“Pyet gjyshërit” – një reflektim i ndërsjelltë mes brezave

pyet-gj2

Nga Ergi Picaku.

Shqipëria është një vend i cili ka 26 vite që është larguar nga harta e kuqe e vendeve komuniste. Shoqëria dhe sidomos të rinjtë kanë reflektuar shumë pak në lidhje me të shkuarën. Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, vitin e kaluar zhvilloi një konkurs për të gjithë të rinjtë të lindur pas viteve’ 90-të me qëllim që të reflektonin mbi të shkuarën. Pas suksesit të konkursit të parë, të lindurit pas 90-tës ftohen në një konkurs tjetër, kësaj rradhe për të pyetur gjyshërit. Për këto dhe shumë të tjera, Ishull.com intervistoi drejtoreshën ekzekutive të IDMC, Dr. Jonila Godole.

Si lindi ideja e konkursit “Pyet Gjyshërit”?

Ideja për konkursin “Pyet gjyshërit” ka qenë një lloj pengu personal, ta kisha pyetur gjyshin tim për historinë e familjes sime, të cilën e njoha realisht vetëm pas viteve 1990. Do kisha dashur shumë ta pyesja gjyshin për gjëra që i kam ende me pikëpyetje.

Çfarë synon të sjellë konkursi “Pyet Gjyshërit”?

Një konkurs me këtë temë i fton gjithë të rinjtë t’i futen një procesi delikat për të njohur dhe për të reflektuar mbi të shkuarën, duke mësuar historitë personale të familjes. Nga ana tjetër, mendoj që edhe vetë gjyshërve, më të moshuarve që e kanë përjetuar atë kohë, u bën mirë kjo gjë sepse duke treguar historitë e tyre mbase edhe ata vetë, dashur pa dashur, reflektojnë edhe një herë për atë periudhë të rëndësishme historike të vendit tonë.

Gjatë konferencës u diskutua pjesëmarrja në konkurs e të rinjve nga Kosova, sa shpresëplotë jeni që të rinjtë nga Kosova do të sjellin një ide më ndryshe sepse ata kanë përjetuar një formë regjimi më ndryshe se shqiptarët e Shqipërisë?

Të rinjtë nga Kosova shfaqën interes të madh edhe vitin e kaluar në konkursin “Born in the 90s”, por ai fatkeqësisht ishte i lidhur ngushtë me historinë e Republikës së Shqipërisë. Këtë vit unë mendoj që të rinjtë e Kosovës duke filluar nga mosha 15 vjeç, mund të bëhen pjesë e këtij konkursi, por gjithmonë duke dërguar punime që reflektojnë aspekte të së shkuarës në Shqipëri. Pra, akoma ky konkurs, edhe këtë vit ngelet specifik vetëm për diktaturën shqiptare. Diktaturat, në fakt, në thelb nuk është se janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Megjithatë diktatura që ne kishim këtu Brenda, jo nga një Milosheviç, nga një i huaj, por nga shqiptarë për shqiptarë 45 vite me radhë është e ndryshme. Megjithatë unë mendoj që të rinjtë eKosovës mund të ndajnë shumë përvoja interesante, dhe të reflektojnë në mënyrë kreative për histori që kanë të bëjnë me familjet kosovare që ishin në Shqipëri apo anasjelltas (por gjithmonë duhet të ketë një lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri). Në konkursin e ardhshëm mbase do ta përfshijmë direkt edhe Kosovën.

Çfarë mesazhi do ju përcillje të rinjve që do marrin pjesë në konkurs?

Mesazhi im është që, jo thjesht pyesni gjyshërit duke i vënë ata me shpatulla pas murit – kjo kashumë rëndësi të thuhet, – por e rëndësishme është që t’i dëgjojmë historitë e tyre, t’i mirëkuptojmëata, dhe ta pranojmë mendimin e tyre, ashtu sikurse është. Ky konkurs nuk synon konflikt mes brezave, por do të nxisë komunikimin mes tyre. Një lloj dhënie të stafetës, duke u thënë të rinjve të mos përsërisin gabimet e bëra nga ata, në një kohë ku liria e fjalës, jeta e individit etj.ishte në dorën e Partisë. Nga ana tjetër, ky konkurs është i hapur për të gjitha llojet e dëshmive, nga gjyshërit dhe familjarët që kanë kaluar jetën nëpër burgje dhe internime, te “të burgosurit” e tjerë në gjasme-lirinë e sistemit, në fshatra, zona kufitare, si dhe qytetarë të tjerë të asaj kohe që në një fare mënyre e përkrahën sistemin me apo pa vetdije. Ky konkurs është i hapur për histori të veçanta jo vetëm vuajtjeje, por edhe dashurie, është i hapur për video kreativembi tema si funksionimi i shoqërisë, racionet, shkollimi, tabutë e asaj kohe, muzika, teatri, arti, lëtërsia, lojërat etj. Pra është një konkurs me një tematikë shumë të zgjeruar, se sa të shkon nëpër mend kur thua reflekto mbi të shkuarën, reflekto mbi diktaturën.

Burimi: Ishull.com

Postime të ngjashme