Një studim mbi konfiskimin e pronës dhe grabitjen e arit nga pushteti komunist

frangaari

“Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit (1944-1955)” është një nga botimet më të fundit të Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe ka për autor Alvin Saraçin.

Botimi hedh dritë mbi një prej krimeve ende të pandriçuar të komunizmit në Shqipëri siç ishte grabitja dhe konfiskimi i pronave dhe i aseteve monetare të shqiptarëve. Në fokus të studimit janë vitet 1944-1955 kur qeveria komuniste e sapoardhur në pushtet iu vërsul egërsisht pronës private dhe të gjitha aseteve që shqiptarët i kishin krijuar për shekuj me radhë. Studimi ka pesë kapituj duke e ndarë procesin në pesë faza. Ai është i pajisur me të dhëna dhe fakte zyrtare të vjela nga arkivat dhe dokumentacioni i ruajtur.

Ndërmarrja e këtij studimi u bë e mundur në sajë të mbështetjes së Fondacionit Konrad Adenauer.

konfiskimi-198x300PJESË NGA STUDIMI

Ligji i konfiskimit të pasurive të të arratisurve politikë doli në vitin 1943, siç e dëshmon rregullorja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Në Kongresin e Përmetit u parashtrua marrja nën kontroll e firmave private nga Këshilli Antifashist Nacionalç- lirimtar, që të furnizonin Ushtrinë me prodhimet e tyre.

Dolën listat e kriminelëve të Luftës, ku u futën plot kundërshtarë politikë dhe mbrojtja e pushtetit për të mos e ndarë atë me partitë e Legalitetit dhe Ballit Kombëtar. Si rezultat, më 15 dhjetor 1944, doli ligji i konfiskimit të pasurive private të të arratisurve politikë sipas modelit sovjetik dhe jugosllav, çka solli inkriminimin politik të kundërshtarëve dhe një pjesë e madhe u përkiste klasës aristokrate- çifligare, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha pronash private në ligjin e Reformës Agrare, si rrjedhim i vendimeve të konfiskimit të pronave private dhe shpronësimeve pa shpërblim të atyre që dispononin pasuri të patundshme…

Gjithashtu, pas vendimeve të konfiskimit, tokat, shtëpitë, dyqanet, mallrat, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare i kaluan shtetit dhe u sekuestrua edhe ari pas marrjes nën kontroll të shtëpive të kundërshtarëve politikë. Ligjet e konfiskimit të plotë dhe të pjesshëm mbas ligjit nr.41 për organizimin e gjykatave u shtrinë edhe ndaj të burgosurve politikë, të cilëve iu konfiskua pasuria private… Zbatimi në praktikë i vendimeve të sekuestrimit dhe pasojat e tij Në qendër të vëmendjes së vendimeve të sekuestrimit të komiteteve ekzekutive ishin figurat më të rëndësishme të shtetit shqiptar të para mbarimit të Luftës, që ishin shpallur si kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorë me pushtuesin, edhe pse nuk i përkisnin kësaj kategorie, sepse Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte bërë publike listën e 385 kriminelëve të vërtetë të Luftës për të gjitha shtetet pas mbarimit të konfliktit, ku bënin pjesë edhe bashkëpunëtorët shqiptarë.

Megjithatë, shumica prej tyre u dënuan si “kriminelë të luftës” me dënime kapitale, burgim të përjetshëm ose me heqje lirie sipas kategorive, dhe me dënim konfiskimi të pasurisë private, sipas vendimeve të gjykatës speciale të 13 prillit 1945. Megjithëse kishte kaluar një vit pas vendimit të konfiskimit, Komiteti Ekzekutiv Durrës i dërgonte “Gazetës Zyrtare” për publikim vendime të disa prej pjesëmarrësve në qeveritë e mëparshme, si vendimi nr.3 i datës 9 janar 1946 të sekuestrimit të pasurisë së patundshme dhe të tundshme të Idomeno Kosturit dhe nr.5, datë 15 janar 1946 të Maliq Bushatit, Zef Kadares, Mark Kodhelit nga Shkodra dhe Ymer Fortuzit nga Tirana. Vendimet e të dënuarve të tjerë u publikuan gjatë gjithë vitit 1946.

Dokumenti i datës 18 korrik 1945, që ishte vendimi i parë i sekuestrimit i shpallur në “Gazetën Zyrtare”, përmban listën me 36 personalitete politike të arratisura dhe të sekuestruara të prefekturës Tiranë dhe nënprefekturave Petrelë e Valias, që përjashtonte nga sekuestrimi vetëm Faik Shuaipin, sepse pas hetimeve të reja nuk figuronte i arratisur, vinte në dukje se si ndryshoi konfiguracioni politik në Shqipëri pas Luftës. Shumica e të arratisurve i kishin lënë të lira vilat e tyre në Tiranën e Re dhe lagjet në qendër të Tiranës, që u morën nga klasa e re politike.

Nga lista e të arratisurve të Komitetit Ekzekutiv të KANÇ të prefekturës Tiranë si dhe pasuritë që ata kishin lënë më datë 11 korrik 1945, dalin edhe të dhëna mbi banuesit e rij të shtëpive të të arratisurve politikë, që shpesh janë vila dhe vihen në dispozicion të drejtuesve të ushtrisë partizane ose të aleatëve të tyre, por në raste të tjera ka dhe shtëpi të mëdha dhe të lëna me qira nga këta deracines dhe qiranë e merrte shteti. Shtëpia në Tiranën e Re e Prenk Previzit banohej nga Sefedin Koleci, partizan i Brigadës IV dhe Ilija Budini, indentent në Korpusin e Armatës, banesa e Mehdi Frashërit i ishte dhënë Misionit Ushtarak Sovjetik, në banesën e Ymer Fortuzit në Rrugën e Fortuzëve jetonte Myslym Peza, ndërsa shtëpia e Asim Abdurramanit në Tiranën e Re ishte e banuar nga dr. Ymer Dishnica, banesa e Sali Vuçiternit regjistrohet se ishte marrë me qira nga Beqir Balluku dhe dy persona të tjerë, si dhe vendbanimi i Hamdi Kërçikut mbahej si qiramarrës nga Koço Tashko dhe tetë persona të tjerë. Disa nga këto banesa u jepeshin dhe partizanëve e personave me gjendje të mirë politike nga Seksioni i Strehimeve pa qira.

Kjo praktikë, siç do të shohim, në vitet e mëvonshme do të ndiqet edhe me të pasurit dhe tregtarët, shtëpitë më të mira të të cilëve do t’u jepen drejtuesve komunistë pas largimit të pronarëve të mëparshëm. Persekutimi i tregtarëve për arin Faza e parë e mbledhjes së arit kishte qenë hartimi i deklaratës së pasurisë për çdo tregtar dhe pagesa e tatimit të jashtëzakonshëm me monedha ari e argjendi shqiptare dhe të huaja, krahas pagesës me franga ari. Tregtarët u munduan t’u shmangeshin statistikave ekzakte të arit, që komiteti ekzekutiv i kërkoi, siç kishte vepruar me statistikat e vlerësimit të pronave dhe të mallrave. Mbledhja e mallrave të fshehur dhe magazinave me mall u shoqërua edhe me zbulimin e arit të fshehur me të gjitha mënyrat edhe me torturat për nxjerrjen e tij.

Për këtë qëllim u krijua edhe sektori i tretë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që do të përgatiste dhe tri procesverbale të sekuestrimit të arit, njëri drejtues i Bankës së Shtetit dhe tjetri i degës lokale të Punëve të Brendshme. Sipas raporteve nga Policia e Korçës, tregtarëve në këtë qytet u ishin marrë 400 kg flori dhe 48 mijë napolona. “Organet e Mbrojtjes së Popullit” dhe seksionet e tyre lokale në qytete të ndryshme ishin të angazhuara në zbulimin e arit të fshehur në qypa ose mallrave të fshehur dhe në bastisjen e shtëpive të të pasurve, duke sekuestruar jo vetëm monedha floriri, por çdo lloj takëmi dhe sendesh me vlerë, si bizhuteri ari, argjendi dhe sermi, unaza, varëse etj., por edhe servise lugësh, pirunësh të larë në ar ose në argjend, si dhe objekte antikuariati si punime në ar të shekujve të kaluar, monedha ari për zbukurim, si dhe kujtime të trashëguara nga paraardhësit e familjeve.

Viti 1946 që ishte dhe viti i shtetëzimeve, do të kishte presion të madh ndaj tregtarëve dhe mbledhja e arit do të kryhej me të gjitha mënyrat. Faza e parë e grumbullimit të arit të tregtarëve përfshiu vitet 1946- 1948 dhe faza e dytë vitet 1950-1952, kurse kundërshtarët politikë u dënuan me konfiskim dhe iu konfiskua ari në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë dhjtevjeçarit të parë. Në vitet 1952-1954 sekuestrimi i arit u shtri edhe mbi shtresa të tjera shoqërore që dispononin ar.

Pasojat e ushtrimit të forcës për nxjerrjen e arit të tregtarëve sollën në burgosjen e tyre. Ata u lanë pa ushqim dhe për muaj të tërë jetuan me bukë të thatë. Më pas u burgosën edhe familjarët e tyre dhe iu nënshtruan një presioni psikologjik të vazhdueshëm, me tortura që kishin si qëllim, nën kërcënimin e dhunës, rrëzimin psikologjik dhe kallëzimin e arit. Madje, në Durrës, tregtarët u zhytën me të gjithë trupin në tokë dhe iu la vetëm koka jashtë, derisa të dorëzonin arin. Si pasojë, në Elbasan vdiqën në burg për floririn tregtarët Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj.

Në Tiranë, Cen Alimehmetit, siç pohon ai vetë, pasi i ishte sekuestruar malli i dyqanit dhe shtëpia te Kodra e Kuqe, që ishte kthyer në jetimore, si dhe dyqanet në qendër dhe tokat në Mëzez, u detyrua të dorëzonte 3 mijë napolona në vitin 1946 dhe shuma të tjera në vitin 1951 dhe u mbajt nga Dega e brendshme, për të nxjerrë se ku e kishte fshehur arin. Ai nuk rezistoi dhe tregoi vendin se ku e mbante floririn, erdhi në shtëpi dhe gjeti 900 napolona të tjerë. I njëjti fat priti dhe tregtarë të tjerë si Tod Çoka që vdiq nga torturat, sepse nuk pranoi të tregonte se ku e kishte fshehur floririn. Tregtarë të tjerë që dorëzuan arin ishin edhe Hoç Këllezi, babai i ish-ministrit të Financave dhe zv.kryeministrit Abdyl Këllezi, si dhe Murat Begeja, Tahir Gjinali, vëllezërit Radheshi, Mihal Dovana nga Durrësi etj.

Shumë tregtarë të mëdhenj u dënuan me konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme si kundërshtarët politikë dhe u dërguan në kampin e punës në Maliq. Sipas memuareve të Skënder Stefanllarit, i mbijetuar nga kampi i Vloçishtit, tregtarët u bënë viktima të kënetës së Maliqit nën kërcënimin “tregoni floririn ose do të vdisni në kënetë” dhe iu bënë tortura që nuk mund t’i konceptonte mendja njerëzore. Tregtarët që vdiqën në kënetë ishin Sotiraq Lako, të cilin e varrosën në kënetë, si dhe Kosta Fundo, Bexhet Frashëri, kurse tregtari Koço Misrasi vari veten dhe dhëmbët prej floriri iu shkulën.

Në korrikun e vitit 1948, Skënder Stefanllari rrëfen se si pasi iu lëshuan akuzat e rreme se gjoja kishte krijuar një gjykatë të burgosurish me në krye Niko Kirkën, me rolin e prokurorit për të dënuar regjimin komunist, ai i prekur në sedër u përlesh me rojet e kampit dhe, pasi e goditën me bel në kokë dhe ra pa ndjenja, i shpëtoi jetën, duke e marrë mbi shpatulla tregtari i madh nga Durrësi me origjinë nga Kavaja, Alfons Dovana.

Vetëm 100 kg drithë për ish-kryeministrin Koço Kotta

Vendimi nr. 183, datë 16 korrik 1945, me propozim nr. 1/115, datë 15 qershor 1945 të Komisionit mbi studimin, Administrimin, Sekuestrimin e pasurive të të Arratisurve Politikë Korçë vendosi sekuestrimin e pasurive të ish-kryeministrit të burgosur Koço Kotta, ku përfshiheshin sipas inventarit hipotekor një shtëpi në Korçë, dy vreshta dhe disa ara në fshatin Vinçan dhe Pendavinj të Korçës, si dhe 32 pjesëve si bashkëpronar i 299 aksioneve të kafesë, sallonit dhe kinemasë “Majestik”, së bashku me aksionet e tyre të menaxhuara nga shoqëria anonime “Cinemattaro”, me vlerë 500 franga ar secila dhe përfshinte edhe inventarin e objekteve shtëpiake ku përfshiheshin edhe nga ato me vlerë antike muzeale, si një portret me “stemën mbretërore” me xham, servise me pjata (argjendi) dhe dy sëndukë bosh dhe i liheshin vetëm 100 kg drithë familjes deri në vendimin përfundimtar.

Konfiskimet e viktimave të Ambasadës Sovjetike

Më 13 prill 1951, Dega e Punëve të Brendshme Tiranë i dorëzoi degës së Bankës Tiranë 28 napolona, 25 paund, 9 lira turke, një mbajtëse monedha ari dhe stoli, si dhe 113.590 lekë të derdhura në buxhetin e shtetit dhe 30 kartëmonedha italiane nga 1 mijë- 30 mijë lireta jashtë qarkullimit, të konfiskuara nga Gjykata e Lartë Ushtarake me vendim nr.64, datë 27 shkurt 1951, të të ekzekutuarve të akuzuar padrejtësisht për bombën në Ambasadën Sovjetike: Lluka Raskoviç, Tefik Sheku, Haki Kodra, Reis Selfo, Manush Peshkëpia, Ali Qoralli, Qemal Kasoruho, Petro Konomi, Hekuran Tresake, Mehmet Ali Shkupi, Reshit Shima, Sabiha Kasimati dhe Pandeli Nova.

Më 24 mars 1953, Policia kishte vendosur që për stolitë e gjetura Mediha Libohovës, gruas së ish-ministrit Eqrem Libohova, t’i kthehej asaj shuma prej 31 mijë lekësh, sepse ndaj saj nuk ishte marrë vendim konfiskimi, por ministri i Financave nuk qe dakord dhe kërkoi që me dispozita Ligjore t’i kalonin Bankës së Shtetit pa shpërblim.

Florinjtë e Hamit Matjanit

Në vitin 1954 u futën në Thesarin e Shtetit 7 kg e 870 gr ar, i konfiskuar diversantëve Zenel Shehu dhe Hamit Matjani, që përbëhej nga 607 napolona, 1 gjysmë napoloni, 317 paund, 315 gjysmasterlinash, 1 dydollarëshegjysmë, 27 lira turke, 1 rubël me vlerë 7 1/2, 3 pesërubëlshe, monedha ari austriake me peshë 5 g e gjysmë.

Postime të ngjashme

Bëj një koment