Raporti: Omer Nishani kritikon Hoxhën për ekonominë

omer nishani

Nga Erald Kapri

Qeveria provizore e Enver Hoxhës, pas çlirimit të vendit, nuk u njoh kurrë nga aleatët perëndimorë, si Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, deri në vitin 1946, ato patën misione gjysmë diplomatike në Tiranë që ndiqnin zhvillimet. Por pas çlirimit dhe në muajt e parë të regjimit komunist ka pasur mjaft zhvillime interesante brenda regjimit të Enver Hoxhës. Ashpërsia e madhe e regjimit, kryengritjet në Veri të vendit, vështirësia e madhe ekonomike po krijonin dyshime se Enver Hoxha nuk do ta kishte më të gjatë në pushtet.

Sot, në gazetën “Panorama” publikohet një raport i rrallë i shërbimit amerikan në Tiranë, i cili u dërgua po ashtu në Londër. Raporti përshkruan një darkë në datën 22 janar 1945 në legatën e Jugosllavisë në Tiranë. Nisur nga situata në të cilën ndodhej vendi, gjatë darkës Omer Nishani kritikoi hapur Enver Hoxhën. Ministri i Jashtëm tha në atë darkë se punët në vend po shkonin keq me rindërtimin dhe ekonominë, ndërsa shtoi se Enver Hoxha nuk lëviz nga zyra, ndaj i kërkoi që të dalë e të shohë situatën në terren.

Por i gjithë ky incident u pa me dyshim nga britanikët dhe amerikanët. Sipas tyre, vendi ishte në dëshpërim të madh nga dimri dhe kishte nevoja të shumta për ndihma materiale, ndaj qeveria e Hoxhës kërkonte ndihma nga amerikanët, ndonëse ishin lidhur fort tashmë me rusët dhe jugosllavët. Sipas tyre, ky incident duket si inskenim për të dhënë përshtypjen se brenda qeverisë së Hoxhës ka elementë liberalë dhe pro perëndimorë si Omer Nishani, ndaj dhe ndihmat për Shqipërinë nuk duhet të jepeshin. Ndërsa britanikët gjykonin më tej se Enver Hoxha do të zhytej më fort në marrëdhëniet me jugosllavët dhe shpreheshin se nëse Hoxha u mbijeton këtyre muajve të parë me probleme të brendshme, atëherë do të mbijetojë në pushtet.

Gjithsesi, ata besonin se nëse në vend shkonin punët keq, atëherë një krah më i moderuar i komunistëve si Omer Nishani e të tjerë do mund të kishin kontrollin e situatës. Në fakt, kjo nuk ndodhi dhe Hoxha iu përgjigj situatës së rëndë ekonomike dhe kryengritjeve vetëm me dhunë e gjak. Sipas raporteve, situata ekonomike në ato kohë ishte dëshpëruese dhe vendi ka qenë në prag të urisë së madhe. Hoxha nuk e mori njohjen ndërkombëtare të britanikëve e amerikanëve dhe ata nuk i dhanë ndihma qeverisë së Hoxhës përderisa sytë e tij ishin vetëm nga Beogradi dhe Moska.

DOKUMENTI

Dosja HS 5/32 26

janar 1945

Ky raport është marrë sot nga Uashingtoni i hartuar nga shefi i misionit amerikan në Tiranë.

1) Në Tiranë, mbrëmjen e datës 22 janar u zhvillua një darkë e madhe në legatën jugosllave për të prezantuar disa anëtarë të rinj të misionit jugosllav me ministrat shqiptarë. Shefi i misionit amerikan dhe kolegët e tij britanikë ishin të pranishëm.

2) Gjatë natës ndodhi një zhvillim krejt i papritur mes kryeministrit Enver Hoxha dhe Omer Nishanit, ministrit të Punëve të Jashtme. Nishani tha disa vërejtje dhe sarkazma për mosefikasitetin e Ministrisë së Punëve Publike dhe iu drejtua publikisht Enver Hoxhës, duke i thënë se nëse kërkon të shikojë se si po ecin gjërat, duhet të dalë nga zyra dhe të shohë se çfarë ndodh në terren.

3) Nishani vazhdoi më tej duke thënë (dhe në këtë aspekt po i referohej faktit se ishte kundër Enver Hoxhës) se ai ishte një anglofil dhe gjithnjë do të jetë i tillë, dhe rikujtoi marrëdhëniet e mira që ka pasur me kolegët britanikë gjatë jetesës së tij prej disa vitesh në Gjenevë. Ai shkoi më tej duke theksuar se kjo është arsyeja që ai mësoi të fliste anglishten.

4) Gjatë darkës, Hoxha i kërkoi shpjegime kreut të misionit amerikan në mënyrë informale se ai ka propozuar të ketë ndihma jo vetëm nga UNRRA, por edhe nga misionet ushtarake, dhe shtoi se ai kurrë nuk e ka refuzuar këtë ndihmë.

5) Koçi Xoxe (një komunist dhe lider i njohur i FNÇ- së) gjithashtu pyeti kreun e misionit amerikan se pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk sjellin ndihma në Shqipëri, duke ditur nevojën dëshpëruese që ka vendi.

6) Hoxha, Xoxe, Shehu, Çitaku ministër Finance, i shprehën indinjatën shefit të misionit amerikan për mosmarrjen pjesë në inaugurimin e Bankës Kombëtare në Tiranë ku ata kishin bërë edhe një spektakël me këngë e valle. Të gjithë shprehin indinjatë me këtë neglizhim sipas tyre.

7) Misioni jugosllav në Tiranë tani është i përbërë nga 8 oficerë dhe disa civilë së bashku me një këshilltar politik, Staja Stanjoviç.

8) Stojnic (i cili tani është kreu i misionit jugosllav në Tiranë) tregoi mospërfillje ndaj misionit sovjetik dhe atij francez gjatë darkës e iu përkushtua dhe thuri lëvdata për Anglinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

9) Informatori dëgjoi Enver Hoxhën t’i thoshte Koçi Xoxes se ai nuk kishte qenë asnjëherë në legatën jugosllave në Tiranë, por në fakt, sipas informatorit, Enver Hoxha ka qenë atje disa herë.

10) Gjatë gjithë mbrëmjes, e gjithë vëmendja u shkoi vetëm krerëve të misioneve amerikane dhe britanike. E gjithë kjo situatë nuk duket aspak e papritur nëse nuk ka qenë një akt komplet i përgatitur nga Enver Hoxha me të vetët, në mënyrë që të impresiononte delegatët amerikanë dhe ata britanikë. Në këtë kthim nga 100% pro rus që është dhe nga gjithçka që është parë, ndaj është e dyshimtë të marrësh në konsideratë incidentin mes Hoxhës dhe Nishanit.

Nishani nuk është “kokë nxehtë” si shumë prej anëtarëve të tjerë të qeverisë së Enver Hoxhës, por është një burrë i vjetër me eksperiencë dhe gjykim të mprehtë. Ndaj do të ishte e vështirë të besohej se ai do të fliste në këtë mënyrë në publik pa pasur një arsye. Gjithsesi në gjykimin e parë, pavarësisht mësimeve të tyre prosovjetike, ata janë në nevojë dëshpëruese për ndihmë dhe është menduar se një situatë e tillë mund të ndihmonte në stimulimin e ardhjes së ndihmave për ta.

 

DOKUMENTI NR. 2

Raport i Bush House

Ref/ SF/140/ GIA/B8

Shkurt, 1945

Për shkak të kushteve të dimrit dhe ndjenjave popullore në Veri të Shqipërisë, rezistenca e armatosur ka shumë gjasa që të vazhdojë gjatë. Nëse kjo situatë vazhdon dhe nëse regjimi nuk fillon me ndryshime të prekshme për vendin në muajt që vijojnë, ka shumë gjasa që të ketë një afrim mes 3 grupeve shoqërore me ndikim, që sot janë të ndara si të rinjtë, shtresa në fshat dhe tregtarët, të kenë një afrim më të madh mes tyre në pranverë. Është shumë e besueshme që shtresa e tregtarëve të mund të identifikohen si mbështetës së Ballit Kombëtar, por edhe dy shtresat e tjera mund të kthehen në opozitë të fortë ndaj regjimit nisur nga katastrofa ekonomike dhe sociale e regjimit. Gjithsesi, disa presin që regjimi të marrë më shumë masa represive në muajt në vijim, derisa të arrijë të ketë njëfarë stabiliteti. Ndërkohë që flasim, regjimi po përpiqet të ketë njohje ndërkombëtare, të ketë ndihma nga jashtë dhe pret të dorëzohen ata që i quan kriminelë lufte dhe sigurisht që kjo ka vlerë për përdorim propaganda e për të stabilizuar situatën në vend. Kontrolli i ushtrisë vijon ende të jetë në duart e FNÇ-së.

Politika e regjimit

Është e qartë se situata ekonomike do të jetë baza e çdo lëvizjeje pakënaqësie në rritje në vend kundër regjimit. Po ashtu është e qartë edhe nga format e pakënaqshme që kanë ndërmarrët liderët e FNÇ- së, siç është në Tiranë ku ata kanë larguar familje dhe njerëz që banojnë afër shtëpive të tyre për arsye sigurie, ndërsa demonstrime kundër regjimit janë shfaqur hapur në Shkodër apo edhe trakte kundër regjimit janë hedhur në qytetin e Gjirokastrës. Ndaj dhe qëndrimi i Enver Hoxhës është tepër surprizues nga fundi nisur nga fakti që kërkon ndihma, sepse duket që është i pasigurt për qëndrueshmërinë e regjimit të tij.

Ndaj dhe kërkesa ndaj amerikanëve e britanikëve për të njohur regjimin ka një rëndësi thelbësore për Enver Hoxhën si një mundësi për të neutralizuar çdo lëvizje opozitare siç kanë ndodhur së fundmi. Çdo vonesë në njohjen e regjimit të Enver Hoxhës do të çonte në forcimin e armiqve të Enver Hoxhës. Por deri tani Enver Hoxha ka hezituar të ketë një mision gjysmë diplomatik të përhershëm britanik, ndaj dhe duket i përgatitur për një vonesë në njohjen e regjimit të tij. Por si përfundim, pavarësisht tensioneve të fundit dhe tendencat e përshkruara në këtë raport, regjimi e konsideron veten në pozita të forta e të qëndrueshme. Ndërsa duket që regjimi s’mund të ketë ndihma të mjaftueshme nga brenda, regjimi është besimplotë se do të ketë ndihma nga jashtë.

PËRFUNDIME

Nëse regjimi nuk merr ndihma apo njohjen ndërkombëtare shpejt, ka shumë gjasa që do të përballet me një krizë të brendshme. Mundësia që situata të merret në dorë nga elementë më pak ekstremistë të lëvizjes nuk duhet të injorohet. Është interesante të nënvizohet se në ngjarje e takime publike është shfaqur publikisht një miqësi e madhe nga qeveria e FNÇ-së ndaj misioneve perëndimore të britanikëve dhe atyre amerikane. Nga ana tjetër, nuk është aspak e pamundur që në 6 muajt e ardhshëm do të shfaqet një bashkëpunim mes qeverisë së FNÇ-së dhe Jugosllavisë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/raporti-sekret-i-britanikeve-enveri-u-perplas-me-omer-nishanin-do-rrezohet-shpejt/

 

Postime të ngjashme