Reportazh: Kthim në Spaç me një ish-të dënuar politik

spac-1

Në Spaç mos e paç!

Kur Jonila Godole më telefonoi për të pyetur nëse kisha dëshirë t’i bashkohesha grupit të studentëve të Gjuhë­Letërsisë për të shkuar në Spaç e pyeta: “A do të mund të kthehemi brenda ditës?”. Jonilës iu dëgjua buzëqeshja. Kur shkuam, të nesërmen, e kuptova që pyetja kishte qenë vërtet qesharake. Në Spaç mund të shkoje e të ktheheshe për drekë në shtëpi. Rrugës, kur Suadela më tha edhe emrin se si e ka, sikur të thonë mos e paç (i saji është titulli) po mendoja që largësia e hamendësuar nuk kishte fare të bënte me gjeografinë.

Dija që Spaçi gjendej në Mirditë, por duke mos e njohur thellësinë veriore s’isha lodhur më. Historitë e jetuara që kisha dëgjuar prej tij e kishin shndërruar Spaçin në një vend absurd, prandaj edhe të largët. Ndonjëherë mund t’i kem trajtuar pa vëmendjen e duhur rrëfimet që vinin prej tij, sepse dukeshin të lyera me legjenda. Pra, Spaçi ishte një përrallë që gojët na e kishin përcjellë; jo një vend konkret. Ishte fati i keq i të gjithë atyre që e provuan, por tani nuk ekzistonte më. Spaçi nuk ishte një fshat i Mirditës, por një fenomen prej të cilit kishte mbetur vetëm emri.

Mundet të ketë qenë kjo arsyeja pse mendoja se duheshin disa ditë të shkoje në Spaç dhe nëse kishe fat, disa të tjera për t’u kthyer. Këtë kisha përfytyruar sa herë që Maks Velo tregonte gjëmat e të burgosurve e të të afërmve të tyre… Dredhitë e rrugës mes kodrave, pasi lije mbrapa Rrëshenin, nuk të tregonin ç’të priste. Me t’u hapur pak pamja, kodrina tjetër të mbyllte sërish sytë. Nuk duhet të kuptoje gjë, as ku ishe, nga kishe ardhur e ku po shkoje. Ndaluam përpara skeletit të një godine, që dikur kishte qenë banesa për punëtorët e lirë të minierës.

Ca më tej, pasi kaloje hijet e kontrollit, kishte mbetur gërmadha e një dhome 1 me 1, ku dikur cikeshin duart përmes hekurave të familjarëve me të burgosurit. Shoqëruesi ynë ishte Gjet (o) Vocaj, ishi burgosur. Të mos ishte për të, me siguri nuk do t’i kishim ndier rrënojat të flisnin. Kishte ndenjur aty më pak se dy muaj sepse ishte zbuluar menjëherë lidhja e tij e gjakut me njërin nga oficerët e shërbimit dhe për këtë arsye ishte transferuar në Burrel. Ndaluam pikërisht në hyrjen që kishte mbetur nga destinacioni i familjarëve.

“Në fakt, kjo nuk ishte ndalesa e tyre e parë. Së pari, u zbrazeshin gjithë trastat te kontrolli për të parë se ç’kishin sjellë e për t’iu lënë ato që donin ata t’iu linin. Me të burgosurin nuk mund të qëndronin më shumë se 15 minuta dhe gjatë kësaj kohe mund të preknin vetëm pak duart. Për këto pak minuta kishin bërë rrugë të tëra. Kush e di se nga vinin!? Të gjithë udhëtarët që mund t’i ndeshnin rrugës, ishin të urdhëruar që të mos i merrnin në mjete, ndryshe dënoheshin”.

Këto skena që tregon Gjeto, nuk mund t’i përshkruash asnjëherë siç vërtet kanë ndodhur, në erën e fortë e temperaturën e ulët të Spaçit. Përvoja të tëra të zvarritjes për të mbërritur te të dashurit, familjarët as kanë pasur kujt e as kanë mundur t’i përshkruajnë. Gjeto kishte ardhur në Spaç në vitin 1977. “Ka ndryshuar krejt! Ca ndërtesa janë rrënuar, toka ka rrëshqitur, e ka ndryshuar krejt vendin”. Ai ka ardhur këtu edhe ca vite më parë, për të shoqëruar ca miq të tij, por çdo herë humbet në kohë dhe e gjithë vëmendja i zhvendoset në ato vite për të kujtuar e kuptuar jetën që bënin. Arrin të kujtojë menjëherë fjetoren e tij që e ndante me 50 të burgosur të tjerë, ndërsa ajo ç’ka mbetur nga godinat e tjera i vijnë ndërmend vetëm duke ndenjur pak aty.

gjeto vocaj

NGRICAT DHE USHQIMI ME KAFSHATA ULLUQESH

Çdo i burgosur, pjesë të uniformës së (nëse ishte) burgut kishte edhe tasin plastik me lugën. I mbanin në gji, në pritje të orarit të bekuar të vaktit të radhës. “Vendi ku do të mbushej tasi ishte vendosur enkas nën rrëkenë e një ulluku. Ndërsa të mbushnin tasin me ‘gjellë’, mbushej edhe me ujin e shirave. Mëngjesi ishte bukë me një ujë të përzier me çajrat e zonës dhe një dorë makarona që ishte hedhur në gjithë kazanin. Nëse të binte një makaron në tas ishe me fat. Dreka ishte e njëjta gjë por në vend të makaronave ishte hedhur oriz. Darka ishte çaj. Ishte një ushqyerje e programuar për ta çuar njeriun drejt vdekjes dhe nuk kanë vdekur pak”, tregon Gjeto.

Ca nga pangrënia e ca nga uria, varrezat që duken me vështirësitë poshtë, në kaninon, i shtonin vizitorët përditë. Mirëpo, nëse për shkak të bujarisë së njërit e mundësisë më të madhe të tjetrit, çështja e ushqyerjes edhe mund të kapërcehej disi, i ftohti ishte i pashmangshëm. Mbase është e tepërt të përmendësh Zotin në këtë vrimë të zezë që fshihet mes kodrave, por asnjë lutje nuk i shpëtonte të pafajshmit nga mprehtësia e shiut që i gërvishte drejt në lëkurë. Ç’mund të mbronte cipa e këmishës, me të cilën ishe i dënuar të rrije orë të të tëra në minus 20 gradë për të vuajtur një dënim të shpikur?! Më shumë se çdo gjë tjetër, Gjeto këmbëngulte të gjente shëtitoren.

Atë copëz të vetme liri ku ishin të lejuar të bënin tutje tëhu, duke ëndërruar nën zhurmën e lumit, me sytë nga qielli. Ajo që quhet shëtitore ishte disa metra qesharakë katrorë, ku të ndalte hekuri në formë sëpate që dilte fare pak mbi sipërfaqen e tokës, në fund të fjetoreve. Djali që sot ruante rrënojat na pyeti nëse mund të gjenim se për çfarë kishte shërbyer! Çfarëdo ideje të kishim ne, e sado t’i afroheshim gjëegjëzës, ishim larg gjenialitetit të mbijetesës së atyre burrave! Ajo copë hekuri shërbente për të prerë ndonjë copë dru që iu “dhuronte” ndonjëri prej rojeve të shërbimit. Me të do të kishin mundësinë të zienin ca makarona. Procesi i zierjes nuk mbaronte asnjëherë dhe makaronat haheshin gjithmonë, duke kërcitur nëpër gojë, por ç’shije më të mirë e të ngrohtë mund të kishte ato kohë?!

XHEZVJA ME PAKETË DURRËSI

Pas gjitha fjalëve e kujtimeve që ka shkëmbyer me miqtë, pas gjithë provave që secili prej tyre ka bërë jashtë, nuk ia kanë arritur të përsërisin aftësinë e atyre burrave që e shndërronin paketën e boshatisur në xhezve për të zier dy kafe. “Sasia që mbante letra e paketës mbante saktësisht dy kafe, jo të plotë. Shumë të njohur kanë bërë prova jashtë, këto vitet e lirisë, të ziejë kafe në një paketë duhani, por nuk ia kanë dalë as me 5 a 6 prova. Ata e mbështillnin letrën në formë të tillë, të ngjashme me hinkën, që ajo të mos merrte flakë. Ndoshta zierja nuk bëhej e plotë, por kafen e pinin”, kujton Gjeto.

Fare afër kuzhinës, ku më “të pasurit” kishin mundësinë të gatuanin diçka jashtë planit ishin dushet. Mes tullave të përgjysmuara e shkurreve dukej ende vendi i mbajtëses së sapunit, që duhet të ishte nën lartësinë e trupit të një burri mesatar. Për ta marrë, me siguri që duhet të të godiste koka diku, meqenëse hapësira prej 5cm katror nuk mjafton as për të krehur flokët. “Për të larë rrobat duhet të prisje radhën dy muaj. Njësoj e vështirë ishte edhe për të gjetur radhë në dushe, por më e tmerrshmja ishte radha në banjë. T’i prisje pas 30 burrave të të vinte radha dhe sapo kaloje 25 prej tyre, të thërriste roja për të të thënë se koha në dispozicion ka mbaruar”. Prej gjithë sa pamë e dëgjuam, a mund të kthehemi brenda ditës nga Spaçi?!

spac-5

Godole: Vizitat në Spaç janë të domosdoshme për brezin e ri

Institucioni për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC, drejtuar nga Jonila Godole, vjen për të disatën herë në Spaç me grupe të rinjsh nga degë të ndryshme të Fakultetit të HistoriFilologjisë. Bëhen disa udhëtime në vit për të kuptuar e kujtuar të shkuarën. Përfshirja e këtyre përvojave të jetuara në shkolla, shndërrimi i këtyre gërmadhave në muze të mirëfilltë, do të ndihmonte për të kuptuar e jetuar më shumë të shkuarën.

“Vendet e kujtesës si kampi famëkeq i Spaçit, ku kanë vuajtur dënimin mijëra shqiptarë të akuzuar si armiq të sistemit janë të rëndësishme sidomos për brezin e ri që po rritet pa kujtesë dhe nuk ka informacion të mjaftueshëm mbi të shkuarën. Në vizitat që IDMC organizon në mënyrë periodike me të rinj, gjimnazistë, studentë, si dhe mësues e pedagogë synon të ndihmojë në njohjen e të shkuarës dhe në përballjen shoqërore me këtë periudhë. Megjithatë këto vizita në gërmadhat e ish burgut të Spaçit nuk mund të sensibilizojnë pa praninë e dëshmitarëve të kohës, ish të burgosur që kanë kaluar një pjesë të jetës aty dhe dëshirojnë të ndajnë historinë e tyre me të rinjtë.

Integrimi i tyre në këto vizita i jep jo vetëm kuptim Spaçit si vend muze, por edhe vuajtjeve dhe rezistencës së tyre në diktaturë. IDMC është e angazhuar të sensibilizojë për rëndësinë e vizitave në vendet e kujtesës në gjithë Shqipërinë që ato të përfshihen në kurrikulën mësimore si pjesë e ekskursioneve të detyruara për të gjithë nxënësit që ndjekin sistemin e detyruar shkollor”, thotë Dr. Jonila Godole, drejtore e IDMC.

ANI JAUPAJ

Burimi: http://www.panorama.com.al/reportazh-nga-burgu-famekeq-neper-rrenojat-e-spacit-me-nje-ish-te-denuar-politik/

Postime të ngjashme