Në Tiranë u mbajt konferenca shkencore “Kujtesa e Rugovës”

rugova-konf

Tiranë, 16 qershor 2016 – Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, organizuan të mërkurën në Tiranë, Konferencën Shkencore dhe Ekspozitën “Kujtesa e Rugovës”.

Në konfererncë morën pjesë ministrat e Kulturës të të dy vendeve, Mirela Kumbaro dhe Kujtim Shala.

Në këtë konferencë që bashkoi studiues nga Shqipëria dhe nga Kosova, u trajtuan aspekte të ndryshme të figurës dhe veprës së Ibrahim Rugovës – si krijues, si intelektual dhe si lider politik.

Në pothuaj të gjitha kumtesat e paraqitura në konferencë, Ibrahim Rugova u vlerësua një personalitet i papërsëritshëm në hapësirën mbarëkombëtare.

Krahas konferencës, në Tiranë u çel edhe ekspozita “Kujtesa e Kosovës”, me botime të Rugovës dhe për Rugovën, të cilat janë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Në të ekspozohen botimet më të hershme, gjurmët e para si dhe me libra studimorë, teorikë, kritikë, eseistikë, biografikë, punime dhe ese, si një përzgjedhje në përpjekjen që të jepet sa më e plotë tabloja për jetën dhe veprën e tij, një pikënisje që përkon me marrjen dhe dhënien e asaj çfarë krijohet dhe çfarë ruhet nga trashëgimia e shtypur e kujtesës për Rugovën.

Krahas ekspozimit të librave, për vizitorët u prezantua edhe ekspozita e fotografive dokumentare për Rugovën, të fotografit Fahredin Spahija. Koleksioni i fotografive iu dhurua Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, raporton Kult.plus. (r.m.)

 

Postime të ngjashme