Raportet e survejimit ndaj gjuhёtarit Selman Riza

pasionet dhe pesimet e selman rizes

Në vitin 2009, me rastin e 100 – vjetorit të lindjes së gjuhëtarit Selman Riza, në Prishtinë u botua një libër mjaft ngacmues mbi shumë anë të panjohura të jetës dhe veprimtarisë së gjuhëtarit. Me titullin “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, ky libër i akademikut Rexhep Ismajli është i mbushur plot e përlot me dëshmi e dokumente, që hedhin dritë mbi gjithë atë komedi tragjike që u luajt në kurriz të Selman Rizës për më shumë se 30 vjet, deri në çastin kur ai mbylli sytë.

Si dhe pse u survejua? Nga kush? Çfarë kishte bërë ky intelektual që nuk i shkonte për shtat regjimit, rretheve ku ai punonte, kolegëve të tij, të njohurve të rastësishëm…. Çfarë i duheshin Sigurimit të Shtetit çastet më të zakonta të jetës së tij, ora kur dilte në mëngjes nga shtëpia, rruga nga kalonte, dyqani ku blinte bukën, apo gruaja që e shoqëronte, e që agjenti që raporton, e cilëson: “Mendohet të jetë gruaja e tij, sepse i futi krahun…”!

Nën shijen e kësaj paranoje të pazakontë mund të kalosh faqe të tëra nga raportet e survejimit që hartonin çdo ditë agjentët e Sigurimit me nofka të çuditshme si “Jaku”, “Gjenevreku”, “Bleta”, “Taraboshi”….. Por një tjetër ndjenjë, këtë herë keqardhje, të kaplon kur në raportet e tyre hasen emra personazhesh të njohur të botës së studimeve, prej të cilëve vilen informata, merren komente, zbulohen imtësi rreth gjithçkaje që bënte Selman Riza.
Gjuhëtari u nda nga jeta në dhjetor të vitit 1988, vetëm 2 vite para se të rrëzohej regjimi komunist dhe vitin e ardhshëm shënohet 30 vjetori i vdekjes se tij.

Ndërsa procesi i hapjes së dosjeve, ka nisur prej disa muajsh nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish¬Sigurimit të Shtetit, ky libër i akademikut kosovar mund të konsiderohet si një prej dritareve të para drejt kësaj bote të errët që mban të mbërthyer prej dekadash vëmendjen e shqiptarëve.

Pjesa e parë e raporteve të sigurimit/Raport nga Taraboshi

Mar. Pun.Op. Bedri Lybesha.
Dhënë Agjenti Taraboshi
Raport i datës 1/VI/969

Në datën 27/V/969 ai vajti ke Selman Riza për të marrë disa udhëzime nga Selmani për gjuhën frënge. Gjatë bisedës që filloj rreth lidhjes që ekziston ndërmjet të menduarit dhe të folurit Selman Riza tha: unë kam arritur në konkluzion se s’ka lidhje ndërmjet të menduarit dhe të folurit. Unë jam kaq i sigurt për këtë sa mar guxim dhe kritikoj edhe Markësin i cili ka arritur në një përfundim të gabuar për këtë çështje. Ai mbasi mbaroi punë me Selmanin filloi të bisedojë veç me Adile Protopapën, përgjegjëse e bibliotekës rreth aftësive të Selmanit. Ai qëllimisht e hapi këtë bisedë për të marrë diçka për Selmanin nga A. Mbasi ajo foli për aftësitë e Selmanit në gjuhësi tha: Selmani është kokë, se gjatë bisedave që kam patur unë me të, ky ka arritur të kritikojë edhe pikepamjet e Marksit. Po kështu edhe Adileja përmendi tekstualisht atë që ka sipër shënuar.
Taraboshi

DETYRA
Meqë ju jeni të interesuar për të mësuar gjuhën frënge vazhdo bisedat me Selman Rizën për të futur më thellë në mendimet e tija në çdo drejtim.

MASAT AGJENTURORE OPERATIVE

Të bisedohet me Agj. Taraboshi se në cilën dit zakonisht vete ke Selmani dhe me qën se Selmani fle në hotel të shkohet drejt mundësive për vënjen e T.O. Së shpejti. Raporti të riprodhohet në nji kopje dhe të vendoset në dosjen e tij. Puntori operativ (Bedri Lybesha)

Raport survejimi/ Objekti i survejimit Aripi, Dita e V-të datë 4/XI.1959

N’ora 6 filloj survejimi në rrugën B. Curri në drejtim të rrugës S.Kodra për karshi shtëpisë Nr.106. N’ora 1?,35’ objekti doli nga Instituti i shoqëruar me Ëngjëll Angonin, i cili punon në universitetin shtetëror të Tiranës. Kalojnë rrugën Labinoti, Sh.Partizani, n’ora 14,30’ para Kinemasë Partizani. Ndahet Engjëlli me biçikletë largohet në drejtim të ndryshëm, ndërsa objekti vazhdon ecjen Sh.Partizani, Barrikatave, B.Curri, Siri Kodra dhe n’ora 15,3’ u fut në shtëpinë e tij.
N’ora 18,30’ Objekti doli nga shtëpia kaloj rrugën Siri kodra, B.Curri dhe n’ora 18,37 u fut në dyqani shoqëruar me një grua e cila dyshohet të jetë gruaja e tij, mbasi gjatë ecjes i futi krahun objektit. Që të dy vazhdojnë ecjen rrugës B.Curri dhe n’ora 18,55’ u futën në dyqanin e bukës. Njësija nr.117 për 0,2’ dualën me një bukë 50 lekëshe në dorë. Vazhdojnë ecjen B.Curri, Siri Kodra dhe n’ora 19, 5’ u futën në shtëpinë nr.106.

Prej kësaj ore dhe deri n’ora 22.00 nuk ishte parë qe objekti të bëjë ndonjë lëvizje. Në kët orë survejimi u ndërpre. U shtyp në 2 kopje. Kopje e I¬rë Degës…” II¬të në degën e V¬të.Androkli Kostallari: Riza i ka shërbyer Ballit.

Shënim operativ

Në datën 26/IX/1962 në një bisedim verbal me Androkli Kostallarin – Drejtori i Institutit të Albanologjisë, rezulton se: “Punonjësi Shkencor, Selman Riza ka qenë një nga aktivistët e organizatës tradhtare të B.Kombëtar, në ngarkim të të cilit nga një trakt që është lëshuar nga Partia jonë gjatë luftës demaskon të përmendurin si eksponent dhe armik në shërbim të Ballit dhe okupatorëve. Sipas Androkliut, ky trakt mendohet të botohet edhe në shtyp.

Androkliu thotë se Selman Riza akuzon gjithë shokët e shëndoshë, duke i cilësuar se këta nuk dinë asgjë dhe është grindur me të gjithë punonjësit, ndërsa vetë ay nuk ka aftësi për sektorin që ndjek. Hipotezat e tij që ka ngritur në institut nuk kanë asnjë bazë shkencore dhe kur është kritikuar për materialet e tij pa vlerë, është detyruar të tërhiqet dhe të mos botohen në shtyp.

Në një leksion për albanologjinë që ish ngarkuar të bënte, nuk ka shkruar realitetin duke i dhënë një frymë në favor të Jugosllavëve. Për këtë çështje në një mbledhje të punonjësve shkencorë u kritikua, aq sa edhe Eqrem Çabej e kundërshtoi për materialet e tij të dobta në kundërshtim me realitetin. Na ka thënë Selmani nuk merremi me politikë por jemi të pavarun si shkencëtarë. Ne jemi autoritete shkencore dhe jo administrative. Nuk duhet bërë propagandë me çështjet shkencore.
Që nga prishja e marrëdhënieve me B.S ka filluar të aktivizohet duke goditur sistematikisht punonjësit e tjerë të vjetër e të rinj, sidomos tani flet edhe kundra A.P (?) gjë që më parë nuk e bënte.

Gjithashtu punonjësit shkencor K. I ka thënë Androkliut se kur kam qenë në burg me Selmanin, ay trajtohej shumë mirë, i lejonin libra e sende të tjera në burg, ndërsa neve nuk na jepej asnjë e drejtë. Mbas daljes nga burgu u emërua profesor në Sarajevë dhe Shkup dhe për çudi në vitin 1955 vjen në Shqipëri si i persekutuar nga Jugosllavët. I paraqituri ka qenë pronar tokash dhe dyqanesh. Në të kaluarën ka qenë bile avokat i një firme tregtare private. Studimet i ka kryer në Francë por nuk ka asnjë dokument për fakultetin që ka kryer. Është tip egoist mendjemadh dhe e mbivlerëson veten e tij. Tregohet se është punëtor i madh duke qëndruar në zyrë, por në fakt nuk nxjerr asgjë në dritë, mbasi nuk ka aftësi shkencore.

Me qenë se na prish punë, pohoi Androkliu, do ti propozojmë komitetit Qendror për ta larguar nga Instituti.
Punëtori operativ, Tiranë, më 27/IX/1962 Kap.I¬rë (Qiriako Prokopi)
Anash:
Qako! Grumbullo të gjitha që di mirë për… dhe të propozojmë një relacion të Q. për ta hequr andej E..
(Shënim në anën tjetër) Ky shënim operativ nuk është i plotë. Po duhej të bënte të kjartë çdo gjë që ven në dyshim objektin. –P.sh.
1.Thuhet se S. ka bërë një leksion për albanologjinë, nuk ka shkrojtur realitetin por i është dhënë një frymë jugosllave dhe për këtë është kritikuar nga E. Çabej. Për mendimin tim ky fakt duhej dërguar deri në fund.
2. Po kështu është edhe rasti i K. Megjith se i ka kalue koha. – Këto duhet të skjarohen se mbeten si të dyshimta për Selmanin.

Raport nga “Jaku”
Dhënë nga B.P. Jaku marrë nga Tog Gaqo Pema datë 9/V/1958

Raport
Ay raporton se në muajin prill 1958 i quajturi Zeqirja Rexha u riatdhesua nga Jugosllavia. Këtë lajm po ia epte në bisedë e sipër Kristo Frashëri Aleks Budës në sallën e institutit të historisë e gjuhësisë. Në diskutimet në mes të këtyre të dyve simbas thanjes së vet Zeqirja Rexhës se ai ishte riatdhesuar me vullnetin e tij etj. Në bisedat që kishte me Kristo Frashërin ay i kishte thënë se ishte persekutuar mjaft në Jugosllavi si dhe vuajtur mjaft ekonomikisht, megjithatë ndër të tjera i kishte thënë se kishte mbaruar fakultetin e romanistikës në Beograd. Kish sjellë me vehte nji koleksion të nji reviste letrare shqipe që del në Prishtinë të cilën ia shiti institutit të gjuhësisë e historisë nëpërmjet Kristo Frashërit, nga diskutimi që u bë në sallë doli se ay ishte nji shok i Selman Rizës i cili ky është riatdhesuar gjithashtu nga Jugosllavia para dy vjetëve. Duke shprehur habinë për persekutimin që i kishin bërë në Jugosllavi Aleks Buda i thosh K. Frashërit se ay në vitin 1947 ka qenë një eksponent i flaktë i lëvizjes titiste në Kosovë, por siç duket ay më vonë paska ndruar qëndrim.

“Jaku”.
Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/dosja-si-survejohej-selman-riza-n–rrug–dyqane-e-universitet-415753.html

Postime të ngjashme