“Më akuzuan si terroriste, por jam evolucioniste”

sabiha-kasimati-1

Dita botërore e Gruas ka një origjinë kurioze dhe, siç do të thuhej sot, “gjithëpërfshirëse”. E lindur në Shtetet e Bashkuara më 1908 për të luftuar kundër shfrytëzimit nga punëdhënësit të punëtoreve që paguheshin më pak se burrat, edhe pse të detyruara të punonin më shumë orë në ditë se burrat, kundër diskriminimit seksual dhe për të drejtën e votës së grave, në fillim festohej të dielën e fundit të shkurtit.

Festimet u ndërprenë për disa vjet si pasojë e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe u kthyen, këtë herë me nismë të Moskës, në vitin 1917, që e fiksoi datën më 8 Mars, prej atëhere e përkujtuar në gati gjithë botën si Dita Botërore e Gruas, datë që përkonte edhe me atë të fillimit të revolucionit rus. Për 110 vjet 8 Marsi ka mbetur si simboli i rezistencës që ka bërë gruaja dhe duhet ende të bëjë sot në shoqëri për të arritur njohjen e të drejtave të barabarta dhe dinjitetit të barabartë me burrat.

Sabiha Kasimati, përfaqëson përsosmërisht të njejtët ideale modernizmi, guximi dhe barazie që frymëzuan më se një shekull më parë gratë amerikane dhe sovjetike që të luftonin për të drejtat e tyre. Historia e Sabiha Kasimatit është e panjohur ende sot për shumë shqiptarë: ashtu siç e rindërton në mënyrë të detajuar studjuesi Uran Butka.

Sabihaja ishte një e re intelektuale, që ja dedikoi jetën e saj të shkurtër shkencës dhe kërkimit në botën shtazore. Ish shoqe klase me Enver Hoxhën në Liceun Francez të Korçës, Sabihaja refuzoi një mundësi pune në Itali që iu ofrua pasi mori diplomën në Torino dhe në vitin 1948 zgjodhi të kthehej në vendin e saj, ndërkohë të rënë nën sundimin komunist. Për disa vjet kujtoi se njohuria dhe pasioni i saj për kërkimin mund të viheshin në shërbim të vendit, por shumë shpejt e kuptoi se ky ishte vetëm një iluzion dhe u përball me tmerret e persekutimeve që Enver Hoxha shpërtheu kundër klasës intelektuale shqiptare.

Sabihaja kërkoi dhe arriti të takojë Enver Hoxhën, e bindur se ndodhej përballë ish mikut dhe shokut të saj të shkollës dhe kështu pati kurajon të kundërshtonte zgjedhjen e tij për të pushkatuar inteligjencën e vendit. “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?”Një frazë që për Sabihanë ishte në koherencë me jetën e saj, por që i vuri vulën dënimit të saj me vdekje. Enveri iu përgjigj: Harroji iluministët francezë, fillo të studjosh Marksin dhe Leninin.

Kur nuk kishte mbushur ende 40 vjeç, Sabiha Kasimati u dënua me vdekje, e vetmja grua në grupin e 22 intelektualëve të pushkatuar me vendim të marrë pa gjyq nga Byroja Politike e PPSH për t’u hakmarrë ndaj atentatit (ndoshta ishte një sajim i Sigurimit) kundër Ambasadës sovjetike në Tiranë.

Uran Butka, në rindërtimin e detajuar të atyre ngjarjeve tragjike që botojmë sot, kujton se si u përgjigj Sabihaja kur u kthye në qeli pas një seance marrjesh në pyetje nga hetuesit e Sigurimit: “Më akuzuan si terroriste. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci;  shkohet drejt shkatërrimit”.

Emri i saj u shtua në listën e të dënuarve personalisht nga Enver Hoxha.  Ministër i Brendshëm ishte Mehmet Shehu. Ta kujtosh sot, në ditën ndërkombëtare të gruas, do të thotë pra të bësh një nderim të vogël për kujtimin e saj, me qëllim që emri i saj të kujtohet dhe njihet në mënyrë të barabartë me atë të Musine Kokalarit e të shumë viktimave të tjera të pafajshme të terrorit komunist.

Por edhe një nderim për rolin e saj si grua, për integritetin e saj intelektual dhe për kurajon e saj, që e shtynë derisa të sfidonte diktatorin mizor komunist vetëm për të afirmuar aspiratën ndaj evolucionizmit, tek i cili besonte për veten dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Një shembull për të gjithë ne dhe për brezat e rinj që duhet të kenë edhe sot kurajon për të luftuar në mbrojtje të idealeve të veta dhe ëndërrave të veta.

Burimi: http://shqiptarja.com/Analiza/2709/in-memoriam-sabiha-kasimati-406407.html

Postime të ngjashme