Lekë Mirakaj, 45 vjet persekutim: Të jetosh si armik që 2 vjeç

Lekë Mirakaj

Nga Admirina Peçi

Në emisionin “Dosja K” në Report Tv, të martën e 5 qershorit dhe mbrëmë më 12 qershor u transmetuan një varg dëshmish të rralla mbi internimin dhe burgjet në Shqipërinë komuniste nga Lekë Mirakaj, djali i Kolë Bibë Mirakajt, i internuar së bashku me familjen e tij që në moshën 2-vjeçare. Në pjesën e parë të rrëfimeve me titullin “Të jetosh si armik që 2 vjeç”, u trajtua gjithë historia e persekutimit 45-vjeçar. Ndërsa mbrëmë u transmetua një dëshmi e detajuar e Lekë Mirakajt mbi revoltën e Qafë Barit me titull “Guximtarët e Qafë Barit”. Më poshtë sjellim pjesën e parë të rrëfimit të Lekë Mirakajt, për ta vijuar nesër rrëfimin mbi Revoltën e 22 majit 1984 në Qafë Bari.

Lekë Mirakaj ishte ende foshnjë kur provoi për herë të parë persekutim në jetën e tij. Ai ishte një bebe 2 vjeç kur në vitin 1945 i morën nga shtëpia e tyre, me gjithë nënë e tij Xhinën dhe vëllanë pak më të madh Moisi, si edhe gjithë kushërinjtë e tyre dhe i mbyllën në një burg në Shkodër, duke nisur prej aty një kalvar të gjatë vuajtjesh në burgje e kampe internimesh.

Lekë Mirakaj është djali i vogël i Kolë Bibë Mirakajt, një nacionalist i orëve të para, që mbi gjithçka mbahet mend për shpëtimin e mijëra hebrenjve gjatë kohës kur ai ishte ministër i Brendshëm në vitet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Kol Bib Mirakaj

Kol Bib Mirakaj

Leka dhe të afërmit e tij e tij vuajtën persekutimin e gjatë komunist vetëm për shkak të emrit të të atit.

Leka është sot 75 vjeç. Ai jeton në SHBA bashkë me familjen e tij që prej kohës së ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Në një prej vizitave të tij në Shqipëri, i kemi marrë atij një varg kujtimesh nga ky udhëtim i gjatë në ferrin komunist…

Leka rrëfen fillesat e persekutimit nga regjimi komunist

“Unë e kam filluar 2 vjeç kalvarin e vuajtjeve. Krimi që kisha bërë ishte se kisha lindur. Nëna më kishte mësuar fjalët e para shqip. Meqë isha shqiptar dhe i thosha bukës bukë dhe nënës nënë, ata më morën dhe më futën në kampet e internimit, që në moshën 2-vjeçare. Jo vetëm mua, por të gjithë pjesëtarët e familjes, nënën, vëllanë pak më të madh se unë, kushërinjtë e mi, njëri i sapolindur, por siç duket, paraqisnim rrezikshmëri të lartë shoqërore…

Këtu në Shqipëri janë bërë krime prej urrejtjes. Si mund t’i thuhet kriminel një fëmije 2 vjeç? Në dosjet që po hapen tani lexoj: “Lekë Mirakaj është internuar për arsyen se paraqet rrezikshmëri shoqërore”. Është qesharake. Unë jam i bindur se sot, fëmijëve të këtyre kriminelëve, që sot janë padyshim në pushtet të gjithë, po t’ua tregosh këto të vërteta, nuk kanë për ta besuar që i kanë bërë baballarët e tyre…

Fillimisht kemi qenë në burgun e Shkodrës, ku ndenjëm disa kohë. Pastaj na çuan në Berat, ku na strehuan në kala, nëpër familje. Përshtypjet që kam krijuar nga tregimet e nënës janë me të vërtet të mira për qytetarët e Beratit. Jo vetëm që na strehuan në familjet e tyre, por edhe na kanë trajtuar në mënyrë njerëzore, gjë që erdhi duke u zbehur me kalimin e viteve. Sa më shumë perfeksionohej lufta e klasave, siç e quanin, aq më shumë zbeheshin këto cilësi të mira në popullin tonë. Atëherë, vërtet që sapo kishim dalë nga lufta, por kishte akoma njerëz të mirë, njerëz të traditës që dinin të respektonin të huajin, sepse ne të huaj ishim në Berat. Nga Berati kemi pasur një odise të gjatë, në Kuçovë, te katër rrugët e Shijakut, në Valias, për të përfunduar përfundimisht në kampin e Turanit dhe të Tepelenës, që mund të them pa dyshim, se ishte një Aushvic shqiptar, një Mathauzen shqiptar, ndoshta edhe më keq se atje sepse atje kanë vuajtur më shumë njerëz të rritur, ndërsa këtu, sipas statistikave thuhet se kanë vuajtur 300 burra, 500 gra dhe 1 000 fëmijë. Imagjino se në çfarë situatash jemi ndodhur…”

Gjithkund uri në Tepelenë!

Edhe pse ka qene mjaft i vogël, nga fëmijëria në kampin shfarosës në Tepelenë, Lekë Mirakaj kujton disa pasazhe që dëshmojnë ferrin e vërtetë që përjetuan fëmijët në atë kamp.

“Në Tepelenë kishte uri të tmerrshme, me qindra fëmijë kanë vdekur nga uria dhe një natë të vetme kanë vdekur 30 e ca fëmijë nga tifoja. Unë edhe vëllai shpëtuam. Njerëzit e familjes së nënës sakrifikonin dhe vinin vazhdimisht për të na parë, na sillnin ushqime dhe kështu e përballuam situatën.

Ata që s’kishin ndihma dhe s’kishin njerëz që të kujdeseshin për ta, dhe ishin shumica, vdiqën.

Në kampin e Tepelenës kishte shumë municione dhe kur njerëzit ndiznin zjarre, shpërthenin fishekët, sikur bëhej luftë. Një herë ka shpërthyer një bombë dhe një fëmije i kanë dalë të gjitha organet e brendshme jashtë. Dhe, megjithëse po vdiste, kërkonte racionin e gjellës, deri në atë shkallë kishte arritur uria.

Aty ka qenë dhe një grua myslimane. Uria e kishte katandisur deri në atë shkallë sa donte të hante pak mish. Nëna kishte disa njerëz nga veriu që i sillnin mish të thatë derri. Ia dha asaj gruas dhe ajo e pranoi, megjithëse feja ia ndalonte.

Uria ishte një fenomen që na shoqëronte çdo minutë. Por nënat tona kanë qenë heroina. Ato janë modeli i gruas shqiptare. Në qoftë se ne si komb kemi ca vlera, i kemi prej grave, motrave dhe nënave tona. Kanë përballuar një tmerr të vërtetë. A ka më të tmerrshme që të mos kesh mundësi të ushqesh fëmijën tënd? Nuk e di ku mund të shkojë më tepër tmerri. Ato rrinin vetë pa ngrënë. Kur ne qanim, ato edhe kafshatën e vetme të tyre, na e jepnin neve.”

Gradishte, 6 muaj përpara burgimit, 1979

Gradishte, 6 muaj përpara burgimit, 1979

Drejt Porto Palermos…

“Pastaj zgjodhën një pjesë prej të dënuarve dhe na dërguan në Porto Palermo. Është rast unik që gra dhe fëmijë të mbyllen në kështjellë. Ne na mbyllën në kështjellën e Ali pashë Tepelenës. Muret ishin të trasha dhe kullonin ujë dhe në vend të shtretërve flinim mbi gurë. Në atë kohë isha 7 vjeç.

Kemi udhëtuar tërë natën nga Tepelena për në Porto Palermo. Diku makinat u ndalën. Ishte natë.

Kur u ndal autokolona, unë kërkova ujë. Oficeri që na shoqëronte mori enën që mbanin shoferët për t’i hedhur ujë makinës, dhe shkon dhe e mbush në det, pasi ishte natë e nuk pa se ku kishte ujë. Dhe unë e piva të gjithën. Oficeri ishte ndjerë shumë keq për këtë dhe thonë që kur ka shkuar në Tiranë ka shkruar në relacion për këtë ngjarje duke u shprehur se ishte e tepërt ajo që kishte ndodhur dhe se ai vend nuk ishte për gra dhe fëmijë. Për sa kohë qëndruam atje, ne fëmijët dhe gratë na lejonin të dilnim rreth e rrotull kalasë, ngjiteshim edhe në tarracë.

Luanim nëpër ato dritaret e mëdha që na dukeshin si dhoma. Por kur na larguan ne fëmijët dhe gratë dhe aty mbetën vetëm burrat, atëherë ata nuk i lanë më që të dilnin jashtë kalasë. Dhe silleshin rreth asaj dhomës që po thoni ju, që ka qenë burgu i Ali pashë Tepelenës. Ata u qorruan fare…

Para se të hyje në kala kanë qenë disa si kazerma të italianëve. Ato kishin brenda lavamanë, lavapjata. Më duket se kanë qenë përdorur si burg në kohën e Zogut dhe jo kalaja. Kurse ne na futën në kala. Mund të na kishin strehuar aty se të paktën kishte kushte më njerëzore. Por qëllimi ishte të mos na trajtonin si njerëz, por si armiq.”

Traumat e një fëmije

“Kur u lirova nga internimi, më mori tezja. Ajo e kishte shtëpinë te Rruga e Dibrës, afër Selvisë. Aty para ka qenë rajoni i policisë. Selvia ka qenë Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në atë kohë policia nuk kishte uniforma shumë të rregullta. Shpeshherë mbanin në kokë një bustinë herë blu e herë ngjyrë kafe. Mua më ishte ngulitur në kokë një kapter që kishte bustinë ngjyrë kafe dhe sa herë që shihja ndonjë polic me bustinë si ajo, unë fshihesha nga frika se kujtoja se ishte ai kapteri dhe mendoja se do më njihte…”

Moisi, Dolores, Xhina, Leka në Gradishte

Moisi, Dolores, Xhina, Leka në Gradishte

Kaluan kështu 4-5 vite të një fëmijërie në dukje të qetë edhe pse vula e armikut të popullit shfaqej në shumë detaje të fëmijërisë: në shkollë kur nuk e shihte kurrë emrin e tij në tabelën e nderit, në një shfaqje teatrore të shkollës ku ia hiqnin befas rolin e ja jepnin dikujt tjetër se ai ishte i papërshtatshëm, e në shumë pengesa të tjera, derisa një ditë, teksa ecte rrugës e kapin nga krahët dhe i thonë: do të shkosh në internim. Ishte viti 1960. I vëllai, ishte internuar që në vitin 1955. Ai e priste bashkë më familjen në Gradishtë të Lushnjës, ku do të nisë një epoke re e jetës së tyre. Një dashuri e beftë me bukuroshen Dolores, do t’i shtonte ngjyra jetës së vështirë në internim. Më tej fëmijët që do të vinin në jetën e tyre njëri pas tjetrit do të ishin motivi më i bukur i atyre viteve në Gradishtë.

15 janar 1980. Dita e arrestimit…

“Politika e të famshme Parti e Punës ka qenë që, ashtu siç bënte plane për grurin, për naftën etj., kishte edhe plane për arrestime që i jepeshin Ministrisë së Brendshme. Natyrisht, që më shumë goditeshin ato rrethe ku ishte më i përqendruar elementi armik. Unë natyrisht që nuk i doja, por armiqësi nuk tregoja.

Në fillim morën vëllanë dhe pas 6 muajsh më morën edhe mua…

Tani që po i shoh dosjet, aty konstatoj që janë krejt të manipuluara. Ata gjoja paskan dërguar provokatorë që janë takuar dhe kanë biseduar me mua. Në atë kohë, me ligj dhe me Kushtetutë, provokimi ndalohej me ligj, ndërsa në dosje thuhet haptas që i është dhënë detyrë X apo Y që të takonte vëllanë tim apo mua dhe t’i thotë këto e ato fjalë. Thjesht është shkelje e ligjit të asaj kohe. Megjithatë, ata më morën një ditë janari, dhe më vunë prangat se isha armik i popullit. Ndjesia e parë për mua ka qenë vakuumi. Më dukej sikur isha në vakuum. Pastaj e mblodha veten, aq më tepër kur e dija se përse ata po e bënin këtë. Duhej ta mblidhja mendjen.”

Në dokumentet e Ministrisë së Brendshme përshkruhet e detajuar e gjithë periudha e survejimit të Lekë Mirakajt, si dhe arrestimi e hetuesia e tij.

Në një prej këtyre dokumenteve shkruhet:

“Nga studimi i të dhënave personale, rezulton se Lekë Mirakaj është tip mjaft i zgjuar, inteligjent, ka guxim dhe njihet si njeri me influencë në rradhët e elementit armik edhe si djali i Kol Bibë Mirakës. Mban shoqëri të veçantë me Naim Staraveckën, djalin e kriminelit Xhelal Staravecka, me djemtë e Hasan Dostit, ku me këta të fundit ka hyrje e dalje”…

Gjithçka ishte menduar me imtësi madje edhe plani i detajuar i arrestimit, ditën e 15 janarit 1980. Dokumenti sekret i Degës së Punëve të brendshme Lushnjë, i datës 14 janar 1980 përmbledh gjithë planin operacional të këtij arrestimi…

Plan operacioni për Lekë Mirakaj

Plan operacioni për Lekë Mirakaj

Plani operacional

Mbi arrestimin e objektit të përpunimit 2 A Lekë Miraka

Në datën 10 janar 1980, me miratim të prokurorit të përgjithshëm është miratuar arrestimi i lekë Mirakës në 2A për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor në bazë të nenit 55 të kodit penal. Me qëllim që arrestimi i tij të kryhet me sukses midis dy sektorëve do kryhen këto detyra:

Grupi operativ që do të marrë pjesë në arrestimin e objektit të përpunimit Lekë Mirakës do të përbëhet nga: hetuesi Zamir Stefani, punëtori operativ Ajaz Ferraj, nga referenti zbatim vendimeve penale Idai Shkurti, dhe punëtori i policisë Misir Sefa.

Arrestimi i objektit do të bëhet në sektorin e Gradishtës në vendin e punës së tij, me datën 15 janar 1980, paradite.

Kryen, grupi operativ.

Grupi operativ do të jetë i pajisur me automatikë dhe hekura për të lidhur objektin. Shoqërimi i objektit do të bëhet automjetin e Degës së P. Brendshme.

Pas arrestimit të objektit, do të kryhet kontrolli i banesës së objektit në sektorin Gradisht.

Ruhet nga hetuesi Zamir Stefani dhe punëtori operativ Ajaz Ferraj.

Objekti do të vendoset në dhomën e izolimit Nr. …

Dosja e Lekë Mirakaj

Lekë Mirakaj kujton periudhën e hetuesisë

“Njerëzit që më denonconin kishin krijuar iluzionin tek hetuesit dhe njerëzit e degës, se do më dënonin, por unë s’do t’u jepja asgjë etj. Unë s’kisha asnjë cilësi të veçantë, por ata që më padisnin kanë krijuar përshtypjen se unë nuk do flisja. Kështu që kur erdhi hetuesi, ishte një njeri qytetar, quhej Zamir Stefani. Bëri ato formalitetet e para dhe pastaj më tha se ne të dy s’do të merreshim vesh, se kështu i kishin thënë për mua, që s’kisha për të pranuar gjë.

Ai më bëri presionin e vet duke më thënë që kur të mbaroja dënimin e të më nxirrnin mua, do të merrnin djalin tim. Megjithatë do të bënte formalitetet dhe do të bënte hetuesinë. Më mbante të lidhur. Nuk më ka rrahur. Më preu ushqimet. Unë duhanin e kisha lënë kur arrestuan vëllanë, me qëllimin që ato lekë t’ia dërgoja atij. Herën e parë që më erdhën ushqimet dhe m’i lejuan, gruaja më kishte futur edhe paketat e cigareve. Unë e piva përsëri dhe pas dy javësh m’i lejuan më ushqimet, kështu që e ndërpreva dhe duhanin përsëri”.

“Më futën në një birucë. Tani që lexoj dosjet del që kishte qenë me urdhër. Biruca nr. 4 ku më futën ishte e vogël, por që ishte pranë banjës. Muret ishin të lagura nga lagështia. Pas disa kohësh futën një djalë të ri për të më bërë shoqëri. E përballova dhe këtë se kisha ca eksperiencë dhe dija se si duhej të sillesha dhe çfarë të thosha.

Pastaj më nxorën në gjyq, që ishte krejt formal, me dëshmitarë falsë. Nuk dilnin në gjyq ata që denonconin, por fjalët e tyre ua mësonin personave të tjerë dhe këta i thoshin në gjyq…”

Lekë Mirakaj u dënua me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Në familjen e tij në internim, në Gradishtë, ky lajm çelte rrugën e një periudhe tejet të vështirë. Izolimit të tyre në atë sektor mbushur me baraka i shtohej ankthi i ndarjes, malli që s’shuhej as nga takimet e rralla në burg, përpjekjet për të kursyer diçka e për t’ia çuar babait atje pas hekurave. Dëshpërimi i tyre, i asaj dite kur u dha vendimi i gjyqit u fiksua njëherë e përgjithmonë në këtë fotografi…

Pamje nga burgu

“Mua më dërguan në Spaç. Spaçi ka qenë një ferr i vërtetë. Në atë kohë ishte një periudhë arrestimesh. Nuk e di se me çfarë synimi ndodhte kjo, por çdo dy javë vinte makina autoburg, dhe zbarkonte njerëz. Numri arriti në 1 200 e ca të burgosur. Flinim kurriz më kurriz, me 3 kate. Mirë që ishte klimë malore dhe hynte pak ajër, se ndryshe do të ishim asfiksuar. Sapo arrita në Spaç, menjëherë më futën në galeri. Aty punoja në zonën e tretë, kështu quhej. Ishte një zonë shumë e keqe dhe pak njerëz punonin aty. Por kishte dhe një zonë tjetër më të keqe se kjo. Ishte zona 2 e piritit, ku temperaturat ishin shumë të larta. E mblodha mendjen që duhej punuar dhe që ditën e parë e realizova normën…

Norma ishte me vagonë. Duhej të nxirrja 5 vagonë me mineral. E rëndë ishte si normë, por akoma më e rëndë u bë në Qafë-Bari, ku u transferova nga Spaçi. Unë i vura vetes detyrë që të punoja. Nuk mund të prisja gjë nga gruaja me tre fëmijë, megjithëse ata kanë sakrifikuar shumë. Kam pasur fatin që të punoja me njerëz të mirë, shokët që kisha ishin të mirë. Ishin edhe më të fortë fizikisht se unë dhe më kanë ndihmuar. U jam mirënjohës…”

Dhimbja e fëmijëve…

“Ndarja me fëmijët ishte dhimbja kryesore. Boshllëkun e atyre viteve se ka mbushur më asgjë. Unë kam fëmijët e mi dhe jam i kënaqur me ta. Por, sidoqoftë është krijuar një farë hendeku. Koha në të cilën ata po rriteshin e ka bërë të vetën. Nuk është një lidhje 100% organike ndërmjet meje dhe tyre, ka një farë boshllëku dhe ky është pengu më i madh që kam nga të gjitha ato vite vuajtjeje. Nuk e kuptojmë njëri-tjetrin plotësisht. Është tjetër gjë të rritësh fëmijën tënd në vijimësi, duke e njohur, duke komunikuar, dhe tjetër gjë është kur krijon një farë shkëputjeje. Kjo është pjesa më e keqe e gjithë kësaj historie.”

“Ata vinin e më takonin, natyrisht kur kishin mundësi. Duhej të sakrifikonin tërë vitin, të ruanin ushqimet për mua, në një kohë që kishin nevojë t’i hanin vetë. Por me thënë të drejtën kisha edhe një favor, sepse njerëzit e gruas sime e ndihmonin, duke ia lehtësuar pak vështirësitë. Asnjë nuk ishte i pasur, pra, të gjithë sakrifikonin, dhe për këtë u jam shumë mirënjohës. Ishte kënaqësi e madhe kur i shihja fëmijët, por njëkohësisht edhe dhimbje kur i shihja të rriteshin dhe unë s’isha pranë tyre. E shihja vajzën që nga fëmijë u bë një zonjushë e bukur, pastaj u martua dhe u bë zonjë. Malli për fëmijët të merr kur s’i sheh për pak ditë, e jo më kur s’i sheh për vite të tëra…”

Lekë Mirakaj doli nga burgu në mars të vitit 1987. Gjurmët e viteve të burgut i dëshmon më së miri kjo fotografi e vendosur në kartelën e lirimit të tij nga burgu. Mes Lekës së pak muajve para arrestimit në Gradishtë atë ditë janari të 1980 dhe lekës në foton e daljes nga burgu, duket qartë pesha e vuajtjeve.

Lekë Mirakaj, kartela e lirimit nga burgu

Lekë Mirakaj, kartela e lirimit nga burgu

Por regjimi komunist po shënonte vitet e fundit të represionit. Nga kasollja në Gradishtë ai do të vinte ditën e 20 shkurtit rastësisht në Tiranë dhe atë ditë do të shihte me sytë e tij grahmat e fundit të regjimit që e persekutoi pandërprerë për 45 vjet atë dhe familjen e tij…

Leka jep dëshmi për rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës

“Kur u rrëzua monumenti kam qenë aty, rastësisht, jo qëllimisht. Kisha ardhur nga Lushnja ku banoja, në Tiranë për punët e mia. Atë ditë qëllova te sheshi, te kolonat e Pallatit të Kulturës. Gjatë gjithë kohës që isha në burg, mendoja dhe shpresoja se një ditë do të vinte ai moment, pasi ishte absurde ajo situatë në të cilën jetonim, nuk kishte bazament. Thosha me vete që kur të vinte ai moment, do të ulërija, do të çirresha. Në fakt nuk e bëra se nuk kisha forcë të bërtisja. Rrija si i hutuar, si i mpirë. Kishte ardhur ai moment dhe ishte e pabesueshme, megjithëse kishin ndodhur ndryshime, kishte ndodhur eksodi etj. Edhe kur busti i diktatorit u rrëzua, edhe kur e tërhoqën zvarrë, nuk bërtita, nuk përplasa duart, ishte një gëzim i brendshëm, nuk e nxirrja dot jashtë, edhe pse ato pamje ishin të paharrueshme. Edhe pse ka ende shumë të meta, sot shikon një rini të bukur, sheh njerëz të veshur, nuk sheh më fytyra thatanike dhe të verdha. Të gjitha këto janë meritë e asaj ngjarjeje. Ka ndryshuar Shqipëria për mirë, mund të kishte ndryshuar akoma edhe më shumë, nëse nuk do të kishim këtë klasë politike që kemi. Sado që ta pengosh demokracinë, ajo ka ligjet e veta që të shtyjnë përpara. Mendoj se ky popull po ecën përpara”.

Shqiptarja.com, 13 qershor ’18

Postime të ngjashme