Rikthehen “Ditët e Kujtesës” me plot 10 aktivitete të parashikuara deri më 31 tetor

unnamed (4) copy

Nën moton “Identiteti dhe Kujtesa” u çel dje në ambientet e “Tirana International Hotel” edicioni i tretë i aktivitetit “Ditët e Kujtesës”. Organizuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC), partneriteti me fondacionin gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës, ky aktivitet do të mbajë për 10 ditë me radhë – nga data 22 deri më 31 tetor – vëmendjen e opinionit publik te reflektimi mbi të shkuarën komuniste.

Ambasadorë, zyrtarë të ndryshëm, ekspertë të historisë, ish-të përndjekur dhe nxënës të shkollave të Tiranës ndoqën me mjaft interes hapjen e këtij aktiviteti. Vëmendja shkoi te prezantimi i disidentit gjerman Karsten Dümmel, i cili tregoi të dhëna arkivore nga dosje të STASI-t gjermano-lindor dhe mënyrën se si përndiqeshin njerëzit në kohën e komunizmit. Po kështu ekspozita “Monitoro, Terrorizo, Persekuto” i dha të pranishmëve një ide më të qartë të aktivitetit të policisë sekrete të asaj periudhe.

Si fillim hapja e “Ditëve të Kujtesës”, u përshëndet nga Drejtoresha e IDMC Jonila Godole, Drejtori i KAS në Tiranë Walter Glos, Ambasadorja gjermane Susanne Schütz, dhe ish-i përndjekuri Reshat Kripa.

unnamed (5)

Në fjalën e saj, Godole falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të KAS dhe kujtoi se gjatë këtyre 28 viteve “përpjekjet për drejtësi tranzitore të Shqipërisë janë mbështetur kryesisht nga faktorë të jashtëm”. Ajo përmendi dështimin e klasës politike dhe këmbënguli se të huajt, “pavarësisht vullnetit dhe mundësisë së tyre, nuk mund ta zëvendësojnë rolin e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë respektiv në fushën e kujtesës”, për këtë Drejtoresha e IDMC theksoi se duhet bërë më shumë sidomos në zgjimin e reflektimit rreth së shkuarës dhe ndërgjegjësimit rreth krimeve të komunizmit.

Drejtori i KAS, Walter Glos përmendi gjithashtu mungesën e vullnetit politik për t’u përballur me të shkuarën komuniste në Shqipëri. Ai theksoi se “trashëgimia komuniste peshon rënd në këto 28 vite të demokracisë”. Duke përmendur faktin se “mbi 40 vite të historisë së errët të komunizmit nuk gjenden sot të reflektuara në institucione apo në shkolla” Drejtori i KAS tha se për këtë fakt “e kaluara rrezikohet të kalohet në harresë” prandaj sipas tij është e domosdoshme mbështetja e çdo iniciative që nxit diskutimin dhe reflektimin për të shkuarën.

unnamed (3)

Ambasadorja gjermane Susanne Schütz, teksa përshëndeti aktivitetin, këmbënguli fort se “vetëm kush e di të shkuarën dhe përballet me të, e ka një të ardhme”. Ambasadorja u shpreh se “në mënyrë që diskutimi për të shkuarën të mbetet i hapur në Shqipëri”, ajo do të vazhdojë ta mbështesë IDMC-në dhe aktorët e tjerë të fushës së kujtesës në aktivitetin e tyre.

Ish-i përndjekuri Reshat Kripa tregoi një pjesë të historisë së tij të vuajtjeve gjatë sistemit komunist dhe rikujtoi se “në këto 12 vite, pas miratimit të Rezolutës që do të dënonte krimet e komunizmit nuk është bërë asgjë”. Ai tha: “Të gjithë thërrasim “jemi të pafajshëm!”, por atëherë kush paska qenë fajtor për vuajtjet tona (të të përndjekurve), mos vallë ishim vetë ne fajtorë për ato që na ndodhën?!”

unnamed (2)

Disidenti gjerman Karsten Dümmel teksa prezantoi mekanizmin e përndjekjes së STASI-t, thjeshtëzoi për të pranishmit me një shembull të qartë punën e hapjes së dosjeve të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë. Ai tha se “kur je i vogël ke frikë nga errësira e qilarit poshtë dhe i qëndron larg, askush nuk shkon të shohë se çfarë po ndodh, pikërisht këtë pjesë bëjmë ne në Gjermani apo Rumani, shkojmë poshtë në qilar dhe ndriçojmë ato pjesë nga ku vjen kjo frikë në kuptimin e së shkuarës komuniste dhe të përndjekësve të saj”. Për ta bërë edhe më konkret prezantimin e tij, historiani, anëtar i AIDSSH, Marenglen Kasmi, tregoi shkurtimisht historikun e STASI-t dhe i ftoi më tej të pranishmit për të parë ekspozitën “Monitoro, Terrorizo, Persekuto”. Ekspozita përmbante të dhëna mbi aktivitetin e agjencisë sekrete të Gjermanisë Lindore bazuar në pesë tema kryesore: të rinjtë, udhëtimi, kultura, kisha dhe sporti, duke treguar se si STASI monitoronte dhe kontrollonte jetën e përditshme të popullit.

unnamed (1)

unnamed
Stafi organizator i “Ditëve të Kujtesës”

Për më shumë informacione:

www.idmc.al

E-mail: office@idmc.al

Postime të ngjashme