“Letërsia si vend kujtese” dhe antikujtesa si rrezik i përhershëm

lela-a

Nga Alfred Lela.

E bija e poetit Zef Zorba është një prej atyre që kërkojnë fjalën. Në mjediset e Kishës Françeskane në Shkodër, personazhe dhe mbiemra si i saji, dikur linçoheshin publikisht në gjyqe të hapura para se të mbylleshin në biruca apo të udhëtonin, duart e lidhura me hekura, drejt togës së pushkatimit, në zallin e Kirit apo në yrte të tjerë të shkretë.

Tani, ata janë shumë më të kthjellët se persekutorët e tyre të dikurshëm dhe kërkojnë shumë pak. Një vend në kujtesë, për shembull. Zonja Zorba don të dijë se pse gazetat e Tiranës nuk botojnë më shumë dëshmi të persekucionit komunist dhe pse tekstet e autorëve të letërsisë së burgjeve dhe persekutimit nuk bëhen pjesë e librave shkollorë. E thotë pa ndonjë shkulm zemërimi, me të njëjtën qetësi si të fliste për rritjen ekonomike apo një park që i mungon qytetit.

Ky është leksioni i parë që jep dhe ajo çka merr është gjithmonë më pak se kaq. Për shembull, letërsia apo literatura e burgjeve, zë më pak vend në tekstet shkollore se letërsia e realizmit socialist. Domethënë viktima është sërish në gjunjë para persekutorit. Arsyet kanë të bëjnë sa me faktin që mentalitetet lëvizin dhe shndërrohen ngadalë – edhe 25 vjet pas shkyçjes, shqiptarët ende mendojnë në termat e kufizuar, të cilët pikërisht metoda zhdanioviane ua nguliti – aq edhe me atë se metodistët dhe dishepujt e tyre janë ende gjallë dhe të pushtetshëm.

Emrat e disa prej autorëve të letërsisë së persekutimit apo burgjeve, ende tingëllojnë reaksionarë, kolaboracionistë, klerikalë e të tjerë. Gazetat janë një histori më vete: disa prej tyre nuk janë të kompleksuara (dhe ndoshta më mirë kështu) nga mbrojtja që i bëjnë enverizmit në veçanti dhe komunizmit në përgjithësi. (Mbeten, pak a shumë, fletushka që ende i nxjerr Fronti Demokratik i Nexhmije Hoxhës.) Ato e shpallin Mehmet Shehun hero e luftëtar të madh, edhe pse vetë i biri, Bashkim Shehu, në një akt të pashembullt emancipimi intelektual e përunjësie njerëzore, distancohet prej tij. Të tjerë periodikë botojnë kujtime sekretarësh e merhumësh të tjerë të eskortave të Byrosë e të Bllokut, ku Udhëheqësi me sejmenët e tij paraqiten si beninjë, një grup njerëzish, të cilët udhëheqësia e këtij populli i lodhte, por ata nuk e linin veç për hir të tij.

Ia kujtoj zonjës Zorba dhe të tjerëve në sallë, shumica trashëgimtarë familjesh të vjetra shkodrane, që komunizmi i përndoqi për 46 vjet, se gjithçka nuk është humbur, siç asgjë nuk është fituar. Ndërkohë që ‘Rrno për me tregue’ i at Zef Pllumit e ka fituar qytetarinë duke u pranuar si një tekst i vuajtjes, integritetit dhe dëshmisë së tmerrit komunist, beteja e kujtesës me antikujtesën, vazhdon. Për shembull, te modeli që përhapin filmat e Kinostudios Shqipëria e re, këta banorë të përhershëm të ekraneve tona, ku prifti, zogisti, ballisti, kulaku, tregtari, borgjezi, shpërfaqen si personazhe negative.

Apo faktin tjetër se si Konferenca e Pezës për shembull, është shndërruar në një event cool të mbrëmjeve të vjeshtës, duke u bërë Peza n’Fest, ndërkohë që Mukja mbetet ende një vend ku ca ballistë e zogistë deshën t’ua hedhin partizanëve (duke futur çështjen kombëtare në një dokument?!). Pa harruar Postribën, vendin e së parës kryengritje antikomuniste në Europë, ku përkujtohet çdo vit, jo akti i madh i shkodranëve dhe Malësive, por bëhet ceremoniali i një lidhjeje politike të hamendësuar, nën një organizim që i ngjan 5 majit të dikurshëm në komunizëm.

*Refleksioni është përpunim i kumtesës së mbajtur në Forumin “Letërsia si vend kujtese”, zhvilluar në Shkodër në datat 19-20 maj, nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

 

Postime të ngjashme