Rrëzimi i monumentit të diktatorit komunist ishte momenti më kulmor

Momenti i rrëzimit të bustit

Bisedoi Albert Zholi

Flet inxhinieri Saimir Maloku, një ndër organizatorët e demonstratës për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës

Rrëzimi i monumentit të diktatorit komunist ishte momenti më kulmor historik i shekullit të kaluar për popullin shqiptar që shënoi rrëzimin e diktaturës komuniste dhe fitoren e demokracisë në vendin tonë. Një ndër protagonistët e kësaj demonstrate masive, ishte dhe inxhinieri elektronik, Saimir Maloku, ish-i dënuar politik. Demonstruesit e asaj dite që vranë frikën, realizuan tre momente kryesore që i dhanë një goditje të fuqishme diktaturës komuniste ishin:

  1. Rrëzimi i monumentit të diktatorit komunist që ishte momenti më kulmor.
  2. Heqja e parullës: “LAVDI PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË” e cila ndodhej mbi Pallatin e Kulturës.
  3. Djegia e veprave të diktatorit komunist tek “Librari Flora”.
  4. U shmang gjakderdhja e mundshme ndaj popullit tek ish-Blloku Qeveritar.

Z. Saimir mund të në thoni se cila ishte e vërteta e pamohueshme dhe e lavdishme e ngjarjeve të asaj dite?

Po e riprodhoj në mënyrë kronologjike atë ditë…

E Hënë 20 shkurt 1991, ora 10:00 Qyteti Studenti.

Rreth orës 10:00 në Qytetin Studenti ndodheshin rreth 100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me promovimin e parullave, si: “O Ramiz, o zagar, do të varim në litar! Poshtë Diktatura! Liri Demokraci! etj.” Në mbarim të fjalimeve të disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Znj. Rajmonda Bulku duke e mbyllur mitingun solidarizues u bëri thirrje protestuesve të shkojnë tek Presidenca. Një grup protestuesish, i përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së urisë nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik në krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë që policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.

Ora 11:30. Liceu Artistik dhe Godina e Radiotelevizionit Shqiptar.

Forca të shumta speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan për tokë. Disa gra protestuese u dëmtuan fizikisht. Mjaft gra sidomos fëmijët e vegjël u lagën nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtuan edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses.

Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të zmbrapsë një pjesë të protestuesve deri tek ish-Shkolla Kosova ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla. Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajë të paparë gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit. Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gaz lotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve. Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni!”.

Këtu u bë një përleshje e madhe e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut Qeveritar. Disa ushtarë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. Unë duke nxitur një grup të madh protestuesish bëra që ata të fillonin thirrjet: “Ushtria është me ne! Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë ushtarët, i japin edhe pajimet përkatëse me vete si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar.

Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe forcash të ndërhyrjes së shpejtë dhe të rendit, e shoqëruar edhe me qen kufiri kishte përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti Studenti. Një grup i madh protestuesish, ish-të burgosur e të persekutuarish politikë kryesisht të Rrugës së Kavajës nuk lejuam një grup të rinjsh të cilët donin të digjnin dy makinat IFA të policisë. Një grup punonjësish të RTSH-së, që kishin dalë për të parë protestuesit dhe për t’i përkrahur ata, duke qenë edhe si shokë të ngushtë me mua më thonë: “Saimir, mos shkoni nga Blloku, sepse atje ka tanke dhe mitraloza dhe mund t’ju vrasin të gjithëve”. Në këto momente kaq delikate dhe të rrezikshme, për të shmangur një masakër të pabesueshme dhe të mundshme që mund të ndodhte tek Blloku Qeveritar, nisa të thërras: “Hajde të shkojmë tek sheshi për të rrëzuar monumentin”.

Gjithashtu, dërguam një grup burrash dhe grash që t’i bënin thirrje turmës së protestuesve të mbledhur pranë Kryeministrisë që të ktheheshin prapa dhe të niseshin në drejtim të Sheshit Skënderbe nga drejtimi i rrugës mbrapa Piramidës. Thirrjeve të këtyre burrave dhe grave iu bashkuan me qindra protestues. Për të nxitur dhe entuziazmuar grupin e protestuesve që po mblidheshin shpejt e shpejt dhe sa më shumë, ne filluam t’u themi atyre: “Të shkojmë tek sheshi të rrëzojmë monumentin si dhe të djegim veprat tek librari Flora”. Një djalë i ri me flokë të gjatë, që mbante një rrip të kuq në ballë më afrohet dhe më thotë: “ Unë kam bërë një parullë të madhe ku shkruhet: LIRI – DEMOKRACI”. Ky djalosh i rritur jetim, që quhet Albert Risilia, ka banuar në konviktin e jetimëve pranë Qytetit të Nxënësve. Natën ai kishte hequr perden e madhe prej bezeje të dritares se dhomës së tij dhe mbi të kishte shkruar me bojën e këpucëve, parullën “LIRI – DEMOKRACI”.

Grupi i madh i të përndjekurve politikë si dhe mjaft protestues iu bashkuan thirrjes së Saimir Malokut për të marshuar drejt sheshit për të rrëzuar monumentin e diktatorit komunist. Të gjithë filluan të bërtisnin njëzëri duke ftuar që me ta të bashkoheshin edhe mijëra protestues të tjerë që ishin të bllokuar nga policia midis godinës së kryeministrisë dhe Hotel Rogner (sot). Kur turma u bë e madhe, menduam që parulla prej afro 3 metrash e gjatë të vendosej në krye të turmës. Në krye të turmës printe grupi i të përndjekurve politikë (kryesisht i rrugës së Kavajës) dhe i mjaft qytetarëve të tjerë që ishin sindikalistë, fëmijë jetimë, banorë autoktonë të Tiranës etj.

Turma e madhe e protestuesve prej afro 2 mijë vetash lëvizi dhe u drejtua për në sheshin Skënderbe, nëpërmjet itinerarit, që fillonte nga prapa Piramidës, Ura e Lanës, Hotel Dajti, Ministria e Mbrojtjes e deri tek stacioni autobusit pranë Bankës Kombëtare. Në krye të turmës, në një distancë prej 5 metrash ishim disa shokë, të shoqëruar edhe nga një fotoreporter i huaj i AFP-së. Ne gjatë gjithë kohës inkurajonim turmën duke hedhur parulla si : “Liri – Demokraci!, Poshtë diktatura!, Ta rrëzojmë apo jo? –Po, Po, Po! etj”. Nga tarraca e Ministrisë së Mbrojtjes disa oficerë që e njihnin mjaft mirë Saimir Malokun i bërtasin atij duke i thënë: “Prapë në burg do të shkosh, o Saimir me këto gjëra që po bën, se nuk paske zënë mënd ti etj.”

Ora 13:00. Sheshi “Skënderbe”

Kjo turmë protestuesish që qe dhe më energjike dhe që u shtua shumë gjatë rrugës ishte e para që arriti Sheshin “Skënderbe” për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i forcave të ndërhyrjes së shpejtë që ndodheshin pranë Sheshit ‘Skënderbe’ dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti Studenti. Në sheshin ‘Skënderbe’ kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhesh Zoti Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit.

Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së Elbasanit. Pastaj pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Turma e tretë e protestuesve vjen nga Qyteti Studenti dhe vendoset përreth sheshit ‘Skënderbe’. Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut.

Çfarë përdori policia ndaj jush?

Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e fundit prej afro dy mijë vetash e protestuesve ku ndodhej edhe Fatmir Merkoçi që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun Qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek sheshi ‘Skënderbe’ për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u zmbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër sheshin Skënderbe duke i rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik.

Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhesh pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në Rrugën e Kavajës, në Laprakë, në rrugën Ali Demi, Kombinat etj) që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, po rrihnin mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të zmbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu pas kësaj nevojitesh të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Më vonë, ndoshta ky aksion mund të vazhdohej me shkuarjen e protestuesve për tek Librari Flora për të djegur veprat e diktatorit komunist dhe heqjen e parullës: “LAVDI PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË” .

Prania e ushtarëve të armatosur me snajperë sipër Pallatit të Kulturës, Hotel Tiranës, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet për rreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh. Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u prapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër (fishekë stërvitjeje që bën zhurmë, pa pasur plumb brenda)”. Kjo i dha shumë kurajë protestuesve. Tre makina IFA të policisë të mbuluar me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh forcash speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës për rreth sheshit tek monumenti.

Po ushtria a veproi në këtë rast?

Ushtria nuk reagoi… Ndërkohë, sheshi Skënderbe ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne! Të hiqet qelbësira! Liri – Demokraci!” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetash shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Sipas planit të bërë më parë ato filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të armatosura me shogun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti.

Ndërkaq protestuesit i kundërpërgjigjeshin duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të Rrugës së Durrësit dhe të Kavajës etj, policia kishte vendosur snajperë dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve, policia dhe sigurimi e shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementeve të rrezikshëm rebel. Por përpjekjet e policisë dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen.

Populli, duke bërtitur “Fitore Fitore”, u sul i tëri drejt monumentit dhe u bë zot i sheshit Skënderbe. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur Hysen Berberi (ish-partizan dhe ish i internuar në kampin famëkeq nazist të Prishtinës) ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë ambulancës Nr, 5. që ndodhesh përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër Fatmir Merkoçi në gjendje të plagosur ishte i shtrirë për tokë. Disa prej protestuesve të shumtë që ndodheshin aty e marrin atë në krah dhe e shpien tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit civil.

Duhet të theksojmë se gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti qytetari Ardian Heta mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhesh në sheshin Skënderbe. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë aty pranë ndodhesh një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në spitalin ushtarak në Laprakë. Para se të nisesh makina shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehesh prapë se makina mund të nevojitesh edhe për rrëzimin e monumentit. Dhe ai e mbajti premtimin. Gjatë përleshjeve me gurë me policinë u plagosën apo u lënduan edhe mjaft protestues të tjerë po ashtu edhe nga efektivi i forcave të rendit.

Kur dhe si u rrëzua monumenti i diktatorit?

Po jua përcjell si kronikë…

Ora 14:00. Sheshi Skënderbej.

Populli brohoriste dhe hidhte parulla triumfuese. Një grup i madh qytetarësh ishin të vendosur pranë vendit ku qëndronte akoma monumenti i diktatorit komunist. Ishte problemi i rrëzimit të monumentit. Nga rruga e Durrësit vijnë dy djem të rinj njëri prej të cilëve quhesh Naim Qyqja, që mbanin një rrotull litari prej liri. Pastaj një grup njerëzish ndihmojnë Astrit Hatellarin që të vendosë litarin tek koka e monumentit të diktatorit. Përpjekja e parë dështon sepse lartësia ishte shumë e madhe. Në përpjekjen e dytë, Astrit Hatellari i ndihmuar edhe nga një qytetar tjetër e vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë e ulur poshtë, të monumentit të diktatorit. Protestuesit e shumtë e tërheqin 3-4 herë litarin dhe ndërkaq monumenti i derdhur në bronz të diktatorit komunist lëkundet dhe bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar.

Unë dhe dy shokë ishim ndër të parët që shkuam tek koka e diktatorit duke e goditur, pështyrë dhe duke e injoruar atë në prani të gjithë protestuesve. Gjithë ai popull prej afro 100 mijë vetash, që ndodhesh tek sheshi Skënderbe, duke u përqafuar me njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarjeje të papërsëritshme, filloi të brohorasë i entuziazmuar tej mase. Ra simboli i komunizmit, i cili lavdinë e tij e vuri mbi vuajtjet e dhjetëra mijëra vetëve në burgje, internime dhe dëbime. Gjatë diktaturës komuniste u pushkatuan me mijëra veta, sepse patën për ideal demokracinë e sotme. Është për t’u theksuar se gjatë kohës së rrëzimit të monumentit vazhdonin punimet e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Z. Hekuran Isai, në atë kohë Ministër i Brendshëm duke informuar për situatën e krijuar Z. Ramiz Alinë, thotë se megjithëse ka një ligj për mbrojtjen e monumenteve, unë nuk mund të shkoj deri në masakër ose në gjakderdhje ndaj popullit. Z. Ramiz Alia e miraton mendimin e tij. Kjo bëri që Z. Hekuran Isai nuk iu bë asnjë vërejtje nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës. Duke kujtuar momentin e inaugurimit të këtij monumenti gjigant të diktatorit komunist, militantët ekstremistë komunistë bërtisnin: “Parti Enver jemi gati kurdoherë!”. Ndërsa në momentin që do të rrëzohesh ky monument, populli demokrat i Tiranës me entuziazëm të pa përshkruar bërtiste: “Ta heqim, ta heqim, ta heqim qelbësirën!”. Njerëzit nga kureshtja e madhe shkuan tek koka e monumentit të diktatorit dhe me veprime nga më të çuditshme shprehnin urrejtjen e tyre të madhe ndaj tij. Po në këtë kohë mbërrin tek sheshi “Skënderbe”, makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta. Ai e drejton makinën drejt e tek vendi ku ndodhesh monumenti i diktatorit.

Ndërkohë protestuesit i vënë kavon kokës së këtij monumenti gjigant dhe makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta i shoqëruar në kabinë nga shoku i tij Indrit Sukaj, e tërheq zvarrë këtë monument gjigant përgjatë sheshit Skënderbe. Mbi makinë dhe mbi monument, rrinin të ulur njerëz të shumtë. Gjithë populli i Tiranës, që ndodhesh në Sheshin Skënderbe e shoqëronte kamionin me thirrje dhe brohoritje të shumta. Pas gjithë këtyre, makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta vazhdon itinerarin në drejtim të Rrugës së Elbasanit. Pesëdhjetë metra larg nga godina e ish-të përndjekurve politikë (sot), shkëputet busti nga pjesa tjetër e monumentit gjigant të diktatorit. Gjithashtu makina IFA pëson defekt (i digjet freksioni) për arsye të peshës së madhe të demonstruesve të hipur mbi makinë dhe mbi monumentin e diktatorit.

Turma e demonstruesve shkëpusin kavon nga makina dhe fillojnë të tërheqin vetë bustin e diktatorit deri pranë parkut të lodrave në Rrugën e Elbasanit. Gjithashtu tek pjesa e mbetur e monumentit të diktatorit ( nga këmbët deri tek gjoksi) afrohet një kamion e parkut të mallrave me shofer Sulo Jaupaj. Shumë demonstrues e lidhën këtë pjesë të mbetur të monumentit me kamionin. Shoferi Sulo Jaupaj me makinën e tij lëviz afro dy kilometra nëpër rrugët e Tiranës i përshëndetur nga mijëra qytetarë.

Në pjesën malore të Rrugës së Elbasanit për t’u ardhur në ndihmë demonstruesve të lodhur vjen një autobus me ngjyrë të kuqe që ishte i punëtorëve të minierës së Kërrabës. Kjo makinë drejtohesh nga një shofer zeshkan 50 vjeçar, që quhesh Hysen Alla. Autobusi ishte i mbushur me minatorë. Minatorët dhe protestuesit e lidhën shpejt e shpejt bustin e diktatorit pas autobusit. Pastaj, Hysen Alla e drejton makinën e tij për tek godina e studentëve grevistë. Por për shkak të pjerrësisë së madhe që kishte rruga, busti i diktatorit tërhiqet nga një traktor me rrota të mëdha gome dhe e dërgon tek godina e studentëve grevistë. Kur busti i diktatorit mbërriti atje shpërtheu një gëzim i jashtëzakonshëm midis studentëve grevistë të urisë të ngujuar dhe protestuesve të pranishëm. Busti i diktatorit u la i varur lart tek godina e studentëve grevistë.

Telegraf, 20 shkurt ’18

Postime të ngjashme