Poetët e ekzekutuar dhe ekspertiza e Diana Çulit

Blloshmi-dhe-Leka-

Poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u ekzekutuan nga regjimi komunist në verën e 1977-s. Pas ekzekutimit u hodhën në një gropë si të dënuar nga një seri akuzash si “agjitacion propagandë kundër pushtetit popullor” dhe për “sabotim të ekonomisë socialiste.Dosjet e tyre përmbajnë akuza të shumta të ngritura nga regjimi për të justifikuar aktin makabër të vrasjes së dy poetëve.

Në dosjet e komunizmit në zyrat e ish-Partisë së Punës në Librazhd shkruhet se ishin të aktivizuar në propaganda kundër pushtetit popullor që prej vitit 1968 e më pas kishin sabotuar ekonominë prej vitit 1973 deri në gusht të vitit kur u arrestuan, 1976. Dega e Punëve të Brendshme në Librazhd kishte nisur dy muaj më herët një çështje penale ndaj një grupi që akuzohej për përvetësim të pronës socialiste në kooperativën e Breshistës.

Hetimet nxorrën nën akuzë 9 persona, mes të cilëve edhe Vilsoni dhe Genci.  Atyre iu kontrollua çdo detaj, edhe krijimet poetike, mes të cilave edhe ato që Diana Çuli me kërkesë të drejtuesit të Punëve të Brendshme në Librazhd, bëri ekspertizën letrare të poezive të Lekës, duke hartuar një akt-ekspertim që pastaj rezulton të jetë përdorur dhe cituar në gjyqin kundër Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në 1997.

Në materialin e hartuar prej saj, Çuli ndër të tjera shkruante: “Siç shikohet nga vjershat apo nga vargjet që citohen, autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim. Kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkon me alegori, gjë që tregon se ka një tronditje të theksuar ideologjike, ose autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë”.

Në emisionin Top Story, në Top Channel cështja e dy poetëve martirë u diskutua nga një panel me gazetarë,shkrimtarë dhe njerëz të letrave. Shkrimtarët Diana Culi dhe Agron Tufa , të pranishëm në panel, vazhduan përplasjen e nisur në rrjetet sociale dhe mediat e shkruara në lidhje me rolin e së parës në gjykimin dhe pushkatimin e poetit Genc Leka 40 vite më parë.

Agron Tufa këmbënguli se recenca e bërë prej Çulit të poezive të Genc Lekës, çuan në dënimin me vdekje të poetit. Ai tha se recenca e shkrimtares ka qenë e ashpër dhe e qëllimshme. “Ju tek poezitë që ishin lirika peisazhi, mund t’i kishit bërë një interpretim më neutral. Ju thoni që mund t’i kishe bërë më keq?! Interpretimi juaj ishte i ashpër sepse kishit një urrejte të madhe për këtë klasë, mbronit regjimin”, tha ai.

Vetë Diana Çuli tha se nuk kishte përgjegjësi në pushkatimin e Genc Lekës, ndërsa shtoi se nëse nuk do të bënte recencën e poezive, mund të dënohej. “Nëse nuk do ta bëja unë ekspertizën, recencën e poezive të Lekës, unë do të dënohesha dhe këtë do ta bënte një tjetër shkrimtar. Nuk e quaj veten përgjegjëse për vrasjen, se ndryshe nuk do të dilja në rrugë. Jam shumë e lënduar dhe e trishtuar për vuajtjen që ka hequr Genc Leka dhe Vilson Blloshmi dhe nuk e quaj veten përgjegjëse për vrasjen”, deklaroi shkrimtarja. Çuli thotë se ka folur gjithmonë kur kjo çështje është ngritur mediatikisht dhe në publik që prej vitit 1994, ndërsa shton se ka zgjedhur përgjithësisht heshtjen ndaj familjes Blloshmi për të respektuar dhimbjen e tyre.

“Kam kërkuar ndjesë për familjen e Genc Lekës, por nuk e shoh veten përgjegjëse për vrasjen e Genc Lekës. Akuza është shumë e rëndë dhe nuk është ngritur as kundër përgjegjësve të diktaturës. Nuk kam dashur të replikoj me zotin Blloshmi asnjëherë sepse kam kuptuar dhimbjen e tij. Nuk e quaja të drejtë që të replikoja me zotin Blloshmi, që ka shumë artikuj ku shpjegon edhe rrethanat plotësuese të asaj historie. Isha pjesë e përdorur nga sistemi dhe unë isha e detyruar që ta bëja këtë”, tha ajo.

Çuli tha se Agron Tufa nuk e bën këtë lëvizje për të zbardhur të vërtetën, ndërsa Mark Marku (pjesë e panelit) ishte në qëndrimin e Tufës, kur tha se recenca e shkrimtares ishte tejet e ashpër dhe e rreptë.

Burimi: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=350120&ref=ngjhttp://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=350123#tab

Postime të ngjashme