“Një jetë” në kërkim të proçesverbalit të PPSH-së

partia komuniste

Zef Ndoja, gjatë kohës që në 4 maj 1942 kryhej bastisja e shtëpisë arkivë të PKSH, tentoi të ikte, por disa metra larg shtëpisë u qëllua me armë nga karabinierët, u plagos dhe u arrestua. Gjithnjë sipas variantit më të përhapur gjatë gjysmëshekullit “socialist”, të nesërmen, pra në 5 maj 1942, në mëngjes, policia italiane ndali personin me emër Beqir Minxhozi, i cili punonte në Bankën Kombëtare të Punës (Banca Nacionale del Lavoro). Sipas Prof. Kristo Frashërit, i cili mbështet këtë zhvillim të ngjarjeve, në aktpadinë e prokurorit thuhet se ndalimi i tij u krye në bazë të informacionit të Ludovik Nikajt. Si edhe të parën, ky e kishte sugjeruar këtë adresë të dytë si të mundshmen për të kapur të shumëkërkuarin, Qemal Stafën.

Në denoncimin e tij, ish-anëtari i PKSH-së, Nikaj, fashistëve u pati ngulur këmbë se Qemali ishte në kontakt të vazhdueshëm me Beqirin. Në aktpadi thuhet se ky i fundit u gjet me një pistoletë. Po ashtu kishte me vete edhe një kontratë qiramarrje të një shtëpie. Ajo ishte e nënshkruar në 2 maj 1942, saktësisht në ditën kur Ludovik Nikaj shkoi në kuesturën e Shkodrës dhe kreu kallëzimin e tij.

Karabinieria, doemos, shkoi menjëherë tek adresa e kësaj banese me qira, sepse dyshoi që ishte marrë me ngut. Nuk gabonin. Në atë banesë qenë gdhirë atë natë, bashkë me Qemal Stafën, edhe Kristo Themelko, Drita Kosturi (e fejuara e Qemalit), Xhustina Sata dhe kushërira e saj Maria Lezha. Kjo kishte qenë më parë e fejuara e Ludovik Nikajt.

Siç e shihni në asnjë rresht të operacionit kundër komunistëve shqiptarë në atë fillim maj 1942, shtatë muaj pas themelimit të PKSH-së, nuk flitet për ndonjë person të kërkuar me emrin Enver Hoxha. Ai në fakt ishte njëri prej të treve të grupit administrues të partisë, aspak me statusin e ndonjë shefi, dhe gjatë atyre muajve nuk u kish rënë në sy italianëve.

Ta kishin gjetur karabinierët në dokumentet e themelimit të PKSH Enver Hoxën si udhëheqës të saj do ta kërkonin gjithkund. Ca më tepër do ta ndiqnin këmba këmbës nëse do të ndodhte që nga leximi i shënimeve protokolluese ai të rezultonte si nxitës apo autor veprimesh kundër italianëve. Në një rast të ngjashëm, duke ja gjetur emrin të përmendur kështu, ata shkuan gjer në ishullin Ventontene dhe i shtrënguan për herë të dytë prangat të internuarit politik Zef Mala.

Tek vrasja e Qemal Stafës në 5 maj 1942, të nesërmen e gjetjes së bazës dokumentare dhe të materialeve luftarake e propagandistike të PKSH-së, kur do të nisë edhe intriga shumëdekadëshe rreth procesverbalit të mbledhjes themeluese, përherë e më shumë shtohet një mjegull mjaft e dendur, e cila jo rrallë i ngjan një tymi të shkaktuar prej një zjarri të qëllimshëm.

Mes dokumenteve të rëna në dorë të karabinierisë sidomos me rëndësi të jashtëzakonshme qenë 300 fletët e tre fletoreve të mbushura nga Qemal Stafa me gjithçka ishte thënë e cilët qenë ata që i patën shprehur. Aty ndodhej vetë “kodi” i mendësisë së themeluesve, prej ku edhe analiza e atyre momenteve mund të bëhej sa më e plotë. Deri në pranverën e vitit 1943, kur fashistët mbi bazën e tyre dhe duke i pasur ato si provë gjyqësore, përgatitën një aktpadi kundër 204 komunistëve shqiptarë, dokumentet ndodheshin në kasafortat e prokurorisë fashiste.

Kjo gjendje zgjati deri në kapitullimin e Italisë dhe hyrjen e shpejtë të gjermanëve. Nuk u ndoq dot fati i tyre gjatë këtij pushtimi të fundit, por me t’u çliruar vendi nisi një kërkim i etshëm për t’i gjetur. “Në fillim, siç shkruan historiani Kristo Frashëri, u mendua se ato ishin tërhequr në Romë, në kohën e kapitullimit të Italisë”. Pastaj shton: “Por edhe hetimet që u ndërmorën nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së në Itali me ndihmën e disa komunistëve italianë, nuk dhanë rezultat”.

Ky kërkim i ethshëm, non stop, përfundoi pa rezultat në vitin 1952 dhe pak nga pak nisi të bëhej i besueshëm zyrtarisht një variant tjetër. Profesor Frashëri këtë zhvillim të ri e shpjegon kështu: “Në vitin 1953, në bazë të disa indikacioneve të tërthorta, u formua bindja se defterët me procesverbalet në shqip dhe shkrimet në sllavisht, së bashku me dokumente të tjerë, ishin djegur në nëntor 1944, gjatë ditëve kur zhvilloheshin luftimet për çlirimin e Tiranës”.

Historia i shumënjohur, edhe vetë protagonist i luftës dhe i vetë PKSH-së, më tej nuk jep asnjë hollësi. Kështu që prej vitit 1953, ku u duk sikur triumfoi teza e djegies së qëllimtë prej pushtuesve, shpresë apo edhe vetëm fjalë për ndonjë mundësi të gjendjes së tyre nuk ka pasur më. Ishte Spartak Ngjela që në 22 qershor 2017 e rindezi këtë çështje, i sigurt se në amanetin e tij në 1979 Zef Mala nuk e kishte dizinformuar.

Paketa e bllok-fletoreve të procesverbalit këtij i qe paraqitur në Itali, me siguri në burgun e Romës, ku i riarrestuar në ishullin Ventontene qe transportuar në kthim të afërt për në Shqipëri. Përse të mos i besojmë kujtesës së tij për një ngjarje shumë ngulitëse në tru.

Ajo që i është paraqitur në dosjen e akuzës Zef Malës mund të mos ketë qenë, ndoshta, lënda origjinale, edhe pse në amanetin e tij për Spartak Ngjelën ai kupton pikërisht këtë gjë. Pse të mos ketë qenë një material shkrimor i daktilografuar dhe Mala, armik i palëkundur me Enver Hoxhën, është përpjekur që në prag të vdekjes në 1979, me misionin testament që i la bashkëvuajtësit Ngjela, dëshironte t’i sajonte persekutorit të tij gjestin më të mundshëm të marrjes hak?

Ta provonte dhe ta damkoste si mashtrues ordiner. Nuk do të kishte goditje më të fortë kundër Hoxhës së gjallë dhe në një ditë të ardhshme edhe të vdekur, se sa regjistrimi në kujtesën kombëtare të gënjeshtrës së tij bufalaqe se pati qenë themeluesi dhe udhëheqësi “babë” i Partisë Komuniste Shqiptare.

Kur Spartak Ngjela ia dërgoi letrën e shkurtër të sekretit që dinte për fatin e procesverbalit Ramiz Alisë, edhe ai shpresonte se Alia mund ta reviziononte regjimin stalinist dhe deheroizuar Enver Hoxhën. Siç dihet në nëntor 1986, pra nëntë muaj pas dërgimit të letrës së të burgosurit politik Ngjela, Ramiz Alia realizoi Kongresin e Vazhdimësisë.

Një mister tjetër në 2006: Arkivat e Shtetit e pengojnë Profesor Kristo Frashërin

Deri tani Zef Mala mbetet i vetmi dëshmitar i ekzistencës së procesverbalit të mbledhjes themeluese të PKSH-së. Të tjerë nuk janë shfaqur. Heshtja është totale dhe shumëdekadëshe. Ajo që ta ngacmon dyshimin e shumë mistereve mbi këtë të vërtetë është një dëshmi e vetë Prof. Kristo Frashërit, e vitit 2006, sipas të cilës në Arkivat e Shtetit, me gjithë këmbënguljen e tij, nuk i kanë dhënë për ta ristudiuar as materialin e aktpadisë. Kanë nxjerrë si shkak se ai nuk ndodhej aty!!

Me sa duket Enver Hoxha vigjilon edhe tani mbi dëshmitarët e padëshiruar të karrierës së tij të pompuar. Ai nuk i ka parë larg punët e Shqipërisë, por të vetat për të mbijetuar përtej shekullit të njëzetë. Profilaksia e tij siguruese qe spastrimi, asgjësimi fizik.

Kështu menjëherë pas çlirimit ai shpalli fajtorin e kallëzimit të bazës në rrugën “Ceno Sharra, 83”, banesë e Zef Ndojës. Tek “Kur lindi Partia”, në kapitullin “Konferenca e jashtëzakonshme e PKSH” (28-29 qershor 1942), E.H. shkruan se ndërsa po përgatitnin këtë veprimtari “u ndodhëm përballë një situate shumë të rëndë: agjenti provokator Ludovik Nikaj, i cili kishte mundur të penetronte në radhët e Partisë, i kishte dhënë kuesturës fashiste informata të hollësishme e tepër të rëndësishme për disa nga bazat më kryesore të partisë sonë në Tiranë. Këtë njeri të urryer as e kisha parë e as i kisha dëgjuar kurrë emrin më parë, në strukturat organizative të Partisë si nuk kishte asnjëfarë funksioni. Punën e tij armiqësore ai e bëri mbi baza njohjesh personale.

Duke përfituar nga lidhjet familjare si edhe nga qëndrimet e pakujdesshme e toleranca e pafalshme e disa shokëve, kishte arritur të futej si “i shtëpisë” në disa nga bazat kryesore ku ndodhej teknika e Partisë, ku punonin e strehoheshin shokë të Komitetit Qendror të Përkohshëm e të Qarkorit të Tiranës etj. Të gjitha informatat që mblodhi ai ia dha kuesturës dhe terrori e bastisjet shpërthyen si kurrë ndonjëherë”.

Pasojat ndodhën ashtu siç Hoxha i përshkruan, ndërkaq, siç e shihni, ai e trajton Ludovik Nikajn si agjent të pushtuesve, si person të futur qëllimisht mes komunistëve për t’i spiunuar dhe shkatërruar ata. Por a ishte e tëra kjo e vërteta? Ludovik Nikaj nuk shkoi me këmbët e tij në kuesturën e Shkodrës dhe spiunoi. Ai u arrestua në 2 maj 1942. Përfunduan operacionet e goditjes së rëndë kundër PKSH dhe autoritetet fashiste, pas dy javësh e përcollën si të internuar në Itali. Kur ra në duart e njerëzve të Enver Hoxhës ishte pothuaj e njëjta ditë e muaj, veç të tre viteve më pas, në 1945. Ai u nxor para Gjykatës Ushtarake të Korpusit të I-rë në Tiranë, strukturë që vepronte në kuadër të “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”.

Përpara tre gjykatësve dhe një prokurori, që të katër me uniforma, Ludovik Nikaj (i vitlindjes 1921) dhe bashkëshortja e tij Qefsere Begaj (e vitlindjes 1925), i shpjeguan kështu përgjegjësitë e tyre. Akuzës se qe “agjent provokator i fashizmit, tradhtar i Partisë Komuniste, vënë në shërbim të Shërbimit të Fshehtë Ushtarak Italian, SIM”, ai iu përgjigj “Kam qenë anëtar i Partisë Komuniste dhe bëja aktivitetin në Tiranë. Kam shkuar për punë partie në Shkodër dhe prej andej do të shkoja në katundet e Mirditës ku kisha shumë miq për propagandë. Duke qenë se situata ishte bërë shumë e rrezikshme nuk kam mund të shkoj dhe kështu kam vendosur të kthehem në Tiranë. Në fushë të Çelës, te agjencia e Pjetër Çurçijes, më rrethon policia dhe si të dyshimtë më kërkuan letërnjoftimin që unë e kisha të ndryshëm dhe ja dhashë.

Më thanë se për formalitet do të më dërgonin në polici. Më dërguan në kazermë së bashku me nënën time më 2 maj 1942. Në kazermë ka qenë një i quajturi Xhemal dhe një Nush Doda. Më pyetën për emrin. I thashë se quhesha Lutfi Deliu. Më rrahën. Gjendja ime shpirtërore ishte e keqe pasi më fejuan kundër dëshirës time me një vajzë që nuk e dashuroja. Nga kjo gjendje kam treguar vetëm shtëpinë e Zef Ndojës si dhe një bazë, por asnjë shok nuk kam treguar. Për sa thotë SIM-i nuk është e vërtetë. Nuk luftova kur më kapën pse nuk kisha armë. Nuk di kush e ka treguar shtëpinë në Institutin Femëror. Kam treguar se rrija në shtëpinë e Zef Ndojës dhe nuk kam treguar njeri…. Pas arrestimit tim me të vërtetë janë kapur shumë shokë, por jo sa flet SIM-i. Kjo bëhet për inate personale ose për xhelozi dhe dyshoj për Gjustinën pse Marien Lezhën e kam kushëri. Unë mot e gjysmë kam dashur të hidhem në parti por nuk më kanë pranuar.…

Në Shkodër më mbajtën në kuesturë për 10–15 ditë dhe më pas më internuan në Itali, por jo me qëllimin që të më ruajnë. Në Itali isha në kamp me izraelitë e jo me shqiptarë”. Qefsere Bega para tre gjykatësve dhe prokurorit shpjegoi se ishte arrestuar së bashku me Ludovikun dhe pati qëndruar e izoluar në burg. Atje kishte qenë dëshmitare e sulmit me bomba që iu ishte bërë në Shkodër. Sipas shpjegimit të saj ajo qe fejuar me Ludovikun në vitin 1941 dhe se ky, gjatë arrestimit nga italianët ishte plagosur në kokë. Sipas dokumentit të bërë publik nga studiuesi Kastriot Dervishi, në bazë të neneve 14 dhe 15 të ligjit nr.41 “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”, Ludovik Nikaj u dënua me vdekje dhe Qefsere me 2 vite burgim.

Në 17 maj 1945 këtë vendim të gjykatës ushtarake të Korpusit të I-rë në Tiranë tre gjyqtarë të tjerë dhe një prokuror, edhe këta të gjithë ushtarakë, anëtarë të Gjykatës së Lartë, e lanë siç i qe dhënë. Një ditë më pas, më 18 maj, me një shpejtësi të rrufeshme, Enver Hoxha firmosi pushkatimin e Ludovik Nikajt. Kështu i akuzuari si agjent i SIM-it dhe përgjegjësi kryesor për zbulimin e bazës, ku ruheshin, mes të tjerash, edhe dokumentet e ditëve themeluese të PKSH-së dhe procesverbali, mori me vete, në nëntokë, bashkë me fajet e tij, edhe një pjesë të synimit të Hoxhës për ta shndërruar në kryemëkatarin e shkatërrimit të bazës me dokumentet e partisë.

Për ta groposur të vërtetën u prodhuan dy filma dhe një dramë

Më pas Enver Hoxha do të kujdesej vetë që mbi Nikajn të binte një ortek i tërë propagande djallëzimi, intensiv dhe i sofistikuar si për asnjë tjetër. Në qoftë se prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, nga diktatura staliniste do të kishte vetëm një komedi diskriminuese, Ludovik Nikaj do të pësonte filmin posaçërisht për të, “Vendimi”, dramën “Komunistët”, të vënë nga Teatri Kombëtar, si edhe një film të dytë, “Qortimet e vjeshtës”, kushtuar Qemal Stafës dhe ku tërthorazi akuzohet ai si spiun i bazës ku ky ishte fshehur. Qe i gjithë një art me pak të vërtetë. Tek “Vendimi” tregohet se si një njësit komunist e arrestoi Ludovikun në Itali dhe e solli me forcë në Shqipëri, “për të marrë dënimin e merituar”. Sipas Kastriot Dervishit dhe ai tezën e vet e ka publikuar të shoqëruar me provat përkatëse, kthimi i Ludovik Nikajt në atdheun e tij ndodhi për shkak rrethanash krejt të tjera.

Kjo histori gjendet e zbardhur dhe e padyshimtë në të paktën dy shkresa të shefit të Misionit Ushtarak Shqiptar pranë fuqive aleate në qytetin e Barit, Kadri Hoxha, dërguar Tiranës dhe Durrësit. Ja teksti i njërës prej tyre: “Shoku Ludovik Nikaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Qefser Begaj nga Tirana, u prezantuen pranë këtij Misioni vullnetarisht duke propopozue se dëshirojnë me u kthye në Shqipni dhe njikohësisht që të shifeshin personalisht me ju. I naltpërmenduni, simbas informatave që kemi pas, gjatë kohës s’internimit këtu në Itali, ka pasun nji sjellje shembullore dhe, me sa ka mundun, ka punue ne nji mënyrë të drejtë duke përkrahë Lëvizjen Nacional Çlirimtare në përgjithësi”. Në 17 mars, sipas shefit të Misionit Ushtarak Shqiptar, seksioni komunist italian i Porto Kanones i bënte një letër falënderimi Ludovik Nikajt, në të cilën i shprehte mirënjohjen “për kontributin e dhënë prej tij në organizimin të seksionit në fjalë”. Në 23 mars Kadri Hoxha i nisi Komandës së Qarkut në Durrës këtë shkresë të dytë: “Lutemi që letërprurësin, shokun Ludovik Nikaj nga Shkodra, së bashku me bashkëshorten e tij, shoqen Qefser Begaj nga Tirana, të përcillen direkt për Tiranë.

Lypset që t’ju gjeni mjetin e transportit si dhe nji person që t’i dërgojë drejt ke shoku xheneral Koçi Xoxe, i cili, mandej, ka me i prezentue pranë komandantit të përgjithshëm”. Çifti Nikaj mbërriti në portin e Durrësit në 29 mars dhe u arrestua menjëherë. Pastaj i dërguan me ngut në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit në Tiranë. Sapo mbërriti këtu Ludoviku i shkroi një letër të shkurtër Enver Hoxhës. I thoshte se kishte nevojë të bisedonte me të gjithçka, “edhe gjënë më të vogël”. Studiuesi Dervishi ngul këmbë se në dosjen penale kundër tij janë kryer manipulime të mëdha mbi gjoja “të dhënat e SIM-it”. Nuk ka asnjë të tillë, ngul këmbë studiuesi. Të gjitha citimet “janë marrë nga aktakuza kundër 203 komunistëve, të hartuar më 19 prill 1943 në Tiranë nga hetuesi major Sertorie Gresentini, një material i cili ka përdorur emrin e L. Nikajt më shumë si procedurë se sa mbi bazën e deklarimeve të tij”. Studiuesi Dervishi ka vënë re, kur bëhet fjala për gjoja spiunimin që Ludovik Nikaj i paska bërë Qemalit, se shtëpia ku ky u rrethua, ishte kontraktuar me qira më 2 maj 1942, pra në të njëjtën ditë kur Ludovik Nikaj do të arrestohej në Shkodër. Prandaj edhe pyet: “Atëherë si mund të lidhej akuza për dekonspirim të bazës kur Nikaj nuk e dinte se ku ndodhej kjo?”

Vërtet, njëri në Shkodër dhe tjetri në Tiranë në të njëjtin çast të ditës, nuk mund të dinin gjë çfarë bënte secili prej tyre. Ludoviku nuk kishte asnjë dijeni për shtëpinë tjetër, ku të nesërmen e kontrollit të bazës me dokumentet themelore të krijimit të PKSH-së, u rrethua dhe u vra në luftime Qemal Stafa. Por Enver Hoxha e kishte menduar me kohë si t’ia shkarkonte të gjitha fajet e fushatës fashiste që nisi më 4 maj 1941, vetëm Ludovik Nikajt. Ai do të trajtohej si një pus i thellë, në të cilin do të hidheshin dhe pastaj groposeshin, të gjitha akuzat dhe fjalënajat. Logjika e thjeshtë ta do, se po të akuzohej për kaq shumë krime, ai nuk kish përse, bashkë me të shoqen, të kthehej në Shqipëri, madje të kërkonte edhe ta takonte Enver Hoxhën. Ai e ndjen se ka pak faje dhe me siguri Hoxhës do t’i lutej ta falte.

Çuditërisht është Hoxha që në vitin 1981, tek “Kur lindi Partia”, harron se të gjitha të këqijat tridhjetë e pesë vite të shkuara i ka zbrazur tek vetëm Nikaj. Këtë herë, katër vite para se të ndërronte jetë dhe pa e sqaruar asnjë grimë përse Ludoviku dëshironte patjetër ta takonte dhe ai nuk e priti, ai gjen edhe një fajtor tjetër të madh. Apo justifikim. Shkruan se pas kontrollimit të “Ceno Sharra, 83”: “Ndër të parët që u kap ishte Zef Ndoja. Ky, që me presionet e para të fashistëve, kapitulloi, dhe…u kthye “në një thes me miell” që, sa herë i binin fashistët me shkop, diçka të re do të zbrazte. Për fat të keq dinte shumë dhe ia lëshoi të gjitha armikut”. Shihni! E.H. pohon se Ndoja dinte shumë, çfarë ne nënkuptojmë se Ludovik Nikaj dinte më pak. Ja edhe fraza që e shpërndan përgjegjësinë dhe nuk ja lë barrën të gjithë këtij të fundit: “Në bazë të të dhënave që mori…armiku mundi të arrestonte në Tiranë e në rrethe të tjera një numër komunistësh…

Bazat ku ruanim teknikën u bastisën dhe, fashistët arritën të shtinin në dorë përveç mjeteve tona të shtypit ilegal, edhe dokumente të një rëndësie të dorës së parë, ndër të cilat edhe proçesverbalin e mbajtur gjatë ditëve dhe netëve historike të nëntorit, kur u mblodhëm dhe themeluam Partinë. Armiku kështu kishte në duar krejt listën e anëtarëve të Komitetit Qendror Provizor, si edhe emrat e dhjetëra shokëve të tjerë që i gjeti në dokumentet që kapi”. Në 1981 Hoxha bën kujdes të mos e teprojë me sajimin e ndonjë legjende se karabinierët ia patën gjendur emrin në këto dokumente si drejtuesi i PKSH-së që në 8 nëntor 1941 dhe e patën kërkuar posaçërisht për ta arrestuar. Nuk bën asnjë çap rrugë në këtë shteg qorr. Thua ende druhej prej ankthit se e kërkoi tërë jetën ta fuste në dorë e ta mbyllte me heshtje atë procesverbal që provonte se nuk ishte numri një i partisë. Ky, si të qe për të një mallkim, diku mund të qe fshehur. Apo të “flinte” nëpër rrëmujë arkivash përtej detit, në Itali, ku raste të tilla të ngjashme janë tepër të shpeshta.

Tiranë, më 28 qershor 2017

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/procesverbali-i-pagjetur-ankthi-p-r-t-r–jet-n-i-enver-hoxh-s-428139.html

Postime të ngjashme