Kur do të kemi një muze memorial të genocidit komunist?

hazaterr-bud2

Nga Alba Kepi.

Në vendet e Evropës Qendrore e Lindore beteja ndaj ideologjisë komuniste po përpiqet të fitohet jo vetëm me statuja, monumente apo pllaka përkujtimore, por mbi të gjitha me ndërtimin e muzeve, një trashëgimi e domosdoshme për brezat dhe të ardhmen, ku ruhet e nderohet kujtimi i miliona viktima të saj, por mbi të gjitha dëshmohet se si martirizimi i tyre shërben sot për të kuptuar vlerën e lirisë, të shpresës dhe të drejtave themelore të njeriut.
70 vjet mbushen këtë vjeshtë nga nisja e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe një muze të vërtetë historik.

Pak ditë më parë qeveria miratoi fondin shtesë për ceremoninë madhështore të 70-vjetorit të çlirimit të vendit nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kryeministria, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, drejtori ekzekutive, organizata joqeveritare janë rreshtuar për të realizuar projektet e tyre festuese. Skenari është kaq i parashikueshëm, ashtu siç ka qenë për gjysmë shekulli pas 1944-ës. Vizita tek Varrezat e Dëshmorëve, takime me familjarë heronjsh të Luftës Çlirimtare, koncerte festive në Pallatin e Kongreseve me rreshtin kryesor mbushur me kryetarë e anëtarë qeverie, ekspozita fotografike me çeta e batalione partizane që luftojnë armikun (le të shpresojmë se janë rikuperuar të paktën fotografitë origjinale e jo ato të retushuarat), si dhe konferenca shkencore që analizojnë kontributin e kësaj lufte në lirinë e jetën e shqiptarëve. Kryetari i Kuvendit do të përsërisë takimin e tij me anëtarë të çetës së Çorovodës apo të brigadës VII sulmuese. Qeveritarë të tjerë të lartë do të nderojnë kujtimin e brigadës partizane të qytetit apo fshatit të tyre të lindjes. Nuk do të mungojnë, ashtu siç po mësohemi këta muajt e fundit të shohim dhe imazhet e kryekomandantit të kësaj lufte me simbologjinë komuniste. Çdo gjë e pranueshme deri këtu, pasi ne shqiptarët nuk kemi vetëm harmoni fetare, por edhe tolerancë bindjesh politike e shumë më tepër se përfaqësuesit tanë në tempullin e demokracisë.

Por po 70 vjet më parë, nisi në Shqipëri terrori më i egër i një sistemi komunist, praktikuar në Evropën Lindore. Rreth 10 mijë shqiptarë të pushkatuar pa gjyqe, të sakatuar për vdekje nga lemeria e torturave në dhoma hetuesish, burgje e gulage komuniste. Mbi 17 mijë të dënuar politikë, më shumë se 33 mijë të internuar e dëbuar nga shtëpitë, pronat, qyteti i tyre. Një masakër komuniste nisur 70 vjet më parë e që këtë vjeshtë meritonte po të njëjtin fond nga qeveria, të njëjtin përkushtim realizues me projekte, koncerte, konferenca e homazhe në emër të bashkëjetesës, tolerancës e lirisë shqiptare.
Le t’i kujtojmë qeverisë së majtë shqiptare Papa Françeskun, Atin e Shenjtë, që i nderoi me vizitën e tij e që zgjodhi Shqipërinë, para së gjithash pasi se qe një vend me regjimin më të egër komunist në Evropë. Le t’i kujtojmë fjalët që ai përsërit shpesh: “Le të mësojmë të flasim e të kërkojmë falje. Mos të shtiremi se jemi kristianë! Cili është ndryshimi midis mëkatit e skandalit? Kush bën mëkate, pendohet e kërkon falje, përulet e gjen shpëtim nga Zoti!”
Kush bën mëkate e nuk kërkon falje, veç skandalizon. Ky skandal prej 24 vitesh vazhdon të rëndojë në ndërgjegjen e politikës së majtë shqiptare. Asnjë falje publike e distancim nga e kaluara e tyre komuniste. Një javë më parë, pranë Zotit për të larë mëkatet personale e një javë më pas, duke nderuar ideologjinë frymëzuese të gjynaheve të tyre të përgjithshme.

Mijëra viktima të pushkatuar e të groposur në varre kufomash masive, dhjetëra mijëra të internuar nëpër kampe internimi e të persekutuar për jetë e në breza, shumë e shumë të tjerë të torturuar e izoluar në qeli burgjesh e spitale psikiatrike. Patriotë, nacionalistë, intelektualë, politikanë, profesionistë të përgatitur në universitetet më të mira të Evropës, klerikë, sipërmarrës e pronarë të suksesshëm, njerëz të thjeshtë e të pafajshëm, të gjithë të ekzekutuar në emër të lirisë së popullit. Shumë prej tyre nuk iu gjetën kurrë eshtrat, pa një varr ku t’i kujtosh me një tufë lulesh të freskëta. Masakra e Devollit, masakra e Lushnjës, masakra e Martaneshit, masakra e Delvinës, masakra e Gjirokastrës, masakra e Allamanit, masakra e Libohovës, masakra e Dibrës, masakra e Hasit, Bytyçit, Krujës, masakra e Tiranës, masakra e hotel “Bristolit”, një gjenocid i vërtetë komunist, që 70 vjet më parë nisi e përgjaku çdo zonë, qytet e mal të Shqipërisë. E dëshmojnë bashkautorët e krimeve, si Gogo Nushi, sekretari i Partisë Komuniste për Tiranën që më 1944 raporton: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona, janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga këta nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100 vetët (AQSH. f. 14,2/a ). Apo Kristo Themelko, anëtarë i udhëheqjes së degës së Tiranës, bashkë me Qemal Stafën e Gogo Nushin e që po më 1944 do të shkruante: “Duke mos pasur rrugë tjetër, kemi kaluar në atë rrugë ku kemi pasur disa suksese. Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’kemi fakte, të pushkatohen që tani… Që elementët me i pastrue gjatë luftës për ata që s’kemi fakte, kjo ka qenë vepër e të gjithëve, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit. Janë vrarë edhe nga ata që janë dorëzuar” (AQSH, f. 14, 2/a). E vërtetojnë dokumentet e kohës që më vitin 1943, ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit: “Komunistët anarkistë duan të vendosin me çdo kusht një regjim diktatorial në këtë vend…”

Rreth 10 mijë shqiptarë të pushkatuar pa gjyqe, të sakatuar për vdekje nga lemeria e torturave në hetuesi, burgje e gulage komuniste. Mbi 17 mijë të dënuar politikë, më shumë se 33 mijë të internuar e dëbuar nga shtëpitë, pronat, qyteti i tyre. Një masakër komuniste nisur 70 vjet më parë e që këtë vjeshtë meritonte po të njëjtin nderim nga qeveria e së majtës shqiptare, që ende sot nuk ka kërkuar falje publike për atë çka paraardhësit e tyre i shkaktuan këtij kombi, tragjedinë më të madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë.

70 vjet kanë kaluar nga nisja e kësaj dhimbjeje humane e sot nuk kemi asnjë muze për t’i kujtuar viktimat e terrorin komunist të këtij regjimi. Qysh në origjinën e lindjes në epokën e helenizmit, një strukturë muzeale ka detyrë ruajtjen e njohurisë historike, për të kuptuar të tashmen e të ardhmen. Por sot si e para dhe e dyta kanë për qeverinë shqiptare të njëjtën vlerë me të kaluarën. Miliona lekë për të festuar triumfin e lëvizjes komuniste kundrejt indiferentizmit, injorimit ndaj gjenocidit të idealeve komuniste.
Sa vlejnë fotografitë e martirëve klerikë për veç 24 orë varur në bulevardin e Tiranës, nën një qëllim bombastik mediatik apo ekspozita e hapur me nxitim ndërsa po injorohej martirizimi i klerikëve myslimanë, përballë një harrese kombëtare, përballë një mospendimi zyrtar për atë çka ish-Partia Komuniste, ish-Partia e Punës së Shqipërisë, sot Partia Socialiste, i ka shkaktuar këtij populli. Në çdo vend ish-komunist të Evropës, liderët e së majtës janë distancuar nga e kaluara e tyre, kanë kërkuar falje publike për çdo viktimë shkaktuar nga ideologjia e së shkuarës. Në Shqipëri ende jo, veç shtirje e propagandë mediatike për qëllime e akuza politike sa herë që kujtohet holokausti komunist.

Në Pragë, Bukuresht, Budapest, Vilnius, Tallin, Bratislavë, Uashington, janë hapur prej vitesh muze për të nderuar qindra mijëra viktima të komunizmit, për të kujtuar terrorin e gjenocidit që shkaktoi ky regjim. Në Shqipëri kemi veç një pavijon në Muzeun Kombëtar. Çdo dokument, fotografi, objekt, restaurim i këtij “reparti muzeal” daton më punën e një grup studiuesish e historianësh në vitin 1996. Barrën më të rëndë e pati Drejtoria e Muzeve të Tiranës, që në bashkëpunim me Komitetin e të ish-të Përndjekurve Politikë, me drejtori muzesh në rrethe e qytete, hulumtoi në histori e familje, trashëgimtarë e dëshmitarë të kësaj masakre duke prekur e para nga afër dhimbjen e shkaktuar nga komunistët. Qe koha kur ende nuk dihej numri i saktë i viktimave të komunizmit, Komiteti i të Përndjekurve mbante të shënuar me shkrim dore emrat e tyre duke i ndarë sipas burgjeve, kampeve, fshatrave, rretheve. Zyrat e drejtorisë së muzeve mbusheshin çdo orë nga tregimet e vuajtjes së tyre derisa një ditë mbi një tavolinë shkresash u vendos një pako. Brenda saj një palë pantallona stofi leshi të një ish-të burgosuri, të grisur në çdo anë e të qepura me fije flokësh. Qe viti 1996, kaq pranë në kohë me komunizmin, kaq larg së vërtetës historike mbajtur fshehur për një gjysmë shekulli e kaq i fortë impakti emocional ndaj këtij objekti të ruajtur me copëza mishi e shpirti. Po më 1996, në shtëpinë e nacionalistit Osman Kazazi, me 42 vjet burg komunist mbi kurriz, dy motrat e tij të moshuara e ndihmojnë Mandelën shqiptar të hapë një sepet të vjetër druri, brenda të cilit ka ruajtur një batanije leshi, e holluar dhe plot vrima e që për katër dekada e mbrojti nga lagështira e qelive. Pranë saj një gotë alumini e një lugë gjelle pa bisht. “Bishtat i këpusnin, – tha me zërin e dridhur, – pasi kishin frikë nga ne!”

Diku një veshje, një tel gjembash, një litar, një mur qelie e kështu më 1996 u ngrit ky pavijon i kujtesës së gjenocidit komunist në Shqipëri. Sot nuk ka ndryshuar asgjë, ndoshta veç një restaurim tavani për nevojat e muzeut. Arkivi është po i njëjti, pa asnjë pasurim historik e studim shkencor. Mungon vendndodhja e besueshme, simboli-dëshmi i këtij tmerri komunist. Muzeu “Terror Haza” në Budapest, ngritur në qendrën kryesore të torturave të komunizmit në këtë vend, është shembulli se kur punohet për të rishkruar historinë e vërteta nis nga koka e jo nga bishti.

Në vendet e Evropës Qendrore e Lindore beteja ndaj ideologjisë komuniste po përpiqet të fitohet jo vetëm me statuja, monumente apo pllaka përkujtimore, por mbi të gjitha me ndërtimin e muzeve, një trashëgimi e domosdoshme për brezat e të ardhmen, ku ruhet e nderohet kujtimi i miliona viktima të saj, por mbi të gjitha dëshmohet se si martirizimi i tyre shërben sot për të kuptuar vlerën e lirisë, shpresës dhe e të drejtave themelore të njeriut.

70 vjet mbushen këtë vjeshtë nga nisja e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe një Muze të vërtetë historik, ngritur aty ku ky regjim tregoi kulmin e shtazërisë së tij, ua kemi borxh mijëra viktimave, familjarëve e pasardhësve të tyre. Por mbi të gjitha politika ia ka borxh Historisë së Shqipërisë. Ashtu siç thotë dhe Niçe: “Kam bërë këtë thotë kujtesa. Nuk mund ta kem bërë këtë, thotë krenaria duke qëndruar e palëkundshme. Në fund vec memoria dorëzohet.”

“Terror Haza”

Një ndër më të suksesshmit për shkak të konceptimit të strukturës së tij e të numrit të madh të turistëve që e vizitojnë çdo ditë, është muzeu i Komunizmit në Budapest “Terror Haza” (Shtëpia e terrorit).

I ngritur më vitin 2002 nën qeverisjen e qendrës së djathtë të Fidesz ai shquhet për përdorimin e instrumenteve multimediale, për efektet e kushtueshme speciale, për atmosferën e lartë spektrale të realizuara falë fondeve internacionale si dhe për polemikat politike që shkaktojë ngritja e tij. “Shtëpia e Terrorit” tashmë një muze ka qenë teatër i dy periudhave tragjike të historisë hungareze të shekullit të XX. Fillimisht nazistët e më pas komunistët e kthyen këtë ndërtesë në një qendër kryesore të torturës. Më 1944 gjatë dominimit të partisë hungareze të shigjetave kryqe kjo ndërtesë njihej si “shtëpia e besimit” e territori përreth si lagjja kryesore e nazistëve hungareze. Në qelitë e saj anëtarët e shigjetave të kryqëzuara torturuan e vranë me mijëra persona e midis tyre qindra hebrenj të pafajshëm u masakruan e u hodhën në Danubin e akullt. Më 1945 Hungaria bie nën pushtimin sovjetik. Një nga detyrat e para që kryen komunistët hungarez të ardhur mbi tanket ruse, qe zotërimi i banesës me numër 60 në rrugën Andrassy, sot “Shtëpia e Terrorit”. Përsëri kjo godinë e lagjja përreth u kthye në një teatër torture për mijëra hungarez të pafajshëm. Kantinat e saj u shndërruan në një labirint qelish torture e burgimi. Kjo ndërtesë e stilit neorilindas u ristrukturua më vitin 2000 e më 2002 u kthye në një muze. Mjaft i fortë është impakti që shkakton fasada e tij. Një kornizë gjigante mbi të cilën është shkruar “TERROR” dominon pamjen e jashtme të kësaj ndërtese. “Nuk ka viktima të dorës së para apo të dorës së dytë, por ka vetëm viktima”, ky është mesazhi që përcillet menjëherë në hyrje të tij. Dy blloqe graniti kujtojnë viktimat e dy diktaturave, nazizmit e komunizmit. Deri më sot ambientet e tij i kanë vizituar mbi një milionë vizitorë, duke e kthyer në një nga muzetë më të suksesshëm të Evropës Lindore. Zgjedhja arkitektonike, efikasiteti i efekteve zanore, sensibiliteti i ekspozimit të materialeve kanë bërë që ky muze të fitojë çmime mjaft të rëndësishme evropiane. “Hapja e “Shtëpisë së Terrorit” qe vërtetë një gur themelor. U krijua për të qenë një kujtim evident i institucionit të shtazërisë njerëzore, e privuar nga shembuj të mëparshëm”, – citojmë politikanin polak Zbigniew Brzezinski.

Muzeu i Viktimave të Gjenocidit në Lituani

Muzeu i Viktimave të Gjenocidit apo Muzeu i KGB gjendet në Vilnius të Lituanisë. I ngritur më 1992 me fondet e SHBA-së e i riorganizuar më 1997 nga “Research Center of Genocide and Resistance of the Inhabitants of Lithuania”, ai mori sukses në publik më 2004, pas hyrjes së Lituanisë në Bashkimin Evropian, gjë që shënoi rritjen e dukshme të numrit të vizitorëve e të turistëve. Në hyrje të tij është realizuar një panoramë e shpejtë historike e periudhës komuniste e shprehur me anë të filmave të mëdhenj xhami ku shihen posterat e kësaj epoke. Por pjesa më interesante e këtij muzeu ndodhet në katin nëntokësor, ku në ambientet e ngushta e me lagështirë është ringritur një burg i kohës së diktaturës komuniste. Mbi mure panele të mëdha fotosh dëshmojnë detaje të torturave, masakrave, dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit, mjaft prej të cilëve dhe viktima figurash klerikale. Qelitë e izolimit, dyert gjigante prej hekuri, zyra e personelit, centrali i spiunazhit, dhoma e pyetjeve, dhoma e torturave risjellin atmosferën makabre të burgut komunist. E njëjta ndërtesë dikur qendër torturash naziste u kthye në qendër torturash komuniste, diktaturat me sa duket kanë të njëjtat shije. Czeslaw Milosz, shkrimtari nobelist lituan e përshkuan kështu qytetin e Vilnius “…qytet herë i rusëve, herë i gjermanëve, herë i lituanëve, herë i polakëve e përsëri i rusëve, i gjermanëve, i lituanëve. Brenda 50 vjetësh ky qytet ka parë në rrugët e tij ushtri të çdo lloj tipi e çdo herë piktorët ishin mjaft të zënë për të ribërë tabelat e dyqaneve e emrat e zyrave në një gjuhë të re zyrtare”.

Muzeu i Komunizmit në Pragë

“Komunizmi, ëndrra, realiteti, makthi” është tema kryesore e muzeut të Pragës. Ai përqendrohet në pasqyrimin e këtij regjimi totalitar nisur qysh më 1948 e deri në rënien e tij në nëntor të 1989-ës. Ky muze dallohet për një variacion të larmishëm të pasqyrimit të realitetit nën regjimin komunist me dëshmi nga jeta e përditshme, politika, historia, sporti, ekonomia, edukimi, arti, mjetet e propagandës, censura, ushtria, policia, gjykata, e institucionet ndihmëse të saj. I pasuruar nga koleksione të rëndësishme publike e private vizita në të është një eksperiencë tronditëse për çdo vizitor.

Muzeu i Okupacionit në Estoni

Në zemër të Talinit, kryeqyteti estonez, mbi kodrën e Tonismagit ngrihet Muzeu i Okupacionit. I hapur më 2003 ai shkaktoi zemërimin e Moskës, që e konsideronte një akt fyes faktin e barazisë midis nazizmit e komunizmit. Në hyrje mbi dy lokomotiva udhëtojnë kryqi nazist e ylli komunist. Por pjesa e brendshme si në çdo muze të Evropës Lindore fokusohet tek komunizmi.

Një varkë shpëtimi kujton çiftin amerikan Ritso-Kristel (gruaja estoneze) të arratisur me anë të detit. Intervista dëshmitarësh, materiale të arkivit audio-vizive, qindra fotografi, objekte të të burgosurve, literaturë antisovjetike etj. pasurojnë sallat e këtij muzeu. Në sitin e fondacionit të këtij muzeu lexohet: …”Kush janë heronjtë tanë?… Kush janë miqtë?… Kush janë armiqtë?…” Për sa u përket heronjve nuk ka dyshim, këto muze paraqesin si të tillë çdo viktimë që në emër të lirisë propaganduan idetë e tyre antikomuniste.

Memoriali i Viktimave të Komunizmit në Rumani

Memoriali i Viktimave të Komunizmit e të Rezistencës ndodhet në Sighetu Marmatiei të Rumanisë. Ai përbëhet nga një muze i ngritur në ish-burgun politik të Sighet e nga një Qendër Internacionale Studimi mbi Komunizmin në Bukuresht. Ngritja e këtij muzeu është bërë në ish-ambientet e një prej burgjeve famëkeqe të kohës së komunizmit. Çdo qeli është kthyer në një sallë muzeale, ku janë rreshtuar sipas një rregulli kronologjik fotografi, dokumente e objekte të ish-të burgosurve. Nëpër muret e korridoreve janë gdhendur emrat e 8 mijë të burgosurve, të vdekur në burgjet apo në kampet e përqendrimit rumun. Disa vepra të artit plastik kompletojnë profilin special të këtij Memoriali, arkitekturës antike të të cilit i është shtuar dhe një sallë moderne konferencash. Një nga emblemat e muzeut, e mahnitshme nga bukuria e saj artistike është statuja “Kopshti i të sakrifikuarve”, i realizuar në bronz më 1998. Janë 18 profile humane që i drejtohen një muri i cili i mbyll horizontin, ashtu si komunizmi kish mbyllur jetën e miliona njerëzve. Pjesë e memorialit është dhe “Varreza e të varfërve”, e pozicionuar rreth 2.5 km larg qendrës së qytetit e simbol i varreve të qindra të burgosurve, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.

Muze i Terrorit Komunist në Poloni

Muzeu i Terrorit Komunist në Poloni gjendet në Varshavë në katin nëntokësor të Pallatit të Kulturës, një vend i njohur ndryshe dhe si “Pallati i Stalinit”, pasi u ndërtua me dëshirën e tij si simbol dhurate për qytetin e Varshavës. Sot është simbol i masakrës komuniste.
Çdo 23 gusht vendet e ish-regjimeve komuniste nderojnë Ditën Evropiane në kujtim të masakrave gjatë regjimeve totalitare e mijërave viktimave të komunizmit në Evropën Qendrore e Lindore. Polonia, Rumania, Çekia, Sllovakia, Lituania, Bullgaria, Estonia me iniciativa të përbashkëta i japin jetë memories së martirëve të Komunizmit. Shqipëria sivjet dhe pse me status të BE nën sqetull, vazhdon të mbetet larg tyre.

Parku i Komunizmit në Budapest

Quhet “Szoborpark” e do të thotë Parku i Statujave, por mund të quhej dhe Parku i Simboleve apo Parku i Komunizmit, dhe pse për vendasit është vetëm një varrezë monumentesh. Vendndodhja: Sheshi “Deak” në Budapest. Tramvaji me numër 49 merr drejtimin Etele ter. Pas tij një autobus për Dios/Erd të lejon të zbresësh në stacionin “Szoborpark”. Jemi vetëm 10 kilometra larg Budapestit në drejtim të liqenit Balatano, aty ku shtrihet ekspozita më e madhe e statujave komuniste në Evropën e Lindjes. Nën qiellin e hapur e me formën e një ylli pesë cepash Szoborpark është një park me 42 statuja gjigante. Gjen aty Marksin, Englesin, Leninin, Bela Kun, Gejrgj Dimitrov, Endre Sagvari, Heroin e Popullit, Ushtarin e Popullit, Martirin e Popullit, Punëtorin e Popullit, Lirinë e Popullit, Pionierin e Partisë. Janë rreth 42 monumente komuniste në Hungari, të një epoke nga 1947 deri më 1988, e të vizitueshme nën qiellin e hapur, ajri i të cilit shpërndan pa pushim muzikën e një marshi revolucionar. Janë tingujt e një radio të epokës së komunizmit, që lëshon kioska pranë një makine të vjetër gjermano-lindore e markës “Trabant”. Gjen aty dyqanin e suvenireve,në hyrje të “Szoborpark” me medalje, flamuj, çakmakë, orë dore të asaj epoke, fotografi të liderëve komunistë si dhe bluza të stampuara me portretet e Mao Tze Tung, Lenin e Stalin. 42 statuja me një targë përkatëse përshkruese rifreskojnë historinë e diktaturës komuniste e kujtojnë se si simbolika e saj është e frikshme dhe aty në atë vend të hapur e që vendasit e quajnë qëllimisht “varrezave e monumenteve”. “Szoborpark” ky muze në “open air” është vërtet diçka e rrallë, e nuk ka lidhje aspak me nostalgjikët o fanatikët e regjimit të dikurshëm, përkundrazi gjithçka që ndodhet në të sjell reflektimin e një kujtese që nuk duhet harruar. “Szoborpark” është një zhytje në një histori që s’duhet harruar e që duhet të jetë një e pranishme muzeale në çdo vend ish-komunist e ku pasojat e këtij regjimi janë ende një plagë e hapur për popullsinë e tyre. Kush më mirë sesa monumentet e statujat në emër të lirisë, në emër të popullit, në emër të idealit mund të shprehnin ideologjinë e një sistemi që mbi këto simbole ngriti terrori e tij. Autori i këtij projekti, arkitekti Akos Eleod, zgjodhi statujat monumentale si artin figurativ më të privilegjuar të këtij sistemi, përmbajtjes së tij i dha një moto “Një frazë mbi diktaturën”.

Ky shkrim është botuar në 27  shtator 2014 në gazetën Standard. Titulli në origjinal: “70 vjet gjenocid komunist/ Kur do të kemi një muze memorial”.

Postime të ngjashme