Një memorial kujtese për viktimat e komunizimit

veliaj-8

Të gjithë ata që sakrifikuan jetën, lirinë dhe të drejtat e tyre gjatë ish regjimit komunist do të kenë në Tiranë një memorial kombëtar, si simbolikë e kujtesës së tyre të përhershme.

Ky memorial i kujteses do te bashkefinancohet nga Bashkia e Tiranes, tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj, ne tryezen e rrumbullakët e organizuar nga Instituti i të Përndjekurve Politikë.

“Ne jemi borxhlinj ndaj viktimave dhe ndaj trashëgimtarëve të tyre që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e secilit prej tyre dhe të afërmve të tyre. Çdo vonesë në këtë trajtim, siç e kanë përjetuar shumë vende që zgjodhën një qasje tjetër, përfshirë dhe Shqipëria deri më sot, sjell një kosto të lartë për gjithë shoqërinë. Ndaj unë sot si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e mirëpres, e mezipres dhe do ta bashkëfinancoj një projekt të tillë për qytetin e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Veliaj tha se çështja e kujtesës historike është një sfidë shumë e madhe me të cilën përballet sot shoqëria shqiptare.

Ndaj, theksoi ai, është e rëndësishme që ta ruajmë atë qoftë edhe nëpërmjet këtyre memorialeve apo edhe vendosjes së emërtimeve të rrugëve apo shesheve.

“Si shpjegohet që në një vend ku është folur aq shumë për antikomunizmin e ku janë ngritur buste për sa e sa personazhe herë kontroversë e herë anonimë, nuk është gjetur deri më sot mundësia për të bërë atë që duhet të ishte gjëja më elementare: ngritja e një monumenti, një objekti fizik që të simbolizojë vuajtjet dhe respektin për të përndjekurit? Flas sot si kryetar i Bashkisë së Tiranës ku vetëm vitin e fundit kam zbuluar që një pjesë e madhe e rrugëve në Tiranë i dedikohen njerëzve që janë absolutisht anonimë, pa asnjë kontribut, vetëm me njohje personale, që kanë arritur të trajtojnë si qokë emërtesat tona publike”, tha Veliaj në fjalën e tij.

Nga ana e tij, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka theksuar se në fokusin e qeverisë nuk ka qenë vetëm kompensimi financiar, por edhe ai moral i të përndjekurve.

“Krijimi i një memoriali i shërben forcimit të kujtesës së përbashkët për të mos lënë në harresë historinë e gati gjysmë shekulli. Ngritja e këtij memoriali i shërben shprehjes së nderit dhe respektit për viktimat e regjimit, për sakrificat e tyre. Nga ana tjetër ngritja e këtij memoriali për të nderuar kujtesën kombëtare përbënë një institument që siguron që gjeneratat e ardhshme të mos harrojnë dhe kujtojnë edhe ato ngjarje të rëndësishme që ka kaluar kombi ynë në të kaluarën”, tha Klosi.

Burimi: mapo.al

Titulli në origjinal: Veliaj: Bashkia e Tiranës bashkëfinancon memorialin e kujteses për viktimat e komunizimit

 

Postime të ngjashme