Rinia shqiptare “peshkohet” nga politika

rinialsi

Nga Andi Bora.

Janë me qindra e me mijëra të rinjtë që i janë drejtuar dyerve të partive politike, për të siguruar në një farë forme të ardhmen dhe karrierën e tyre.

Shërbimet politike që mund të jenë kryer nga partitë e mëdha politike, që sot janë në qeveri, kundrejt një grupi të vogël të rinjsh, po i tërheq këta të fundit zinxhir, drejt një grupimi shumë të madh, votat e të cilëve në një të ardhme shumë të afërt, mund të jenë vendimtare për mënyrën e qeverisjes.

Shprehja që iu drejtohet të rinjve; “Ju jeni e ardhmja e kombit”, absolutisht që zë vend, po për ne dhe për kombin tonë duhet të merret në një kontekst më me rezerva.

Kapja politike që po i bëhet rinisë, jo vetëm që nuk sjell një të ardhme të ndritur, por po shkatërron brezat pasardhës. Fryma me të cilën po edukohen këta të rinj, po trajtohen dhe formatohen, po krijon grupime të cilët e kanë varur fatin e një kombi të tërë në një fijë të hollë, i cili shumë shpejt rrëzikon të këputet.

Partitë të cilat po merren me antarësimin e të rinjve, janë dy partitë në koalicionin qeverisës, përkatësisht PS-LSI. Partia Socialiste ka shfrytëzuar platformat më të mira televizive dhe ato online për t’iu treguar të rinjve që ka një vend për të gjithë në gjirin e tyre. Shpërndarja e kartave të antarësimit është bërë në transmetime direkte televizive, të shoqëruara edhe me batuat fine të kryeministrit.

Ndërsa në anën tjetër sfidon fort LRI-ja, e cila mbledh çdo ditë dhjetra pranë vetes. Platformat online të rrjeteve sociale që kjo parti përdorë, tregon për qindra të rinj që shumicën e kohës ose udhëtojnë ose janë duke festuar nëpër klubet e natës.

E gjithë kjo formë antarësimi, po shndërrohet në një trend, i cili po krijon një projeksion të një Shqipërie me studentë të diplomuar ose jo dhe që e konsiderojnë politikën si shpresën e vetme për një të ardhme më të ndritur, përkundër atyre mijërave të rinjve që i janë drejtuar emigracionit si pasojë e humbjes së shpresave për një punë në vendin e tyre.

Rrjedhimisht, grupet që do i shërbejnë më shumë këtij vendi, nuk mbeten më këta studentë të cilët heqin dorë nga vullneti personal për të gjetur një punë që përkon me diplomimin, por këta të rinj që kanë emigruar dhe një ditë mund të vijnë të investojnë paratë këtu.

Nëse antarësimi do të vazhdojë me këto ritme për koalicionin qeverisës, shumë shpejt në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një fitore të thellë të tyre, e cila do të ndërtohet mbi shpresat e të rinjve, mbi diplomat e tyre të pavlefshme, mbi zhgënjimet e atyre që kanë ikur dhe nuk munden të votojnë, mbi mashtrimet, mbi manipulimet dhe propagandat mbi masën.

Këto janë forma jo të qarta demokratike, pasi nuk synojnë që t’i krijojnë rinisë kushtet për një vend punë, për një të ardhme më të mirë, por synojnë që të kapin një dorë të mirë votash, e cila mund t’i çojë koalicionet qeverisëse të qendrojnë në pushtet për vite të tëra.

Më shumë sesa ndërgjegjësim dhe qëllimësi të mirë për të rinjtë, këto duken si forma komunizmi, ku masa po propagandohet, duke e çuar qeverisjen dhe shtetin drejt një partie të vetme.

 

Burimi: Ishull.com

Postime të ngjashme