Raport-informacion: Vaçe Zela prirje për “shfaqje të huaja”

vace zela

Dokumenti që po publikojmë në këto kapitull të librit i përket datës 17 mars të vitit 1973, ku funksionari i lartë i Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Halili, informon Enver Hoxhën mbi një mbledhje që është zhvilluar me kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni. Në atë mbledhje, e cila zhvillohej po në të njëjtën kohë me mbledhjen e mbajtur nga Enver Hoxha në Presidiumin e Kuvendit Popullor, së cilës i kishte paraprirë fjala e tij në Plenumin e III të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku si bosht kryesor të dyja kishin të njëjtën temë: “Shfaqjet e huaja dhe ndikimi i tyre në art, kulturë, letërsi dhe në të gjithë jetën e vendit”. Dhe gjithashtu, të dyja këto mbledhje mbaheshin vetëm pak kohë pasi kishte përfunduar Festivali i 11 Kombëtar i Këngës në Radio Televizion, i cili u bë shkas në një farë mënyre, apo mundet me shumë gjasa që të kishte qenë edhe preteksti që u gjet për goditjet që iu dhanë shumë shkrimtarëve dhe artistëve, me në krye të ashtuquajturin: Grupi armiqësor në Art e Kulturë me në krye Fadil Paçramin e Todi Lubonjën.

Ashtu siç do të shohim në raport-informacionin në fjalë, i deleguari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Halili (asokohe instruktor në K.Q. deputet në Kuvendin Popullor, sekretar i parë në disa rrethe dhe vite, më pas ministër dhe anëtar i Byrosë Politike), i ka përshkruar me detaje gjithçka ndodhte në kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni. Madje jo vetëm aq, pra në atë çka ndodhte në punën e tyre, por informacioni shtrihej deri edhe në jetën personale e familjare të aktorëve dhe artistëve të atij institucioni. Ajo që vihet re aty është se kritikat e ashpra nuk kursehen as ndaj Vaçe Zelës, e konsideruar që asokohe si një nga legjendat e këngës shqiptare, apo regjisorit të njohur, Bujar Kapexhiu, ndaj të cilit ishte bërë objekt sulmesh, edhe prej faktit se kishte drejtuar si konferencier Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, së bashku me partneren e tij, Edi Luarasi.

Dhe të gjitha këto, të trajtuara me detaje të hollësishme në raport-informacionin në fjalë të të deleguarit të Komitetit Qendror i drejtoheshin vetë Enver Hoxhës, gjë e cila duket edhe nga firma që ai ka vënë në dokumentin përkatës, por ndryshe nga praktika e zakontë, aty ai nuk ka vënë ndonjë shënim përveç nënshkrimit të tij. Dhe siç ishin rregullat e punës me të cilat funksiononte aparati i Komitetit Qendror, përveç Enver Hoxhës, ai raport-informacion është parë edhe nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Petro Dode, të cilët gjithashtu kanë vënë nënshkrimet përkatëse mbi atë dokument. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e dokumenteve që janë pjesë e librit që cituam më lart, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim, ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse në Arkivin Qendror të Shtetit, Fondi 14, Aparati, Komiteti Qendror i PPSH.

Informacion
MBI DISKUTIMIN E FJALIMEVE TË SHOKUT ENVER, NË ORGANIZATËN BAZË DHE KOLEKTIVIN E ESTRADËS PROFESIONISTE, TIRANË
Analiza për problemet që trajton shoku Enver në dy fjalimet e fundit u bë mirë si në organizatë, ashtu edhe në kolektiv. Komunistët dhe mjaft pjesëtarë të kolektivit të cilët diskutuan, ishin përgatitur seriozisht dhe me frymën e kritikës dhe autokritikës. Ngritën mjaft probleme, në mënyrë të veçantë për veten e tyre dhe për të tjerët. Në organizatë bazë diskutuan pa përjashtim të gjithë komunistët, kurse në kolektiv, mbi 15 vetë. Në fillim, në organizatën bazë, diskutimet u përqendruan më shumë në një drejtim, në atë të shijeve dhe modës, por me ndërhyrjet që u bënë, morën rrugë më të drejtë, ndërsa në kolektiv orientimi për t’i parë problemet në gjerësinë e tyre u bë më parë dhe kjo ndihmoi për mbarëvajtjen e punës. Në tërësi diskutimet, me ndonjë përjashtim, trajtuan problemin e ndikimeve të huaja të ideologjisë borgjeze revizioniste në përmbajtje dhe formën e punës në skenë, si dhe për sjelljen e kulturuar, shijet estetike dhe modën.

“Në estradë kanë depërtuar forma dhe ndikime të huaja”
Gjatë zhvillimit të mbledhjes doli se në përgjithësi ka pasur një preokupacion nga organizata bazë dhe disa punonjës pa parti për t’i parë dhe trajtuar drejtë disa probleme si të përmbajtjes dhe të formës së çfaqjeve, ashtu edhe për sjelljen e kulturuar në jetë, shijet ideoestetike dhe modën. Tek këto të dytat rezulton se ndonjëherë është ndalë organizata bazë dhe drejtoria e institucionit, sidomos këto dy vitet e fundit me emërimin si drejtor të shokut Dhimitër Gjoni. Me gjithë këtë, shokët dhe shoqet që folën, me syrin kritik, ngritën dhe vunë në dukje mjaft çfaqje dhe ndikime të ideologjisë së huaj, kapitaliste dhe revizioniste në art, që kanë depërtuar në forma të ndryshme e nga ndonjë person i veçantë edhe në spektaklet e tyre sidomos në muzikë, dekor dhe paraqitje.
Disa nga ndikimet e huaja që kanë depërtuar në trupën e Estradës.
– Nga një herë të prirë për të siguruar “suksesin”, pa marrë parasysh misionin e ngarkuar, rolin e estradës si revistë folëse edukative, nga udhëheqja dhe më shpesh nga regjia dhe ndonjë aktor i kanë kushtuar rëndësi humorit për humor, pa përmbajtje. Në këtë drejtim u sollën mjaft shembuj të realizuar në premiera të ndryshme. Ky fenomen i theksuar ka qenë intermexo dhe parodi, ndonjë nuancë ka pasur dhe në skeçe.

“Vaçja nuk vjen tre muaj në punë dhe i paguhet rroga”

– Për të “rritë” vlerën e premierës, për të pasë shumë “sukses”, me dashje kanë vënë një numër të madh këngësh të huaja, nganjëherë pa ditë dhe përmbajtjen. Përveç “arsyeve”, të sipërpërmendura, tek disa ka ekzistuar edhe predispozicioni e dëshira për të vënë ose kënduar këto këngë. Në një premierë, nga 15 këngë shqiptare që iu afruan për të zgjedhur 1 ose 2 këngëtares, Vaçe Zela nuk pranoi asnjë dhe insistoi të këndojë një të huaj spanjolle, mbas diskutimit me të, drejtuesit u thyen dhe u bë ashtu siç deshi ajo. Ky debat u bë me Vaçen edhe për një premierë tjetër, por me të drejtë nuk u mor parasysh kërkesa e saj. Vazhdimisht ka mbajt dhe mban qëndrim kapriçioz, mospërfillës dhe arrogant karshi organizatës bazë, drejtorisë dhe kolektivit, ka mbi tre muaj që nuk paraqitet fare në punë pa asnjë arsye. Nga drejtoria dhe kolektivi janë bërë përpjekje për ta ndihmuar, por më kot. Komiteti Ekzekutiv i rrethit është në dijeni të këtyre qëndrimeve të saj, por megjithatë ka porositë drejtorinë që t’i paguajë rrogën sikur ajo të ishte në punë. Organizata bazë dhe kolektivi nuk janë dakord me këtë qëndrim.

“Skënder Sallaku: E kemi edukuar keq spektatorin me muzikë të huaj” 

– Të udhëhequr nga arsyetime të gabuara ideologjikisht, se gjoja muzika e huaj e sidomos ajo ritmike i pëlqen rinisë, ishte bërë zakon në Cirk dhe Estradë, nga regjisori, (Bujar Kapexhiu, shënimi ynë. D.K), ndonjë krijues dhe aktor, shoqërimi i parodive e ndonjë skeçi kryesisht me muzikë ritmike të huaj. Në diskutimin e tij, kandidati partisë, artisti Skënder Sallaku në mes të tjerave tha: “Ne i kemi edukuar keq spektatorët e sidomos rininë, duke vënë në parodi muzikën e huaj, bile është zgjedhura jo më eksituesja, jemi entuziazmuar nga duartrokitjet, të cilat zakonisht fillonin sa dëgjoheshin notat e para të muzikës dhe aq bënte për përmbajtjen e tekstit, i cili në më të shumtën e rasteve nuk dëgjohej fare”. Kujtim Shehu, aktor dhe krijues në Estradë tha: “Kur kishim ndonjë skeç të dobët, me qëllim për ta bërë të suksesshëm, i futnim melodi të huaj, në gabime të tilla në ndonjë rast kam vënë dhe unë, por tani e kuptoj se duke dashur të vëmë vetulla, kemi nxjerrë sytë”.
Instruktori i KQ
Enver Halili
17.3.1973

Nga Dashnor Kaloçi 

Fax-1

Burimi: http://www.gsh.al/2017/07/06/dossier-letra-per-enverin-vacja-arrogante-dhe-mosperfillese-ndaj-partise-refuzoi-15-kenge-shqip-zgjodhi-spanjolle/

 

Postime të ngjashme