Kush e “syrgjynosi” Gjon Buzukun?

gjbuzuku01

Nga Bujar Vani.

Në shtatorin e vitit 2014 Papa Benedikti, me rastin e vizitës së tij në Tiranë, solli edhe një kopje të Mesharit të Gjon Buzukut, të cilin ia kishte kërkuar kryeministri Rama; të atij Meshari që mbahet si gur themeli i letrave shqipe. Madje Papa Benediktit iu vendos edhe një bust përkujtimor në bulevardin e madh të Tiranës, në një kënd të sheshit të Piramidës së rrënuar, përpara një kambane paqeje që përkujton harenë e madhe të shqiptarëve në vitin 1997. Nuk është çudi që mbas ndonjë farë kohe dikujt t’ i shkojë ndërmend të vendosë edhe bustin e protagonistit tjetër, kryeministrit, diku në ndonjë shesh të kryeqytetit! Vetëm për vetë Buzukun s’i shkoi kujt ndërmend; ai nuk ka asnjë bust, asnjë memorial, asnjë shenjë nderimi dhe përkujtimi në ndonjë mjedis publik në kryeqytetin e shtetit që ka si gjuhë zyrtare pikërisht atë gjuhë që ai shkroi për herë të parë.

gjbuzuku02E ndoshta Buzukut nuk iu kushtua diçka e tillë pikërisht për të njëjtën arsye që në një kohë tjetër iu hoq ai bust i tij i cili ishte vendosur dikur (!), sipas dëshmive të qytetarëve me kujtesë të padëmtuar të Tiranës, në sheshin përpara Akademisë së Shkencave, diku aty ku tashmë u vendos busti i Aleks Budës. Dhe sipas gjykimit tonë, arsyeja e heqjes së bustit të Buzukut nuk është rastësore, as aksidentale. Ashtu siç nuk është rastësore dhe zhvendosja s’dihet se ku e shtatores së gjeneral Telinit, vepër e skulptorit Odise Paskali, apo zhdukja e bustit të Pashko Vasës që, dikur, përsëri dikur (!), zinte një hapësirë modeste mes pallatesh të Tiranës së Re, përkarshi me bustin e Jeronim de Radës.

Padyshim që mjedisit tonë urban i mungojnë ndjeshëm edhe shumë e shumë figura të tjera të historisë, mendimit, kulturës e artit tonë kombëtar, për të cilët nuk është marrë asnjëherë mundimi të nderohen dhe të përjetësohen si gjurmë të spikatura të identitetit shqiptar. Por në rastin tonë dëshirojmë të ndalemi tek ata që ishin dhe u hoqën, më tepër tek arsyeja se përse u hoqën dhe nga kush u hoqën. Mendimi semplicist mund t’ia mveshë këtë akt ndryshimeve të vrullshme dhe kaosit që përjetoi Shqipëria pas viteve ‘90, por në këtë rast, për shkak të mllefit e revanshit politik duhej ta pësonin moria e pllakave të mermerta që përkujtonin bazat e luftës e atentatorët komunistë, apo memorialët e Vojo Kushit, Avni Rustemit, Qemal Stafës etj. Ndërkohë ata nuk i preku kush, madje disa janë rinovuar dhe “stolisin”edhe portat e shkollave, të ndërtesave apo institucioneve. Kështu që arsyeja duhet kërkuar ndoshta te simbolika që këta personalitete mbartin apo te kumti që përcjellin përmes imazhit të tyre, dhe reaksionit që krijojnë me vetë politikat që janë zhvilluar këtyre viteve. Pra, një arsye qëllimore dhe jo rastësore, aksidentale. Dhe një gjykim i tillë përligjet, edhe pse mund të ngjajë tendencioz, kur analizon dhe përqas atë simbolikë me vetë realitetin politik të këtyre kohëve:

-Buzuku mbart gjurmën e parë të gjuhës dhe të letrave shqipe, është piketa në të cilën orientohen rreth 500 vjet kulturë shkrimore shqiptare. Në bashkëvendosje metodike me B-të e tjera (Budin, Bogdanin, Bardhin) si dhe me “gurë”të tjerë kilometrikë përgjatë shekujve, krijojnë atë shtrat themeltar të kujtesës dokumentare kombëtare. Ndërkohë që tendenca të segmenteve politike gjatë këtyre viteve janë parë të shkojnë përkundër këtij shtrati, të minimizojnë apo relativizojnë vlerat e qenësishme kombëtare në përfitim të një kulture apo mbishtresëzimi të imponuar kozmopolit, të zhvlerësimit apo pështjellimit të gjuhës shqipe në mbivlerësim të gjuhëve të huaja, e më tej të kulturave të huaja. Këto lloj tendencash kanë gjetur pasqyrim edhe në politikat arsimore dhe kulturore në këta 25 vjet. Madje, është për t’u kujtuar që një ministër Arsimi hodhi edhe propozimin që “të bëhet anglishtja gjuhë zyrtare, nën modelin e Mahatma Gandit në Indi (!)”. Atëhere merr vlerë edhe paragjykimi se busti i Buzukut është “syrgjynosur”qëllimisht.

-E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Pashko Vasën. Si ideolog ai simbolizon ideologjinë kombëtare, unitetin përkundër separatizmit të çdo lloji, politik, etnik, krahinor apo fetar, vendosjen e vlerës kombëtare mbi vlera të tjera pjesore. Kështu që kumti i tij bie ndesh me -izmat që janë në modë dhe mbizotërojnë këtyre kohëve në superim të gjithçkaje kombëtare. Nga ana tjetër, me postulatin e tij “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, Pashko Vasa “u vret veshin”atyre që bëjnë çmos të theksojnë dallimet fetare apo edhe të ndryshojnë raportin komb-fé në fé-komb. Për këto arsye, gjykojmë, jo vetëm që iu hoq busti, por edhe iu dogj shtëpia-muze në Shkodër, e këta 25 vjet nuk është përmendur më as në literaturën arsimore e as në publicistikë, e aq më pak në ligjërimin politik.

-Ndërsa për heqjen e shtatores së gjeneralit italian Enriko Telini arsyet mund të jenë edhe më të thella, mirëfilli politike. Ai u vra nga grekët në mbrojtje të kufijve shqiptarë, një ngjarje e bujshme për kohën dhe me rrjedhoja të rënda në politikën ndërkombëtare. Padyshim që një imazh i tij në hapësirat publike të kryeqytetit shqiptar, jo vetëm “iu vriste sytë”emisarëve grekë në Tiranë, qofshin këta me kostum politik apo fetar, por dhe binte në kontrast me politikën e kufijve ujorë me Greqinë që u luajt paradokohe. Si mund të përjetësohet një personalitet që rrezaton kumtin e mbrojtjes së kufijve shqiptarë në sytë e shoqërisë, kur tashmë kufijtë i ndryshojmë me letra e pazarllëqe politike?! (Nuk mund të mos na vijë ndërmend me këtë rast edhe heqja e një memoriali për Petro Nini Luarasin në Kolonjë, si dhe retushimi në librat shkollorë se “Petro Ninin e vranë tradhtarët”e jo siç është në të vërtetë që e vranë grekët).

Pra, duke i lidhur në një arsyetim të përbashkët këta tre personalitete, të cilët janë “fshirë”nga kujtesa kolektive figurative, mund të themi pa mëdyshje se kjo bëhet në vazhdën e procesit për “retushimin”(për të mos kaluar në termin e rëndë “shpëlarje truri”) e kujtesës identitare të shqiptarëve. Këta të fundit, imponohen “të bashkëjetojnë”në mjedisin e tyre urban me imazhe që evokojnë ose luftëtarë, ose pasazhe ngjarjesh aksidentale në historinë e tyre, dhe jo me simbolika që mbrujnë kujtesën e tyre identitare shoqërore, që të ngopin vetëdijen e tyre me piketat themeltare të historisë, mendimit, kulturës e artit të tyre kombëtar. Pasi, në anën tjetër, iniciativat e këtyre viteve priren të përjetësojnë figurativisht në mjedisin urban atë memorie kolektive që herë i penalizon si shoqëri, herë iu kujton pafuqinë e tyre, herë mjerimin apo viktimizimin e tyre, e herë “barbarinë”e tyre. Të tilla mund të konsiderohen si “kambana e paqes”përpara Piramidës, që përkujton një moment aksidental të historisë kombëtare, si bunkeri me aksesorët e tjerë në krah të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo më tej ka krijuar edhe vakumin në këtë memorie figurative, sa dhe Skënderbeu duket “jetim”, një aksident historik që nuk paraprihet apo pasohet logjikisht nga simbolika të tjera të spikatura të historisë, njëlloj me cilësimin që i bëhet Migjenit si “meteor”në letërsinë shqipe, pra si aksident.

Bustet e Gjon Buzukut, Pashko Vasës, gjeneral Telinit, apo edhe ata që s’u bënë ndonjëherë, të Bogdanit, Budit, Bardhit, Onufrit, Migjenit e shumë personaliteteve të tjerë të nivelit kombëtar, nëse do të “zaptonin”hapësirat e mjedisit urban, padyshim që do të kishin efekt edhe në mentalitetin e përgjithshëm shoqëror. Pasi, në mungesë të tyre, dhe në nevojën për të gjetur simbolika përqasëse të jetës së tyre shoqërore, shqiptarët iu drejtohen shpesh, me një logjikë inferiore, figurave e personaliteteve të tjera të huaja, duke rënë deri në banalitete të tipit që kemi parë kohëve të fundit, kur në Sarandë ngrihet busti i një sekretareje shteti amerikane, apo në Fier busti i një ambasadori amerikan. Shoqëria ka nevojë për simbole, dhe kur nuk i ka i shpik ato, dhe kur i mohohen vrapon të gjejë të tjerë. Por këto pasqyrohen padyshim edhe në konstitucionin mendor e shpirtëror të tij, në memorien identitare të tij. Kemi vënë re viteve të fundit që shqiptarët të etur për këto simbole, rreken mjerueshëm të mbushin boshllëkun që iu është krijuar, duke iu gjetur origjinat e largëta shqiptare personaliteteve të ndryshme të huaja, si për të thënë se “edhe ne jemi në këtë botë”, “edhe ne nuk jemi pa emër, pa identitet, pa histori e pa vlera kombëtare”.

E ndërsa ne i ngremë bust Hollbrukut, në Shkup ngrihet shtatorja e Bogdanit; ndërsa ne heqim shtatoren e Nënë Terezës, ajo vendoset po në Shkup; ndërsa ne heqim Buzukun e Pashko Vasën, përkujtojmë car Borisin në Gllavenicë. A mos ndoshta edhe Buzukun dëshirojmë ta “çojmë syrgjyn”në Podgoricë, e Pashko Vasën ta kthejmë përsëri në Liban, apo gjeneral Telinin që u vra për kufijtë shqiptarë “ta dëbojmë”për Itali?!

 (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Burimi: http://www.balkanweb.com/site/kush-e-syrgjynosi-buzukun/

Postime të ngjashme