Një libër për Lëvizjen Studentore (dhjetor 1990-shkurt 1991)

libri-st

Nga Afrim Krasniqi.

Në historinë e një vendi ka data e ngjarje, të cilat sado modeste të duken në përditshmërinë e tyre dhe nga ata që i jetuan, me kalimin e viteve bëhen pika referimi, detajet marrin solemnitet dhe produkti i tyre bëhet gjithnjë e më mitik. Përmes tyre popujt krijojnë piedestale, duan të tregojnë se edhe ata kanë për cfarë të krenohen dhe për më tepër, kur ngjarjet lënë gjurmë pozitive ato shihen si burim frymëzimi, si kohë e lavdishme, si ditë që nuk përsëriten më, si çaste kur vendosej fati i përbashkët, si shansi i fituar e që rrezikoi të humbet gjatë rrugës dhe për të cilin flasin të gjithë, gjykojnë të gjithë, kujtojnë të gjithë. Elementë të tillë të raportit me historinë – ngjarjet – heroiken – mitiken – objektin e pashterrshëm të debatit gjenden në shumë vende, sidomos në vende të vogla ku ngjarjet historike numërohen me gishta dhe sidomos në traditën ballkanike kur ndryshimet e mëdha ndodhin një herë në disa dekada.

E tillë është për realitetin, historinë, trashëgiminë dhe kulturën e kujtesës shqiptare Lëvizja Studentore e dhjetor 1990-shkurtit 1991. Për ne që patëm fatin të ishim aty dhe që modestish të jepnim një kontribut pozitiv për vendin, – me siguri ato do të mbeten krye-ditët e jetës tonë. Asnjë ditë tjetër, asgjë ngjarje dhe asnjë datë nuk e ka rëndësinë, emocionin dhe domethënien e tyre. Për ata që ishin përballë apo anash studentëve, ditët e dhjetorit mbeten ditët e pastrimit të mëkateve, pjalmin e të cilave duan ta kenë gjithsecili dhe ku bazohen karrierat politike të djathtëve e të majtëve, aq sa pas 25 vitesh, të duket se të gjithë shqiptarët ishin pro ndryshimit, edhe ata 1.2 milion shqiptarët e moshës madhore që në shkurt 1991, pra tre muaj pas pluralizmit, iu bashkuan një fushate rikthimi tek e vjetra. Mëkatet bëhen për tu falur, edhe për një popull ateist si shqiptarët e vitit 1990, ndaj gjithsecili është i lirë të japë dëshminë e tij, ta jetojë të kaluarën dhe të sotmen si ta pëlqejë dhe kështu, të ndërtojë brenda vetës qytetarin normal apo modelin e njeriut të ri të shkollës kineze, prej të cilit burojnë elitat politike e shoqërore të tranzicionit.

Në këtë mori interpretimesh dhe vlerësimesh gjithnjë bëjnë dallim disa individë, – kryesisht ata që me ndërgjegje profesionale dhe përgjegjësi ndaj brezit e kohës që jetoi, mundohen të lënë dëshmi të shkruara, – si një potencial referimi, gjykimi e hulumtimi në të ardhmen. Mbi dhjetorin 90 kanë shkruar shumë, kanë folur shumë, por vetëm pesë tekste serioze profesionale janë në publik, ose dy herë më pak tekste sesa p.sh, librat që ky vend i ka kushtuar një anonimi anakronik si Haxhi Qamili. Për më tepër, shumica e këtyre botimeve janë kujtime, publicistikë, dokumentacion pa interpretim apo përsiatje nga kohët e sotme. Krejt ndryshe, në formë e përmbajtje vjen përpara lexuesve një emër jo i panjohur për publikun shqiptar, Llukman Halili me librin e tij “Lëvizja Studentore shqiptare 1990-1991”.

Unë e kam lexuar këtë libër pak orë përpara daljes nga shtypshkronja. Kam pasur dijeni rreth tij prej ditës kur Llukmani, një koleg i hershëm i medias, takimi i parë me të cilin datonte më 1991, – ka vendosur të shkruajë një tezë doktorate mbi këtë temë në Universitetin e Zarës, Kroaci. Nuk ka dilemë se nga botimet e deritanishme, – edhe për shkak të natyrës akademike të librit, ai është dhe mbetet botimi më cilësor, më profesional, më integral dhe më i paanshëm dhe i plotë mbi Lëvizjen Studentore 1990-1991. Me siguri në të ardhmen do të ketë dhe duhet të ketë botime të tjera konkurruese, por ky është dhe mbetet një punim akademik, dhe si i tillë, merr vlera referuese ndaj cilitdo që do hulumtojë në të ardhmen. Duket paradoks që një botim i këtij lloji, cilësie e përmbajtje është produkt i Kroacisë dhe jo i një institucioni akademik apo universitar në Shqipëri, – por edhe tregues sesa pak serioz kemi qenë e jemi me trajtimin e historisë dhe vlerave tona historike.

Për shkak se libri është produkt i një dëshmitari të ngjarjeve që ndodhën pas dhjetorit 1990, ai ka përvojë të gjatë raportimi dhe gazetarie terreni, ai nuk ka as axhendë politike dhe as ndonjë interes politik në Tiranë, është i pari që intervistoi dhe botoi edhe për anën tjetër të Lëvizjes, regjimin dhe Ramiz Alinë, si dhe ai ka pasur akses në arkiva mediatikë e shtetërorë rajonal ende të panjohur për publikun shqiptar, libri reflekton gazetarin e studiuesin dhe kjo e bën atë jo monoton dhe të lexueshëm për një shtresa të ndryshme shoqërore. Libri nuk kërkon të ngrejë apo trajtojnë individ, emra apo detaje, por në vetvete përbën një përshkrim horizontal e vertikal të ngjarjeve dhe faktorëve ndikues.
Përmes botimit lexuesit që nuk e njohin historinë apo njohin pjesë të deformuara të saj, marrin disa përgjigje të rëndësishme e shteruese: se pa Lëvizjen Studentore do ishte i pamundur apo i pafund pritja për ndryshimin; se ndryshimi nuk mund të vinte nga elitat e kohës produkt i vetë regjimit; se Alia dhe PPSH nuk ishin në asnjë rast e rrethanë mbështesë të pluralizmit, por u detyruan ta ligjërojnë atë; se teza as lindje e as perëndim ishte spekuluese dhe alibi e pushtetit; se shoqëria shqiptare nuk kishte as disidencë, as vetëdije e plotë demokratike; se edhe kur u lejua pluralizmi de juro ai u pamundësia në cilësi e veprim de facto; se studentët ishin një ishull i izoluar në shoqëri përpara 1990, por idetë që ata kishin mbetën të izoluara edhe pas 1990 përfshirë nga aktorët e rinj politikë; se tranzicioni është dhe mbetet përgjegjësi e jonë, jo skenar i imponuar dhe i paracaktuar nga jashtë apo nga faktorë të tjerë.

Libri nuk vrapon pas një teze, por për çdo tezë, parashtron argumente pro e kundër për ta bërë më të plotë kuptimin dhe më të natyrshëm përfundimin e saj. Brenda librit mbi lëvizjen studentore gjenden të paktën dy libra të tjerë paralelë, ai për raportet Shqipëri – Kosovë përpara 1990, ai për lëvizjet studentore dhe politikë në Kosovë e ish Jugosllavi apo analiza strukturore e regjimit komunist në Shqipëri. Disa të dhëna e materiale, përfshirë detajet e para të kontaktit Shqipëri-Kosovë, lajmi i parë mbi ikjen e Kadaresë, intervista e parë me R.Alinë e zyrtarë të regjimit, por edhe raportimet e medieve gjermane e kroate/sllovene me ngjarjet në Shqipëri, – vijnë për herë të parë përpara lexuesit në Tiranë.

Në aspektin kritik libri, si pothuajse çdo libër tjetër që botohet prej vitesh në hapësirën shqiptare, në mungesë të titujve të shumtë referues serioz dhe studimeve profesionale të vetë institucioneve universitare dhe akademike, – është i detyruar të përdorë si ushqim dytësor deklarime të ndryshme në mediat e ditës, kryesisht në Tiranë. Ne që i njohim mediat dhe prirjen e politikanëve për ta kujtuar historinë, sidomos dhjetorin 1990, sipas interesave të rastit kur bëhet intervista, duke i dhënë vetes merita që nuk kanë ekzistuar dhe as ekzistojnë, – e kuptojmë se këto materiale janë më shumë materiale konsumi ditor sesa kanë ndonjë vlerë historike. Përdorimi i tyre selektiv dhe shumë më i kursyer, mbetet detyrim profesional i gjithsecilit që shkruan, përfshirë Llukmanin dhe përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve.

Së fundi, kam huazuar dy shprehje të librit, natyrisht me burim gjerman. Së pari, shprehja gjermane “suksesi ka shumë baballarë” për të shpjeguar se përse edhe për suksesin historik të dhjetorit 90 ka garë për të pasur shumë baballarë, shpesh edhe midis atyre që atë ditë nuk ishin në Shqipëri, ishin në anën e regjimit kundër studentëve apo ishin me studentët për të përfituar kredenciale në karrierën e mëvonshme të tyre. Aq pa sens tingëllon gara e baballarëve për suksesin e Lëvizjes, sa shpesh pjesa e studentëve që ishin aty dhe që kanë firmën në gjerat që ndodhën, ndjehen sikur nuk kanë qenë, sikur po flitet për një epokë tjetër, ngjarje tjetër, me personazhe të tjerë dhe me aftësi krijimi të realiteteve të tjera ireale. Halili nuk ka dilemë, – ajo që ndodhi ishte meritë e studentëve, ajo që erdhi më pas gjatë tranzicionit është meritë & dështim e atyre që qeverisën vendin, elitave politike e publike.

Së dyti, ishte therëse, por e vërtetë kontastimi e kritika e studiuesit gjerman Ursprung, sipas të cilit “kam mbetur vërtet shumë i habitur që në Shqipëri ka shumë pak studime për periudhën e Hoxhës, ndërkohë që në Rusi janë shkruar me qindra e mijëra libra për Stalinin, po kështu edhe në Rumani për Çausheskun, kurse për Enverin dhe periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri ka shumë pak. Dhe kjo është disi e çuditshme, sepse Hoxha ishte në pushtet 40 vjet, ndryshe nga Çaushesku që ishte vetëm 25 vite”.

Janë dy mesazhe që tregojnë shumë, flasin shumë dhe duhet të na bëjnë të mendojmë shumë. Kjo, nëse kemi arritur të reflektojmë nga gabimet e të kaluarës dhe nëse kemi një sjellje serioze ndaj memories tonë, historisë tonë dhe sidomos të ardhmes tonë.

 

Postime të ngjashme