Nën hijen e tejzgjatun të krimeve të Stalinit

stalin-hung01

Nga Sami Repishti.

Pak ditë ma parë, në Shqipëri u përkujtue nji nga ditët ma të zeza e ma kriminale në historinë bashkëkohore të vendit tonë: masakra e 26 shkurtit 1950. Viktimave të pafajshme, dëshmorë të demokracisë, lavdi dhe paqen e përjetshme që aq shumë e meritojnë! Atë ditë fatale, 22 intelektualë me përgatitje arsimore perëndimore dhe figura të shqueme të shoqënisë shqiptare, u ekzekutuen pa gjyq, pa faj, pa mbrojtje.

Qëllimi i zyrtarëve të Partisë Komuniste Shqiptare, krijesë artificiale e agjentëve titistë jugosllavë, me në krye kriminelët Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, ka qenë me manifestue botënisht dhe në mënyrë të pakthyeshme besnikërinë e pakufishme të “liliputeve” komuniste shqiptare për “kolosin” e Bashkimit Sovjetik satrapin aziatik J.V.Stalin, “koka e kampit të madh socialist”, simbol i sistemit të padrejtësisë, i dhunës së përditshme, dhe i shfarosjes masive të kundërshtarëve politikë.

Masakra e 26 shkurtit 1950 ka qenë akti publik i nënshtrimit pa kushte, pa hezitim, pa rezerva ndaj Bashkimit Sovjetik e “udhëheqësit” të këtij kampi, J.V.Stalin. Frazeologjia e nënshtrimit pa kushte nuk ashtë origjinale shqiptare.

Në Statutin e Partisë së Re Komuniste Jugosllave (staliniste), parti klandestine prosovjetike, lexohet: Neni 1. Partia e re Komuniste Jugosllave do të punojë pa kondita, pa rezerva, pa hezitim për Bashkimin Sovjetik”; dhe Neni 2. Partia e re Komuniste Jugosllave do të luftojë pa kondita, pa rezerva, pa hezitim për Bashkimin Sovjetik”.

Kështu e deshi Stalini! Mbas prishjes së marrëdhanjeve Tito-Stalin, për Shqipërinë komuniste kjo ka qenë periudha e nënshtrimit të plotë ndaj autoritetit të padiskutueshëm të Moskës. Vendi jonë ishte thjesht nji satelit! Me prishjen e marrëdhanjeve, qershor 1948, edhe udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare, e drejtueme nga kriminelët Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e shërbëtorët e tyne besnikë, përfitoi nga rasti dhe doli jashtë tutelës jugosllave, ku ata dhe P.K.Sh. e kishin rreshtue Shqipërinë që në ditët e Luftës Nacionalçlirimtare.

Ish-antifashisti mendjendritun, profesor Gjergj Kokoshi, i dënuem në vitin 1947 me 20 vjet burgim, si anëtar i grupit (fiktiv) të deputetëve, përsëriste në burgun e Burrelit: “Ne jemi ma të poshtër se fashisti Mustafa Kruja. Ai nuk e solli Italinë fashiste; ai e pranoi dhe i shërbeu okupatorit. Por na e çliruem Shqipërinë më 28 nandor dhe më 29 ia dorëzuem Titos peshqesh”. Profesor Kokoshi vdiq në burg!

***

Tri vjet ma parë u botue studimi i historianes se mirënjohun Anne Applebaum, (autore e librit “Gulag”, fituese e çmimit prestigjioz Pulitzer) me titull “Perdja e HekurtShtypja e Europës Lindore -1945-1956”, ku ajo dokumenton tmerret e terrorit stalinian, të makinës vdeksore staliniane, e ideume dhe e manovrueme nga vetë J.V.Stalini “… për shtypjen dhe kolonizimin e Europës Lindore në dekadat e para të mbas L2B”.

Gjithçka e dokumentueme, gjithçka arkivore si rezultat i punës kërkuese të pandërpreme, intervista me të mbijtuemët dhe përfundime plotësisht bindëse. Aty gjejmë informatat tashti të dokumentueme mbi tankset sovjetike që trasportojshin në Poloni, Hungari, Rumani, Bullgari, Çekosllovaki dhe Gjermani Lindore agjentët e stërvitun sovjetikë, misioni i të cilëve ka qenë me krijue nji “kordon” shtetesh diktatoriale rreth Bashkimit Sovjetik dhe krejtë- sisht nën urdhnat e Bashkimit Sovjetik.

Për nji sukses të plotë të kësaj ndërmarrjeje duheshin “kuislingët e kuq” , “fasada e turpshme” e kriminelëve fanatikë e injorantë njikohësisht, nji përziemje e rrezikshme dhe eksplozive që, na shqiptarët, njohim shumë mirë. Kështu u arrit krijimi i nji klase politike bashkëpunëtorësh të indoktrinuem dhe të paskrupull, të gatshëm me shërbye interesat e padronit sovjetik.

Prishja e marrëdhanjeve me Titon ka qenë thjesht revoltimi jugosllav kundër këtij dominimi brutal sovjetik, nji akt historik që nderon. Pavarësia e vendit zuni radhën e parë mbi ideologjinë, nji parim themelor që “subsateliti Shqipëri” nuk e aplikoi kundër Titos! Në Shqipëri, gjatë viteve 1944-48, nji fenomen i tillë u përjetue me padronët jugosllavë. Çdo gja u diktue nga Beogradi dhe çdo kundërshtim u dënue pa mëshirë.

Çdo pengesë e akt mosnënshtrimi të plotë ndaj Jugosllavisë, u zhduk me egërsinë e forcës brutale të Sigurimit të Shtetit. “Pa Jugosllavinë e Mareshalit Tito, as që mund të mendohet pavarësia e Shqipërisë”, deklaronte nxanësi i Miladinit, E. Hoxha. Kjo atmosferë e krijueme nën presionin e instruktorëve jugosllavë dhe e zbatueme me besnikërinë e nji qeni të stërvitun, nga ishkuislingët e kuq komunistë shqiptarë të atyne viteve, ashtë përgjegjëse para historisë për krimet e panumërta dhe të pafalshme që u kryen në kurriz të nji populli që kundërshtonte.

Ishte pjesa ma koshiente e popullsisë: popullsia e Veriut antisllav e figurat e shqueme të lëvizjeve patriotike të Jugut u banë objekti i parë i çizmes shtypëse “partizane” që vrau pa pyet, dogji pa ndërgjegje shtëpi e fshate të tana kudo që kalonte dhe mbushte burgjet e kampet e internimit, sidomos këto të fundit, me pleq, gra e fëmijë “reaksionarë”… për 45 vjet me radhë! E llahtarshme!

Kleri, sidomos kleri katolik shqiptar, u ba objekti i dytë. Kjo qendër rezistence shekullore që mbajti të gjallë me shekuj “frymën shqiptare”, e refuzoi shkëputjen nga Perëndimi me lidhjet e pandërpreme fetare e kulturore, diga ma e fortë kundër invadimit sllav të trojeve tona, u shue në shërbim të binomit “Fe e Atdhe”.

Intelektualët e paktë të arsimuem në qendrat universitare europiane me formim demokratik dhe shpresa ma e madhe e vendit tonë për nji rihymje në Europë, u korrën radhë mbas radhe, vetëm për bindjet e tyne politike, për qëndrimet e tyne prodemokraci, e për mospranim të konformizmit të detyruem që kërkonte “Nëna Parti!”.

Ky teatër terrori u përcaktue, metaforikisht, nga stalinisti ma i bindun i Europës Lindore, hungarezi Matias Rakosh: “Opozitat në fush- ën politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore, duhet të shkatërrohen si mish i grirë në maqinë…” Dhe ashtu u veprue! Kësaj përçudnie makabre i mbante ison kuislingu shqiptar: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut, pa treguar as më të voglën tolerancë. Enver Hoxha”. (Arkivi i F.A.-Dosje 45,v.1944).

Anne Applebaum tregon se “thikat” për nji copëtim të tillë u mprehën para mbarimit të L2B në qendrat speciale sovjetike, veçanërisht për stërvitjen e komunistëve të Europës Lindore. Në këtë mënyrë, me “çlirimin” e këtyne vendeve, agjentë të besueshëm do të ishin të aftë me marrë në dorë shërbimet e fshehta policore në çdo vend të “çliruem”.

Hapi i dytë ishte marrja në zotënim e mjeteve të informimit: radio-stacionet, gazetat, revistat e tjera si mjet i plotfuqishëm për propagandën e përditshme dhe indokrinimin e popullsisë. Hapi i tretë, ishte persekutimi dhe eliminimi i të gjitha institucioneve të pavaruna, që nga grupet e rinisë, shoqatat bamirëse, shkollat private, kishat e sidomos shkatërrimi i partive politike rivale. Metoda të njëjta u përdoren edhe nga “kuislingët” komunistë shqiptarë nën drejtimin e agjentëve të stërvitun jugosllavë ma parë dhe sovjetikë ma vonë.

Fatkeqësisht, egërsia e tregueme në shtypje dhe persekutim ka pasë vulë shqiptare… hakmarrjen! Pikësynimi? Eliminimi i çdo pengese në mënyrë sa ma të plotë dhe sa ma shpejt. Arsyeja? Përgatitje për “Luftën e Tretë Botënore”: luftën e fundit, luftën finale, botën internacionale! Dokumentacioni i arkivave sovjetike konfirmon këtë tezë. Këtë përshtypje kam pasë edhe unë gjatë hetuesisë 14-mujore në dhomat e Sigurimit.

Qartazi, kapiteni hetues, injorant e fanatik, përsëriste para meje materialin e “konferencave edukative”. “Ju krenoheni me bombën atomike amerikane. Për së shpejti, Bashkimi Sovjetik do të prodhojë bomba edhe më të mëdha, edhe më shumë”. “Ju prisni fillimin e një Lufte të Tretë Botërore që të liroheni nga burgu. Ju nuk dilni të gjallë nga burgu…

Sa për luftën e tretë, ajo do të filloje kur ta duam ne… dhe do të jetë fitorja e jonë finale…”. Mandejme, gjestin e nji inkuizitori superior mbi viktimën e dërrmueme, shtonte: “Por më parë, do të spastrojmë terrenin… të mos kemi kokëçarje më vonë… e ju… do t’ju eliminojmë pa mëshirë!”. Natyrisht, unë i ri njëzetvjeçar ishe, i paaftë me kuptue randësinë e bisedës së kriminelit hetues. Në fakt, satrapi aziatik J.V.Stalin përgatitej me lëshue nji ofensivë drejt Perëndimit me 200 divizionet e vendosuna në Europën Lindore..

Por efekti i fjalëve të hetuesit më ashtë ngulë në kujtesën time. Sot, mund të them me nji përqindje të madhe se “grirja me maqinë” rakoshiane pa mëshirë e udhëheqësve vendorë e politikë të Veriut të Shqipërisë ashtë krye me instruksione nga jashtë, kundër nji mase popullore historikisht anti-serbomalazeze. Qëndresa e Kelmendit dhe “Lëvizja e Malësisë së Madhe” (1945) dhe nji vit ma vonë “Lëvizja e Postribës (1946) u shfrytëzuen për pastrimin radikal të elementit demokratik, nacionalist, të kulturuem: qindra, ndoshta mijëra të vramë pa faj e pa gjyq për tmerrin e popullsisë lokale.

Nuk ashtë për t’u çuditë që kjo popullsi e viktimizueme e shikoi ardhjen e “brigadave partizane” si nji pushtim të Veriut nga Jugu. Komandantet e brigadave komuniste mbajtën nji qëndrim të këtillë…! Në Europë, në përgjithësi, u përjetue ringjallja e imperializmit rus me okupimin e tokave polake, shtetet baltike, territore finlandeze, sllovake e rumune etj.

Në nivel të dytë, në Ballkan u përjetue themelimi i nji Jugosllavie të dytë artificiale dhe mohimi i së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje. E gjitha kjo me aprovimin e “kuislingëve të kuq” të Tiranës. [Çuditërisht, natyra e imperialzimit rus u njoh ma shumë se 150 vite ma parë. Gazeta “The New York Daily Tribune” shkruente: “Politika ruse nuk ndryshon. Metodat, taktika, manovrimi mund të ndryshojnë, por ylli polar i politikës ruse, sundimi mbi të gjithë botën, ashtë nji yll i fiksuem.

Ka vetëm nji rrugë që duhet ndjekë në marrëdhanjet me Rusinë, dhe kjo rrugë ashtë rruga që nuk njeh frikën (fearlessness)”. Autori? Karl Marx!(The NYTimes, 10 maj 1972,f.43]. Ashpërsimi i gjendjes së mbasluftës në Shqipëri u shkaktue edhe nga tirania e çmendun e kryekriminelit E.Hoxha; tragjedia e jonë kombëtare mori përpjesëtimet e njohuna edhe për faktin se ish-udhëheqës të Luftës Nacionalçlirimtare pranuen nënshtrimin e vendit ndaj “Partisë”, që efektivisht ishte “partia e njëshit” pa demokraci të mbrendshme. “Këndesi i Gjirokastrës” nuk lejonte nji të dytë!

Ma në fund, pa aftësia e sistemit të ekonomisë së kontrollueme rigorozisht, dhe ringjallja e kryenaltësisë kombëtare prodhuen pakënaqsi, sidomos në klasën punëtore që përfaqësonte justifikimin e vetë sistemit. Regjimi u shemb nga pesha e randë e krimit, së keqes së grumullueme nga paaftësia me fitue mendjet dhe zemrat e popullsisë, dhe me mbushë stomakët e shtresave të gjana të popullsisë me bukën e përditshme.

Ndërgjegjësimi i nji situate të këtillë kritike detyroi M.Gorbaçevin e B.S. me përmbajte egon e imperializmit rus, me shkarkue barrën e randë ekonomike të vendeve të dështueme socialiste, e me kërkue “mirëkuptimin” për nji sistem me mendime të hapuna (glasnost) dhe me forma organizative bashkëkohore (perestrojka).

Po koha për nji korrigjim kishte kalue. Dëshira për liri ishte e papërmbajtshme. Ajo që filloi në 1980 me punëtorët në Gdansk të Polonisë, përfundoi me bashkimin e Gjermanisë, e ndryshimet drastike në jetën politike të B.S., sidomos paaftësia me mbajtë të “bashkueme” 16 republikat e perandorisë së B.S. Shembulli i B.S. ashtë historikisht prova ma e mirë se shtypja totalitariste përfundon në disfatë dhe se pasioni i natyrshëm për liri triumfon.

Ajo që na mbetet, ashtë të studiojmë natyrën e diktaturës, të zbulojmë “sekretet” e saj, dhe të punojmë që ajo të mos përsëritet kurrë. Kurrë ma 22 shkurte të tjera në Shqipëri. Për 25 vitet e të ashtuquejtunit “tranzicion” nga diktatura në demokraci, na vuejmë akoma rrjedhimet e hijes së tejzgjatun të sistemit kriminel stalinian që ka trullose mendjet tona.

Fjalët e gazetarit shqiptar Kim Mehmeti: “Nuk ndërtohet parrizi më muratorët e ferrit” duhen kuptue mirë. Sepse, këtë “mashtrim” që përjetojmë në Shqipëri, e paguejme sot shumë shtrenjtë.

***********

Botuar më 7 Mars 2016 në http://www.panorama.com.al/nen-hijen-e-tejzgjatun-te-krimeve-te-stalinit/

 

Postime të ngjashme