Rumania dërgon në gjyq ish shefin e internimeve komuniste

telatmegjemba

Nga  Marian Chiriac.

Ion Ficioru, ish komandant i një kampi internimi, u bë rumuni i dytë që përballet me akuza për krime kundër njerëzimit

Një gjykatë në Rumani  filloi gjyqin kundër Ion Ficioru, ish komandant i një kampi pune të epokës komuniste, i cili akuzohet për krime kundër njerëzimit për vdekjen e 103 të burgosurve, vdekje të ndodhura gjysmë shekulli më parë.

Ficior, tashmë 86 vjeç, qe zëvendëskomandant dhe më pas komandant i kampit të punës Periprava në një fshat të largët në deltën e Danubit. Ai përballet me së paku 15 vjet burg në rast se shpallet fajtor.

Ficior akuzohet se qe përfshirë në torturimin e të burgosurve, ndalimin e ndihmës mjekësore për ta dhe ekspozimin e tyre përballë të ftohtit ekstrem.

Më shumë se 50 vjet kanë kaluar që nga koha kur të burgosurit vdiqën, por sipas ligjit të Rumanisë, nuk ka kohë parashkrimi për ndëshkimin e krimeve të rënda.

Ficior është ish komandanti i dytë i një burgu në Rumani që akuzohet për krime kundër njerëzimit.

Shtatorin e kaluar, prokurorët akuzuan 87 vjeçarin Alexandru Visinescu për rolin e tij si menaxher në burgun Ramnicu Sarat mes viteve 1956 dhe 1963, ku elita e Rumanisë qe burgosur.

Gjashtë të burgosur politikë, përfshirë një ish-diplomat dhe një udhëheqës partie, vdiqën si pasojë e rrahjeve dhe kushteve të këqija të jetesës në burg.

Që të dy janë deklaruar të pafajshëm.

Rumuni i fundit i dënuar për gjenocid qe ish diktatori komunist Nicolae Ceausescu i cili u gjykua me shpejtësi dhe u ekzekutua më 1989.

Pas shumë dekadash mohimi, Rumania së fundmi ka filluar të përpiqet të dënojë krimet e kohës së Komunizmit. Në prill, Instituti i Rumanisë për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, IICCMER, publikoi një listë me 35 njerëz të akuzuar për pëfshirje të ndalimin dhe torturimin e disidentëve gjatë kohës Komunizmit.

Detaje prekëse kanë dalë në dritë mbi torturat që rojet i bënin të burgosurve politikë në gulagët komuniste.

Raportet sugjerojnë se rreth 120 mijë njerëz në total nga 617 mijë të burgosur politikë vdiqën nëpër kampet e internimit. Shumica qenë politikanë, priftërinj, shkrimtarë dhe diplomatë por kishte edhe shumë fshatarë.

Komiteti hetimor aktualisht po përqendrohet në krimet politike nga fillimi i viteve 1950 deri në vitin 1964, kur një amnisti e përgjithshme u shpall në Rumani.

Shumica e të mbijetuarve nga kampet vdiqën para se të merrnin drejtësi, por rreth 2,800 prej tyre janë ende gjallë.

Burimi: http://www.reporter.al/rumania-dergon-ne-gjyq-ish-shefin-e-internimeve-komuniste/

Postime të ngjashme