Plani mësimor i “punëtorëve të Partisë” të Sigurimit të Shtetit

Logo e Sigurimit

Nga Kastriot Dervishi

Enver Hoxha i kishte quajtur oficerët e Sigurimit, “punëtorë partie”. Në vitin 1992 shumica e tyre, rreth 98% u nxorën në lirim. Në vitin 1995, me ligjin për kontrollin e figurave, atyre iu ndalua në tërësi punësimi në administratën shtetërore. Por pas vitit 1997, e gjitha trupa e oficerëve në fjalë, u rikthye në administratën shtetërore. Në vitin 2008 u miratua një tjetër ligj për kontrollin e figurës, por ky u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Këto veprime duhej të ishin shoqëruar edhe me mosnjohjen e shkollës së lartë, profili sigurimi, si e pavlefshme për rendin e ri në të cilin hyri Shqipëria, njësoj siç ishte rasti i mosnjohjes së shkollës së partisë. Gjithsej për t’u bërë punëtor operativ duheshin 3 664 orë mësimi (1 656 mësim teorik dhe 1 234 në seminare), prej të cilave plot 516 orë ishin histori të PPSH-së apo lëndëve që lidheshin me marksizëm-leninizmin.

Në Sauk, fshatin më të afërt të Tiranës, ka qenë dikur Shkolla e Bashkuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme që përgatiste kuadrot e lartë që më pas shërbenin në të gjitha degët, drejtoritë apo repartet e kësaj ministrie. Pasi përzgjidhej numri i caktuar i nxënësve që do studionin në këtë shkollë, ata ndaheshin në 3 profile kryesore: polici, sigurim dhe kufi. Kjo evidentohej edhe në diplomën e studentit, në zërin “profil”.

Kuadrot që dilnin nga profili polici, punonin në Drejtorinë e Policisë Popullore. Kuadrot që dilnin nga profili sigurim, punonin në të tria drejtoritë e Sigurimit të Shtetit. Kuadrot që dilnin nga profili kufi, punonin në Komandën e Kufirit në qendër dhe në batalionet e kufirit përgjatë gjithë vijës kufitare, qoftë kjo tokësore, lumore, liqenore dhe detare. Në vitin e katërt para se të “dilnin në jetë”, përgatitja profesionale e punëtorëve të ardhshëm të Sigurimit të Shtetit, shihej me shumë kujdes, duke pasur një lloj përparësie në krahasim me dy profilet e tjera.

Nëse në shkollat e tjera bëhej praktika në uzinë, fabrikë, shkollë etj. praktika e nxënësve të vitit të katërt zhvillohej pranë degëve të punëve të brendshme në rrethe si dhe në vendin e një ngjarje. Përgatitja profesionale e drejtuar nga një punëtor operativ i degës përkatëse përfshinte së pari edukimin ideopolitik, duke kaluar më pas në njohjen dhe përdorimin e evidencës operative.

Logo e Sigurimit

Në radhë të parë, rëndësi u jepej studimi i dosjeve formuluare (kontroll operat apo përpunim aktiv) të objekteve që ndiqeshin për “spiunazh”, “agjitacion e propagandë”, tendencë për arratisje jashtë shtetit; sabotazh dhe antiparti. Në këtë mënyrë përcaktohej fare mirë “puna” e ardhshme që përligjte veprimet e “armës së dashur të partisë dhe popullit”.

Por jo vetëm kaq. Studenti parashikohej të merrte pjesë në një operacion që mund të ishte arrestim ose internim. Kjo rriste brumosjen dhe “forconte zemrën” e kuadrit të ardhshëm të Sigurimit të Shtetit. Punëtori operativ ishte personi që përgatiste dosjen formulari të objektit për arrestim, elementë të së cilës mund të përdoreshin për nisjen e dosjes hetimore që ndërmerrte hetuesia. Duke marrë pjesë në një arrestim, kuadri i ri shihte lidhjen e hallkave të diktaturës sesi bëheshin funksionale. Por edhe internimi nuk ishte i paktë në pjesëmarrjen e punëtorit operativ. Ky i fundit kishte zonë të caktuar në lagje të qytetit apo fshatit. Mbi bazën e propozimit të operativit, komisioni vendor që kryesohej nga sekretari i parë i komitetit të partisë të rrethit, i propozonte Komisionit të Internim – Dëbimeve pranë Kryeministrisë, marrjen e vendimit për internimin e personit apo familjes për një kohë prej 5 vjetësh.

Edukimi i kuadrit vlerësohej i rëndësishëm ndërsa për këtë çështje, dikur Enver Hoxha kishte thënë: “Çështja e edukimit duhet të bëhet si çështje e bukës që ha në drekë e në darkë. Në rast se rrini pa bukë, mund të rrini dhe pa kulturë, pa marksizëm-leninizmin. Prandaj të ndiqni shkollat dhe kurset”.

***

Plani mësimor i Sigurimit

Program i praktikës mësimore për studentët e vitit të katërt Sigurimi

Në bazë të planit e programit mësimor të Shkollës së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme studentet e vitit të katërt Sigurim do të zhvillojnë një muaj praktiken mësimore pranë degëve të punëve të brendshme në rretho. Gjatë kësaj periudhe studentet do të realizojnë këto detyra:

  1. Të marrin pjesë ne punën për edukimin ideopolitik, profesional e ushtarak të sektorit të Sigurimit sipas planove të degës së punëve të brendshme.
  2. Të njihen me evidencën operative të punëtorëve operative (përjashto pjesën e rrjetit sekret informativ dhe atë të përpunimeve), me situatën operative të zonës, me veprimet që kryen punëtori operativ në marrëdhënie me sektorin e evidencës operative, me punëtorët operativë në degë dhe me degët e tjera të punëve të brendshme.
  3. Të njihen me dosjet formulare të një objekti që ndiqet për spiunazh; të një objekti që ndiqet për agjitacion e propagandë armiqësore; të një objekti që ndiqet për arratisje jashtë shtetit; të një objekti që ndiqet për sabotim dhe të një elementi antiparti.
  4. Të punojnë për hartime të planeve të masave operative, plane kombinacionesh për objektet e përpunimit që kanë njohur.
  5. Të marrin pjesë në një operacion (arrestim ose internim).
  6. Të njihen me dosjet personale dhe të punës të një agjenti, një informatori dhe një rezidenti. Të marrin pjesë në takimet që organizon punëtori operativ me këta bashkëpunëtorë.
  7. Të bëjnë përpunimin e raportove të marra nga bashkëpunëtoret që takojnë.
  8. Të njihen me një dosje të ORV.
  9. Të njihen me plan-masash për sigurimin e udhëheqjes së Partisë e të shtetit kur vijon në rreth apo në stërvitje ushtarake.
  10. Të njihen me një dosje dha fashikull kërkimi.
  11. Të njihen me masat që merren për kontrollin e të huajve që vijnë nëpërmjet kanaleve legale në atë rreth dhe me fashikullin e një të huaji.
  12. Të njihen me procedurën e masave që merr punëtori operativ i zonës me shefin e sigurimit të njësisë por mbajtjen në gatishmëri e ndjekje ne dinamikë të evidencës se. kohës së luftës.
  13. Të marrin pjesë në grupet operativo-hetimore për këqyrjen e vendit të ngjarjes.
  14. Të shkojnë 3 ditë në zonë me punëtorët operativë me qëllim që të mësojnë se si e organizojnë dhe realizojnë punën ata me rrjetin sekret, me përpunimet, kontingjentet. bashkëpunimin e punës me punëtorët operativë të tjerë (Sigurim, Ndjekjen e Krimeve, si dhe atë të Sigurimit të Ushtrisë), marrëdhëniet e punëtorit operativ me organet e Partisë e të pushtetit në zone, si dhe lidhjet me masat etj.
  15. Të marrin pjesë në analizat e punës në seksion apo degës për probleme të Sigurimit.
  16. Të punojnë dhe të ndihmohen për gjetjen e materialeve të nevojshme për temën e punës se pavarur, ta përfundojnë atë dhe të dërgohet në shkollë dhe me datën 4.6.1987.
  17. Të qëndrojnë një ditë pranë oficerit të rojës në degë dhe të ndjekin nga afër veprimet dhe detyrat që kryen ai gjatë shërbimit 24 orësh.

Për hartimin e planeve individuale për çdo student, si dhe për kontrollin e praktikës mësimore, Katedra e Sigurimit do të dërgojë pedagogët e saj në degët e punëve të brendshme përkatëse.

(Programi në fjalë ishte miratuar edhe nga ministri)

Profili i Sigurimit

Programi i shkollës

Shkollimi në profilin Sigurim ishte 4 vjet. Provime formimi jepeshin në lëndët marksizëm-leninizmi dhe specialitet. Lëndët që zhvilloheshin ishin këto:

  1. Histori e PPSH-së
  2. Ekonomi politike (kapitalizmi)
  3. Ekonomi politike (socializmi)
  4. Materializmi dialektik
  5. Materializmi historik
  6. Gjuhë e huaj
  7. Kontabilitet
  8. Logjikë
  9. Psikologji
  10. Teoria e shtetit dhe e së drejtës
  11. E drejtë kushtuese
  12. E drejtë e punës dhe familjes
  13. E drejta civile (pjesa e përgjithshme)
  14. E drejta penale (pjesa e përgjithshme)
  15. E drejta administrative
  16. E drejta e detyrimeve
  17. E drejta kushtetuese (pjesë e posaçme)
  18. E drejta kooperativiste
  19. Procedura penale
  20. Mjekësi ligjore
  21. Psikiatri gjuhësore
  22. Kriminalistikë
  23. E drejta ndërkombëtare publike
  24. Kriminologji
  25. Informatikë
  26. Historia e armës së Sigurimit të Shtetit
  27. Specialitet
  28. Njohuri për zbulimet e huaja
  29. Mjetet teknike dhe metodat
  30. Përgatitje taktike
  31. Historia e artit ushtarak popullor
  32. Përgatitje zjarri
  33. Përgatitje fizike
  34. Topograf

Gazeta 55, 15 mars ’18
Titulli origjinal: Punëtorët operativë dhe programi sovjetik i shkollës

Postime të ngjashme