Kryqëzata e komunistëve, si u ndryshua kujtesa kolektive

historia-sh

Nga Dr. Sonila Boçi

Një analizë mbi: Motivet e udhëheqjes komuniste në ndërmarrjen e një kryqëzate për ndryshimin e kujtesës kolektive të shqiptarëve; metodologjia e përdorur nga drejtuesit komunistë për të instaluar një kujtesë të re, e cila u mbështet në doktrinën marksiste dhe ideologjinë komuniste; dhe ndikimi që trashëgimia e kujtesës së ndryshuar ka në shoqërinë e sotme shqiptare.

Marrëdhëniet e një shoqërie me të shkuarën përcaktojnë në një masë të konsiderueshme shkallën e emancipimit të saj. Qasja e ftohtë ndaj ngjarjeve dhe personazheve historike, trajtimi i tyre me dritë-hijet përkatëse, kontekstualizimi i tyre do të dëshmonin për një shkallë të kënaqshme emancipimi dhe liberalizimi të shoqërisë.

Në të kundërtën, përdorimi i ngjarjeve dhe personazheve historike për qëllime politike të ditës, apo nxitja nga struktura politike për një rishikim të sforcuar dhe të drejtuar të historisë do të vazhdonte ta mbante shoqërinë peng të së shkuarës dhe do ta pengonte atë të kishte distancën e duhur për të gjykuar ftohtë mbi të.

Shndërrimi i historisë në një instrument të pushtetit është një nga tiparet dalluese të regjimeve diktatoriale apo totalitare dhe mund të jetë devijues e deri shkatërrues për identitetin kolektiv të një kombi, pasi krijon një konceptim të shformuar të tij për vetveten dhe të tjerët. Për shoqërinë e sotme shqiptare nuk është fakt i panjohur kujtesa e deformuar e tyre për të shkuarën, gjithsesi, ky punim synon të japë një kontribut në analizën e tri çështjeve kryesore: së pari, motivet e udhëheqjes komuniste në ndërmarrjen e kësaj kryqëzate për ndryshimin e kujtesës kolektive të shqiptarëve; së dyti, metodologjia e përdorur nga drejtuesit komunistë për të instaluar një kujtesë të re, e cila u mbështet në doktrinën marksiste dhe ideologjinë komuniste; së fundi, dhënia e një opinioni mbi ndikimin që trashëgimia e kujtesës së ndryshuar ka në shoqërinë e sotme shqiptare.

135407_1

Foto1: Procesverbali i Byrose politike te Komitetit Qendror te PPSH-se, 6 Maj 1959, ku u diskutua Maketi i Historise se Shqiperise

Pse-të e drejtuesve komunistë për të imponuar kujtesën/harresën kolektive

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri jo vetëm u instalua një model i ri politik dhe ekonomik, por edhe u kërkua të ndërtohej një identitet i ri kolektiv i bazuar në ideologjinë komuniste. Duke qenë se identiteti është origjina e të kuptuarit dhe e eksperiencave të popullit, atëherë nevojitej të riformatoheshin ata, me fjalë të tjera të projektohej një kujtesë kolektive e ndryshme. Procesi, nëse do t’i referohemi studiuesit gjerman Friedrich Kratochwill, nuk është gjithaq i vështirë. Sipas tij, identitetet kolektive ndryshojnë më lehtë se sa ato individuale, të cilat janë pjesë thelbësore e vetëdijes.

Për ta thënë me fjalë të tjera, në qoftë se e para është shpesh një nevojë për mbijetesë [në rastin tonë mbijetesë politike dhe ideologjike], të ndryshosh identitetin e dikujt mund të rezultojë të jetë katastrofik. Kjo mund të shpjegojë pse politikanët i bëjnë më shumë apel identiteteve kolektive (të cilat janë infektuar nga ideologjitë), se sa të mund t’i mbushim mendjen dikujt të ndryshojë bindjet thelbësore mbi të cilat është ndërtuar personaliteti i tij/saj.

Motivet për riformëzimin e kujtesës kolektive të shqiptarëve ishin disa dhe ndryshonin në varësi të nevojave politike. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, drejtuesit komunistë ishin në kërkim të një identiteti legjitimues. Sipas sociologut Manuel Castells, identitetet legjitimuese ndërtohen prej institucioneve sunduese në shoqëri për të përligjur sundimin e tyre. Në rastin e Shqipërisë, në themel të këtij identiteti të ri ishte nevoja për të përligjur në sytë e shqiptarëve pushtetin e PKSH/PPSH dhe të liderit të saj kryesor Enver Hoxha. Ndonëse rezistenca kundër pushtuesve dhe fitorja ndaj tyre u kishte dhënë komunistëve mjaft kredite popullariteti dhe lehtësoi mjaft ngritjen e tyre në pushtet që gjatë Luftës së Dytë Botërore, paqja po rezultonte më e vështirë për t’u menaxhuar.

Më 17 tetor 1945, pikërisht në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, u zhvillua Plenumi IV i KQ të PKSH-së, i cili analizoi situatën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Pjesëmarrësit në mbledhje u shprehën të shqetësuar mbi mbështetjen e masave ndaj regjimit të ri. Enver Hoxha në referatin e tij “Mbi situatën e brendshme dhe të jashtme” theksonte se “reaksioni jonë [kupto: kundërshtarët e regjimit në Shqipëri] nuk i kishte rrënjët në ujë”.

Sipas drejtuesit kryesor të PKSH-së, situata ndërkombëtare kishte nxitur “reaksionin” për t’u organizuar dhe për të krijuar një lëvizje opozitare. Ai numëronte në këtë kategori popullsinë e veriut të Shqipërisë, e cila ishte tërësisht nën influencën e krerëve fisnorë; elementët e pakënaqur; klerin katolik; “shtresat e intelektualëve të pasqaruar dhe që kanë qenë ose janë në pozitat e armikut, ose në indiferencë, shtresat e tregtarëve të mëdhenj që i kanë goditur tatimet e fitimeve të jashtëzakonshme, spekulatorët e përhershëm, shtresat e bejlerëve dhe të agallarëve që i ka prekur ligji i Reformës Agrare dhe rreth këtyre me siguri mund të grumbullohen në rast se ne s’punojmë drejt dhe nuk zbatojmë si duhet vijën e Frontit, të gjithë ata elementa indiferentë të papërzier me politikë dhe që nuk arrijnë të kuptojnë si duhet manovrën e reaksionit dhe përpjekjet tona në këtë situatë të vështirë”.

Edhe diskutimet e anëtarëve të tjerë të Plenumit, si: Sejfulla Malëshova, Rahman Përllaku, Ymer Dishnica, Abedin Shehu etj. vunë në dukje hendekun që ekzistonte midis pritshmërisë së popullit dhe realizimeve të qeverisë. Kështu, S. Malëshova pohoi se populli shfaqte pakënaqësi në lidhje me drejtimin e qeverisë së Frontit, pasi, sipas tij, kishte një hendek midis asaj se: “çfarë kemi premtuar në Luftë dhe çfarë japim; d.m.th. masat pretendojnë më shumë se ç’mund të marrin në realitet”.

Legjitimimi i regjimit të ri kërkonte njëkohësisht edhe legjitimim të komunizmit si ideologji, një sipërmarrje jo aq e lehtë kjo, pasi ai nuk kishte traditë në Shqipëri. Në periudhën midis dy Luftërave Botërore, për shkak të prapambetjes ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë si lëvizja punëtore, ashtu dhe ajo komuniste ishte e dobët, e paorganizuar dhe zhvillohej tejet ngadalë. Për pjesën më të madhe të shqiptarëve ruralë dhe analfabetë, komunizmi ishte një ideologji e pakuptimtë dhe e lidhur në një masë të konsiderueshme me pansllavizmin. Historiani britanik Peter Burke pohon se “kur ju keni rrënjë, atëherë mund të keni luksin t’i merrni ato të mirëqena, por kur i humbisni rrënjët, atëherë ju keni nevojë të kërkoni për to”. Kështu, historia u përdor për të gjetur ngjarje dhe fakte që do t’i krijonin “rrënjë” komunizmit në Shqipëri dhe për të instaluar në kujtesën e shqiptarëve idenë se regjimi ishte fryt i një procesi evolutiv, të vullnetshëm dhe të natyrshëm.

Në këtë fazë të parë, pjesë e ndërtimit të identitetit legjitimues ishte dhe imponimi i aleatëve të rinj: i Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, të cilët në kujtesën kolektive të shqiptarëve identifikoheshin si “armiqtë e kombit”. Drejtuesit komunistë kishin përcaktuar pozicionimin e Shqipërisë në Lindje, por ata duhet të impononin shqiptarëve t’i shihnin Aleatët e dikurshëm: Britaninë e Madhe dhe SHBA-të si rrezik për të ardhmen e vendit. Që gjatë Luftës së Dytë Botërore u propagandua dhe u zbatua një politikë afrimi në marrëdhënie me Jugosllavinë.

Ndërkohë, përsëri duke manipuluar me gjysmë të vërtetat, pakënaqësitë e SHBA-të dhe Britanisë së Madhe ndaj metodave diktatoriale të përqafuara nga regjimi i ri dhe mosmbështetjen e tyre për të, ua paraqitën shqiptarëve si një përpjekje të tyre, për të gërryer pavarësinë e vendit, duke gjetur “fakte” për këtë edhe në të kaluarën historike.

Në një periudhë më të vonshme, kur pushteti ishte më i konsoliduar, kujtesa kolektive, e formësuar tashmë në një identitetet i projektuar, do të përdorej si instrument për mbajtjen e pushtetit. Sipas Manuel Castells, identitetet projektuese lindin atëherë kur aktorët shoqërorë kërkojnë të ripërcaktojnë pozitën e tyre në shoqëri dhe shndërrimin e të gjithë strukturës shoqërore. Shqiptarët duhet të sforcoheshin që të kuptonin se për herë të parë në historinë e tyre ishte arritur demokracia e vërtetë dhe që pushteti ishte në duart të popullit.

E, për ta bërë këtë, liderët komunistë kërkonin t’u impononin shqiptarëve një kujtesë kolektive, e cila do t’i shërbente delegjitimimit të trashëgimisë politike të qeverive paraardhëse. Përdorimi i gjysmë të vërtetave, fshehja e fakteve apo edhe shtrembërimi i së shkuarës u shndërrua në një metodë mjaft të përdorur në propagandën e kohës. Ligjërimi politik, si rregull, paraprinte procesin e shkrimit të historisë. Kështu, duke folur për traditat shtetërore në Shqipëri, Enver Hoxha theksonte se “qeveritë e atyre kohërave [kupto: qeveritë e periudhës midis dy Luftërave dhe të Luftës së Dytë Botërore], ishin qeveri kukulla, të cilat mbronin interesat e klasave të pasura imperialiste në kurriz të pavarësisë së vërtetë dhe interesave të popullit. Qeveritë e bejlerëve dhe feudalëve nuk mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë dhe nuk ndërmorën asnjë reformë ekonomike dhe sociale”. Çdo gjë e mirë kishte filluar me qeverisjen e komunistëve, ndërsa të këqijat ishin trashëguar nga e shkuara. Reformat, personazhet dhe arritjet e këtyre qeverive u lanë pothuajse në harresë.

Identiteti i projektuar kishte si qëllim krijimin e kohezionit politik dhe social, i cili do t’i hapte rrugë shndërrimit të ideologjisë komuniste, në ideologji sunduese në vend. Në një shoqëri poliedrike si ajo shqiptare ku shtresëzimi social, rajonalizmi, tradicionalizmi, konservatorizmi dhe religjioni gërshetoheshin në një mënyrë jo gjithaq harmonike, shndërrimi i komunizmit, deri atëherë të panjohur, në një ideologji sunduese ishte një ndërmarrje mjaft e vështirë. Qeveria komuniste nuk mund të pranonte rivalë ndaj ideologjisë së saj, por në një shoqëri të tillë kaq polivalente, duheshin gjetur mjete e forma për t’u siguruar kohezioni social i nevojshëm.

Një nga zgjidhjet e ofruara ishte edhe lufta ndaj besimeve fetare. Kështu, veçanërisht brezat e rinj të shqiptarëve, filluan të edukoheshin për ta parë fenë si një ideologji të importuar, e cila kishte shkaktuar vetëm vuajtje për ta. Ndërsa me “rivalin” tjetër ideologjik, nacionalizmin tradicional, çështja ishte më e komplikuar, pasi ajo nuk ishte një ideologji nga e cila mund të hiqej dorë lehtë. Për këtë arsye, drejtuesit komunistë ia nënshtruan nacionalizmin tradicional nevojave të ideologjisë komuniste. Imponimi i kësaj kujtese të re u dominua nga simbolet dhe sloganet e reja. Monumentet historike ekzistuese u zëvendësuan nga të reja, të cilat celebronin luftën çlirimtare kundër nazi-fashizmit. Ndërkohë, demokracia popullore, socializmi dhe komunizmi ishin shprehjet e reja, të cilat zëvendësuan ato nacionaliste tradicionale.

135408

 

Politikanët si shkrues të historisë: Metodologjia e “shpëlarjes së trurit” në Shqipëri

Regjimi komunist në Shqipëri u përball dhunshëm me kundërshtarët politikë ose duke i eliminuar fizikisht, ose duke i izoluar në burgje dhe kampe përqendrimi. Pjesa tjetër e popullsisë iu nënshtrua një procesi indoktrinimi ideologjik, ose siç i pëlqente regjimit ta quante “krijimit të njeriut të ri”. Për drejtuesit komunistë ishte thelbësore të bënin për vete shqiptarët tradicionalistë dhe konservatorë. Kjo do t’i shërbente si procesit të mobilizimit të masave, shumë i rëndësishëm ky për suksesin e reformave të premtuara prej tyre, njëkohësisht edhe mbijetesës së tyre në pushtet. Por që të arrihej kjo drejtuesve komunistë shqiptarë u duhet të “fshinin” nga mendja e shqiptarëve mitet e deriatëhershme dhe të infiltronin në mendjen e tyre kulte e mite të reja.

Në këtë proces, histori-shkrimit iu kërkua të bënte sforcon më të madhe. Drejtuesit kryesorë të PPSH-së ishin të fokusuar jo thjesht për të kontrolluar historinë e shkruar, por për ta diktuar atë. Përdorimi i historisë jo vetëm për të mësuar dhe shpjeguar të kaluarën, por për ta gjykuar dhe për ta rimodeluar sipas nevojave politike të së tashmesh ishte një brengë e vazhdueshme për historianët.135420

Foto 3: Relacion i 20 korrikut 1961, i redaksisë që përgatit Historinë e Shqipërisë

Në raportin e tij të mbajtur në Kongresin I të PPSH-së, Enver Hoxha hodhi tezat kryesore për trajtimin e historisë së Shqipërisë, por deri në fillim të viteve ’50 ende nuk kishte filluar puna për hartimin e një teksti zyrtar historie. Kjo ndodhi pikërisht në vitin 1952, kur KQ i PPSH-së ngarkoi Institutin e Shkencave të fillonte punën për hartimin e një teksti për historinë e Shqipërisë. Një numër i madh punonjësish të Institutit, por edhe bashkëpunëtorë të jashtëm u përfshinë në këtë proces, midis tyre edhe Stefanaq Pollo, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Selim Islami, Isuf Alibali etj. Sipas projektit fillestar, botimi nuk do të kishte karakter akademik dhe do të shërbente si tekst bazë për nxënësit e shkollave të mesme.

U deshën rreth 7 vjet pune intensive, derisa maketi të ishte gati për t’u diskutuar. Në vitin 1959, maketi u shumëfishua në 250 kopje dhe u diskutua në një rreth të gjerë mësuesish, studiuesish, juristësh dhe politikanësh lokalë, të cilët i kishin paraqitur me shkrim vërejtjet e tyre, ndërkohë që më herët ishte diskutuar edhe me historianët sovjetikë dhe bullgarë. Pasi ishin mbledhur të gjitha mendimet, çështja u diskutua edhe në Byronë Politike të KQ të PPSH-së. Shumë çështje konsideroheshin të diskutueshme duke filluar nga origjina “pellazgjike” e shqiptarëve, periodizimi i historisë e deri te problemet më të prekshme politikisht siç ishte historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Debatet mbartnin sa profesionalizëm, aq dhe ideologjizim.

Nga moria e çështjeve të diskutueshme për qëllimet e këtij punimi do të përqendrohem në dy prej tyre: në diskutimet për të ashtuquajturën Lëvizje Fshatare të Shqipërisë së Mesme dhe për Luftën e Dytë Botërore. Arsyeja pse janë zgjedhur këto dy çështje nuk ka të bëjë me faktin se këto vazhdojnë të zotërojnë ligjërimin publik e politik edhe në ditët e sotme. Më shumë se kaq, ato janë dy dëshmi domethënëse: e para, për ndryshimin e një kujtese të mëparshme e për të instaluar një të re (rasti i Lëvizjes së fshatarëve të Shqipërisë së Mesme) dhe, e dyta, për të ndërtuar një imazh të përshtatshëm politikisht për një periudhë historike, në të cilën drejtuesit komunistë kishin luajtur rol kryesor (Lufta e Dytë Botërore). Pra, për të ngritur rishtazi një kujtesë kolektive e, si rrjedhim, edhe një identitet të projektuar.

Mendimet për të dyja ngjarjet vijnë nga redaksia e hartimit të tekstit dhe nga grupet e diskutantëve. Sa i takon Lëvizjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme, historianët  e ngarkuar me hartimin e kësaj copëze të historisë së Shqipërisë, ngrinin një problem metodik, sipas të cilit lëvizja e viteve 1914-1915, ashtu si çdo ngjarje tjetër historike, nuk mund të trajtohej pa e shqyrtuar atë nga të gjitha aspektet e saj, nga forcat lëvizëse dhe udhëheqëse, nga parullat, kundër kujt drejtohej, nga qëllimet që synonte, si dhe nga rezultatet e arritura.

Duke u mbështetur në këto kërkesa metodike, grupi i historianëve kishte arritur në përfundimin se “në kushtet e viteve 1914-1915, çështja e ekzistencës së shtetit shqiptar vazhdonte të ishte çështja themelore për popullin shqiptar dhe detyra kryesore për çdo lëvizje politike, shoqërore apo kulturale patriotike duhej të ishte mbrojta e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë tokësore të atdheut, që kërcënohej seriozisht nga Fuqitë e Mëdha dhe nga qeveritë shoviniste kufitare. Duke qenë çështja nacionale, çështja kryesore, kuptohet vetvetiu se kësaj duhet t’i nënshtroheshin të gjitha lëvizjet e tjera duke përfshirë këtu edhe lëvizjet sociale, sepse vetëkuptohet që lëvizja fshatare nuk do të përfundonte kurrë me sukses në rast se Shqipëria copëtohej”.

Historianët nuk i konsideronin qëndrimet antikombëtare të kësaj Lëvizjeje si një dobësi, ashtu siç ishte thënë më herët, në Kongresin I të PPSH nga Enver Hoxha, por një çështje parimore. Duke u mbështetur në fakte burimore ata i dhanë kësaj lëvizjeje karakter antishqiptar, në thelb reaksionar “duke pohuar njëkohësisht se në themel të vet kjo lëvizje kishte një rrymë të fortë fshatare që luftonte për tokën. Por lufta e fshatarësisë për tokën i shërbeu në këtë rast qëllimit politik antikombëtar të udhëheqjes antishqiptare të lëvizjes”.

Relatorët nuk harronin të përmendnin se këtë mendim e kishin shfaqur edhe historianët sovjetikë gjatë diskutimit të maketit.

Interesante janë edhe debatet e bëra në rrethe më të gjëra për këtë lëvizje. Duket se kujtesa e njerëzve mbi këtë lëvizje ishte e ndarë në dy kampe. Kishte një shumicë diskutantësh, të cilët mbështetur në rrëfimet e mbledhura në Elbasan, Pogradec, Berat, Vlorë etj. flisnin për një karakter antikombëtar të lëvizjes. Në këto qytete, njerëzit kujtonin se Haxhi Qamili dhe rebelët e tij kishin grisur flamurin shqiptar, kishin mbyllur shkollat shqipe, kishin ndaluar mësimin e gjuhës shqipe dhe kishin persekutuar patriotë, si Sheh Hyseni, Bab Dud Karbunara, Gani Butka etj.

Thoma Deliana, madje vinte në dyshim edhe karakterin social të lëvizjes, pasi Haxhi Qamili nuk ishte fshatar i varfër (ai kishte shkuar për haxhillëk në Mekë) dhe se në Elbasan bejlerët nuk ishin përndjekur nga pasuesit e tij. Ai tregonte se “Shefqet Vërlaci nuk është prekur fare, po i janë kërkuar vetëm të holla”. Bilbil Klosi vinte në dukje se në zonën e Beratit dhe të Mallakastrës, kujtimet e popullsisë nga kjo kryengritje ishin shumë indinjuese. Ata mendonin se Haxhi Qamili ka mbajtur qëndrim proturk dhe ka kompromentuar çështjen nacionale.

Ndërsa në zonën e Vlorës kujtohej se populli kishte luftuar kundër rebelëve të Haxhi Qamilit.

Kishte dhe një qasje tjetër nga diskutantët në lidhje me këtë kryengritje, e cila i mëshonte karakterit social dhe ia atribuonte parullat antikombëtare komprometimit që i bënë bejlerët kësaj lëvizjeje. “Çështja e Haxhi Qamilit, shprehen përkrahësit e kësaj qasjeje të dytë, – duhet vlerësuar si një kryengritje fshatare për tokë, prandaj duhet vlerësuar si një lëvizje e tillë. Për sa u përket parullave që ia dedikojnë Haxhi Qamilit dhe që në të vërtetë janë reaksionare, ato mund të jenë përhapur me qëllim në popull nga ana e bejlerëve për të kompromentuar Haxhi Qamilin dhe lëvizjen fshatare”.

Më 6 maj 1959, maketi i Historisë së Shqipërisë u diskutua në Byronë Politike të KQ të PPSH-së. Lëvizja Fshatare e Shqipërisë së Mesme ishte një nga çështjet në të cilën diskutantët u ndalën më shumë. Pothuajse të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të Liri Belishovës, mbronin karakterin social të saj. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ishin promotorë të kësaj ideje. Madje, ky i fundit u shpreh se ai si komunist ishte revoltuar kur kishte lexuar që “historianët tonë të cilët kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik të dalin kundër kësaj [lëvizjeje]”.

Enver Hoxha ishte i bindur në theksimin e karakterit social të lëvizjes. Në këtë mbledhje ai pranonte se pjesëmarrësit në këtë lëvizje ishin injorantë dhe fetarë fanatikë, por sërish ata nuk e humbën orientimin kundër “bejlerëve dhe imperializmit”. “Haxhi Qamili, – sipas drejtuesit komunist, – është një instinkt i popullit dhe qëllimet e kësaj lëvizjeje kanë qenë të drejta. Pastaj kjo lëvizje ka pasur edhe të meta dhe që ta nxjerrish si luftën nacionalçlirimtare nuk është e drejtë. Kristo Frashëri më duket se ka të drejtë pse ka vënë edhe të meta”.

Liri Belishova, në ndryshim nga kolegët e saj të Byrosë Politike nuk gjente ngjashmëri midis Haxhi Qamilit dhe Pugaçovit, drejtuesi i një lëvizjeje fshatare në Rusinë e Carit. Ajo ishte e bindur që lëvizja kishte karakter antikombëtar dhe se ajo nuk ishte e ngjashme me Lëvizjen Fshatare të Pugaçovin në Rusi. Ajo mbështeste ekipin e historianëve hartues të maketit, sipas të cilëve, karakteri antikombëtar ishte dominant. Ajo mendonte se kjo “lëvizje duhet kritikuar rëndë [se]pse 500 vjet u luftua për çlirimin e Shqipërisë dhe pastaj ngrihen e thonë “duam babën [kupto: Sulltanin]”, djegin shkolla, vrasin mësuesin dhe 7 fëmijë në Mallakastër etj.”.  Ajo madje replikoi me Enver Hoxhën në lidhje me këtë çështje. Gjithsesi mbledhja u mbyll me konkluzionin e Hoxhës: “mendimi jonë është së lëvizja e Haxhi Qamilit ishte për t’i dhënë tokën fshatarësisë se ajo ka një karakter agraro-revolucionar dhe jo reaksionar. Por ajo ka pasur edhe gabimet e saj dhe këto të vihen”.

Presioni politik ndaj historianëve ishte shumë i fuqishëm. Ata u detyruan ta ripunojnë tekstin dhe, gjatë vitit 1960, çështjen e karakterit të Lëvizjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme: e morën dy herë në shqyrtim: në maj dhe në nëntor. Rezultatet e diskutimeve iu paraqitën Komitetit Qendror më 20 qershor 1961 me anë të një relacioni të hartuar nga Stefanaq Pollo në emër të redaksisë së vëllimit II të Historisë së Shqipërisë. Në këtë rast, profesionalizmi i historianëve triumfoi mbi ideologjinë. Ata ishin shprehur unikë në qëndrimin e tyre për karakterin antikombëtar të lëvizjes. Ndërsa, sa i takon karakterit social të saj, ata nuk ndanin të njëjtin mendim. Një pjesë e tyre e mohonte, ndërkohë që të tjerët e pranonin atë.

Më 31 janar 1962, në një mbledhje të zgjeruar të Byrosë Politike me historianët, çështja u mor sërish në diskutim. Enver Hoxha kishte përgatitur një parashtresë në lidhje me këtë lëvizje. Ai kërkoi nga historianët që ta shihnin këtë ngjarje nën dritën e ideologjisë marksiste-leniniste, pavarësisht se kështu do të rrëzoheshin disa “norma”. Ai ngriti akuza ndaj historianëve, ata ishin të ndikuar nga historiografia borgjeze. Më pas bën një veçim të tyre. Disa historianë kishin reminishenca të historiografisë borgjeze, ndërsa kishte nga ata që ishin konsekuentë në mbrojtjen e teorive reaksionare borgjeze me argumente jo reale dhe antishkencore dhe antimarksiste. Qëndrimi i tij në krahasim me tri vite më parë ishte radikalizuar.

Ndërsa më herët kishte pranuar se lëvizja mund të ishte përdorur nga elementët xhonturq dhe se injoranca dhe fanatizmi i fshatarëve mund t’i kishte çuar ata në veprime në kundërshtim me interesat e vendit, tani qëndrimi i tij ishte i prerë. Lëvizja ishte një kryengritje fshatare me karakter agraro-revolucionar, e cila drejtohej kundër Princ Vidit, feudalëve dhe imperializmit. Ai refuzonte tashmë t’i quante fshatarët injorantë dhe fanatikë islamikë. Ata madje ishin orientuar drejt edhe sa u takonte kërkesave për një princ turk. Këto, sipas Hoxhës, përligjeshin me koniunkturën politike të kohës. Madje, në funksion të argumentit, përqasi lëvizjen e Ismail Qemal Vlorës me koalicionin turko-bullgar në janar të vitit 1914.

Pyetja që me vjen natyrshëm është: Pse një ngjarje jo e rëndësishme në dukje u diskutua kaq gjatë? Pse ishte e interesuar udhëheqja komuniste ta ndryshonte këtë ngjarje? Një nga arsyet na i jep vetë Enver Hoxha në diskutimin e tij në mbledhjen e Byrosë Politike, mbajtur më 31 janar 1962, ku lidhur me këtë ngjarje historike ka thënë: “Këtu është çështja e përcaktimit të drejtë të një momenti të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, e, që do të ketë reprekrusione në luftën e mëvonshme të popullit tonë, në rezistencën e popullit kundër regjimit të feudalëve me [Ahmet] Zogun në krye, në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit tonë kundër fashizmit italian, nazizmit gjerman dhe tradhtarëve të vendit”. Kjo do të thoshte se Enver Hoxha kërkonte të gjente legjitimitetin e pushtetit të tij te kjo ngjarje.

Ajo duhej të trajtohej si fillesë e lëvizjes shoqërore në Shqipëri, e cila çoi në revolucionin popullor që u zhvillua gjatë luftës çlirimtare. Kreut të diktaturës së proletariatit edhe këshillat e krijuara nga Haxhi Qamili i sillnin ndër mend këshillat nacionalçlirimtare të krijuara gjatë viteve 1942-1944. Ishte ky një rast tipik kur, “modalitetet e kujtesës”, siç thekson dhe Kratochwil, marrin kuptime të reja dhe rifigurojnë të shkuarën nga këndvështrimi i të sotmes. Janë problemet e ditës që diktojnë seleksionimin e atyre që konsiderohen të vlefshme për t’u kujtuar dhe jo e kundërta, kur e kaluara historike dikton të tashmen në një mënyrë përcaktuese.

Doktrina marksiste i konsideronte masat popullore si promotorin e shoqërisë, të cilat ndryshe nga “klasat sunduese”, e dinin rrugën e drejtë. Në këtë kontekst, Enver Hoxha nuk mund të lejonte që të shkruhej në tekstet apo në librat e historisë, që fshatarët shqiptarë kishin një ndërgjegje dhe identitet fetar në një kohë kur ishte iniciuar një fushatë kundër institucioneve fetare, të cilat i konsideronte të huaja për traditat e shqiptarëve, kundër interesave të masave dhe antikombëtare. Sërish Lufta e Dytë Botërore sillej si argument shtesë për të përligjur idenë. “Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Shqipëria e Mesme ka qëndruar dhe ka luftuar mirë, kurse mjaft nga ata që njihen se ndiqeshin dhe persekutoheshin nga Haxhi Qamili, vazhduan politikën antishqiptare të bazuar tek imperialistët, si Lef Nosi, Cakranjtë etj.

Ndërsa ndryshimi i historisë së Lëvizjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme u përdor për legjitimimin e pushtetit të komunistëve, shkrimi i historisë së Luftës së Dytë Botërore do t’u shërbente tri qëllimeve: diskreditimit të kundërshtarëve politikë; mitizimit të lëvizjes partizane dhe krijimin e kultit të individit për drejtuesit komunistë.

Edhe diskutimet mbi historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore ndoqën të njëjtën udhë si ato për ngjarje të tjera. Në ndryshim nga Lëvizja fshatare e Shqipërisë së Mesme, historianët nuk ishin shumë të gatshëm të kundërshtonin në lidhje me këtë pjesë historie. Në vitin 1959, dy ishin problematikat e ngritura nga historianët, të cilat gjetën kundërshtimin e drejtuesve komunistë: çështja e luftës civile dhe ajo e pushtetit.  Një pjesë e historianëve, midis të cilëve Ndreçi Plasari, mendonin se në tekstin e historisë duhej të analizohej lufta civile mes gupeve rivale politike, si një fenomen që ishte zhvilluar krahas luftës nacionalçlirimtare.

Sigurisht ajo ishte imponuar nga klasat shfrytëzuese të lidhura me armikun. Konkluzioni i përgjithshëm nga diskutimet e gjera që u zhvilluan ishte që “duhet përdorur vazhdimisht termi Lufta Nacionalçlirimtare dhe, kur të bëhen konkluzionet, të thuhet se kjo nuk ishte një luftë thjesht nacionale, por ajo ishte dhe një luftë klasash. Pra edhe luftë civile. Nuk mund të merret viti 1943 si data e fillimit të Luftës Civile, pasi qysh në fillim një pjesë e mirë e feudalëve dhe e borgjezisë shqiptare u vu në shërbim të okupatorëve. Pra duke luftuar okupatorët, luftohej dhe borgjezia dhe feudalët e vendit”.

Qëndrimi i Byrosë Politike ishte i prerë “për sa i përket luftës nacionalçlirimtare të hiqen termat “lufta civile” dhe çështja nuk u diskutua më gjatë, me përjashtim të diskutimit të Mehmet Shehut, i cili e përdori luftën civile si term: “për luftën civile dhe pushtetin popullor është [ka] një pjesë e madhe që duhet përpunuar”. Por ajo u rimor sërish në diskutim në vitin 1964, kur maketi i Historisë së Shqipërisë kthehet për t’u diskutuar për të tretën herë në Byronë Politike. Në këtë mbledhje Ramiz Alia, pasi bëri një vërejtje për mënyrën se si ishin trajtuar marrëdhëniet e PKSH-së me Ballin Kombëtar gjatë luftës, vijon: “Është shumë i drejtë konkluzioni i bërë në f. 62 kur thuhet se shkaqet përse u shkaktua lufta civile [ishin], sepse Balli refuzoi të bashkëpunonte [me FNÇ], u bë me fashizmin kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. Ishte Enver Hoxha ai që tërhoqi vëmendjen duke thënë se duhej pasur kujdes me termin luftë civile, pasi “Balli dhe Legaliteti ishin mercenarë të okupatorit”.

Ndërsa Mehmet Shehu mbronte idenë e karakterin të dyfishtë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare: antifashist dhe klasor.

Teksti i historisë i botuar nga Instituti i Historisë një vit më vonë, ndonëse nuk përmendte termin luftë civile konkludonte se “Duke kaluar plotësisht në anën e fashistëve gjermanë dhe duke marrë pjesë bashkë me ta në luftën e armatosur kundër lëvizjes nacionalçlirimtare, reaksioni vendës i imponoi popullit shqiptar një luftë vëllavrasëve”. Ndërsa në tekste të tjera të mëvonshme ky përcaktim është hequr.

Rezistenca e shqiptarëve kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore është padyshim një ngjarje e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Por, në një analizë të mëtejshme, nga kjo periudhë buronte edhe legjitimiteti i drejtuesve të regjimit. Vendimet dhe veprimet e tyre të mëvonshme për të linçuar dhe margjinalizuar nga pikëpamja politike dhe sociale ish-anëtarët e Ballit Kombëtare, Legalitetit dhe gjithë kundërshtarët politikë të luftës mbështetej te fakti se ata kishin qenë kolaboracionistë.

Ndërkohë historianët argumentonin se duheshin veçuar nacionalistët që kishin luftuar kundër pushtuesit, nga ata që kishin bashkëpunuar me të. Por një trajtim i tillë do t’i jepte disa kredite patriotizmi elitës politike dhe intelektuale shqiptare, gjë që nuk i përshtatej politikës së komunistëve shqiptarë. Kjo ishte arsyeja që nuk mund të pranohej të shprehej hapur ideja e luftës civile, por kamuflohej pas shprehjeve “luftë klasash”, apo “luftë vëllavrasëse”. Në vazhdë të këtij qëllimi politik nuk bëhej asnjë diferencë ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, apo Muharrem Bajraktarit dhe bajraktarit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit, një bashkëpunëtor i vërtetë i pushtuesit gjerman.

Sa i takon çështjes se cili ishte momenti historik që duhej konsideruar si kyç i vendosjes së “pushtetit popullor”, historianët, por edhe anëtarët e Byrosë Politike, ishin të ndarë në përcaktimin e tij. Një pjesë mendonin së duhej konsideruar Kongresi i Përmetit, ndërsa të tjerë, 29 nëntorin 1944. Liri Belishova dhe Manush Myftiu ishin për 29 nëntorin, si data e vendosjes së pushtetit popullor, ndërsa të tjerët mbronin idenë e Kongresit të Përmetit, me argumentin se kjo ngjarje ishte shënuar edhe në stemën e Republikës. Vulën çështjes ia vuri Enver Hoxha: “me Konferencën e Pezës u hodhën bazat e pushtetit popullor, në Përmet u konsolidua nga përfaqësuesit e popullit dhe më 29 nëntor është data e çlirimit”.

Shqetësim për anëtarët e Byrosë Politike ishin edhe përmasat që duhet të zinte në tekst Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pozicioni i tyre individual në të. Ndërsa më 1959 diskutimi u përqendrua në çështje konceptuale, në vitin 1962 ai mori një dimension krejt tjetër. Nuk u diskutuan as karakteri i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, as çështja e pushtetit. Anëtarët e Byrosë Politike kërkonin tashmë të glorifikonin rezistencën. Enver Hoxha porosiste që Lufta Antifashiste të dilte madhështore. Mehmet Shehu kujtonte se “kjo periudhë është periudha më e lavdishme e popullit, prandaj duhet punuar mirë”. Kështu, ata kërkonin të glorifikoheshin disa beteja me të vërtetë të rëndësishme, si p.sh. ajo e Gjormit, të zmadhoheshin disa të tjera, si ndonjë luftim diku në Mirditë, dhe të anashkaloheshin disa fakte, si ai i mospjesëmarrjes së popullsisë së Veriut në këtë lëvizje. Njëkohësisht ata kishin pritshmëri për të nxjerrë në pah rolin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme.

Madje, me çështjen e personaliteteve të Luftës që do të përmendeshin në tekst, u hap mbledhja e Byrosë Politike. Historianët, sipas Hoxhës, kishin vendosur shumë emra personalitetesh. Ata e kishin saktë kur theksonin drejtimin kolektiv të Komitetit Qendror, por “ka disa emra që nuk mund të evitohen …, prandaj mendoj që në tekst të vihet emri i shokut Mehmet, i shokut Hysni, i Myslim Pezës dhe i Spiro Moisiut që është fakt historik që ka qenë komandant i përgjithshëm i UNÇ … Emri im natyrisht të mbetet, por propozoj të hiqet nga teksti biografia ime”. Përveç këtyre ai shton se duhet të ketë edhe një hierarki trajtimesh “të kihet parasysh që emri i Mehmetit dhe i Hysniut të jetë i ndryshëm nga formulimi që do të bëhet për Myslim Pezën dhe Haxhi Lleshin”.

Pse ky ndryshim? Kur u diskutua teksti më 1959, Shqipëria ishte ende në orbitën sovjetike. Propaganda zyrtare ishte e përqendruar të përmendte rolin e jashtëzakonshëm të Ushtrisë së Kuqe në fitoren botërore kundër Boshtit nazi-fashist. Gjithashtu, drejtuesit komunistë ishin të detyruar të përfshiheshin në fushatën e iniciuar nga Hrushovi kundër kultit të individit të udhëheqësve. Kjo ishte arsyeja, në këndvështrimin tim, që këto çështje nuk u ngritën në diskutimin e parë. Në vitin 1962, situata politike në Shqipëri kishte ndryshuar. Prishja me Bashkimin Sovjetik ishte zyrtarizuar. Drejtuesit duhet të gjenin mjete të reja propagandistike për të motivuar popullsinë. Lufta ishte shpëtimi i tyre. A nuk ishin orientuar këta udhëheqës drejt gjatë rezistencës? A nuk e kishin drejtuar popullin drejt fitoreve dhe rreshtuar Shqipërinë në radhët e vendeve fituese? Duke glorifikuar rezistencën, ata mund t’i tregonin popullit se ende po merrnin vendimet e duhura dhe rruga që po ndiqej ishte ajo e drejta.

Në këtë proces, mesa duket faktet historike, nuk ishin gjithaq të rëndësishme. Në këtë proces, mesa duket faktet historike, nuk ishin gjithaq të rëndësishme. Në vitin 1955, Tuk Jakova kishte guxuar të kritikonte paraqitjen e ngjarjeve historike të Luftës në tekstet, muzetë dhe propagandën zyrtare, por ai e kishte paguar këtë me burgimin e tij. Vetë Enver Hoxha u kishte kujtuar më herët historianëve se “ne rrëzuam një pushtet të tërë, kapitalizmin dhe feudalizmin, prandaj asgjë nuk na tremb të rrëzojmë e të hedhim poshtë disa teza historike që nuk janë të drejta”. Madje, ato mund të ndryshonin sipas kritereve politike. Sa për ta ilustruar mund të përmendim një diskutim mbi personalitetet që do të përmendeshin në historinë shumëvëllimshe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Redaksia e hartimit të këtyre vëllimeve i paraqiti, përveç të tjerave, edhe kriteret e përzgjedhjes së personaliteteve që përmenden në tekst. Sipas tyre, do të ishin pjesë e tekstit të gjithë anëtarët e plenumit të KQ të PKSH të vitit 1943, që përmenden edhe në Historinë e Shqipërisë. Të tjerët, si Koçi Xoxe, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Bedri Spahiu, Sejfulla Malëshova etj do të përmendeshin vetëm kur të kritikohej sjellja dhe veprimtaria e tyre. Nga anëtarët jo komunistë të Këshillit të Përgjithshën Nacionalçlirimtar do të përmendej vetëm Abaz Kupi. Ndërsa për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, pjesëmarrësit në konferenca e kongrese, komandantët e çetave, batalioneve, brigadave e divizioneve partizane do të evidencoheshin vetëm ata që “kanë qenë konseguentë në veprimtarinë e tyre revolucionare”, pra ata që nuk ishin dënuar nga regjimi.

Impakti që trashëgimia e kujtesës së ndryshuar ka në shoqërinë e sotme shqiptare

Siç u analizua gjerësish më lart, në shtetin socialist e shkuara lexohej nga e sotmja. Por e tashmja ishte shumë e paqëndrueshme dhe në ndryshim të vazhdueshëm. Drejtuesit, planet, madje dhe aleatët shkonin dhe vinin. Në këto rrethana dhe e shkuara duhet të ndryshonte.

Të pakta janë shtetet komuniste që kanë bërë kthesa aq drastike në politikën e tyre të jashtme dhe kanë nxjerrë aq grupe armiqësore sa Shqipëria. Një situatë e tillë ndikoi padyshim në propagandën komuniste dhe në perceptimin apo në trysninë që ushtrohej në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Çfarë duhet të mendonin dhe kë duhet të besonin shqiptarët: Enver Hoxhën e vitit 1946, kur thoshte se pa Jugosllavinë e Titos, Shqipëria nuk do të ishte çliruar, Enver Hoxhën e vitit 1951, kur thoshte se ishte Bashkimi Sovjetik ai që ndihmoi në çlirimin e Shqipërisë, apo më shumë akoma Enver Hoxhën e vitit 1961 që thoshte se Shqipëria ishte çliruar tërësisht me luftën vetëmohuese të bijve të saj më të mirë? A duhet të besonin shqiptarët se Mehmet Shehu, kryeministri i Shqipërisë prej gati tre dekadash, ishte besnik i partisë, siç ishte thënë vazhdimisht deri në vitin 1981, apo ishte agjent i një numër të konsiderueshëm agjenturash të huaja, siç thoshte Enver Hoxha në librin e tij “Titistët”?

Rezultati i këtij procesi ishte krijimi i një konfuzioni të madh në mendjen e njerëzve. Por, si një mekanizëm mbrojtës, shoqëria mësoi të mos bënte pyetje. Gjërat pranoheshin ashtu siç thuheshin nga propagandistët partiakë. Dikush mund të argumentojë se kjo situatë kishte dhe anët e saj pozitive, sepse në këtë rast ideologjizimi nuk mund të ndryshonte tërësisht kujtesën e individëve.

Në të kundërtën, unë mendoj se një proces i tillë, i mbështetur në një propagandë të paqëndrueshme, sipas së cilës rebelët bëheshin heronj dhe heronjtë shndërroheshin në tradhtarë brenda natës; ku individit i kërkohej të dilte madje dhe mbi identitetin personal të tij, do të çonte në një mungesë identiteti. Gjë që do të çonte në paqëndrueshmëri dhe devijime sociale. Kjo u vu re qartë, kur shqiptarët çanë dyert e izolimin komunist dhe për herë të parë dolën në botën e lirë. Sjellja e tyre në shtetet perëndimore të Evropës ishte shembulli i njeriut të cilit i janë imponuar rregulla striktë, por jo përgjegjësi individuale.

Në një analizë afatgjatë, gjithë procesi devijoi marrëdhëniet e shoqërisë me historinë, veçanërisht me historinë e shkruar dhe instaloi një kujtesë të shformuar kolektive mbi të shkuarën. Në këta 24 vjetët e fundit, historianët kanë pasur kohën e mjaftueshme për të konsultuar dokumentet e shkruara vendase dhe të huaja dhe të ridimensionojnë historinë e kombit. Por, disa reminishenca të së kaluarës, nuk e lehtësojnë procesin. Historia ende vazhdon të përdoret për interesa politikë të ditës.

Ndërhyrjet e politikës, edhe pse jo të drejtpërdrejta, vazhdojnë të jenë një problem për historianët e sotëm, por jo i vetmi. Procesi e dekonstruktimit të miteve po rezulton mjaft i vështirë, kjo edhe për shkak të mbajtjes gjallë të tyre nga segmente të caktuara të veshura me pushtet. Në këtë këndvështrim, vështirësia më e madhe është raporti i historianit me publikun, i cili disi skeptik ndaj profesionistëve, i indoktrinuar në njërin apo tjetrin krah nga politika dhe njerëz që i shërbejnë asaj, dhe, duke mos njohur burimet dhe aspektet teorike, po jeton një krizë të vërtetë besimi.

Ky shkrim është botuar për herë të parë tek Shqiptarja.com (print) në 7 Shtator 2014

Postime të ngjashme