Një libër për veprimtarinë kriminale të Hoxhës…

ernest jakova 1

Në librin e tij “Prapaskenat kobzeza të Enver Hoxhës”, botim i vitit 2008, gjeneral major Ernest Jakova i bën një skaner gjithë veprimtarisë kriminale të diktatorit Enver Hoxha si gjatë viteve të luftës dhe më pas, me instalimin prej tij të një prej diktaturave më të ashpra. Për periudhën e pasluftës autori ndalet kryesisht e analizon gjendjen në ushtri dhe prapaskenat në Ministrinë e Mbrojtjes

Libri i tij, si një dëshmitar i afërt në shumë ngjarje të prekura vlen si një reference e vlefshme për studiuesit, ndërsa për lexuesit vlen ta rikthejmë vëmendjen tek ky libër sidomos këto ditë kur po artikulohen mendime për një rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës

Pasi analizon në tre kapituj të librit shumë teza që trajtojnë prapaskenat tij në drejtimin e Partisë Komuniste, por edhe të Luftës ndaj okupatorëve nazifashistë, e më tej instalimin e metodave më të egra të diktaturës dhe prapaskenave me grupet armiqësore në ushtri, Gjeneral major Ernest Jakova shtron në librin e tij 17 pyetje dhe përgjigje që shumëkush mund ti ketë artikuluar këto 27 vite pas rrëzimit të komunizmit. Dhe në fund të 17 pyetjeve ai sjell një epilog për çështjen që trajton të përmbledhur në 6 konkluzione.

Pjesa e pare

1.Cili nga armiqtë e Shqipërisë së kohës ishte më i rrezikshmi?

Përgjigje: a) Italia fashiste, e cila e kishte pushtuar Shqipërinë më 7 prill 1939, në shtator 1943 kishte kapitulluar. b) Gjermania naziste, që e vazhdoi pushtimin e Shqipërisë, ishte në prag të humbjes së sigurt të luftës. c) Jugosllavia, e cila duke pasur Shqipërinë aleate në këtë luftë, kishte synime për të aneksuar Shqipërinë pas çlirimit, si republikë e shtatë e saj. Duke pasur parasysh egërsinë e pushtimit serb të Kosovës, Jugosllavia paraqiste armikun real më të rrezikshëm. Në luftën kundër nazi-fashizmit, Shqipëria ishte në aleancë me koalicionin anglo-sovjeto-amerikan. Por, bashkëpunimi i Ballit Kombëtar dhe i Legalitetit me pushtuesin gjerman, mund ta çonte Shqipërinë drejt shpërbërjes së saj, si vend që ka humbur luftën. Por, kjo nuk ndodhi, sepse forcat e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit ishin shumë të pakta e pa ndonjë vlerë. Kurse ushtria nacionalçlirimtare ishte aq e madhe dhe e fuqishme, sa kishte kontribuuar duke detyruar gjermanët të mbajnë në Shqipëri një forcë të konsiderueshme prej katër-pesë divizioneve të saj. Është pikërisht kjo luftë e ky kontribut që e bëri Shqipërinë të radhitej në vendet fituese të luftës. Por, ndërsa bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me forcat gjermane ishte legal, aneksimi i Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë po përgatitej të realizohej fshehurazi ushtrisë e popullit shqiptar. Pra, qëndrimi i të tria partive politike: PKSH, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, përbëjnë tradhti të lartë karshi atdheut. Pavarësisht nga këto qëndrime tepër negative të këtyre partive politike, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar përfundoi madhështore dhe e lavdishme, sepse atë e bëri populli shqiptar patriot, trim dhe liridashës dhe e drejtoi atë me bijtë më të mirë, komandantët e njësive të ushtrisë, të cilët me aftësitë dhe heroizmat e tyre e çuan luftën në fitore në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Si e tillë, madhështore dhe e lavdishme, ajo është njohur, vlerësuar dhe nga e gjithë bota.

  1. Përse nuk flitet më gjerë për luftën?

Përgjigje: Objekti i librit janë prapaskenat kobzeza të Enver Hoxhës dhe jo lufta nacionalçlirimtare me operacionet, betejat dhe luftimet e saj që është madhështore dhe e lavdishme. Në libër për luftën flitet në tërësi, vetëm për momentet më të rëndësishme të saj, aq sa është e nevojshme për t’u kuptuar mirë rëndësia e momentit, qëllimi i çdo prapaskene të Enver Hoxhës dhe dëmi që ajo i ka sjellë luftës dhe popullit shqiptar. Megjithatë në këtë libër paraqiten qartë tri etapat e luftës, detyrat dhe rezultatet e arritura të tyre dhe të luftës në tërësi.

  1. Çfarë solli komunizmi në Shqipëri?

Përgjigje: Pas fitores së revolucionit socialist në Rusi, idetë komuniste antiimperialiste u përhapën në të gjithë botën edhe në Shqipëri, si më përparimtare e demokratike e që sigurojnë mirëqenie të lartë për popujt. Kështu pritej. Por, në fakt komunizmi në Shqipëri e kudo gjetkë ka sjellë mashtrimin, krimin e tradhtinë dhe për popujt mungesën e lirisë së fjalës, urinë dhe vuajtjen e mjerimin. Të gjithë e kemi jetuar kohën e diktaturës komuniste dhe kujtojmë se liria e fjalës mungonte dhe se e ndjeje veten gjithmonë të pangopur sa nuk mund të duroje një vakt pa ngrënë. Kurse tani në demokraci flet lirisht dhe me gjithë korrupsionin e madh që ekziston, e ndjen veten gjithmonë të ngopur edhe po nuk hëngre një vakt apo edhe një ditë. Komunizmi dështoi në vetë Bashkimin Sovjetik, me humbjen e garës ekonomike me SHBA gjatë Luftës së Ftohtë, e cila solli shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, vendet e të cilit sot janë në kërkim të demokracisë së vërtetë. Ka zëra që thonë se demokracia e vërtetë pa luftë klasash ndodhet në qendër midis të majtës dhe të djathtës.

  1. Enver Hoxha ka qenë i fshehur apo i rrethuar në malet e Martaneshit?

Përgjigje: Më lart në bazë të fakteve kemi vërtetuar se Enver Hoxha sa filloi operacioni gjerman i dimrit 1943-1944, nga frika e madhe që e kishte kapur, kishte shkuar për t’u fshehur në malet e Martaneshit si vendi më i përshtatshëm dhe ka qëndruar aty gjatë gjithë kohës së zhvillimit të operacioneve gjermane të njëpasnjëshme nga dhjetori i vitit 1943 deri në prill 1944, duke lënë ushtrinë pa drejtim dhe veten pa adresë, sa deri vonë askush nuk e ka ditur ku ishte fshehur. Mendimet se Enver Hoxha në malet e Martaneshit  ka qenë i rrethuar, nuk qëndrojnë, sepse gjatë gjithë kësaj kohe në Martanesh forca gjermane e balliste nuk ka pasur. Edhe luftë aty nuk ka pasur. Atëherë nga kush u rrethua? Pra, në malet e Martaneshit Enver Hoxha ka qenë i fshehur nga frika dhe jo i rrethuar.

  1. Çfarë ishin Tezat e Zeza?

Përgjigje: “TEZAT E ZEZA”; kështu Enver Hoxha e kishte quajtur materialin e përgatitur nga Beqir Balluku me një grup oficerësh, duke e konsideruar se ai atë e kishte bërë sipas ideve të tij antiparti dhe fshehurazi saj. Bërë me qëllim për të mohuar e mos pranuar e mos pranuar dështimin e ideve të tij të Plenumit të 12-të të KQ të Partisë. Në fakt materiali ishte bërë sipas ideve të referatit të Enver Hoxhës të mbajtur në Plenumin e 12- të të KQ me urdhër të tij për t’i zgjeruar dhe kishte vërtetuar se idetë e tij të “Bunkerizimit” dhe ato të Mehmet Shehut për pasjen e “Dy llojeve forcave” nuk qëndrojnë, janë të gabuara. Këtë e vërteton edhe fakti se ato u lanë në harresë e nuk u futën në Tezat e KM. Pra bëhet e qartë se “TEZAT E ZEZA” janë “IDETË E ZEZA” të “Bunkerizimit” të Enver Hoxhës dhe të pasjes së “Dy lloje forcave” të Mehmet Shehut. Në këtë prapaskenë kobzezë të Enver Hoxhës, prapa akuzës së padrejtë bërë Beqir Ballukut, fshihej mohimi i dështimit të ideve të tij të Plenumit të 12-të të KQ të Partisë. Për të pasur një kuptim më të plotë të çështjes, duhet të themi diçka më shumë për Beqir Ballukun si ushtarak. Ai qe komandant i batalionit partizan të Ishmit me përvojë të gjerë në luftë. Ky batalion bashkë me batalionin partizan të Dajtit dhe një batalion partizan të Pezës, që ishin me përvojë të gjerë në luftë, formuan Brigadën e Tretë Sulmuese. Beqir Balluku u caktua komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese, që formua tërësisht me vullnetarë të rinj që dolën partizanë e që nuk kishin përvojë lufte. Nuk i dhanë as batalionin e tij të Ishmit. Përveç kësaj ai nuk pati as kohë për ta kompaktësuar Brigadën, sepse ato ditë filloi operacioni gjerman i dimrit 1943-1944 dhe ndodhi që pak ditë pas formimit, pa hyrë fare në luftime, një natë Brigada u ngrys e nuk u gdhi, u shpërbë. Pra, për fajin e Shtabit të Përgjithshëm dhe jo për fajin e Beqir Ballukut. Por, kjo ngjarje tepër e rëndë shkaktoi ndryshime në karakterin e Beqir Ballukut. Në prill 1944 në Panairin e Korçës, Brigada e Dytë Sulmuese u riorganizua me dy batalione dhe shpejt gjatë veprimit në Zonën e Korçës u bë me katër batalione. Por ai nuk ishte më Beqir Balluku i mëparshëm. Druhej se mos i ndodhte përsëri një e keqe e madhe si ajo. Nuk kishte më besim te mendimet dhe veprimet e tij. Asnjëherë nuk bëri një veprim ushtarak të njëhershëm me të gjithë brigadën, por vetëm me bazë batalion me rajone veprimi. Në çdo mendim dhe në çdo veprim, dyshimi nuk iu nda edhe kur u bë ministër i Mbrojtjes.

Pas çlirimit, megjithëse bëri një vit në Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik, nuk bëri ndonjë ndryshim të madh. Është fakt se gjatë gjithë kohës si ministër i Mbrojtjes, nuk bëri dot asnjë material, leksion apo edhe një artikull ushtarak në gazetë. Dhe kjo e ka munduar shumë. Herë pas here tentonte të shkruante diçka ushtarake, por pa sukses. Siç më thoshte sekretari i tij Kozma Zegali, çdo herë mbetej te faqja e parë apo e dytë, nuk shkonte më tutje dhe e linte. Kur përgatiste konkluzionet e stërvitjeve, çdo shprehje do ta ndryshonte shumë herë. Pra, Beqir Balluku nuk mund të kishte ide të tilla për të cilat e akuzonte Enver Hoxha. Për të qenë në rregull me Enver Hoxhën dhe Partinë, Beqir Balluku për çdo gjë të rëndësishme për ushtrinë më parë merrte mendimin e Enver Hoxhës për to dhe pastaj fliste jo vetëm me bindje të plotë por edhe me krenari. Pra, ai nuk ka pasur e nuk ka bërë asgjë fshehurazi partisë. Familja e Beqir Ballukut dhe ajo e Enver Hoxhës i kishin shtëpitë afër dhe me shumë fëmijë e jetonin sikur të ishte një familje e vetme për fëmijët. Pra, Beqir Balluku ishte njeriu më i afërt dhe besnik i Enver Hoxhës. Atëherë si është e mundur që ky ta dënojë atë me pushkatim pa e merituar? Sepse pa Beqir Ballukun ai nuk mund ta justifikonte ekzistencën e puçistëve dhe likuidimin e kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë. Megjithëse të gjitha këto ishin një sajesë e mendjes së tij. Po aq mirë e njihte edhe Mehmet Shehu, i cili në një rast pune në prezencën time e të Mahmut Agollit i kishte thënë: “Ti nuk bëhesh kurrë ushtarak”. Atëherë si e lanë atë për një kohë të gjatë ministër të Mbrojtjes, sikur të ishte i pazëvendësueshëm? Sepse, te vartësit e tij Enver Hoxha shikonte më parë besnikërinë ndaj tij, pastaj qenien e tyre nën nivelin e tij, që të ishin të bindur ndaj tij. Petrit Dume nuk ishte i tillë.

  1. Çfarë ishte “Bunkerizimi”?

Përgjigje: Bunkerizimi ishte një emërtim i ri i shpikur dhe i realizuar vetëm në Shqipëri, që parashikonte bunkerizimin e të gjithë territorit të vendit, i sajuar nga njerëz pa arsim të lartë ushtarak e me intelekt mediokër, pikërisht siç ishte autori i tij, Enver Hoxha. Ky bunkerizim është realizuar pas eliminimit të kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë. Edhe vija e fortifikuar “Mazhinot” e Francës, që ishte më e madhja në botë, përbëhej nga vetëm, një brez mbrojtjeje në kufirin me Gjermaninë dhe nuk përfshinte të gjithë territorin francez.

Si rregull fortifikimi i mbrojtjes së vendit përfshinte: fortifikimin e brezit të parë të mbrojtjes me thellësi e gjerësi 10 km në drejtimet kryesore që mund të ishin dy-tre. Pra, gjithsej 200 deri 300 km2 dhe këto pjesërisht dhe jo 28.000 km2 . Bunkerët vendosen brenda rajoneve e brezave të mbrojtjes në sasinë e armëve që do të vendosen në ta. Në vendin tonë ata u prodhuan dhe u vendosën 15-20 herë më shumë se sa ishte e nevojshme. Shumë antiekonomikë, që vetëm një arsyetim politik mund të përdoret për justifikim: të jenë kudo nëpër fshatrat e Shqipërisë dhe mbi tokë, që populli t’i shikonte e të besonte se ishte në rrethim të dyfishtë dhe se Partia dhe Enver Hoxha i mbronte?

Forcat vullnetare nuk mund të përdoreshin për mbrojtje në bunkerë si në front, jashtë destinacionit të tyre. Ato kishin detyra të shumta që mund t’i kryenin mirë. Bunkerët si rregull vendosen nën tokë sipas parimit:”Bunkeri që duket asgjësohet nga armiku”. Pastaj ata nuk vendosen në një vijë, por sipas formacioneve të luftimit të skalionuara në thellësi, që të kenë lidhje zjarri të kryqëzuar midis tyre dhe që të mbrojnë njëri-tjetrin.

  1. Përse Mehmet Shehu kishte propozuar pasjen e dy llojeve të forcave: frenuesebllokuese dhe operative-goditëse?

Përgjigje: Mehmet Shehu kishte përvojë të gjerë për luftën partizane. Por, për luftën me front të rregullt, nuk kishte as përvojë, as arsim të lartë, sepse Enver Hoxha pas gjashtë muajsh e hoqi nga Akademia Ushtarake “Voroshillov” e BS. Historia e artit ushtarak nuk e njeh pasjen e dy lloje forcash në mbrojtje kur epërsinë në forca e ka armiku që mësyn. Në kundërmësymjen e Kurskut të ushtrisë sovjetike, epërsia në forca ishte nga ana sovjetike dhe mund të kalohej direkt në mësymje. Por, u preferua më parë të gjakosej armiku me mbrojtje, duke pasur tre fronte në mbrojtje dhe një front të tërë në rezervë me të cilin në kohën e duhur u kalua në kundërmësymje. Ndërsa, kur armiku që mësyn ka epërsi në forca, pasja e dy lloje forcash në mbrojtje ka qenë e pamundur edhe për ushtritë e mëdha. Ja përse idetë e “Bunkerizimit” të Enver Hoxhës dhe idetë e “Dy llojeve të forcave” të Mehmet Shehut nuk qëndronin, ishin të gabuara.

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/jakova-ja-prapaskenat-kobzeza-t–hoxh-s-gjat–luft-s-dhe-pas-saj-436130.html

Postime të ngjashme