Memoria historike si histori individësh, jo shteti

a-krasniqi

Nga Afrim Krasniqi.

Muajt e fundit, arkivat amerikane mbi Shqipërinë u hapën dhe brenda tyre arrijmë të gjejmë raporte të ambasadorëve amerikanë për gjendjen apo bisedimet në Tiranë, si dhe protokolle bisedash në nivele të larta presidenciale. Në kulturën amerikane, kjo është praktikë rutinë dhe një tregues demokracie. Në kulturën shqiptare, kjo praktikë është ende e huaj, e pakapërdishme dhe rrjedhojë e një mentaliteti sekretesh, sipas të cilit publiku nuk mund dhe nuk duhet të ketë akses tek punët e shtetit. Për më tepër, kur duam të referojmë dokumente e zhvillime historike, gjithnjë kemi variantin e palës tjetër (amerikane, britanike, italiane, austriake, gjermane, deri edhe ruse e greke), por nuk kemi asnjëherë një burim të saktë referues për qëndrimet, pikëpamjet dhe këndvështrimin e shtetit shqiptar.

Falë punës së disa institucioneve dhe individëve të pasionuar, siç janë edhe ASH, QSA apo FHF, kërkues shqiptarë morën akses dhe kanë publikuar tashmë pjesë të rëndësishme të dokumentacionit arkivor historik mbi Shqipërinë, duke filluar nga 1912. Këto botime janë dhe mbeten një vlerë e madhe për shkencën e historisë dhe aksesin në njohjen direkte të ngjarjeve historike. Prej tyre marrin përgjigje shumë prej dilemave e debateve, të cilat, gjatë historiografisë moniste paraqiteshin njëanshmërisht, sipas nevojave zyrtar të PPSH. Në sistemin e mëparshëm aksesi shkencor mbi arkivat e huaja dhe kategoritë specifike në arkivin shqiptar ishin monopol i PPSH dhe u vihej në dispozicion vetëm disa emrave të preferuar dhe emëruar nga hierarkia politike. Sot çdokush, përfshirë studentë e gazetarë kanë akses të plotë dhe konkurrenca midis kërkuesve shkencorë është rritur ndjeshëm. Ndryshe ndodh me arkivat historikë shqiptarë. Arkivi i Shtetit është funksional sidomos në dokumentacionet e konsumit, që lidhen me ngjarje publike dhe biografi politike. Gazetat raportojnë çdo ditë mbi mbledhjet e Byrosë Politike apo detaje politike të sjelljes së diktatorit apo rivaliteteve përreth tij.

Një numër arkivash të tjera vendorë kanë akses të limituar dhe vijojnë të jenë tabu për kërkuesit shkencorë. Për shembull, praktika burokratike për të siguruar akses në arkivat e MPJ, MPB, MM, etj, është sfilitëse, bazohet në vendimmarrje selektive dhe pamundëson aksesin profesional. Akoma më e pamundur rezulton përpjekja për akses në informacionet dhe dokumentacionet që lidhen me punën e institucioneve qendrore, Presidentit, Qeverisë, Kuvendit, apo për më tepër, shërbimit sekret, Gjykatës së Lartë apo nivelit tjetër të gjykatave dhe prokurorisë. Të mësuar ta konsiderojmë informacionin dhe dokumentacionin si sekret shtetëror praktikat e sotme më shumë reflektojnë kulturën e mbylljes sesa aksesit në arkiva, përfshirë edhe në ato, që tashmë me ligj, duhet të jenë në dispozicion publik.

A ka mbetur informacion arkivor që ka ende vlerë? Cila është vlera dhe dobia e tyre? Çfarë përbën sekret dhe sa sekret janë problemet e brendshme shqiptare? Le ta nisim nga fundi. Kur u publikuan kallbogramet amerikane lexuam se politikanët shqiptarë raportonin në detaje tek diplomatët mbi vendimmarrje shtetërore apo deri edhe në detaje nominale të politikës së ditës. Ky është një tipar shekullor i elitës politikë ndaj fuqive politike të kohës. Edhe në rastin konkret ata flisnin me aleatin strategjik, ndaj midis miqve dhe aleatëve nuk ka sekrete. Por nëse nuk do ishin kallbogramet amerikane për ne, nuk do të kishim një sërë informacionesh që lidhen me shtetin dhe zyrtarët tanë drejtues. Sepse me një sjellje tipike joserioze, ata ua rrëfejnë vullnetarisht detajet të huajve, por ua fshehin sistematikisht qytetarëve dhe publikut vendas.

Le të marrim një rast tjetër praktik: debatet parlamentare dhe aktet zyrtare të qeverive që lidhet me periudhën e pavarësisë së Shqipërisë deri edhe me fundin e Luftës së Ftohtë apo pranimin në NATO. Shumica e atyre vijojnë të konsiderohen sekret dhe monopol shtetëror. Nëse ne duam të njohim debatet parlamentare britanike, amerikane, italiane etj të periudhës së pavarësisë tonë, të Luftës I  Botërore, etj, deri edhe në fundin e Luftës së Ftohtë mund ta bëjmë këtë nga kompjuteri i banesës. Aksesi është publik dhe debatet janë në gjuhën origjinale. Nëse duam të kemi të njëjtin informacion për debatet parlamentare shqiptare të viteve 20 apo deri më 1991 është gati e pamundur. Parlamenti sot publikon debatet e brendshme, por referuar periudhës së hershme aksesi është i limituar dhe larg publikut, përfshirë pjesës universitare, mediatike apo akademike. Akoma më keq rezulton gjendja e arkivit administrativ të shtetit, vendimeve të qeverive apo organeve të tjera. Përpos fletoreve zyrtare të cilat pasqyrojnë formalisht produktin e vendimeve, nuk ka asnjë burim tjetër referimi dhe aksesi profesional. Nuk ka asnjë rast të vetëm të publikimit të debateve brenda kabinetit qeveritar apo i protokollit të bisedimeve në nivele të larta, ndërkohë që në vendet demokratike kjo është praktikë rutinë.

Problemi tek ne është edhe më kompleks dhe shqetësues sesa mungesa e aksesit. Shqipëria vuan prej vitesh nga kultura e frikës ndaj arkivit. Shumica e akteve politike (mbledhje qeverie, mbledhje pune me rëndësi, vendimmarrje politike me rëndësi, takime zyrtare me rëndësi, etj) nuk shoqërohen me zbardhje të bisedës dhe me arkivimin e tyre. Nuk ka të dhëna as në institucionet respektive dhe as në arshivat përkatëse. Titullarët i trajtojnë ato si çështje personale dhe me gjithë detyrimin ligjor, refuzojnë zbardhjen dhe arshivimin e tyre. Ata i frikësohen përmbajtjes, kryesisht ngaqë në biseda e mbledhje merren me gjëra joserioze, siç janë akuzat për rivalët politikë, apo retorika që kanë vlerë momentale por ngjajnë qesharake në leximin afatgjatë.

Për më tepër, takime të vazhdueshme zhvillohen në mjedise publike e private (restorante, hotele, banesa private, aeroporte ose ambiente jashtë shtetit), prej të cilave nuk prodhohet asnjë dokument arkivor dhe nuk lihen gjurmë në memorien shtetërore të vendit. Edhe praktika e mirë e të kaluarës, sipas të cilës çdo dosje bisedimesh reflektohej me memo dhe me detaje për drejtoritë përkatëse diplomatike apo arshivat në MPJ është ndërprerë prej kohësh. Më shumë sekrete shtetërore gjenden në mesazhet sms dhe programet sociale të komunikimit midis vetë politikanëve sesa në zyrat arkivore të institucioneve që ata drejtojnë.

Për rrjedhojë, shteti shqiptar rrezikon të humbë memorien e tij, pasi ka humbur edhe disa funksione serioze që lidhen me përgjegjësitë e tij. Brezat e ardhshëm  me siguri do të kenë akses më të madh në arkivat historikë, në nivele që kanë sot brezat e rinj në vendet perëndimore, por nëse brezi ynë në Shqipëri privohet nga aksesi në arkiva, ata pas nesh rrezikojnë të kenë akses por mos të kenë arkiva. Kjo do të ishte shumë më e rëndë sesa censura ndaj tyre. Teknologjitë e reja kanë funksione pozitive komunikimi, por asgjë nuk mund ta zëvendësojë nevojën e dokumentimit të historisë, të vendimmarrjeve, të fakteve dhe të ngjarjeve.

Universiteti i Heidelbergut, një nga më të vjetrit në kontinent, në vetëm disa javë më parë merrej me fenomenin e kujtesës historike dhe rreziqet që i vijnë shoqërisë së sotme nga kufizimi i aksesit në arkiva, shpërdorimi i tyre nga media, apo lloji i ri i politikanëve të Facebook-ut. Konkluzioni i saj ishte aktual edhe për ne, – nëse një shoqëri nuk është në gjendje të mësojë se çfarë ndodh pas kuintave politike e diplomatike, nëse nuk mëson për motivet dhe rrethanat kur u vendosën fatet e tyre, nëse nuk mëson për temat e pathëna në publik dhe risqet reale me të cilat ata përballen, ajo do te mbetet tërësisht e pambrojtur, pre e lehtë manipulimi dhe kulturalisht e cenuar. Ata nuk na citojnë por midis këtij përcaktimi secili kërkon vetveten, dhe me siguri Shqipëria është dhe mbetet një shembull tipik. Nëse nuk ndryshojmë dhe merremi seriozisht me këtë temë, atëherë ne rrezikojmë që pas disa dekadash dokumenti i pavarësisë të mos jetë e vetmja humbje e madhe në memorien shtetërore, politike dhe publike.

“Shekulli”

 

Postime të ngjashme