumicës së popullit shqiptar, me zgjedhje të lira elektorale, shumica me udhëheqë jo më tepër se pesë vjet, me dy parti të ligjshme, me aktivitet të lirë zhvillimi politik, liri të plotë fjale, shtypi dhe kritike.

Ato ligje janë me u ekzekutue prej njerëzve kompetentë në detyrë, të udhëhequr prej një parlamenti konstitucional. Për sa i takon reformave sociale në të ardhmen, sistemi ynë demokrato-socialist për me bë këto reforma të menjëhershme: Tokat bujqësore, blegtoria dhe çdo pasuri tjetër e popullit e cila është grabitur prej klikës staliniste të Tiranës, e kryesueme prej armiqve të betuar të lirisë së popullit shqiptar Hoxha–Shehu, ka me iu shpërnda popullit në bazë të antarëve të familjes, pa dallim mendimi politik dhe ideje – kush ishte ai dje dhe kush është ai sot, sepse ne nuk jemi stalinista për me bâ dallime në popull.

Për sa i takon politikës sonë demokrato-socialiste të jashtme, në programin tonë demokratik, ne dëshirojmë për me ushtrue politikën e paqes dhe të miqësisë me të gjithë popujt e botës, pa dallim sistemi shoqëror dhe ideologji politike. Sistemi ynë socialist në të ardhmen ka me pastrue minat dhe telat me gjëmba, të cilat kanë ndarë dhe izolue popullin shqiptar prej gjithë botës për 30 vjet me radhë, si pasojë e politikës aventuriere-kriminale të Hoxha–Shehut, armiq të betuar të lirisë së popullit shqiptar.

Kufijtë e Shqipërisë demokrato-socialiste të së ardhmes kanë me qenë plotësisht të hapur për vizitorë të huaj, turista, studenta, tregtarë etj. Qytetarët shqiptarë pa dallim kanë me qenë të lirë për me vizitue çdo shtet në botë, të çdo lloj sistemi shoqëror qofshin ata.

Populli shqiptar dhe rinia e tij duhen me qënë vigjilent, të mos mashtrohen prej propagandës fallso të komisarëve stalinistë, edukatorë të forcave të errësirës. Punëtori dhe fshatari shqiptar i kanë provat të gjalla, të përditshme dhe parasysh përmbi gjendjen ekonomiko-politike të klikës staliniste në vendin tonë.

Populli shqiptar, pa dallim, nuk duhet me ju nënshtrue kësaj situate të tmerrshme në vendin tonë, ai duhet për me mësue prej së kaluarës së zezë 30 vjeçare për fund skllavërisë pa asnjë ndryshim në jetë, duke jetuar në jetën shtazarake. Sistemi skllavëronjës stalinist nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe interesat e tij, ai përfaqëson interesat e klasës së lartë shtypëse staliniste, e cila mori kolltukun me forcë dhe dëshirojnë për me vdekë përmbi kolltuk.

Ushtarë, nënoficera dhe oficera!

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë, u bën thirrje juve për me bashkue armët tuaja të çlirimit me ato të luftëtarëve të lirisë për këputjen e prangave të tiranisë staliniste prej duarve të popullit shqiptar dhe të nënave tuaja. Shqiptari i mirë është i detyruar për me i shërbye vullnetit dhe idealit të shumicës së popullit shqiptar dhe jo me i shërbye interesave të një klike të kalbur kriminale dhe tradhëtarëve të kauzës së popullit, klikë e cila është duke qëndruar në fuqi në sajë të bajonetave dhe jo në sajë të zgjedhjeve të lira demokratike.

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë nuk dëshiron për me i dhënë popullit shqiptar premtime, ai i jep popullit shqiptar sigurime të siguruara me Statut Themelor. Populli duhet të mos harrojë se: Shqiptari i mirë lind me mision prej vetë natyre, për me i shërbye Atdheut, popullit dhe familjes së vet. Ai është i detyruem për me çue në vend amanetin e të parëve tonë, të cilët luftuan, derdhen gjakun e tyre shekuj me radhë me trimëri dhe patriotizmë për me mbrojtë këtë tokë të bukur dhe të shenjtë Arbërore. Populli shqiptar sot ka të humbur gjithçka. Atij i ka mbetur vetëm një rrugë: Rruga e revolucionit të armatosur për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë të vërtetë në vendin tonë.

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë dëshiron t’u bëjë të qartë anëtarëve të Partisë së Punës së Shqipërisë për me u kthye në rrugën e patriotizmit dhe të demokracisë, në rrugën e shumicës së popullit, në rrugën e familjeve tuaja të robëruara nga klika sundonjëse Hoxha-Shehu. Mendoni për fatin e Shqipërisë që tani është në rrezikun më të madh. Organizata jonë Antistaliniste u bën thirrje juve vëllezër dhe motra për me mendue për fatin e atdheut dhe të popullit shqiptar, mendoni për një Shqipëri me principe patriotike shqiptare, për me ndërtue një shtet të lirë, indipendent, të pamvarun prej askujt. Popullit shqiptar i është nevojitur një sistem shoqnor me baza të vërteta demokrato-socialsite, për me i shërbye të gjithë familjes shqiptare pa dallim ideje dhe mendimi politik. Ne mendojmë se ka ardhur koha për me rrëzue flamurin e Tiranisë Staliniste dhe me ngritë Flamurin e shqiptarizmit.

Populli shqiptar i udhëhequr prej principeve të tij mijëravjeçare patriotike për liri, i bashkuar sot në Frontin e Rezistencës Antistaliniste ka me këputë prangat staliniste të tiranisë. Asnjë shqiptar të mos jetojë me shpresa të situatës, e cila do të sjellë diçka më të mirë për atë, situatën e mirë ose të keqe e sjell vetë njeriu, në bazë të përpjekjeve që ai bën. Njeriu me kurajo të fortë, i pajisur me moral të lartë patriotik dhe sakrifica të pandërprera me besimin e tij në fitore kundra forcave të errësirës staliniste në vendin tonë, ka me pasë fitoren e shpejtë dhe të sigurtë. Organizata jonë nuk ushqehet prej principeve të hakmarrjes, ato principe janë të huaja për programin tonë ideo-politik. Sepse ne nuk jemi stalinista dhe e konsiderojmë të turpshme për me qenë të tillë. Çdo qytetar që tani me dashje ose padashje, me uniformë ushtarake qoftë ai ose civile, bën dorëheqje duke mos i shërbyer në të ardhmen klikës terroriste Hoxha-Shehu, ata konsiderohen shokë dhe vëllezër të Frontit Antistalinist për liri, demokraci dhe socializmë në vendin tonë.

Organizata jonë ka me ndjekë politikën e bashkimit dhe vëllazërimit të popullit shqiptar pa dallim ideje, feje dhe mendimi politik, duke i qëndruar besnik programit të saj dhe amanetit të atyre që ranë si heronj për kauzën e përbashkët të popullit dhe të atdheut pa dallim. Tani ka ardhur koha që populli shqiptar i bashkuar të mos rrijë i hutuar me duar kryq, ai duhet për me u zgjue prej gjumit të rëndë të tiranisë staliniste, duke i dalë për zot vetes, i cili me udhëheqë veten drejt fitores së lirisë dhe demokracisë. Organizatës sonë Antistaliniste tani i nevojitet ndihma e gjithanshme e popullit shqiptar për me eliminue plotësisht klikën e kalbur Stalinisto-Skllavëronjëse Hoxha-Shehu.

Tani ka ardhur koha që populli shqiptar me i dhënë grushtin e vdekjes Tiranisë Staliniste në vendin tonë, duke u dhënë popujve të botës me kuptue se sot në Shqipëri ekzistojnë forca të fuqishme Antistaliniste, të cilat janë të gatshme për revolucion të armatosur kundra forcave të errësirës së klikës së kalbur staliniste Hoxha-Shehu.

Gjatë këtyre përpjekjeve për liri, popullit shqiptar i duhet për me kapërcye dallgët dhe barrikadat që klika sundonjëse staliniste e Tiranës ka me na vënë përpara për me na ndalue në rrugën tonë për liri. Në çdo fshat, qytet, kooperativë, fermë, fabrikë, minierë, hekurudhë, dyqan, spital, shkolla dhe reparte ushtarake, forcat tona të fuqishme antistaliniste janë duke penetruar dita-ditës më shumë në radhë të klasave të popullit shqiptar, deri tek ministrat dhe oficerat madhorë të ushtrisë, të cilët dëshirojnë dhe ândërrojnë që në të ardhmen me jetue të lirë, të lumtur dhe pa frikë në atdheun e tyre që ata e dashurojnë aq shumë.

lista

Grupi i oficerëve të sigurimit famëkeq, që morën pjesë aktive në shfarosjen e mijëra bijve dhe bijave të popullit shqiptar

Këtu më poshtë, Organizata e Frontit të Rezistencës për liri dëshiron me stigmatizue dhe denoncue emrat dhe pozitat e një grupi oficerësh të sigurimit famëkeq, të cilët morën pjesë aktive në shfarosjen e mijëra bij dhe bija të popullit shqiptar, të cilët u mbytën prej torturave kanibaleske të konsumuara në trupin e tyre të pafajshëm, në qelitë e errëta të burgjeve dhe në kampet e shfarosjes, prej duarve të gjakosura të elementave të poshtë përmendur:

Gjeneral Koçi Xoxe;

kolonel Nesti Kerenxhiu;

majora: Stefo Grabocka, Edip Çuçi, Isuf Keçi, Vango Mitrojorgji, Qazim Kapisyzi, Siri Çarçani, Kadri Hazbiu, Delo Balili, Mihallaq Ziçishti, Qazim Kondi, Rita Marko, Jashar Kasimati, Çelo Areza, Mehmet Jaho, Bajram Kovarfi, Idriz Fejzo, Halit Kaçanolli, Qemal Malaj, Beqir Liço, Metush Rapo, Nevruz Sulaj, Zagoll Skendo, Mane Kelleçi, Vaske Koleci, Qemal Balluku, Hasaf Kondi, Xhemal Alikaj;

kapitena: Aranit Çela, Kopi Nika, Janaq Karapataqi, Fadil Çuçi, Adem Skendo, Xhule Çiraku, Neshat Hysi, Tomor Spahiu, Vilson Pecani, Niko Çeta, Thoma Gole, Gani Goxho, Beqir Banja, Fadil Kapisyzi, Miho Xhani, Petrit Hakani, Naun Bezhani, Abdyl Kuçi, Hazbi Lamçe, Banush Goxha, Enver Begeja, Çune Mëhilli;

togera: Skender Begeja, Skender Kosova, Skender Konica, Skender Hysi, Stavri Xhara, Dino Seiti, Sotir Sinjari, Qamil Mane, Mano Milo, Shim Kolli, Veiz Levendi, Kamber Sulaj, Sabri Sevrani, Nuci Tira, Besim Selita, Vangjel Rembeci, Gani Leka, Gani Vajza, Jorgo Malo, Kamber Halilaj, Fazlli Jaho, Telha Zguro, Shpen Deda, Veliko Seferi, Hysen Kapllani, Rexhep Kroi, Jaho Turku, Xhaxhi Keko, Resul Baçaj, Beqir Skuro, Besnik Çomo, Lluka Bisha, Tomor Kapllani;

nëntogera: Nexhmedin Metaku, Mid’hat Lame, Feçor Shehu, Maqo Pecani, Gjolek Aliu, Haki Pelo, Tasi Marko, Thanas Bino, Ahmet Alikaj, Zeqir Islami, Muharrem Vasjari, Shyqyri Islamaj;

kaptera: Qatip Kalemi, Kaman Shehu; reshtera: Hito Hitaj, Ali Gana, Shamet Shametaj, Bece Gostivishti, Skender Toskallari, Murat Zekaj etj.

Kriminela të tillë, shpata e drejtësisë së popullit ka me i ndëshkue në të ardhmen.

Sundonjësit e Partisë dhe Qeverisë në vitet e fundit

Këtu më poshtë, dëshirojmë me theksue emrat e hordhive sundonjëse të Tiranës. Për me i ushqye ato hordhi është mobilizue i gjithë populli shqiptar me punë të detyruar në kooperativat famëkeqe skllavëronjëse.

Anëtarët e Byrosë Politike: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Mehmet Shehu, Rita Marko, Adil Çarçani, Beqir Balluku, Hysni Kapo, Spiro Koleka, Haki Toska, Koço Theodhosi, Manush Myftiu, Pilo Peristeri, Kadri Hazbiu, Petrit Dume.

Sekretarët e Komitetit Qendror: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Haki Toska, Rita Marko.

Sundonjësit e Qeverisë (ministra): Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Xhafer Spahiu, Kiço Ngjela, Tonin Jakova, Aleks Verli, Ciril Pistoli, Koço Theodhosi, Spiro Rusha, Beqir Balluku, Manush Myftiu, Peti Shamblli, Bilbil Klosi, Kadri Hazbiu, Behar Shtylla, Josif Pashko, Shefqet Peçi.

Kasapët e Gjykatës së Lartë: Aranit Çela, prokuror; Shuaip Panariti, kryetar.

Kryetari i Presidiumit – Haxhi Lleshi.

Kryetari i Kuvendit Popullor – Medar Shtylla.

Gjenerala të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Kadri Hazbiu, Niko Çeta, Xhule Çiraku, Qazim Kapisyzi, Gjon Banushi, Petrit Hakani, Halim Xhelo, Zoi Themeli, Delo Balili, Qazim Kondi etj.

Gjeneralat e ushtrisë të ajrit dhe detit: Beqir Balluku, Sadik Bekteshi, Petrit Dume, Arif Hasko, Rahman Perllaku, Rahman Hanku, Hito Çako, Spiro Moisiu, Sadik Boçaj, Kristo Themelko, Fejzo Ismaili, Muharrem Kokomani, Ndreko Rina, Hetem Gjinushi, Muhamed Prodani, Vehbi Hoxha, Hajdar Araniti, Gjin Marku, Zoi Themeli, Baki Stare, Teki Kolaneci, Hamdi Mati, Xhafer Babaçe etj.

Lista emrore e ish-anëtarëve të Byrosë Politike, anëtarë të Komitetit Qendror të PKSH dhe gjenerala të ushtrisë, të cilët me përpjekjet e tyre sollën në fuqi klikën shtypëse të Tiranës Hoxha-Shehu dhe, si shpërblim, tani ata ndodhen në burgje, në kampe internimi dhe disa prej tyre të pushkatuar si tradhëtarë, simbas mendimit të Hoxha-Shehut:

Tahir Kadare, Bedri Spahiu, Hulusi Spahiu, Nexhip Velçani, Panajot Plaku, Temo Sejko, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Islam Radovicka, Mestan Ujaniku, Baba Faja, Baba Fejzo, Pandi Kristo, Njazi Islami, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Pëllumb Dishnica, Kristo Themelko, Gjergj Kokoshi, Manol Konomi, Ramadan Çitaku, Liri Belishova, Liri Gega, Naxhie Dumi, Maqo Çomo, Nesti Kerenxhi, Nako Opari, Selim Kokalari, Shefqet Beja, Selaudin Toto, Tefik Deliallisi, Faik Shehu, Sheh I. Karbunara, Agathokli Xhitoni, Enver Sazani, Sulejman Klosi, Riza Dani, Irfan Majuni, Shefqet Çelkupa, Pajo Islami, Rahman Aruçi, Sali Verdha, Hasan Reçi.

Burgjet dhe kampet e shfarosjes së diktaturës komuniste

Këtu më poshtë, dëshirojmë me përmendë emrat e burgjeve dhe kampeve të shfarosjes me të burgosur dhe internuar politik, ku qysh prej vitit 1945 dhe deri në ditët e sotme, u torturuan me metoda kanibaleske 220 000 qytetarë shqiptarë të pafajshëm në qelitë e burgjeve dhe në kampet e shfarosjes; 20 000 prej tyre nuk u kthyen të gjallë pranë familjeve të tyre, ata u mbytën me tortura kanibaleske të konsumuara në trupin e tyre prej duarve të anthropofageve të sigurimit famëkeq.

Nr. Emri Rrethi Viti
1. Maliq Korçë 1946
2. Jubë Durrës 1946
3. Vloçisht Korçë 1948
4. Beden Kavajë 1948
5. Kozare Lushnje 1948
6. Pojan Korçë 1949
7. Zhabjak Kavajë 1949
8. Valias Tiranë 1949
9. Nizhavac Korçë 1950
10. Rishqem Elbasan 1950
11. Ura Banes Peqin 1950
12. Rapi Trish Tiranë 1951
13. Yzberish Tiranë 1951
14. Cerrik Elbasan 1952
15. Ura Vajgurore Berat 1952
16. Varri Bob Berat 1952
17. Rrushkull Durrës 1953
18. Vlashuk Kuçovë 1953
19. Rinas Tiranë 1953
20. Levan Fier 1954
21. Kafaraj Fier 1954
22. Radostinë Fier 1955
23. Tiranë Qytet 1955
24. Profes. Tiranë 1955
25. Lushnje Qytet 1956
26. Thumanez Krujë 1956
27. Bubullime Lushnje 1957
28. K. Kuqe Tiranë 1957
29. Mamuras Krujë 1957
30. Sarande Qytet 1958
31. Milot Shkodër 1958
32. Bulqizë Peshkopi 1958

Kampet me të internuar politik

Këtu më poshtë, dëshirojmë me përmendë emrat e kampeve të internimit me të internuar politik, në të cilat kampe shfarosjeje mijëra gra, fëmijë, pleq dhe plaka vdiqën prej urisë, sëmundjeve dhe torturave të konsumuara në trupin e tyre të pafajshëm, faj i tyre ishte: – Sepse dikush prej anëtarëve të familjes së tyre ishte arratisur jashtë atdheut i imponuar prej persekutimeve të përditshme të agjentëve të Partisë Komuniste Shqiptare të edukuar dhe frymëzuar prej klikës Hoxha – Shehu, armiq të lirisë.

Nr. Kampi Rrethi Viti
1. Berat Kala 1946
2. Krujë Qytet 1945
3. Kuçovë Qytet 1946
4. Sukth Shijak 1947
5. Tepelenë Qytet 1948
6. Gramsh Lozhan 1949
7. Porto Palermo Himarë 1950
8. Çorovodë Skrapar 1951
9. Llakatund Vlorë 1952
10. Saver Lushnje 1954
11. Seman Fier 1954
12. Kuç Kurvelesh 1955
13. Radostinë Fier 1956
14. Levan Fier 1957
15. Saver Lushnje 1958
16. Ferma Çlirimi Fier 1959

Ky është paradisi i kuq i klikës sundonjëse të Tiranës, armiku i betuar i lirisë së popullit shqiptar, shkelës i gjakut të bijve të popullit shqiptar që ranë si heronj në fushën e nderit në luftë kundra okupatorëve fashistë për çlirimin e popullit të shumëvuajtur shqiptar. Por, për fat të keq, ai nuk u çlirua, ai ra në një robëri më të rëndë sesa ajo e fashizmit; Shqipëria dhe vetë populli shqiptar ranë përfund skllavërisë kooperativiste komuniste, skllavëri e cila është e papame në historinë e njerëzimit deri më sot.

Demokracia e vërtetë s’ka me vdekë në vendin tonë

Populli shqiptar dëshiron me ju thënë sundonjësve të Tiranës: Ne nuk dëshirojmë me jetue brenda hekurave të burgjeve dhe telave të kampeve të internimit të ndërtuara prej jush, ne nuk dëshirojmë me jetue për fund frikës dhe terrorit, ne dëshirojmë me jetue përfund demokracisë dhe socializmit të vërtetë të lirë, të lumtur, të bashkuar dhe vllazëruar, pa frikë, përfund hijes së flamurit tonë kombëtar, përfund dashurisë së atdheut, popullit dhe perëndisë.

Demokracia e vërtetë s’ka me vdekë në vendin tonë përderisa të ekzistojë populli shqiptar; populli shqiptar nuk dëshiron me u trajtue ashtu si ju pëlqen klikës sundonjëse të Tiranës, sepse veprime të tilla nuk janë të drejta dhe njerëzore.

Njeriu dëshiron me u trajtue ashtu si i pëlqen atij, me u respektue dhe trajtue si njeri me të drejta të barabarta pa dallim ideje dhe mendimi politik; Fronti i Rezistencës për liri propozon ligje dhe programe të reja për përmirësimin e përgjithshëm të jetesës së popullit dhe të sistemit shoqëror në vendin tonë. Të dy partitë politike që kanë me ekzistue në të ardhmen në vendin tonë duhet për me ndërtue programe nacionale të bazuara në filozofi progresivo-demokratike, në interes të përbashkët të atdheut dhe popullit shqiptar pa dallim dhe klikat sundonjëse kanë me u eliminue plotësisht, një herë përjetë.

Koha ka ardhë: me fitue lirinë – ose me vdekë

Fronti i Rezistencës për liri i bën thirrje të gjithë popullit shqiptar pa dallim: Koha ka ardhë për me forcue zemrat tuaja të lodhura prej robërisë 30 vjet duke jetuar përfund sistemit skllavëronjës komunist. Populli shqiptar i bashkuar si një trup i vetëm me luftëtarë të lirisë në luftë të armatosur kundra klikës shypëse gjakpirëse të Tiranës Hoxha-Shehu, armiq të betuar të lirisë së popullit dhe tradhëtarë të gjakut të atyre që shekuj me radhë ranë si heronj në fushën e nderit për liri, demokraci dhe drejtësi.

Me ardhjen e klikës Hoxha-Shehu në fuqi, çdo gjë me vlerë u zhduk, u shkel, u tradhëtua në vendin tonë, me anë të depresionit, forcës dhe terrorit të përdorun kundra vullnetit dhe idealeve të shumicës së popullit shqiptar.

Gjaku i atyre që shekuj me radhë u derdh për liri u shkel; liria e fjalës, drejtësia dhe demokracia u eliminuan; pasuria, prona private e popullit u grabit; traditat e bukura mijëravjeçare të popullit shqiptar u zhdukën; dashuria dhe bashkimi ndërmjet popullit popullit u minuan; perëndia dhe fetë që të parët tonë mijëra vite kishin besue dhe dashurue u zhdukën; historia dymijëvjeçare e popullit shqiptar u shtrembërue; populli shqiptar, Shqipëria vetë, liria dhe pasuria e tij u shitën tri herë në të huaj, në Jugosllavi, në Rusi dhe më në fund në chini-machini (Kinë); Shqipëria dhe shqiptarët me mina dhe tela me gjëmba u rrethuan, populli shqiptar prej gjithë botës është izoluar; përfund tiranisë staliniste, në errësirë, me zgjedhë të rëndë mbi zverkun e tij të lodhur ai është duke jetuar në sistemin skllavëronjës kooperativist si kafshët të grumbulluar; prej dritës, lirisë dhe lumturisë ai shumë është larguar; me shpresa ai është duke jetuar prej Tiranisë komuniste me u çlirue, i lirë, i lumtur dhe pa frikë në atdheun e vet me jetue; klika tradhtare – aventuriere Hoxha-Shehu me u eleminue; Shqipëria e lirë Ethnike me u bashkue; gjaku i atyre që në shekuj me radhë u derdh për liri me lulëzue; bashkimi dhe dashuria ndërmjet shqiptarëve me triumfue; me nder dhe lavdi sa universi Shqipëria jonë e dashur e lirë me jetue.

Përpara shqiptarë! Të bashkuar në revolucion të armatosur për liri, juve shqiptarë të robëruar, me shpatë të Skenderbeut në dorë për liri me luftue, kundra tiranisë staliniste me triumfue. Juve shqiptarë të robëruar çohuni pre gjumit të skllavërisë, tunduni, shkunduni, forconi zemrat dhe muskujt tuaj të lodhura prej robërisë, bashkohuni rreth Frontit të Luftëtarëve të Lirisë për sulmin vendimtar kundra forcave të errësirës, kundra klikës së kalbur tradhtare të Tiranës, e kryesuar prej Hoxha-Shehu.

Bashkimi i popullit shqiptar me Frontin e Rezistencës për liri kishte me sjellë vdekjen e sigurtë të sistemit kooperativist komunist në vendin tonë dhe fitoren e plotë të lirisë së popullit të robëruar shqiptar. Populli shqiptar duhet me luftue për me fitue lirinë e grabitur prej klikës gjakpirëse Hoxha-Shehu. Ne duhet me luftue, sepse lufta e jonë është luftë e drejtë; ne kemi me fitue sepse neve jemi duke luftuar për liri; ne do të fitojmë sepse i gjithë opinioni botëror është me luftën tonë të drejtë për liri; ne do fitojmë sepse në luftojmë për çlirimin e familjes shqiptare prej klikës uzurpatore të Tiranës e kryesuar prej agjentave të shitur tre herë në të huaj.

Ushtarë, nënoficera dhe oficera, të rinj dhe të reja shqiptarë, bij dhe bija të popullit të robëruar shqiptar, Klika sundonjëse e Tiranës formoi kooperativat famëkeqe, grabitën lirinë dhe pasurinë e popullit, e detyruan atë me u bë anëtar në kooperativë, e organizuan atë në brigada pune të detyruar, në rrjeshta në brigada të radhitur, si skllevër të mesjetës, me kazma e lopata, krahëzbathur, zhveshur me këmbë të zhytura thellë në ujë dhe baltë, në mëshirë të natyrës përfund shiut dhe dëborës; të uritur, të tronditur, të lodhur, të rraskapitur, me duar dhe fytyra të rrudhura dhe plakur para kohe, të drejtuar prej perëndisë dhe perëndimit për me fitue lirinë – ose me vdekë.

Rroftë Populli Shqiptar!

Rrofshin Luftëtarët e Lirisë!

O.F.R.A.K.SH.

Rroftë Shqipëria e Lirë!

Poshtë Klika Kriminale Hoxha – Shehu!

FUND


Burimet:

  • Idriz Lamaj, Fjalori enciklopedik shqiptar, Kristalina KH, Tiranë, 2008.
  • Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912–2005, “55”, Tiranë, 2006.
  • “Luftëtari i Lirisë”, organ i Frontit të Rezistencës për Liri.
  • Rexhep Krasniqi, Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë, tezë doktorate, Vjenë, 1934, Tiranë, 2007.

Postime të ngjashme