Maska e vdekjes së Enver Hoxhës si ANTIHOMAZH

antihomazh

Fytyra e Enver Hoxhës së vdekur, është riprodhuar në allçi në formën e një maske pas vdekjes së tij.  Kjo maskë ruhet edhe sot në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo shërbeu si një artefakt për  artistin Ardian Isufi për të ndërtuar instalacionin unik ANTIHOMAZH, i cili u ekspozua disa muaj më parë në mjediset e muzeut.

Muharrem Turkeshi që u mor me krijimin e kësaj maske, kujton: “”Allçija i ra mbi fytyrë dhe forma e shformuar që mori portreti i shtangu oficerët e sigurimit që ishin gati për të mu hedhur në fyt se po shprishja imazhin e Enverit, por ndërsa dridhesha i tëri nën peshën e realizimit të këtij proçesi teknik u ngurtësua forma nga ky imazh morti që la pezull çdo situatë tensioni”…

Lidhur me inisiativën e tij artisti Ardian Isufi ka shkruar:

“Arti bashkëkohor në ditët e sotme ka integruar në vetvete shumë elementë të historisë duke bashkëpunuar në shumë fusha të karakterit human, gjithashtu duke i ndërthurur edhe me pikpamjet e reja mbi estetikën si dhe me mundësitë e mëdha që gjuha pamore të jep për të komunikuar… Në këtë kontekst është një kontribut për publikun në një qasje të re konceptuale të marrdhënies që do ketë çdo individ duke u përballur me diktatorin(maskën e tij) dhe si shkak-pasojë edhe me historinë e diktaturës. Pra, publiku përmbyll instalacionin që rrugëton fillimisht në një “tunel izolimi” dhe në fund të tij qëndron për pak çaste përballë Enver Hoxhës duke krijuar një pikë-takimi imagjinar me kohën ne e rivendosim në gjykim eksperiencën tonë përballë izolimit totalitar. Ky kontakt me maskën-portret na shtyn në një kontakt psikologjik ku mimika apo gjestikulacioni emocional i portretit të çdo vizitori do të përshfaqet si ANTIHOMAZH me historinë tonë të diktaturës dhe për këtë arsye rruga e kontaktit përballë kësaj maske vdekje do të jete nëpërmjet një “tuneli mental” që është i insaluar si labirinth i përroit psikologjik në hollin qëndror të Muzeut Historik Kombëtar.”

Postime të ngjashme