Maratonë veprimtarish në Ditët e Kujtesës

d-kujteses3

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë (KAS), çelën më 24 tetor siparin e aktiviteteve në kuadër të Ditëve të kujtesës.

Gjatë fjalës hyrëse në ceremoninë e mbajtur pranë Hotel Rogner, Jonila Godole, drejtoreshë ekzekutive e IDMC-së, vlerësoi rëndësinë e organizimit të eventeve të tilla për të mbajtur gjallë kujtesën. Po ashtu, znj. Godole theksoi se është e domosdoshme mbështetja e kësaj kauze nga ana e institucioneve shtetërore.

Drejtori i fondacionit KAS për Shqipërinë, Walter Glos, u shpreh se “përpunimi i të kaluarës duhet të jetë i qartë, pasi kjo është e ardhmja e një vendi demokratik”. Z. Glos u përqendrua edhe tek hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, që, sipas tij, sa më parë të bëhet, aq më mirë do të jetë.

Pjesë e eventit ishte Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin, e cila theksoi: Krimet gjatë diktaturës meritojnë njohje të plotë. Nuk ka drejtësi pa të vërtetën dhe pa fakte”. Ajo shprehu vlerësime mbi iniciativën për të punuar mbi kurrikulën shkollore që fëmijët të mësojnë mbi të kaluarën.

Aktiviteti u shoqërua dhe  me punimet e ekspozitës me titull Lufta e ftohtë, prezantuar nga Ulrich Mählert, pjesë e Institutit Federal për Studimin e Komunizmit në Gjermaninë Lindore. “Nuk duhet të presim që njerëzit të interesohen për historinë, por ta sjellim atë pranë njerëzve”, tha z. Mählert.

Pjesë të eventit me fjalën e tyre ishin dhe Agron Gjekmarkaj, pedagog në Universitetit e Tiranës, i cili mbajti një ligjërim mbi temën e kujtesës për të kaluarën komuniste, dhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Anke Holstein.

Në pjesën e fundit të ceremonisë, salla e stërmbushur u kthye në një kinema ku u shfaq premiera e dokumentarit me titull Fëmijët e diktaturës, prodhim i IDMC-së në bashkëpunim me Universitetin e Arteve, me regji të Besnik Bishës.

Dokumentari solli emocione të forta nga historitë personale të katër personazheve të cilët jetuan apo lindën në vende të internimit.

Gjatë ditës së dytë aktiviteti iu kushtua konferencës ndërkombëtare për kurrikulën me titull: “Ballafaqimi me të shkuarën përmes kurrikulës”. Ekspertë nga Europa Qendrore dhe Lindore sollën përvojën e tyre në rishkrimin e teksteve të historisë, dhe u ballafaquan me situatën aktuale të kurrikulës në Shqipëri. Konferenca u hap me një seancë plenare, moderuar nga Dr. Jonila Godole (IDMC) me praninë e znj. Nora Malaj, zv/Ministre e Arsimit, z. Genc Pollo, kryetar i Komisionit Parlamentar të Medias dhe Arsimit, dhe historianët Prof. Valentina Duka, dekane e Fakultetit Histori-Filologji dhe Prof. Romeo Gurakuqi, Universiteti Europian i Tiranës. Secili prej tyre bëri një paraqitje të shkurtër të situatës së kurrikulës në shkollë, problematikave dhe sfidave për rishkrimin e teksteve të historisë.

Seanca plenare e hapjes u pasua me tre panele ne pjesën e parë të ditës.

Paneli I: “Zhvillimi i kurrikulës pas 1990-ës – Probleme dhe sfida”, u moderua nga znj. Elsa Ballauri, Drejtore e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, me pjesëmarrjen e Dr. Ulrich Mählert nga Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve te Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore, z. Gerti Janaqi, Drejtor i Institutit për Zhvillimin e Arsimit, Tiranë dhe Prof. Radu Preda, President i IICCMER, Bukuresht dhe znj. Vytene Muschick, Eksperte për kurrikulën dhe programet edukative, Lituani.

Paneli II: “Histori e aplikuar në Europën Lindore” u moderua nga Prof. As. Eva Tafili Hyskaj. Eksperienca e huaj u soll në këtë panel nga Dr. Neela Winkelmann, Drejtore e Platformës Kujtesa dhe Ndërgjegjja Europiane, Pragë, z. Vincent Lungwitz, Forumi i Shërbimit Paqësor Civil (ZFD), Prishtinë, znj. Kinga Hartmann-Wóycicka, Koordinatore e Projekteve Gjermano-Polake, Görlitz dhe znj. Karolina Dziełak, Rrjeti Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS), Varshavë.

Paneli III: “Histori e aplikuar në Shqipëri dhe rajon” u moderua nga Dr. Gentiana Kera, pedagoge në Universitetin e Tiranës me praninë e znj. Luljeta Lleshanaku nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, Dr. Enriketa Papa, pedagoge në Universiteti i Tiranës te fakulteti i Histori-Filologjisë, z. Adis Hukanović, koordinator projektesh pranë Forumi i Shërbimit Paqësor Civil (ZFD), Sarajevë, znj. Fatmiroshe Xhemalaj, Ambasadore e Shoqatës Europiane të Mësuesve të Historisë (Euroclio) në Shqipëri dhe Bilal Kola, drejtor i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Tiranë

Surpriza e këtij aktiviteti ishte përfshirja masive e të rinjve dhe projekteve që ata kanë realizuar në mënyrë individuale dhe në grup, mbi tema të ndryshme si përditshmëria para 1990-ës, përndjekja e klerit katolik në Mirditë, vendet e kujtesës etj.

Dita e dytë e aktivitetit DITËT E KUJTESËS u mbyll me panelin e veçantë “Qëndrimi i të rinjve shqiptarë ndaj diktaturës”, iniciativë të OSBE dhe RTSH. Ky panel u moderua nga Rezar Balla me të ftuarit z. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, Tiranë dhe Prof. Nevila Nika, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.

Dita e tretë synoi të ulte bashkë aktorë të ndryshëm që veprojnë në fushën e kujtesës nën moton: KUJTESA SI MISION.

Seanca e parë “Projekte dhe iniciativa në fushën e kujtesës” u moderua nga znj. Elira Çanga, Prezenca e OSBE në Shqipëri dhe të pranishmit u njohën nga z. Pjerin Mirdita, me projektet e organizuara nga “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, Shkodër. Z. Migen Qiraxhi, i njohu të pranishmit me punën e Instituti i Studimeve Politike, Tiranë, z. Nehari Sharri, me projektet e Forumit të Shërbimit Paqësor Civile (ZFD), Prishtinë, z. Uran Butka, me ato të Institutit të Studimeve shqiptare “Lumo Skëndo”, dhe z. Luigj Mila prezantoi punën e organizatës “Drejtësi dhe Paqe”, Shkodër. Dr. Rrapo Zguri dhe znj. Valbona Bezati, iu prezantuan të pranishmëve projektin online të IDMC, “Observatori Shqiptar i Kujtesës”.

Seanca e dytë kishte në fokus kryesisht punën e kryer nga shoqatat e ish-të përndjekurve, por edhe institucionet muzeale dhe studimore. Moderimi u ndërmor nga Dr. Jonila Godole (IDMC), dhe në panel u përfshinë z. Bilal Kola, Drejtor i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Tiranë, z. Simon Mirakaj, Kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politik Demokratë, znj. Arjeta Kokalari, Muzeu Musine Kokalari, Gjirokastër, z. Miran Butka, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, z. Filip Guraziu, nënkryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Shkodër dhe z. Gëzim Peshkëpia, “Projekti i Spaçit”.

Së fundmi në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS u shpallën në një ceremoni të veçantë edhe fituesit e konkursit kombëtar “PYET GJYSHËRIT” për punimet më të mira në fushën e multimedias. Konkursi ishte iniciuar më 18 Maj 2016 dhe synonte përballjen e brezave, në mënyrë që kujtesa të mos shuhet.

Konkursi shpalli gjithsej 7 fitues: 1 vend të parë, 2 vende të dyta, 3 vende të treta dhe çmimin e rrjetit.

Vendi i parë: Erlisa Kulla, “Treni i diktaturës”

Vendi i dytë: Adil Brahimi, “Ngjyrat e një diktature”

Vendi i dytë: Kejsi Shkëmbi, “Historia e gjyshes sime”

Vendi i tretë: Andi Bora, “Historia e Hoxhë Ibrahim Bardhylit”

Vendi i tretë: Bora Malelli, “Të jetosh në burg pa hekura”

Vendi i tretë: Dhimitër Zguro, “Udhëtimi në të shkuarën…”

Çmimi i rrjetit: Arsiana Durmishaj, “Historia e Lizetës”

Ditët e Kujtesës u mbyllën me aktivitetin me temë: “Hapja e dosjeve të sigurimit – sa më parë, aq më mirë”. Aktiviteti u hap nga z. Walter Glos, Drejtor i KAS dhe u përshëndet nga z. Bernd Borchardt, Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe znj. Anke Holstein, Zëvendësambasadore e Gjermanisë. Fjalimet kryesor ishte “Hapja e dosjeve – Përmbushja e një detyrimi” nga znj. Hildigund Neubert, Zëvendëskryetare Bordi, Fondacioni Konrad Adenauer, ish-Komisionere për dosjet e STASI-it, Thüringen, Gjermani. Fjalimi i znj. Neubert u pasua nga fjalimet e z. Edmond Spaho, Zëvendëskryetar i Parlamentit, znj. Luljeta Lleshanaku dhe znj. Gentiana Sula, ish-Zëvendësministre e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

 

Postime të ngjashme