PRILL

1 prill 2009

Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s.

 2 prill 1943

Pushkatimi i robërve të luftës. Në natën e 2 prillit 1943, Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës I S, pushkatoi 83 robër italianë në luginën e Romësit, Mallakastër. Po kështu, në afërsi të Labinotit u pushkatuan me miratim të E.Hoxhës dhe urdhër të M. Shehut 20 oficerë dhe 120 karabinierë italianë, me në krye kolonel Gamuçin, të cilët ishin vetëdorëzuar te partizanët, pasi dezertuan nga ushtria italiane(tetor 1943). Pushkatimin dhe marrjen e teshave, këpucëve dhe sendeve te çmuara, e bëri komandanti i batalionit II të Brigadës I, Xhelal Staravecka, sipas urdhrit të M. Shehut: “Të ekzekutohen në mënyrën më konspirative përtej lumit, sepse këtu ku janë, jo vetëm bënë bujë, por është i vështirë edhe transporti i teshave personale që ata kanë.”

2 prill 1950

Vritet në përpjekje Pal Mëlyshi, i infiltruar i Sigurimit të shtetit tek grupet e të arratisurve politikë në malet e Mirditës. Pas vrasjes, Mëlyshin e zhvarrosën dhe e shpallën “Hero të heshtur”.Në malet e Shqipërisë vepronin luftëtarët antikomunistë, të quajtur diversantë. Vetëm në qarkun e Shkodrës në vitet 1945-1946 vepronin 20 “banda” të arratisurish me gjithsej 738 vetë, si grupi i Nik Sokolit, Mark Malajt, Gjergj Vatës, Hasan Isufit etj. Pas vitit 1949, u futën në Shqipëri grupet e desantëve, të përgatitur në Itali, Greqi, Maltë dhe RFGJ (kompania 4000) nën kujdesin e Shërbimit të fshehtë Amerikan në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëri e Lirë”: grupet e Ethem Çakos, Zenel Shehut, Alush Leshanakut, Nikoll Markut, Izet Vrazhdos etj. të cilët u asgjësuan në sajë të lojës së dyfishtë të agjentit Kim Filbi. Lufta kundër “bandave” vazhdoi deri në vitin 1954. Më 1 maj 1953 u kap grupi i Hamit Matjanit nëpërmjet radio-lojës të Sigurimit “Liqeni i Vajkalit”. Pas një gjyqi spektakolar, pjesëtarët e grupit u dënuan me vdekje, ndërsa Hamit Matjani me varje në litar.

4 prill 2009

Shqipëria u pranua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO dhe mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasburg/Kehl. Më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht. Shqipëria ka dhënë dhe jep kontributin e saj në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak; ishte ndër vendet e para që iu bashkua Aleancës kundër terrorizmit ndërkombëtar.

7 prill 1939

Dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Trupat pushtuese italiane zbarkuan në Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë, ku u pritën me pushkë. Në Durrës luftuan trupa të Ushtrisë Kombëtare me në krye Abaz Kupin, ku ra dëshmori i parë i Luftës Antifashiste, kapteri Mujo Ulqinaku.

7 prill 1939

Mbreti Zog I largohet nga Shqipëria me gjithë familje dhe oborrin, për shkak të pushtimin Italian. Fillimisht në Greqi, mandej në Turqi, Rumani, Poloni, vendet Balltike, Suedi, Francë, Angli, Egjipt (i ftuar nga Mbreti Farruk I) dhe sërish në Francë, ku edhe vdiq më 9 prill 1961.

8 prill 1939

U hodhën në Tiranë themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” nga Mid’hat Frashëri, ndërsa programi politik “Nacionalizma shqiptare” u miratua në qershor 1939. Në vitin 1944 doli gazeta e Ballit Kombëtar “Flamuri”.

20 prill 2015

Deklarata e Përbashkët për Partneritet Strategjik Shqipëri-SHBA, nënshkruar më 20 prill 2015, pasqyron marrëdhëniet e partneritetit mes dy vendeve dhe materializon bashkëpunimin me një kalendar konkret dhe gjithëpërfshirës. Ky dokument fokusohet në partneritetin mes dy vendeve në tre plane: partneritet për çështjet globale; partneritet për çështjet rajonale dhe partneritet për agjendën dypalëshe – dialogu politik, siguria, forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe shkëmbimet arsimore-kulturore.

25 prill 1993

Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, pasi ajo kishte dalë nga izolimi i plotë i diktaturës komuniste. Një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptaret. Ai u përkul dhe puthi tokën shqiptare. Bashkë me Papën kishte ardhur edhe shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza.

28 prill 1945

U arrestua dhe u burgos kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Dede Kamber Prishta, që vdiq në burg nga torturat. Po këtë vit nisi vala e arrestimeve, burgimeve dhe e pushkatimeve për klerikët atdhetarë bektashinj, që vazhdoi me vite. U pushkatua Baba Qamil Gllava (1945), Baba Xhelo Gllava (1946), baballarët Ali Tomorri, Bedri Cakrani dhe Shefqet Koshtani, të lidhur dorë më dorë (1948). U pushkatuan 15 klerikë bektashinj, u burgosën 30 të tjerë dhe u internuan e persekutuan qindra të tjerë, bashkë me kryegjyshin tjetër botëror Dede Ahmetin dhe dervish Reshat Bardhin, më pas kryegjysh botëror i Bektashizmit. Po ashtu u persekutuan dhe u burgosën për motive fetare edhe klerikët myslimanë, si Shërif Llangu, kryetar i komunitetit mysliman, Hafëz Ali Korça, Hafëz Ali Tare, Hafëz Dërguti, Hafëz Sabri Koçi etj.

30 prill 2015

U miratua Ligji për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, që garanton të drejtën e çdo individi për t’u njohur me informacionin dhe dokumentimin e ish-Sigurimit të Shtetit (1944-1990). Ligji parashikon ngritjen e një Autoriteti Profesional dhe jo politik, i cili do të marrë përsipër administrimin e të gjithë arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas kritikëve, ligjit i mungon pjesa thelbësore, ajo e lustracionit, e domosdoshme për dekomunistizimin e politikës shqiptare.Ky është ligji i tretë për hapjen e dosjeve. Në vitin 1995 u miratua i ashtuquajturi ligji “Mezini” që pengonte kandidimin e personave të implikuar nga Sig. Shtetit që të merrnin pjesë në zgjedhjet politike e vendore. Por ky ligj u konsiderua politik dhe nuk gjeti zbatim të plotë, njësoj si ligji “Bezhani”, që tentoi pastrimin e politikës dhe të administratës civile nga ish-punonjësit e Sigurimit.