Rikthim në të shkuarën e harruar

Spac2

Nga Ergi Picaku.

Është data 18 shkurt dhe Tirana ishte nën pikat e shiut. Mblidhemi të gjithë aty përballë tek Ekonomiku, për t’u bërë gati për të nisur udhëtimin. Disa prej nesh me zi presin të nisemi, disa të tjerë e kishin marrë si me përtesë. Të gjithë rrinim të menduar dhe prisnim se çfarë surprize do na rezervonte Spaçi, vend në të cilin ndodhet edhe burgu famëkeq i komunizmit, ku vuajtën dënimin shumë intelektualë dhe njerëz të zakonshëm.

Rruga që të çon në Spaç është tejet e amortizuar, aspak e denjë për një monument kulture. Blektoria është një nga mënyrat të jetesës në këtë vend. Të parët që na urojnë mirëseardhjen, janë një tufë me bagëti dhe rojtarët e tyre qenë, të cilët shumë të inatosur duken sikur na thonë:” hej, pse u vonuat kaq shumë”? Atje tutje në male rrjedh një përrua njësoj si vitet që mban mbi supe ky vend.

Pasi kemi gjarpëruar për një copë herë në malet e Mirditës, tashmë jemi në zonën që njihet si zona e burgut të Spaçit. Po është ai, burgu i famshëm, tashmë i plakur, i heshtur dhe i mbyllyr midis maleve njëlloj si të bugosurit dikur. Duket sikur vetë koha dhe vitet e rënda e kanë dënuar me një pleqëri të vështirë.

Me ne është edhe Agim Hakçani, një ish i burgosur i regjimit të atëhershëm i cili ka ardhur të ndajë me ne një copëz nga vuajtjet e tij në burgun e Spaçit.

“Këtu jemi tek zona e lirë” thotë Gjetë Gjoni, një banor i zonës, i cili atë ditë kishte marrë edhe rolin e një guide. Nuk është emisioni i  Çanit, por është kufiri midis “lirisë” dhe Burgimit.  Agimi po e dëgjonte me aq kuriozitet sa ne, pasi nuk i kujtohej kjo pjesë. “Nuk mbanim mend rrugën, sepse na lidhnin sytë, që të mos shihnim nga po shkonim” na thotë Agimi.

Fillojmë ngjitjen nga “zona e lirë” për në “zonën e ndaluar” të burgut të Spaçit. “Këtu ka qenë porta” na thotë Agimi, duke drejtuar gishtin nga një shtyllë e ngulur pingul me tokën, shtyllë e cila fatmirësisht i kishte shpëtuar fatit te keq të simotrave të saj dhe nuk kishte përfunduar për skrap. Vazhdojmë të ecim edhe fare pak dhe ja, përpara nesh ngrihet i heshtur burgu i Spaçit. Kujtimet e hidhura të Agimit dhe një tabelë e vogël në të cilën shkruhet “zonë muze” janë kontakti ynë i parë me ish-burgun.

Ngrehinat e heshtura, te mbuluara nga shkurret dhe ferrat, të cilat duan të mbajnë fort të ngjitur dhe të ngatërruar pas tyre të kaluarën, njëlloj si telat me gjemba, që mbanin të rrethuar të burgosurit për të mos u lënë mundësi të arratiseshin, janë panorama e këtij vendi me një të kaluar sa të hidhur për të shkuarën dhe sa të pasur për të ardhmen.

Tani që jemi brenda burgut, guida jonë për atë ditë bën “mbrapa”, për t’i lënë fjalën kujtimeve të Agimit. “U burgosa për disa lopë të ngodhura” thotë duke vënë buzën në gaz Agimi. “Disa nga ne edhe u pushkatuan, por unë u dënova me 21 vite burg” dhe nxjerr nga xhepi i tij një foto që ishte shkrepur përpara se të arrestohej, duke ua treguar studentëve, të cilët e shikonin sa me keqardhje dhe sa të frikësuar.  Që nga ajo kohë flokët e Agimit tashmë janë bërë të bardha dhe supet i rëndojnë nga pesha e rëndë e viteve të burgimit.

“Këtu kanë qenë 5-6 biruca” thotë Agimi duke treguar me gisht vendin, “denoheshe me 30 ditë në birucë, nesë nuk realizoje normën në punë”.  Katër vagona me mineral duhet të nxirrte çdo ditë një i burgosur. Me 800 gram bukë në ditë, një gjellë e cila vinte herë me krimba, herë pa krimba dhe vetëm me një gotë qumësht si antidot, duhet të nxirrje katër ton mineral në ditë. Ishe i detyruar të shkriheshe si qiri.

“Aty lart në katin e dytë ka qenë infermjeria”- na thotë Agimi, “aty kam njohur  për herë të parë At Zef Pllumbin”. Sytë e Agimit shndërrisin kur fillon të flasë për të. “Rezisto dhe mos u shit” ishte fjala që At Zef Pllumbi,  i kishte thënë Agimit dhe me sa duket edhe motoja me të cilën ai i kishte rezistuar regjimit.

Diku pak me tutje në një ndërtësë dy katëshe, ngjitemi në dhomën e Agimit. “Këtu flinim 36 vetë” na thotë ai. Ndërsa po bisedonim në ambjentet e ish-dhomës së tij, është momenti që Agimi të na flasë për ato pak momente të gëzueshme gjatë kohës së burgimit, sigurisht janë disa copëza fare të vogla, por që ja vlen të thuhen.  “Atje tej” tregon me gisht nga një kodër, “kalonte një vajzë. Ne e ndiqnim me sy deri sa ajo zhdukej ndër male, njëlloj sikur të ishte një zanë, pastaj fillonim batutat me njëri tjetrin”.

“Pjesa tjetër më e bukur brenda burgut ishte kur bëje shëtitje me ndonjë shok dhe kishe mundësi të shfryheshe kundër rëgjimit, ose kur shikonim rrallë ndonjë ndeshje futbolli në televizor”

Si pa e kuptuar, koha ka fluturuar njëlloi si vitet që mbanin mbi supe ngrehinat dhe ne bëhemi gati të largohemi. Duke shpresuar që kur të vijmë herën tjetër, dikush të ketë marrë përsipër të kujdeset për Burgun e Spaçit, tashmë me statusin e monumintit të kulturës, si e vetmja mënyrë për t’u kuruar dhe shëruar nga plagët e së kaluarës. Kush pati dëshirë la përshtypjet e veta një një fletorë të cilën na e sugjeroi guida jone për atë ditë.

 

 

Postime të ngjashme

Bëj një koment