Rezistenca komuniste, e shkruar nga ata që nuk jetojnë më

ISKPK - Kolana

Përgatiti Violeta Murati

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në ditën simbolike të 20 shkurtit 1991, që shënon rënien e diktaturës, me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, nxjerr kolanën e botimeve me botime arkivore, memuaristike, studime historike si dhe për herë të parë lexuesit i jepet kolana filozofike e Isuf Luzajt

Në ironi me jetën e mjeruar të ish-të dënuarve politikë, që u degdisën zonave pothuaj të pajetueshme, në kampe internimi, dje në kushte luksi, në hotel Rogner është mbajtur konferenca përkujtimore në 27-vjetorin e rënies së komunizmit.

Ngjarja që sot konsiderohet simbolike, rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 ende mban debatin mes shqiptarëve, në diktatura ra! Megjithatë shqiptarët ishin të fundit, dhe të vetmit në kampin lindor që u ndanë me diktaturën pa gjakderdhje, që nënkupton revolucion. Dhe ja ku jemi, pas 27 vjetësh me të njëjtat kërkesa për censusin, çfarë ka ndodhur gjatë diktaturës, ku numri i të pushkatuarve nuk i ka mbërritur i saktë zyrtarisht, dhe shumë prej tyre nuk u dihet varri, figurojnë të zhdukur. Në këtë kufi të raportit të sotëm me të shkuarën, ka përpjekje vetëm në këtë dhjetëvjeçar për të zbuluar itinerarin e historisë nëpër të cilën u ngrit sistemi diktatorial, dhe përmes tij të zbulohen krimet.

Me këtë proces është marrë Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit prej vitesh në përpjekjen për të zbardhur historinë përmes kolanës së tij, botime historike, me dokumente arkivore, libra memuaristikë, botime dëshmuese, si zëra të kujtesës etj.

Dje, ishte një nga ditët përkujtuese dhe në këtë simbolike në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer dhe IDMC mbajtën konferencën e përbashkët “Ju flet radio…”. “Kolona në botimet e Instituti përfshin në radhë të parë disa prej emrave më të rëndësishëm të rezistencës antikomuniste, gjatë viteve më të vështira, dhe është shkruar nga persona që nuk jetojnë më, ndër to sjell në vëmendje filozofi shqiptar, Isuf Luzajn, gjashtë librat e tij të organizuar në dy vëllime, mbajnë titullin “Kujdesje e bletës” është filozof në kuptim jo të keqpërdorur të fjalës, por që operon me koncepte filozofike të atij drejtimi ekzistencialist religjioz, në ndryshim nga ekzistencializmit i Sartrit etj. Ne kemi për herë të parë një filozof që shkruan me koncepte e nocione të filozofisë modern”, ka thënë Agron Tufa, drejtori i ISKPK, duke shtuar edhe botimin e vëllimit IV të “Zërat e kujtesës” me intervista e dëshmi nga ish të dënuarit politik.

Në këtë kolanë prej dhjetë botimesh Tufa ndan faktin se më të shumtë janë autorë që nuk jetojnë më. Pas Luzajt, autori tjetër, që nuk është ndër të gjallë, At Benedikt Dema, prej të cilit ka ardhur vëllimi i dytë i një fjalor enciklopedik, shqip-shqip, dhe do pasohet përgjatë këtij viti një vëllim i tretë. Është konsideruar një trashëgimi jashtëzakonisht i vyer që ka një përmbajtje prej 3 mijë faqesh.

Tek autorët që nuk jetojnë më është edhe një emër tjetër, Hektor Shenepremte, poet dhe përkthyes i panjohur, të cilit i botohen një vëllim me poezi “Udha e kryqit”, si dhe përkthimi i Ferrit të Dantes, që u bënë të mundur nga arkeologu Neritan Ceka.

Ceka kujton: “Është një ditë e veçantë e kujtesës, sot ishte një demonstrim i rëndësisë që patën ato 100 ditë të rëndësishme të kombit tonë. Mendimi shkon jo vetëm për ata që ishin atë ditë. Ajo ditë nuk ishte e rastit, që ndodhi papritmas, që u ngritën studentët dhe pjesa e ndërgjegjshme e popullit shqiptar… Në ato ditë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Hektor Shenepremten, lindur më 1941, që vinte nga një familje e shquar. I ati kishte studiuar në Francë, për drejtësi. Fatkeqësia e tij ishte se njihej me Enver Hoxhën, i cili nuk harronte kurrë nivelin dhe diferencën intelektuale. Ai persekutoi kështu, të gjithë ata që kishin pasur njëfarë suksesi qoftë në studime, qoftë në jetën e tyre. Xhelal Shenepremte, i ati Hektorit, ishte martuar me Drita Vilen, që vinte nga një familje shquar, e pasur nga juglindja shqiptare, e frashërllinjve, që qarkullonte në rrethet intelektuale të asaj kohe që ishte pro perëndimore, dhe ndonjëherë pak pro të majtëve, ishte shoqe edhe me Qemal Stafën. Dhe papritmas familja u gjend në një fatkeqësi, ku shprehu inatin e tij kundër diktaturës duke thyer fotografinë e diktatorit, dhe për këtë u burgos, qëndroi për 20 vjet në burg. Dhe natyrisht pasojat për familjen që në fillim i degdisën në malësitë e Beratit, ku Hektori iu kthye fakultetit, bëri një vit, dhe e ndërpreu, më pas i sollën në Kuçovë deri sa doli në pension pak vite përpara kthesës, i cili punoi si punëtor në fabrikën e tullave, në një punë të rëndë. Në Kuçovë e njohin të gjithë, si njeri i cili jepte mësime italishteje kur kishte mundësi, por ishte i kufizuar në frikën që e pasqyronte në poezinë e tij. Ai pa pak ditë të bukura. Pas ’90-ës i dhanë një shtëpi komode, kur edhe shkroi disa poezi. Janë vetëm katër poezi të mbijetuara, dhe një amanet që u tregoj nipërve dhe mbesave përralla me ujqër në mënyrë që të mos kthehen përsëri ata njerëzit e lig. Poezia e tij të impresionon, në cilësi, jo me rimë të sforcuar. Ka pak poezi lirike, ku duket talenti i fortë, që di të kuptojë e të dashurojë të bukurën, di të vuajë dhimbjen e ndarjes, ashtu siç ka poezi kundër diktaturës. Çdonjëra prej tyre do t’i kishte kushtuar dhjetëra vite burg. Por, pati fatin që nuk ia kontrolluan shtëpinë, dhe disa ia fshehëm edhe në shtëpinë time…”

Në vazhdën e atyre që nuk janë më është studiuesi dhe diplomati, Pjetër Pepa me ribotimin “Dosja e diktaturës”, një studim referencial për këdo që merret me studimin e diktaturës. Uran Butka tha se ribotimi nga ISKPK i autorit Pjetër Pepa, një nga figurat e shquara të demokracisë shqiptare, të parët që e promovoi demokracinë shqiptare, duke ardhur nga Shkodra, si një nga trevat e rëndësishme për lëvizjet demokratike, dhe një nga deputetët më të mirë që ka pasur Parlamenti i Shqipërisë. “Botimi i parë i librit “Dosja e diktaturës” është bërë në vitin 1995, dhe ka një histori: në vitin 1992, bashkë me të ndjerin Pjetër Pepa ishim deputetë në Parlament, unë njëherësh drejtoja një komision të vlerësimit të figurave, që vazhdoi për disa vjet, figurave të shquara kombëtare dhe ato të persekutuara nga komunizmi. E ftova Pjetrin në bashkëpunim, dhe ai pranoi menjëherë. Pranimi i Pjetrit ndër 100 deputetët e mazhorancës nuk ishte i rastit. Aktiviteti i parë që trajtuam ishte trajtimi historik i gjyqit të deputetëve, një rindërtim i këtij gjyqi në kinema nacional “17 Nëntori”, aty ku ishte zhvilluar edhe gjyqi kundër deputetëve opozitarë pas luftës. Në ditën e caktuar u mblodhën personalitete të politikës dhe kulturës si dhe familjarë të martirëve… Në tubim do të kujtoj se foli dhe ish-i burgosuri politik, Engjëll Kokoshi, ku lexoi pretencën e ish-prokurorit ushtarak, që i damkosi këta si kriminelë. Ai lexoi edhe një moment të një kujtimi kur në sallën ku po bëhej gjyqi, kur prokurori i përgjithshëm dënoi me varje disa nga deputetët e parlamentit, me varje, një zë gruaje atje tha: jo jo me varje. Të gjithë menduan se zëri i gruas do të ishte më i butë, më i mëshirshëm, por ajo tha: T’i djegim me benzinë. Ishte e shoqja e prokurorit të përgjithshëm. Këtë kujtim e solli i ndjeri, që përmenda Engjëll Kokoshi. Ky aktivitet ishte një nga kulmet e veprimtarisë së Pjetër Pepës, i cili vazhdoi këtë punë të palodhshme, me vlerë kombëtare, për gati një çerek shekulli. Ai shpalosi aty me vërtetësi historike, nëpërmjet dokumenteve arkivore, dëshmive nevojën e dekomunistizmit të shoqërisë shqiptare dhe të pajtimit të saj, si intelektual e demokrat, por edhe si njeri me zemër të madhe”, kujtoi historian Uran Butka. Një tjetër botim, albumi i Musa Çapanit, që Tufa e quajti një album narrativ që ilustrohet me kampet e telave me gjemba, siç kanë qenë kampi Krujës, Kamzës, që ishin të njohur për egërsinë dhe kushtet çnjerëzore. “Për herë të parë i shohim të vizatuara, është si albumi i Lek Previzit që kemi botuar, vite më parë, me dëshmi interesante”.

Një nga botimet speciale është vëllimi monografik, “Përtej harrimit”, që i kushtohet një figure intelektuale të shumanshme, libri i Ermira Xhomaqit që sjell një figurë të panjohur për të rinjtë, Abdullah Ramin. Trashëgimtarja Ermira Xhomaqi, tha: “Më shumë se një monografi është një copëz realiteti që bart një kuptim tejet më të gjerë se jeta e një individi të cilësuar, dhe i përket asaj pjese të historisë së Shqipërisë që u shtrembërua, falsifikua për më shumë se gjysmë shekulli…”. “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, rrëfimet që ka mbledhur Fatbardha Saraçi ribotohen, të punuara dhe me rifreskime për gratë që nuk jetojnë më. Për këtë botim, Saraçi shprehet: “Unë nuk hyra të bëja roman, por për të qenë një libër i besueshëm i bëra me intervista dhe biseda, me tregime. Shumica e atyre nënave që kanë kontribuar në tregimet dhe historitë e tyre fatkeqësisht, kanë ndërruar jetë. Këtë vlerësim i kemi vënë në ribotimin e ri, dhe datat e ndarjes nga jeta. Përse jam marrë me këto figura? Është libër i vështirë. Janë jetë nënash që provuan se çfarë do të thotë të shohësh, djalin apo vajzën dhe bashkëshortin pas hekurave të burgut me vite të tëra, pa bë asnjë gjë. Çfarë kam dashur të përcjellë në gjeneratat e reja është se mirë që u burgosën baballarët tanë, ose vëllezërit, po pasardhësit pësuan gjë? Këtë kam dashur të tregoj se çfarë ishte sistemi komunist, lufta e klasave. Me vjen keq që pak ceket ky fakt, se çfarë do të thotë luftë klasore në komunizëm…”.

Mapo, 21 shkurt ’18

Postime të ngjashme