MAJ

11 maj 1992

Nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me BE, e cila hyri në fuqi më 1 dhjetor 1992. Po në këtë periudhë, Shqipëria përfshihet në Sistemin e Përgjithshëm të Preferencave (GSP), i cili përfaqësonte një regjim preferencash tregtare që BE-ja u ofronte një numri të gjerë vendesh me të cilat ajo kishte marrëdhënie kontraktuale.

Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit e 11 majit 1992 i krijoi mundësinë Shqipërisë që të përfitojë nga fondet e programit PHARE.

18 maj 1999

Vizita e parë e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Blair, në Shqipëri më 18 maj 1999, në kohën e krizës së madhe të Serbisë së Milosheviçit dhe shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre. Kryeministri Toni Blair do të ishte britaniku që do të ndërhynte në momentin më delikat të historisë europiane për fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë Luftës së Kosovës.

21 maj 1973

Shpërthen Revolta e të burgosurve të Spaçit kundër trajtimit mizor që iu bëhej. Regjimi komunist dënoi me vdekje për këtë ngjarje të burgosurit Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja dhe ridënoi 111 të burgosur të tjerë.