Mbreti Zog dhe tentativa për një triumf të dytë të Legalitetit

Azogu

Nga Erald Kapri.

Triumfi i Legalitetit i 24 dhjetorit të vitit 24, shënon një pikë kthese në politikën shqiptare, por padyshim ajo mbetet pika kulminante e Ahmet Zogut si politikan. Ai ishte politikani dominues në vend gjatë viteve 20-24, pushtetmbajtësi më jetëgjatë dhe pas largimit në ekzil, ia doli sërish të triumfojë duke marrë kontrollin e vendit dhe duke vendosur legjitimitetin në vend.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, do të niste një tjetër ekzil politik për mbretin Zog, i cili krejt ndryshe nga i pari, do të ishte në shumë avantazhe të tij.

Fillimisht, Mbreti Zog i rezistoi çdo tundimi Italian për ta kthyer Shqipërinë në një protektorat Italian, edhe pse i premtonte atij sërish kurorën e vendit. Në ato ditë të vështira të prillit, Mbreti ia doli që të fitojë betejen morale me opinionin botëror dhe sidomos me median ndërkombëtare.
Dokumentacioni i zbuluar së fundmi në Arkivin Britanik sygjeron pa asnjë ekuivok se Mbreti Zog, dhe për më tej Shqipëria, u kthye në një viktimë e situatës së rënduar ndërkombëtare. Në datën 10 prill, pra ditën e hënë dhe 3 ditë pasi kishte nisur pushtimi i Shqipërisë, qeveria britanike nisi mbledhjen e saj në lidhje me situatën në Shqipëri.

Zyrtarët britanikët nuk e pranuan në heshje këtë pushtim, krejt ndryshe nga sa besohet sot, por e përdorën këtë pushtim në disa favore të britanikëve në pellgun e Mezdheut.

Në kujtimet e veta, kryeministri Chamberlain thotë që Musolini u soll si një gjarpër. Churchilli ende pa një poste do thoshte se tashmë lufta e dytë botërore ishte në prag.

Me pushtimin e Shqipërisë britanikët duket se vijuan me frymën e Traktatit të Mynihut, me dëshirën se duke kënaqur Italianët do të shmangin një luftë botërore. Në bisedat e treguar në mbledhjen e kabinetit me Kontin Çiano, Italia garantonte se nuk do të prekte Greqinë apo Jugosllavinë, do tërhiqte trupat nga Spanja e Frankos si dhe do të largonte disa forca ushtarake në disa ishuj të vegjël në Mesdhe. Krejt në mënyrë keqdashëse dhe duke vepruar në dritshkurësi, qeveritë fqinjë të jugosllavisë dhe Greqisë nuk reaguan, ndonëse një armik potencial e kishin tashmë në kufi. Ky realitet tregon pasqyrën dhe realpolitikën në marrëdhëniet ndërkombëtare në prill të vitit 1939.

Pas një udhëtimi mbi një vjeçar në Europë dhe me nisjen e luftës së dytë botërore, Mbreti Zog u vendos në Britaninë e Madhe, me idenë e ngritjes së qeverisë së tij të mërgimit dhe organizimit të rezistencës në Shqipëri.

Dokumentacioni britanik i kohës për aktivitetin e mbretit Zog gjatë këtyre viteve është mbi 3 mijë faqe, ku evidentohet një aktivitet mjaft i dendur i Mbretit Shqiptar. Krejt ndryshe nga mbrerit e tjerë që u njohën zyrtrisht në Britaninë e madhe si qeveri në mërgim, Mbreti Zog ishte i vetmi që arriti të realizojë një tentativë reale për kryengritje të armatosur në Shqipëri.

Plani britanik për lëvizje të armatosur

Ndonëse britanikët pranuan që Mbreti Zog të zhvendosej në Britani, ata nuk i dhanë vëmëndjen e duhur atij që në fillim herët. Madje lëvizjet e Zogut u bëheshin të ditur Italianëve. Britania kishte ende shpresa se Italia nuk do të futej në luftë por pas pushtimit të Francës nga Gjermania, në verën e vitit 1940, Italianët i shpallën luftë Britanisë. Pikërisht në këtë moment, një zyrë e veçantë për luftën guerile tepër sekrete ngrihet në Britani se njohur si SOE (Special Operacional Executive) ose Ekzekutimi i Operacioneve Speciale.

Ngrihet një zyrë për rezistencën në Shqipëri e drejtuar nga Malkolm Marr.

Në këtë pikë, Mbreti Zog shfaqet si pika më e rëndësishme Britanikëve për të krijuar rezistencën në Shqipëri dhe realizohet një plan tepër konkret. Në këtë zyrë pjesë oficerët britanikë që kishin punuar në Shqipëri gjatë mbretërisë për organizimin e xhandamërisë si Gjenerali Persi, Bill Barkook që kishte punuar me Persin dhe një njohës i mirë i Shqipërisë, ish nëpunësi i Anglo Persian Oil Robert Crips. Erdhen edhe dy oficerë të tjerë me emër si Sterling dhe Martin, të cilët po ashtu kishin punuar në Shqipëri.

Një akademik britanik i quajtur Nikolas Hamond, i cili kishte jetuar një vit në Shqipërinë e viteve 30 me qëllim për të shkruar një libër për mbretin ZOG, u bashkua me zyrën dhe ra dakord që drejtonte atë në Athinë. Ai humbi jetën në udhëtimin me anije në mesdhe pas një sulmi armik.
Në raportin e tyre për krerët, ata udhëzonin se Mbreti Zog ishte potenciali i vetëm në vitin 1940 dhe 1941 që mund të krijonte një levizte të armatosur.

Në fund të vitit 1940, kur Italia sapo i kishte shpallur luftë Greqisë, Mbreti Zog shpallet prioritet nga britanikët.

Puna nisi menjëherë për krimin e dy fronteve, një në veri dhe një në jug. Në veri do të sulmonte Gani Kryeziu dhe në Jug Mbreti Zog.
Gani Kryeziu ra në kontakt në Beograd me Julian Amerin dhe i mbështetur nga oficeri Oklai Hill vendosën që të kryejnë kryengritje në veri. Ai mblodhi afërisht 500 forca, u vendos një fond prej 40 mijë sterlinash në ar. Sulmi nisi në veri, dhe Gani Kryesiu ra dakord që të pushtojë Kukësin dhe ta shpallë si zonë e administruar nga qeveria e Mbretit Zog. Por sulmi i tij nisi në prill 1941, kur gjermanët sapo kishin nisur pushtimin e Jugosllavisë. i ndodhur mes dy frontesh, ai dështoi. Gani Kryeziu me të vëllain Saidin u internuan në Itali ndërsa oficeri britanik Oklai Hill u arrestua nga Gjermanët.

Ndërsa në Jug, puna nisi me ambicje edhe më të madhe. Mjaft shqiptarë në Stamboll u bënë gati me në krye Abaz Kupin. Inteligjenca ushtarake e Britanikëve besonte se Mbreti Zog do të kishte 80 % shanse të dilte me sukses. Por në momentin e fundit, Kryeministri grek Metaksa ndërhyri duke kërkuar anulimin e këtij plani. Në pranverën e vitit 1941, trupat greke kishin nisur ofensivën dhe kishin hyrë në Shqipëri dhe nuk kërkonin që ta lëshonin më këtë territor. Në këtë situatë, dhe nën këmbënguljen e grekëve, britanikët njoftojnë mbretin Zog në momentin e fundit që të mos udhëtojë me avion drejt Kajros. Në një farë mënyre ishte fat sepse ai avion u rrëzua në Mesdhe dhe gjithë ekuipazhi ndërroi jetë.

Pse nuk u njoh qeveria e tij

Mbreti Zog ishte udhëheqësi i vetëm i para luftës që ishte strehuar në Londër që arriti të ketë një plan konkret për krijimin e një fronti në Shqipëri.

Por kjo nuk shërbeu që ai të njihej zyrtarisht nga britanikët dhe aleatët. Ndonëse ai kishte këtë avantazh, madje edhe dëshirën e të gjithë emigracionit politik shqiptar që Zogu të ishte kreu i tyre, britanikët nuk e njohën. Kjo ndodhi për shkak të presionit të dy aleatëve të tjerë të britanikëve, si Jugosllavët dhe Grekët. Më pas, me hyrjen në luftë të Bashkimit Sovjetik, Zogu mori edhe një tjetër goditje. Mund të duket habi, por Britania dhe BS, ndër pak mirëkuptime që kishin, një ndër to kishte të bënte me mbretin Zog. Ministri i Jashtëm Eden, në janar të 1942, takoi ambasadorin sovjetik ku u fol për Shqipërinë. U ra dakord që të kishte një shtet shqiptar pas lufte, por sovjetikët kërkuan me ngulm pa mbretin Zog. Në Dhjetor 1942 britanikën vendosën për Shqipërinë që asaj do ti rishikoheshin kufinjtë pas lufte. Në këtë kushte, Mbreti Zog u godit politikisht sa fati i vendit të tij.

Një tentativë e fundit për mbështetjen e Zogut u kërkua edhe nga Churchill, por në tetor 1944 kur ai e kërkoi këtë ishte tepër vonë. Ai harroi të përmendë Shqipërinë në Konferencën e Moskës, dhe iu kujtua një ditë më pas vetëm për shkak të mbretit Zog. Dokumentet sygjerojnë se falë rolit të Mbretëreshës Geraldinë, bashkëshortja e Churchill kishte bërë një lobing të madh pranë të shoqit të saj që Mbreti Zog të përkrahej.
Përfundime

Analistët britanikë të kohës të Ministrisë së luftës dhe asaj të Jashtme e pranojnë edhe vetë se: nëse Mbreti Zog do të ishte përkrahur me kohë në vitin 1941, atëhere ai do të ishte forca më e rëndësishme ushtarake dhe politike në Shqipërinë e paslufte.

Është e pamundur që në këtë periudhë të ndash fatin politik të Mbretit Zog me atë të vendit të tij, Shqipërisë. Goditja politike ndaj Zogut, duke mos e njohur atë, rrezikoi pozicionin e Shqipërisë në raport me fqinjët.

Së dyti, mosrealizimi i planit ushtarak i hapi rrugë një vit më pas që në skenë të dalin komunistët, ç’ka nëpërmjet lëvizjes ushtarake dhe një lufte civile, morën pushtetin. Nisja e një sulmi në Greqinë e veriut në pranverën e vitit 1941, do të ishte një hap vendimtar për mbretin Zog dhe për vetë vendin. Edhe sikur mbreti të kishte dështuar ushtarakisht në tentativën e vitit 1941, në vitet më pas,
mbështetësit e tij me siguri do të ishin më të shumtë. Kjo hipotezë mbështetet edhe nga fakti që Abaz Kupi kishte mijëra forca në dispozicion në vitin 1943-44.

Këto fakte të nxjerra nga dokumentacioni voluminoz britanik tregojnë se sa afër ka qenë Mbreti Zog në një triumf të dytë Legaliteti. I penguar vetëm nga realiteti gjeopolitik, Mbreti Zog nuk mund dot që të shmangte fatkeqësinë kombëtare që mbërtheu vendin për gjysëm shekulli, që vendi ende e vuan sot, diktaturën komuniste.

* Në 90 vjetorin e Triumfit te Legalitetit, legalistët shqiptarë organizuan një akademi solemne për të përkujtuar këtë ngjarje me rendësi në historinë e Shqipërisë. Mu dha mundësia të mbaj një kumtesë mbi një tentativë të Mbretit Zog për të organizuar një levizje të armatosur në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore. Të dhënat dhe faktet e kësaj periudhe që dalin nga Arkivi Britanik janë tepër me vlerë dhe mjaft interesante për aktivitetin e Mbretit Zog në mërgim. Falenderoj legalistët shqiptarë për ftesën. Kumtesa u lexua nga Tomor Selmani ne tubimin e 10 Janarit 2015 ne kujtim te 39 vjetorit te vdekjes te Abaz Kupit

Burimi: http://gazetadielli.com/mbreti-zog-dhe-tentativa-per-nje-triumf-te-dyte-te-legalitetit/

Postime të ngjashme