Raporti i ISKPK: 59 mijë të internuar, mbi 6 mijë të vrarë 

iskpk2

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka publikuar shifrën e viktimave të regjimit komunist  ku 34,135 shqiptarë ishin burgosur dhe dënuar për arsye politike.ISKPK me dorëzimin e raportit të dorëzuar në Kuvend, ka publikuar një sërë statistikash, për vuajtjet që kanë pësuar shqiptarët gjatë regjimit të diktatorit famëkeq Enver Hoxha.

Të dhënat zyrtare rezultojnë se 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, dhe ndërkohë 7.022 prej tyre kanë humbur jetën. Sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës, raporton Panorama. Po ashtu, nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit. Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, i drejtuar nga Agron Tufa, në raportin e vjetor thekson se ka nisur puna në të gjithë Shqipërinë për të zbuluar numrin e saktë të qytetarëve të pushkatuar pa gjyq.

Në raport thuhet se me mijëra qytetarë janë vrarë nga viti 1944-1955, por një pjesë e madhe nuk ekziston në arkiva.
“Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me shoqatat e të përndjekurve politikë, që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt të regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944- 1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”, thuhet në raportin e ISKPK-së.

Postime të ngjashme