Kush e fshehu proçesverbalin e PPSH-së?

procesvervaliii

NGA DR. VASFI BARUTI

Refleksionet e mia fokusohen te mbledhja themeluese në Tiranë, në nëntor ‘41, ndërkohë që mbledhja e parë parapërgatitore për themelimin e partisë është zhvilluar më 11-12 tetor 1941 në Vitomiricë, fshat i Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, i kolonizuar nga malazezë e serbë, njëherazi qendra e PKJ-së për Kosovë e Rrafsh i Dukagjinit, Gjakovë e Prizren. Mbledhja parapërgatitore ka zgjatur 18 orë dhe çuditërisht procesverbali është ruajtur, madje pa dëmtuar. Sidoqoftë, kjo është një tjetër çështje. Po le të kthehemi te debati për dokumentin e themelimit…

1.Debati për procesverbalin e mbledhjes themeluese ka nisur 75 vjet më parë midis Miladin Popoviçit dhe Koço Tashkos. Tashko, në letrën drejtuar Kominternit në vjeshtë ’42, për mbledhjen themeluese, veç të tjerash bën dhe një kritikë të fortë për Miladinin: “Shokut [Miladin Popoviçi] i kisha hequr vërejtjen dhe kisha ngulmuar veçanërisht për shënimet që kishte marrë nëpër deftere në kohën e takimit të tij me grupet një nga një e në kohën e Konferencës së Parë të Grupeve. Ngulmova të zhdukej edhe procesverbali i asaj Konference. Më siguroi që e kishte zhdukur, por pastaj mësova që e kishte fshehur në shtëpi të komprometuara. Të gjitha ranë në duar të policisë. … Ra edhe procesverbali i Konferencës.” [Fondi 14, dosja 5, 1942]

Sa kuptohet, Tashko i kërkon Miladinit të njihet me procesverbalin e themelimit të Partisë, ndoshta për raportin që do të shkruante për Kominternin dhe shihet qartë reagimi i egër i Miladinit që ndihej pronar i dokumentit: “Unë asnjëherë s’të kam dhanë sigurimin për asgja, sepse kurrë s’kam qenë i detyruem para teje të ekspozoj çështjet. […] Nga kjo pra rrjedh se unë s’të kam dhënë sigurinë se ashtë djegë dorëshkrimi i procesverbalit se ajo çështje ka qenë në duart e KQ të Përkohshëm.

Në fakt, unë kam propozue me e djegë, ndërsa KQ i Përkohshëm pat vendos të ruhet e sikur të ishte ruejtë, do të kishte pasë një rëndësi e vlerë të madhe.” [AQSH, Fondi 14, dosja 2, 1942] Siç lexohet, dallohen tri “goditje” të Miladinit, saktësisht me gjuhën e Ezopit: “… në fakt unë kam propozue me e djeg [procesverbalin]”; “…ndërsa KQ i Përkohshëm pat vendosur të ruhet”; “… dhe sikur të ishte ruejtë, do të kishte pas një rëndësi e vlerë të madhe.”

Reagimi i Miladinit lë të kuptohet se procesverbali i mbledhjes themeluese as ishte djegur e as ishte kapur nga policia fashiste, ai ishte në ruajtje të sigurt nga misionari i Titos. Këtë arsyetim e përforcojnë më tej edhe faktet vijuese. Debati i vjetër ringjallet nga Spartak Ngjela me një letër nga burgu dërguar Ramiz Alisë në fillimmars 1986. Ja “zbulesa” e avokatit: “Procesverbali i themelimit … ndodhet në arkivat italiane të dosjeve penale të të dënuarve në kohën e fashizmit…”

Thënë kjo nga Zef Mala, që në burg i la një “amanet”: “Procesverbali i themelimit është në dosjen time penale në Romë.” Është i arsyeshëm dyshimi se ky amanet do të jetë ndonjë pasaktësi e Ngjelës, për të mos thënë lajthitje e tij, se bashkë me kujtesën, është dhe harresa! Zef Mala për rreth katër vjet ishte drejtor i AQSH (’49-‘52) dhe logjika ta thotë se, për pozicionin që kish në lëvizjen komuniste, s’mund t’i linte jashtë vëmendjes dokumentet që ruheshin në Arkiv për grupet komuniste, e veçmas ato të mbledhjes themeluese dhe, për çka do t’i binte në dorë (dokumentet e kapura nga fashistët, të cituara në vijim) ai s’do të linte asish “amaneti” për Ngjelën.

Edhe diç më shumë: Ngjela ngulmoi se vendndodhjen e procesverbalit mund t’ia tregonte vetëm njërit nga themeluesve ose njërit prej intelektualëve themelues. Sa qëndron kjo? Kur Ngjela i shkruan Alisë asnjë themelues (përveçse Pilo Peristeri) s’ishte në jetë: vrarë apo vdekur në burg a internim apo me vdekje natyrale, kurse nga 7 intelektualë të gjithë të vrarë, vdekur në internim a në shtëpi (Çitaku) dhe s’dihet për Elami Nimani, kuadër i lartë i Titos, me jetë në Beograd.

Historiani prof. dr. Paskal Milo rrëfen me “bindje” se në AQSH ka parë e prekur me dorë dokumente të Policisë fashiste me “imazhin” e procesverbalit të mbledhjes themeluese: “… Aktakuza që u bëhet 204 komunistëve citon pjesë të procesverbalit të aktit të themelimit të PKSH-së…” dhe më tej: “… Për të kuptuar më mirë frymën e diskutimeve në mbledhje, ndihmon aktpadia e policisë dhe pjesë të procesverbalit të sekuestruar në shtëpinë e Zef Ndojës. […] Nga ato pjesë të procesverbalit të mbledhjes që janë të njohura.”

Shihen ”zbulesë” pjesë të procesverbalit pasqyruar a komentuar nga prokurori fashist dhe i dyzuar i madh jam nëse profesori është i paditur të kuptojë dokumentin fashist, apo nëse bie në autocensurë, e më shumë këtë besoj. Në këtë kurth të vetvetes ra edhe prof. K. Frashëri në veprën akademike “Historia e së majtës shqiptare”! Dokumentet që citojnë dy profesorët e historisë i referohen një procesverbali tjetër, jo procesverbalit të mbledhjes themeluese, por më saktë procesverbalit të mbledhjes disaditore të Komitetit Qendror Provizor për retrospektivën e lëvizjes komuniste shqiptare.

Për të zbuluar të vërtetën e historisë i referohem të njëjtit burim arkivor që i referohet profesori dhe shihet se dokumenti i cituar ka përmbajtje krejt, krejt ndryshe (nga i referuari më parë nga profesor Milo): “Pako nr. 1. Përmban tri fletore, në pjesën më të madhe të shkruara me dorë nga i njohuri Qemal Stafa, vrarë në luftë më 5 maj, me procesverbale të seancave, në të cilat, në nëntor të vitit të kaluar, Komiteti Qendror i Partisë [komuniste] ka bërë një shqyrtim retrospektiv të lëvizjes komuniste në Shqipëri deri në kohën e sipërthënë.” [AQSH, Fondi 153, d. 242, 1942]

Ky dokument arkivi është me qartësi të madhe: procesverbali është një shqyrtim retrospektiv i lëvizjes komuniste, i grupeve komuniste dhe kjo retrospektivë bëhej nga Komiteti Qendror i dalë nga mbledhja themeluese; për ta rithënë të vërtetën e historisë së procesverbalit të mbledhjes themeluese: Ato çka citon profesori për aktpadinë e policisë fashiste në lidhje me procesverbalin, nuk kanë lidhje fare me dokumentin e mbledhjes themeluese, por i përkasin procesverbalit të një mbledhjeje tjetër të Komitetit Qendror, që ishte zgjedhur më parë që përmban retrospektivën e lëvizjes komuniste, historinë e grupeve komuniste, meritat e gabimet e tyre.

Kurse për Fletoren e tretë në dokumentin fashist, sërish në vijimësi lexohet për procesverbalin e diskutimeve retrospektive për periudhën maj ’40 deri 29 nëntor ’41, e jo për mbledhjen themeluese: “Në fletoren e tretë të procesverbaleve të mbledhjeve të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, sekuestruar me të tjera akte në depon klandestine të Zef Ndojës ndodhet [proces]verbali i mbledhjes, më 28 nëntor 1941, në të cilin, siç vihet re, u diskutua mbi aktivitetin komunist të periudhës 9 maj 1940 deri 28 nëntor 1941”. Në fletoren e tretë që pretendohet se përmban procesverbale të mbledhjes themeluese s’ka asnjë shenjë procesverbali të mbledhjes themeluese, por për periudhë tjetër, siç citohet këtu.

2.Procesverbali i themelimit, në vështrimin e Prof. Milos: “Ky procesverbal që unë tregoj është dokument italian, ka qenë në KQ të PKSH-së. Pas vitit ’90 ky fond i Arkivit të KQ-së kaloi në Arkivin Qendror të Shtetit. Unë e kam gjetur, e kam fotokopjuar dhe e kam në dosje.” Profesori rrëfen se ka “procesverbalin” në italisht, dhe s’ka asnjë kritikë historiani për fantazinë e procesverbalit, me domethënie të pastër, se ai “procesverbal” është fantazi neveritëse dhe atë që s’bëri historiani Milo (kryetar i Komisionit Shtetëror për dokumentacionin e ri shkollor të teksteve të historisë!) edhe me një fjalë të vetme e bën drejtori i Arkivit të Partisë dhe ja letra informuese e Vlash Çepeliku për drejtoren e Institutit, Nexhmije H: “… Kopjet e riprodhuara [të procesverbalit] në shqip e në italisht me vulën e kuesturës fashiste të Tiranës, të datave 8 e 12 nëntor 1941, kuptohet se janë të prodhuara e të përkthyera në italisht e në shqip nga vetë origjinali (shqip) që u zu në banesën e Zef Ndojës në Tiranë.

Origjinalet mungojnë.”[AQSH, Fondi 14, Dosja 17, Drejtori i Arkivit të Partisë Vlash Çepeliku, 8 maj 1969.] E vërteta lëviz edhe midis fjalëve të një rreshti dhe fjala “prodhuar” flet shumë – procesverbali është i prodhuar, i manipuluar, e që “nuk” e sheh profesori! Kopjen në italisht, që ka profesori, unë nuk e kam, ama kam diç më shumë se ai: “origjinalin” në shqip nga doli prodhimi në italisht dhe sjell këtu një nga dy faqet e tij dhe besoj se lexuesi si para pasqyrës sheh e kundron deri ku shkon manipulimi me dokumente arkivore, po ashtu heshtjen e ca historianëve të indoktrinuar e me emër! Procesverbal me dizenjo të hatashme, teksa fillon mbledhja.

“Procesverbalmbajtësi” në mbledhjen themeluese përfillimi la dy rreshta italisht që shqip vijnë: “Shkëputje (marrë) e fletores nr. 1 e përmbledhjes së procesverbalit të mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste.” Të jesh miop a i indoktrinuar, të mos lexosh / të lexosh atë që ke në mendje, të lexosh ashtu si kërkon të jetë e jo si shkruhet e zeza në të bardhë: fletorja është përmbledhje e procesverbalit të mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, i dalë më parë nga mbledhja themeluese dhe ai nuk është procesverbal i mbledhjes themeluese. Midis dy paraleleve shihet data 8 nëntor dhe statusi shoqëror i delegatëve në mbledhje: punëtorë e intelektualë dhe në tjetër paralele lexohet [Selim]. Shpuza e natyrshëm vjen pyetja çuditëse: nga e di ai “procesverbalmbajtësi” gjendjen shoqërore të delegatëve, sa delegatë intelektualë e sa punëtorë, apo se [Selim] Shpuza do të ishte në qendër të debatit?!

Që në pamje të parë “procesverbali” të shpon sytë si me shtiza dhe jo të njërit, si debatuesi, po të mjaft historianëve e akademikëve të verbuar nga autocensura! Procesverbali i cituar nga historiani është krijesë manipuluese motivuar që Enver H. të ishte, të dukej njëshi, timonieri në atë mbledhje themeluese, por s’ia dolën, ama në arkiv mbeti! Ka dhe një problem të dytë për atë ç’lexohet në procesverbal: është raporti midis punës legale e ilegale dhe i referohen raportit, nënkuptuar raportit politik i mbajtur në fillim të mbledhjes themeluese dhe mashtrimi zbulohet shpejt: në raport as trajtohet, as citohet puna legale dhe ilegale, paçka se Profesori atij raporti për autorësi i jep autorësinë Miladin P. Nga babai i historisë, Herodoti, mbeti maksima e tij: “Kur të mungojnë faktet, vër në punë argumentet.

Mungesa e procesverbalit të aktit themelues nga vjeshta ’43 as u kujtua kurrë! S’u kujtua më 1960 kur shkruheshin pak rreshta për themelimin e partisë, as nga nëndrejtori i Institutit të Marksizmit, Ndreçi Plasari, kur shkroi një libër (1962) e iu referua procesit të themelimit të partisë; s’u kujtua, u hesht, në librin e madh Historia e PPSH-së, më 1968, me mjaft faqe për aktin e themelimit! Përse u hesht dhjetëravjeçarë? Sepse s’ndjehej mungesa e tij, pse ishte në dorën që duhej dhe se E. H. s’ishte atje ai që kërkohej të ishte!

Refleksioni im kur ka mal faktologji falsifikimi, censure, manipulimi në shkrimin e tjetërsimin tmerrues të historisë; refleksion imi është edhe me argument se kjo ka barë vaki e me procesverbalin e më vjen përdore t’i referohem Prof. Dr. Paskal Milo: “Është provuar se fjalën e hapjes në Mbledhjen themeluese e ka mbajtur Miladin Popoviçi. […] Dushan Mugosha jep të kuptohet se ka pasur në mbledhje një referat nga Qemal Stafa për situatën politike në botë e në Shqipëri dhe për nevojën e krijimit të PKSHsë, që për ta shkruar e ka ndihmuar Miladin Popoviçi.”

S’dyshoj se Prof/ për “fjalë hapje” të Miladinit në mbledhjen themeluese ka parasysh atë që kam unë [AQSH, Fondi 14, dosja 1, 1941] dhe citimi vjen se profesori kishte rast për kritikë: vënie dorë e E.H. në dokumentin arkivor. Siç shihet, fjala e parë nga E. H. shkarravitet me bojë të zezë për të mos u lexuar dhe zëvendë- sohet me fjalën Thirrje, kurse poshtë titullit nga e djathta shkruan “autorin” Miladin, që kish “shkruar” dokumentin dhe kjo pispunë kur shkruante Kur lindi Partia! Lente me fokus të madh zbulon se fjala e shkarravitur është Rezolucion dhe lexohet titulli i dokumentit: “Rezolucioni i mbledhjes së grupeve”. Përse kjo pispunë që “s’sheh” profesori? Që dokumentin ta largojë, sa të mundet, nga përmbajtja e vërtetë! E vërteta e emrit Miladin?

Të mbahet në fshehtësi autori i vërtetë Qemal Stafa dhe Profesor Milo e deformon më së keqi të vërtetën e marrë në Arkivin e Kosovës (pa cituar arkivin), atje ku edhe unë kam bërë kërkim. Ama më pis punë a përndryshe mender punë është “Rezolucioni i mbledhjes së grupeve kryesore komuniste të themelimit të PKSH-së” me autor Enver H. në vepra 1, botimi 1982, që daton herë 8 nëntor, herë Nëntor ’41 dhe që është shkruar nga A-ja te Zh-ja fundvitet ’50 dhe i botuar më 1960!

Ama prof. Milo “saktëson” se “Rezolucioni i PKSH-së është miratuar në mbledhjen themeluese! “

Burimi: http://www.panorama.com.al/dokumenti-procesverbalin-e-pksh-nuk-e-zhduken-italianet-por-e-fshehu-enveri/

 

 

 

Postime të ngjashme