MARS

1 mars 1921

Nis punën parlamenti i parë pluralist shqiptar . Në zgjedhjet që u mbajtën mars 1921, u zgjodhën 78 deputetë. Në këtë kohë Parlamenti filloi të mblidhej dhe të punonte rregullisht si një parlament legjitim dhe demokratik, dalë nga zgjedhjet politike. Në vitin 1922 Statuti i Lushnjës u zgjerua në një kushtetutë me fuqinë më të lartë. Organi ligjvënës përbëhej prej një dhome të deputetëve, të zgjedhur në mënyrë indirekte nga populli. Dy grupet politike kryesore ishin: Partia Popullore, e udhëhequr nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare e udhëhequr nga Hoxhë Kadria. Në fushën legjislative, veprimtaria e Parlamentit u përqendrua në çështje të tilla si hartimin e ligjit mbi organizimin gjyqësorit, përmirësimin e rregullores, buxhetit, reformat, transparencën, çështjen kombëtare etj.

1 mars 1945

Gjyqi Special i Tiranës gjykoi në 31 seanca më 1 mars deri në 13 prill 1945, 60 nacionalistë të akuzuar si kriminelë të luftës: u dënuan 17 vetë me pushkatim, 8 me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme. Midis tyre, Bahri Omari, Kolë Tromara, Aqif Përmeti, Ismail Golemi etj. me pushkatim. Vetë fakti që prokuror i përgjithshëm ishte anëtari i byrosë politike të PKSH, Bedri Spahiu, dhe kryetar gjyqi ishte anëtari tjetër i byrosë politike të PKSH dhe zv.kryetar i qeverisë, Koçi Xoxe, të dy jojuristë, tregon politizimin e plotë dhe njëanshmërinë e skajshme të këtij gjyqi. Më vonë, edhe Koçi Xoxe u dënua me pushkatim nga një gjyq ushtarak me prokuror akuze Bedri Spahiun, po ashtu edhe vetë Bedri Spahiu u dënua më pas si armik me burg e internim nga një gjyq i tipit të tillë komunist.

4 mars 1946

Nis masakra komuniste ndaj klerit katolik shqiptar. Në dhjetor 1945 u arrestuan në masë dhjetëra klerikë e besimtarë katolikë, 39 prej të cilëve u dënuan nga gjyqi i montuar ushtarak me dënime të rënda. Më 4 mars 1946 u pushkatuan në Zall të Kirit 7 martirët: Patër Gjovani Fausti, patër Danjel Dajani, patër Gjon Shllaku, seminaristi Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi dhe Frano Mirakaj. Në vitet e pushtetit komunist u pushkatuan dhe u mbytën në tortura 57 martirë të shquar të kishës katolike, u burgosën dhe u internuan 93 klerikë, 31 u detyruan të arratisen, të tjerët u persekutuan dhe u përjashtuan nga shërbimi kishtar. Shkurt, 100% e klerit katolik u asgjësua.

5 mars 1944

Masakra e Martaneshit e realizuar nga Brigada I Sulmuese që marshonte nga Kaptina në Shëngjergj gjatë Operacionit të Dimrit. Në fshatin Peshk pati një shkëmbim zjarri në largësi, që shkaktoi vrasjen e një partizani. Me urdhër të M. Shehut, partizanët u futën në çdo shtëpi të fshatit dhe arrestuan burrat që gjetën, nga një për çdo shtëpi. Ai dha urdhër të rreshtoheshin 22 fshatarë të pafajshëm dhe të pushkatoheshin pa gjyq, ndërsa familjet e tyre pas luftës u shpallën kulakë.

6 mars 1944

Pushkatimi i Ramize Gjebresë, 21 vjeç, ish-nxënëse e shkollës femërore “Nëna Mbretneshë”, flamurtare e demonstratës antifashiste së rinisë së Tiranës, partizane, përgjegjëse e rinisë së Br.V, intelektuale, publiciste me pseudonimin “Interesanti”, mbesë Kosove nga Kaçaniku që luftonte për lirinë dhe bashkimin kombëtar. Gjyqi partizan i përbërë nga krerët më të lartë komunistë: Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Manush Myftiu, Ramadan Xhangolli, Bilbil Klosi etj. e dënoi me vdekje, sepse dashuronte Zaho Kokën. “Fakte” ishin thashethemet, si edhe një informacion drejtuar Nexhmie Xhuglinit për këtë dashuri dhe një letër e Lefter Kasnecit drejtuar Manush Myftiut.

9 mars 1997

Marrëveshja e dhjetë partive politike për t’i dhënë zgjidhje krizës politike dhe valës së vrasjeve e shkatërrimeve në vitin tragjik 1997.

14 mars 1997

U votëbesua në parlament Qeveria e Pajtimit Kombëtar me Bashkim Finon kryeministër. Ai shpalli si program të qeverisë 4 pika kryesore: stabilizimin e rendit publik e vendosjen e qetësisë, stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit, zotërimin e gjendjes financiare e përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, që u zhvilluan më 29 Qershor 1997 dhe i fitoi PS dhe aleatët e saj. Në të njëjtën ditë u organizua edhe referendumi për formën e qeverisjes së vendit. Me 65% të votave fitoi Republika kundër Monarkisë.

15 mars 1991

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej gjysmë shekulli (1946). Fillimisht marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë vendosur më 28 korrik 1922.

Marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore dhe strategjike. Ka rreth 27 traktate dhe marrëveshje midis tyre në fusha të ndryshme ku do të veçojmë, ato në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes dhe fushës së kulturës. I rëndësishëm është bashkëpunimi ekonomik. Në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë apo institucionet amerikane mund të përmendim: USAID, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhoma Amerikane e Tregtisë etj. Tashmë dy vendet janë vende aleate në NATO. Shqipëria mbështet politikën e NATO-s që i shërben zhvillimit demokratik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe rritjes së sigurisë dhe stabilitetit kombëtar dhe ndërkombëtar.

25 mars 1945

Gjyqi ushtarak i datës 3 mars 1945, dënoi me vdekje dhe burgime të ndryshme 19 kryengritës të Malësisë së Madhe, kreshnikun Prek Cali dhe Dedë Lulash Smajlin me pushkatim, të tjerët me burgim të përjetshëm dhe burgime të rënda.Prek Cali e Dedë Lulash Smajli u ekzekutuan më 25 mars 1945 me pushkatim në Zallin e Kirit.

27 mars 1920

Kongresi Lushnjës krijoi Senatin që më vonë do të quhej Këshilli Kombëtar, si organ legjislativ, i cili përbëhej nga delegatë. Kongresi shprehu në formën e regjimit, sundimin e vullnetit të sovranit-popull. Gjatë kësaj periudhe, për herë të parë u afirmuan parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i qeverisë nga Senati dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar. Këshilli Kombëtar miratoi disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti kushtetues i Lushnjës. Aktiviteti legjislativ i Këshillit Kombëtar përfundoi në dhjetor 1920, kur Këshilli u shpërnda për të përgatitur vendin për zgjedhjet e para në mars 1921.

28 mars 1997

Kombet e Bashkuara miratojnë rezolutën nr. 1101 për ndihmë humanitare ndaj Shqipërisë. Po ashtu edhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 1114 datë 19 prill 1997 për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri për stabilizimin e situatës rebeluese. Rreth 7.000 ushtarë nën drejtimin e Italisë, Misioni “Alba”, vijnë në Shqipëri për të rikthyer rendin dhe forcën e ligjit. Forcat e para zbarkojnë në Durrës dhe lëvizin në gjithë vendin.

28 mars 1997

Tragjedia e Otrantos, pasojë e krizës së vitit 1997. Anija shqiptare “Kateri i Radës” me 120 persona në bord kishte arritur të hynte në ujërat territoriale italiane, por pak pasi i ishte afruar brigjeve të Otrantos në Itali, e goditi anija luftarake italiane,“Sibilla”. Si pasojë u mbytën 84 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar.

29 mars 1997

Skemat piramidale në Shqipëri filluan aktivitetin e tyre qysh në vitin 1991. I pari ishte Hajdin Sejdia. Më vonë, më 29 mars 1993, u krijua firma “Sudja”, prapa së cilës qëndronte “Kopetenti”, më 29 mars 1994 u themelua firma rentiere “Vefa” dhe mbinë si kërpudhat pas shiut 25 firmat mashtruese, që i drejtonin kryesisht ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit: Gjallica, Populli, Xhaferri, Cenaj, Kamberi etj. të cilat u zhvatën rreth 1.2 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve dhe e rrënuan Shqipërinë.

31 mars 1991

Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, mes PPSH me gjithë subjektet e ndërvarura prej saj si Bashkimet Profesionale, Fronti Demokratik, Organizata e Gruas dhe e Rinisë Komuniste, nga njëra anë, dhe Partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike. Zgjedhjet i fitoi PPSH, ndonëse kreu i saj, Presidenti Ramiz Alia humbi në zonën e tij “të sigurt” elektorale, ku ishte themeluar PKSH. PD-ja fitoi në qytetet kryesore: Tiranë, Shkodër, Elbasan Durrës, Kavajë etj. një sukses i parë i saj. Pas një viti, më 22 mars 1992, zgjedhjet i fitoi në mënyrë plebishitare PD dhe aleatët e saj. Kjo shënoi fitoren përfundimtare të demokracisë në Shqipëri.