OSCE: Anketë për të shkuarën komuniste në Shqipëri

osce 1

Anketa “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen,” e cila u zhvillua në shtator të vitit 2015 nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), është pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Platforma e dialogut kombëtar rreth shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë regjimit të mëparshëm komunist në Shqipëri,” zbatuar me mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë.

Kjo anketë vjen në vijimin e përpjekjeve të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri (Prezenca) për të mbështetur një platformë të depolitizuar diskutimi për të shkuarën komuniste të Shqipërisë, me qëllim përfundimtar informimin e shoqërisë shqiptare dhe përgatitjen për të trajtuar historinë e vendit gjatë diktaturës komuniste. Konkretisht, me anë të kësaj ankete synohet të ofrohen të dhëna të reja rreth mënyrës se si shqiptarët e shohin të shkuarën komuniste të Shqipërisë, çfarë dinë ata në të vërtetë për regjimin e mëparshëm dhe çfarë duan apo presin prej përpjekjeve për të trajtuar trashëgiminë e së shkuarës.

Prezenca është përqendruar veçanërisht tek perceptimet dhe pritshmëritë e qytetarëve në lidhje me hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit. Procesi i hapjes së dosjeve nisi në vitin 2015 me miratimin e ligjit për krijimin e një organi shtetëror përgjegjës për kryerjen e këtij procesi. Në kohën e botimit të këtij materiali, ligji ende nuk është zbatuar plotësisht. Studimi u krye me kampion kombëtar përfaqësues prej 995 personash, të cilët u intervistuan ballë për ballë. Rezultatet janë të ndara sipas moshës, gjinisë, arsimit, vendbanimit dhe statusit si ish të persekutuar apo ish të burgosur.

Për t’u njohur më shume me studimin e kryer klikoni këtu : OSCE anketë

Postime të ngjashme