“Mbaj 80 vjet kujtime mbi kurriz për kampin vdekjeprurës të Tepelenës”

Skicë e Lek Previzit

Nga Anton Benussi

Si mund të besohet se nji qytet si Shkodra mbas lufte me rreth 35 000 banorë kishte 13 burgje, se në këtë vend të vogël pushkatohen 43 klerikë katolike të pafajshëm, 21 intelektualë vriten pa gjyqe për një atentat fals në Ambasadën Ruse, se neni 55 i kodit penal edhe për një fjale goje të jepte dënimin kapital, poetët vriten për një vjershë, këngëtari burgoset për një kangë, ekzekutohen gra shtatzana, varen deputetë për një kundërshtim ne parlament, pushkatohen të burgosur për një letër që i dergojnë diktatorit, ekzekutohet kirurgu i famshën italian prof. Lozzi, vdes nga torturat çnjerezore gjeologu polak me famë botenore prof. Zuber, etj, etj.

Vendi u mbush me burgje e kampe: Zadrima, Laçi, Qafebari, Spaçi, Burreli, Vlora, Maliqi, Juba, Kalaja e Gjinokastrës, Shtyllasi, Rradostina, Kuqi etj. Kanali Vjosë Levan Fier u quajt kanali i gjakut prej vdekjeve të shumta të burgosunve, në kënetën e Maliqit mbulohet me baltë për së gjalli prifti ortodoks.

Në kujtesën e njerëzve mbetet një kamp famëkeq, ai i Tepelenës për të cilin këto ditë asht hapur një diskutim absurd. Me 80 vjetet qe kam ne kurriz dhe me kujtimet qe me kane mbete deshiroj sadopak të hedh drite mbi të verteten rreth ketij kampi vdekjeprures.

Menjeherë mbas vitit 1945 malësoret e mbi-Shkodres janë të parët që kundërshtojnë regjimin komunist. Fillojnë raprezaljet ma çnjerezore të piketueme prej M. Shehut dhe Sh. Peçit. Malësia u la në gjak. Fillojnë arratisjet në masë të popullatës drejt shtetit fqinj. Për të frenue këtë eksod të vërtetë shpejt fillojnë internimet në Berat ku nuk kursehen të moshuem, të sëmurë, gra e fëmijë. Familjet vendosen në çadra buzë Osumit në kondita tepër të vështira për një jetë sadopak normale. Vlen të përmendet që banoret e këtij qyteti fshehtas nuk kursyen ndihmat e tyne me ushqime e veshje për këtë popullatë të shumëvuajtun.

Solidariteti i qytetarëve beratas (për këtë i ndjeri Gjon Markagjoni i riu ka botue një libër), shtimi me shpejtësi i të internuemve si dhe vdekjet e shumta sidomos të fëmijëve u banë shkak që këto mjerane të transferoheshin në Tepelenë tek ndërtesat e ushtarëve italiane të ndërtueme në kohën e luftës italo-greke. Kam njofte nga afër shumë familje të shqueme që kaluen vite të tmerrshme në këtë kamp çfarosjeje të Tepelenës. Ata janë familjet Topalli, Luka, Shllaku, Markagjoni, Previzi, Rrepishti, Bushati, Mlyshi etj., si dhe prifti italjan, pader Jake Gardin (autor i librit “10 vjet burg në Shqipni”).

I nderuem lexues do të kesh durimin të njihesh me 2–3 episode nga jeta në kampin e Tepelenes që të kuptosh se ai ishte një Aushvic i vërtetë. Për fat të mirë ekzistojne piktura të zotit Leke Previzi që evidentojne me saktësi situatat mbrenda dhe jashtë ndërtesave të kampit.

Në mesin e stinës së verës në kamp shpërthen epidemia e disanterisë. Janë femijët viktimat e shumta të kësaj semundje që shkaktoi vdekjen e dhjetrave prej tyne. Vorrimi bahet afër godinave të kampit. Administrata kriminale urdhënoi çvarrosjen e kufomave për t’i spostue ma larg. Ishin këto kufoma të infektueme dhe të dekompozueme që ngritën numrin e vdekjeve nga dhjetëra në qindra. Kjo ishte metodë ma e sofistikueme se ato të Aushvicit, Dakaut apo Bukenvaldit.

Rast tjetër: për minieren e Memaliajt, për galeritë e saj, travetit drunit transportoheshin nepermjet lumit. Për të lëvizë këto trarë lirisht ishin të internuemit që mbrenda në ujë shoqnoshin lëvizjen e tyne në shtratin lumor plot pengesa. Për t’ia vështirsue punën këtyre mjeranëve, administrata hedh në lume një sasi copash telash me ferra, torturë që ia vështirësonte punën jashte mase të denuemve që shpërbleheshin me paga qesharake. Edhe këtë torture do të na e kishte lakmi Aushvici.

Tepelena bante pjesë në zonën e demarkacionit të luftës italo-greke. Lufta si gjithmonë në botë sjell vetëm vdekje. Kudo në këtë territor gjindeshin jo pak armë dhe predha të të gjitha llojeve. Prej ketyne ekzistonte një lloj bombe që kapsulla e saj prej bronzi kushtonte 10 lekë, për t’u përdore si gotë e vogël pije. Per çmontimin e këtyne kapsullave-gote punonte një i internuem që me një skarpel të holle nxirrte kapsullën prej predhave të mbushuna. Një ditë fatkeqësia erdhi, predha i plasi duke i këputë të katër gjymtyrët. Asht pader Gardini që para duarsh transporton këtë cung njeriu që tepër shpejt ndërroi jetë. Vdekjet, uria, sëmundjet, përdhunimet, ishin linjat që përcaktonin kampin famëkeq të Tepelenës.

Nje person i datëlindjes 1951, Pëllumb Xhufi e vlerëson Tepelenën si një kamp komod edhe pse metodat e trajtimit të internuemve ishin ma çnjerëzore se kampet naziste. Gjithmonë ekziston mundësia të kujtohen këto ngjarje të rënda, të nderohen këto viktima dhe e vërteta e jo gënjeshtra të triumfojë. Nga Shkumbini e poshtë gënjeshtrës së madhe i thonë: (gënjeshtër me xhufkë), ka mundësi që ky epitet i gënjeshtrës (xhufkë) të ketë një lidhje me profesorin, doktorin, akademikun, koleksionistin Pëllumb Xhufi.

Shqiptarja.com, 10 prill ’18

Postime të ngjashme