Agim Popoci: Parathënie e terrorit serb ndaj shqiptarëve

terrori serb ndaj shqiptareve

Një analizë e Ministrisë së Jashtme Jugosllave, hartuar në vitin 1952 mbi raportet e shërbimeve sekrete në Shqipëri, botohet për herë të parë, duke hedhur dritë mbi shumë çështje, që lidhen me marrëdhënien mes dy vendeve, por mbi të gjitha parapërgatitjen për atë çka do të ndodhte më vonë në Kosovë. Gazetari Agim Popoci përkthen dhe përshtat në gjuhën shqipe këtë raport sekret, duke e pajisur me shpjegimet përkatëse nën titullin “Parathënie e terrorit serb ndaj shqiptarëve”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Një libër që u vjen në ndihmë historianëve dhe studiuesve për të hedhur dritë dhe qartësuar disa elementë që kanë karakterizuar raportet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, si ka funksionuar agjentura në Shqipëri, si infiltrohej, sa paguhej, si edhe të rrëzojë disa mite në lidhje me disa figura të historisë shqiptare, si për shembull Ahmet Zogu, i cili u kthye në pushtet dhe rrëzoi qeverinë e Fan Nolit, pikërisht me ndihmën e jugosllavëve.

Siç me të drejtë e shpjegon autori i librit, në parathënien e tij, ishte ky rrjet i ngritur, politikat e ndjekura në periudhën mes dy luftërave botërore, që do t’i paraprinin veprimtarisë së komunistëve shqiptarë Popoviç, Mugosha e të tjerë dhe rolin e tyre në krijimin dhe zgjedhjen e lidershipit të Partisë Komuniste Shqiptare.

PARATHËNIE E TERRORIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE

Është e njohur se Partia Komuniste e Jugosllavisë, PKJ, nga viti 1939 kishte mandatin për komunistët shqiptarë. Për këtë arsye, në vitin 1941, komunistët jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha kanë qëndruar në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje, Bllazho Jovanoviç, më 13 tetor të vitit 1948, në Cetinje ka lënë këtë shënim: “Nga fundi i shtatorit të vitit 1942 më ke thirrur (Titp­B.P.) në Gllamoç dhe unë kam ardhur nga Prozori. Atëherë më ke thënë se duhet të shkoj në Shqipëri si delegat i KQ PKJ, dhe meqë nuk mora përgjigje nga “Deda”, më duhet të pres ca ditë”.

Në letrën të cilën e mori pas disa ditësh në Pidrish, kur Jovanoviç ishte nisur me Dushan Mugoshën, shkruante: “Pas dakordimit me “Dedën”, ti duhet të shkosh në Shqipëri dhe detyra jote është: 1. Të zgjedhësh një Komitet Qendror të sigurt në Konferencën vendore të PK të Shqipërisë; 2. Të bartësh përvojën e Luftës Nacionalçlirimtare në rrethanat e atjeshme; 3. Mundohu që detyrimisht të depërtosh, sepse është e një rëndësie të madhe; Unë menjëherë­ më 3 tetor­ jam nisur në rrugë me shokun Dushan Mugosha dhe 15 shokë të tjerë nga Mali i Zi.

Prej aty jemi nisur, unë, Dushan Mugosha dhe gjeneralmajor Vojo Todoroviç. Atje kemi zhvilluar mbledhje partie dhe konferenca nga celulat deri te Konferenca I vendore në Shqipëri, ku është zgjedhur KQPK e Shqipërisë dhe u fillua me formimin e njësiteve ushtarake”. Por, për shumë krime të komunistëve shqiptarë, pikërisht këta dy protagonistë, Milladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, do të rezultojnë si instruktorë të krimit, edhe pse prania e tyre në Tiranë ishte e shoqëruar me zyrtarë të shumtë serbë, madje edhe me grada shumë më të larta se Popoviç e Mugosha.

Një analizë konfidenciale, e bazuar nga raportet e Shërbimit Sekret serb, e titulluar: “Shqipëria mes dy luftërave”, përveç se dëshmon se prania e tyre në Shqipëri nuk ishte rastësi, pavarësisht se trajtoheshin si vëllezërit serbë, tregon se ky ishte një epilog i një pune shumëvjeçare të një strukture të tërë, për të cilën ishin angazhuar edhe vetë kryeministrat serbë, me misionin e qartë, të shkeljes dhe okupimit të tokës shqiptare, me çdo çmim. Për fat të keq, në këtë çmim ishte përfshirë edhe terrori serb ndaj shqiptarëve. Edhe kjo nuk ishte rastësi! Për territorin serb janë bërë studime të shumta, por këto dokumente sekrete nga Arkivat e Njësive Armiqë­ sore dhe Instituti Historik Ushtarak i APJ në Beograd, në bazë të të cilave është hartuar kjo analizë në 12 kapituj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, më 1952 në Beograd, përveçse japin shumë përgjigje në marrëdhëniet zyrtare Beograd-­Tiranë, delegacionit shqiptar me urdhër të Beogradit në Konferencën e Paqes në Paris, rolit të Zogut, rënies së Qeverisë Noli, përdorimit serb të Republikës së Mirditës, themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, protokollin e përcaktimit të kufirit të Shqipërisë dhe kujdesin e shtuar të Beogradit zyrtar në marrëdhëniet italo­-shqiptare, si pengesë e vazhdueshme për “okupimin serb të tokës shqiptare”, dëshmojnë edhe për mendësinë e krijuar shtetërore serbe, kryesisht në bazë të këtyre raporteve të Shërbimit Sekret serb, pse terrori është mjeti i vetëm dhe i domosdoshëm për të mbajtur Kosovën dhe për të luftuar për të siguruar daljen në det, të paktën nga Shkodra.

Cili ishte qëllimi i hartimit të kësaj analize? Pas përplasjeve të para për pushtet të dy diktatorëve, Enver Hoxha-­Josip Broz Tito, Shërbimi Sekret serb, UDB, vazhdoi punën në tokën shqiptare ku, përveç përfaqësisë diplomatike, punëtorët e saj në terren vazhduan me raportimet e rregullta drejt Beogradit. Por, si të vazhdohet me Shqipërinë, e cila për momentin i kishte shpëtuar okupimit serb?

Kjo është pyetja, për të cilën më së shumti u shqetësua Beogradi zyrtar dhe kjo mund të jetë edhe arsye që u aktivizua i gjithë aparati shtetëror për të hartuar një plan të mirëfilltë afatshkurtër dhe afatgjatë, për llogari të të cilit u hartua edhe analiza e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë: Shqipëria në mes të dy luftërave! Sa janë të besueshme të dhënat nga kjo analizë?

Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një dokument konfidencial për përdorim të brendshëm, ky dokument flet për bashkëpunë­ torë shqiptarë të shtetit serb me emër dhe mbiemër, që janë protagonistë të ngjarjeve shumë të rëndësishme. Sipas këtyre të dhënave, ata mund të bien ndesh ose të përgënjeshtrojnë fakte të shumta të historisë aktuale shqiptare, për çka opinionet mund të jenë të ndryshme. Ama, çdo fakt nga ky dokument, që përcillet deri te shuma e parave të dhëna nga shteti serb për bashkëpunëtorin përkatës, mund të krahasohet me produktin ose zhvillimin e ngjarjes. Dhe kjo, pa dyshim që u takon historianëve, të cilët tashmë kanë në dispozicion këtë dokument të ri.

“Zbërthimi” që ky dokument i bën Konferencës së Paqes në Paris (1946), do të jetë një çështje shumë e rëndësishme për studiuesit, ashtu si edhe veprimtaria dhe bashkëpunimi i Beogradit me shqiptarët nga Esad Pasha deri në vitin 1939. Dëshmi konkrete për çështjen e Shën Naumit dhe Vrrakës, luftimit të Komitetit të Kosovës dhe pamundësinë e blerjes së të vetmit shqiptar, i cili, siç thotë dokumenti, përveçse i papërmirësueshëm si antiserb, mbeti edhe shqiptari i vetëm i pakorruptueshëm, Hasan Prishtina.

Ahmet Zogun, komunistët shqiptarë mund të vazhdojnë ta quajnë satrap e tradhtar për interesa të Serbisë, por nga kjo analizë ai nuk rezulton i tillë. Arsyet janë të shumta, madje Beogradi fajëson veten pse Zogu “devijoi” nga Serbia drejt Italisë. Për politikën, ekonominë, sigurinë, madje edhe Kishën Ortodokse shqiptare, Beogradi akuzon Zogun si mashtrues, por është ky i fundit që për herë të parë krijoi një politikë, ekonomi dhe siguri shqiptare ndryshe, ndërkohë që ky dokument i jep edhe meritat e panjohura deri më sot, për krijimin e Kishës Ortodokse Shqiptare autoqefale…

Nga dokumenti sekret i Ministrisë së Punëve te Jashtme të Jugosllavisë

Shërbimi jugosllav i MPJ ka ndërtuar me vite të tëra mbështetjen e saj informative në Shqipëri. Është udhëhequr me përvojën e konsullatave serbe në Maqedoni dhe në Kosovë në periudhën para luftërave ballkanike. Ka shfrytëzuar gjurmët dhe lidhjet miqësore të ushtrisë serbe nga koha e qëndrimit të saj në Shqipëri. Nga Esad Pasha dhe “esatistët” deri tek emigracioni në vitin 1939 kanë kaluar gati tri dekada, janë ndërthurur shumë detyra, gabime, mossuksese, kanë parakaluar dhe janë formësuar shumë bashkëpunëtorë dhe njerëz besnikë.

Në fund, përmes prizmës së kësaj pune shumëvjeçare është kristalizuar edhe një përvojë­çdo herë kemi humbur, kemi humbur jo pse kundërshtari ishte më i fortë se ne, por për shkak të gabimeve tona ose kolonës së pestë të qarqeve udhëheqëse të shtetit. Gabimet tona kanë buruar në pjesën më të madhe nga përçarja e shërbimit, që në terren ka nxitur egoizmin dhe ambicie të sëmura, prej të cilave shërbimi ka vuajtur seriozisht. Fanatizmi dhe intriga reciproke e organeve të MPJ, Shtabit të Përgjithshëm, e në disa raste edhe MPJ­-së në terrenet e jashtme kanë sjellë deri te rekrutimi dhe rigrabitja e bashkëpunë­ torëve dhe njerëzve besnikë.

Një punë e tillë, pashmangshmërisht ka shtuar shumë truket e pista, futjet dhe vjedhjet. Gabimet tona kanë rrjedhur më tej nga paaftësia dhe ndryshimet e shpeshta në qendër, prej të cilave kanë kërcitur në terren, kanë shkaktuar dëme dhe zhdukje nga zhurmues të ndryshëm dhe aventurierë, vetëm me qëllim të kapërcimeve të mëtejme. Dhe në fund, gabimet tona kanë ardhur si pasojë e mendimit që ka mbizotëruar në veçanti në periudhën e fundit të punës, se pozicionet në Shqipëri më mirë mund të mbrohen në Romë sesa në Tiranë, që ka sjellë paktin e Beogradit, Musolini­Stojadinoviç, në vitin 1937, dhe më tej deri në okupimin e Shqipërisë në vitin 1939.

Shërbimi ynë në Shqipëri në vitin 1924 kishte mjete të shumta materiale, me një rrjet të mirë njerëzish besnikë dhe bashkëpunëtorësh. Mjetet kryesore ishin përqendruar në Shkodër. Ambasadës në Tiranë i është vënë në dispozicion një kredi, që u quajt e papërcaktuar prej 500$ në muaj, derisa kredia mujore ishte 200 napolona dhe i paguhej çdo muaj numrit të caktuar të njerëzve besnikë, sipas listës së koduar. Ambasada synonte kryesisht që të kishte mbështetje të garantuar në MPB, në MPJ, në Prefekturën e Tiranës, xhandarmëri, në doganë në Durrës, Ushtri dhe Postë. Përveç kësaj, ka financuar një berberhane dhe dyqan, si dhe një bujtinë në Tiranë, dy kafe, njëra prej cilave në Portin e Durrësit dhe e dyta në Portin e Shëngjinit.

Kredia e papërcaktuar është shpenzuar kryesisht në shkatërrimin e aksioneve të kaçakëve dhe “Komiteti i Kosovës”, si dhe shpenzime të paparashikuara. Shkodra deri në paktin e Tiranës ishte qendra kryesore operative e shërbimit tonë, me një rrjet të mirë informativ dhe mjete të bollshme. Dallimi mes punës në Tiranë dhe asaj në Shkodër ishte se Shkodrës i ishte ndarë një kredi, ku shuma të caktuara u ishin dhënë me vite të tëra personave të njëjtë. Bajraktari i Mirditës, Mark Gjoni, e më pas Gjon Marka Gjoni, ka marrë me vite të tëra 100 napolona si shpërblim “nderi”, e për njerëzit e tij, sipas nevojës dhe zhvillimit të ngjarjeve, 100 mijë franga ari në muaj. Për Shalën, Kelmendin etj., gjithashtu ishte përcaktuar kredia mujore pa kurrfarë obligimi për shfrytëzuesit.

Ky ishte një lloj “apanazhi”, me marrëveshje të heshtur që nga natyra është i kuptueshëm, në mënyrë që shfrytëzuesit ta përdorin me detyrimin që të shërbejnë si miq, kur dhe nëse lind nevoja. Me forcimin e pushtetit qendror shërbimi gradualisht u transferua në Tiranë, por në vitet e para të pasluftës terreni në Shkodër ishte më i favorshëm për punë. Një numër i madh i familjeve serbe në qytet, disa prej të cilave shumë të vjetra dhe me autoritet të madh në mesin e shqiptarëve, me bashkëpunimin patriotik kanë lehtësuar në krijimin e mundësive më të favorshme.

Me vite të tëra atje kemi pasur peshkopin serb, shkollën dhe varrezat e ushtarëve serbë të ruajtura nga klerikët. Fshatin Vrakë afër Shkodrës, kryesisht serbë me kishë dhe shkollë. Në fund, afërsia e kufirit me doganën e korruptuar shqiptare dhe shërbimin kufitar, që e kishin rrugën gati të hapur. Në vitin 1924 në Shkodër ka shërbyer si konsull i Përgjithshëm, Ivo Vukoviç, nëpunës me përvojë dhe i aftë, nga familje e njohur malazeze, Vukoviç, me lidhje të shumta miqësore nëpër bajraqet shqiptare të Shqipërisë veriore. Ndaj tij qëndronte një konsull i përgjithshëm italian i fryrë dhe proteksionist fashist i paaftë, në frikë të përhershme se do të paguhet nëse futet në një shtëpi shqiptare…

KTHIMI I ZOGUT

Aksioni i armatosur filloi në mbrëmjen e 13 dhjetorit, e Zogu u fut në Tiranë më 24 dhjetor. Për përgatitjet e këtij aksioni janë shpenzuar 30.000 napolona. Shuma e fundit prej 10.000 napolonash, Zogut iu pagua në Dibër në prag të kalimit të kufirit. Sapo arriti në Tiranë, Zogu kërkoi shumë shuma të tjera. Duke analizuar gjithë punën, nga vendimi për nisjen e aksionit te përfundimi i tij, me futjen e Zogut në Tiranë Shërbimi për Shqipërinë pranë MPJ konstatoi disa gabime, nga të cilat pati pasoja të rënda.

Gabimi themelor, sipas vlerësimit, qëndronte në faktin se vëmendja më e madhe ishte përqendruar në drejtimin Dibër­-Tiranë, si më i shkurtri dhe më i rrezikshmi për kryeqendrën shqiptare. Shqetësimet dhe përgatitjet rreth drejtimit Prizren ­Lumë iu lanë Ceno Beut, ndërsa Stojan Dajiç ishte ngarkuar të merrej me Muharrem Bajraktarin. Nuk është rastësi që pavarësia dhe iniciativa për punë i është lënë Ceno Beut. Në qëllimet e asaj kohe të Shërbimit sekret serb, ai duhej të luante rolin përfundimtar. E gjithë familja Kryeziu ishte e gatshme të zhvendosej në Shqipëri.

Cenon me Zogun i lidhte besa e lindur me martesën me motrën e tij. Duhej të bëhej ministër i tij i Punëve të Brendshme. Ceno, nga ana tjetër, ishte në bashkëpunim të ngushtë me MPJ-­në, sipas traditës familjare që para vitit 1912. Ai e kuptoi rolin që iu përcaktua në Shqipëri, një rol që i kënaqte ambiciet e tij… Mirëpo, Ceno Beu ishte në Rrafshin e Dukagjinit i njohur në Shqipëri si “kosovar”, për këtë fakt dhe jopopullor, i huaj dhe pak i vlerësuar. Ishte e panevojshme ta popullarizoje, t’i krijoje famën, si me flori, ashtu dhe heroizëm.

Dajiç ishte mësues i vjetër në zonën e Prizrenit, që nga koha e Turqisë. Kishte përvojë në punë, në kuptimin e ngushtë, të afrohet, të informohet dhe të komunikojë të dhënat e mbledhura. Muharrem Bajraktari ishte ambicioz, gjë të cilën Dajiç nuk e dalloi dhe nuk e raportoi. Sikur Muharremi të rekrutohej si komandant, Bajram Curri sigurisht se do ta humbte kokën. Kjo gati sa nuk i ndodhi Ceno Beut. Shumë më vonë, njerëzit e Sigurimit sekret serb e kanë takuar Muharrem Bajraktarin në Budapest. I kanë shprehur nderime të mëdha si mysafir që e kishin në “Hungarian Palace”.

E mori këtë në mënyrë shumë të natyrshme, sikur i takon sipas fisit dhe gradës, sikur edhe vetëm kështu duhet të jetë. Vetëm se sytë e tradhtonin, përplot me krenari shqiptare. Gabimi i dytë ishte se Zogu qëndroi shumë në Shkup. Komandanti i Armatës, Bozha Terziç, me kokën e tij arsyetonte se ishte më e lehtë që Zogun ta përqendrojë në afërsi të tij sesa në Dibër. Njerëzit e Shërbimit me urdhër të MPJ e kontaktuan Terziçin në Dibër, i kërkuan garanci dhe i dorëzuan 20 qese me flori.

Meqë kishin udhëtuar natën deri në Dibër, e rruga ishte vazhdimisht e kërcënuar nga komitët e VMRO­-s, Terziç u dha makinën dhe ushtarët për kthim, por nuk tha asnjë fjalë se Zogu ishte në Shkup. Telegrami i Jelliçit shkaktoi një ngatërresë dhe lëvizje të panevojshme të rrezikshme, si dhe vonesa. Dhe, shërbimi ishte i përçarë. Secili e çonte ujin në mullirin e vet, si MPJ, MPB, ashtu she Shtabi i Përgjithshëm. Konkretisht, në rastin e emigracionit shqiptar, kjo ka shkaktuar pengesa dhe komplikime.

Shefi i qarkut në Gjakovë, për shembull, në mënyrë të pakuptimtë merrte në pyetje emigrantët “lidhur e ngjarjet në Shqipëri, për Muharremin”. E të tjerë. Ka ndodhur që organet e MPB­së në mënyrë të papërgjegjshme kanë dërguar njerëzit e tyre besnikë, përtej kufirit, për të mbledhur disa të dhëna, në numërim më të madh të rasteve arbitrare dhe të pabaza.

AGIM POPOCI

 

Burimi: http://www.panorama.com.al/libri-politikat-serbe-dhe-urdhri-i-titos-per-infiltrim-ne-shqiperi/

Postime të ngjashme