Saimir Maloku feston 72-vjetorin duke marrë të dhënat që Sigurimi mbajti për të

Saimir Maloku dhe kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula

Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj

Dymbëdhjetë korriku i këtij viti ishte ndryshe për Saimir Malokun. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) e kishte ftuar për t’i përcjellë gjetjet arkivore të mbajtura nga ish-përndjekësit e tij dhe njëherësh për t’i uruar 72-vjetorin e lindjes. Saimiri vuajti dënimin me 13 vite burg për akuzën e “agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor”. Ishte 13 maji i vitit 1976 kur u arrestua dhe iu komunikua akuza. Ishte 29 vjeç. 30-vjetorin nuk do të kishte arsye dhe shanse ta festonte. Asokohe kishte mbaruar shkollën e lartë për inxhinieri, ndërsa në Burrel ishte oficer në repartin 3711. Persekutimi që do t’i bëhej kishte lidhje me natyrën miqësore që familja Maloku kishte pasur me disa turistë anglezë, natyrën e tij indiferente kundrejt regjimit, dashurinë për muzikën e huaj dhe më pas për shpikjen e një mënyre për të përforcuar sinjalet televizive.

Kur u arrestua, gjyqi publik iu bë në një sallë kinemaje në Burrel, me rreth 600 vetë. “Më thanë se isha takuar me turista anglezë. Dyshohesha për agjenturë! Për këtë do duhej të jepja llogari përpara Partisë,” tregoi Saimiri për nisjen e persekutimeve ndërsa po merrte nga Drejtuesja e AIDSH dosjen e dixhitalizuar të mbajtur për të nga organet e Sigurimit. “Disa nuk e përfytyrojnë, por kur hyra në qeli isha 73 kile, kur dola isha 43. Më mbajtën 7 muaj e gjysmë në qeli nën dhé. Kur u arrestova ishte 13 maj. Kur u lirova ishte prag-krishtlindje. Kisha vetëm një xhaketë verore dhe një palë pantallona,” rrëfeu tejet i emocionuar 72-vjeçari. Ai theksoi se në atë burg të nëndheshëm në Burrel kishin vdekur plot njerëz, por besimi në zot dhe frymëzimi në muzikën e huaj bënë që ai vetë t’i rezistonte gjithë kalvarit të gjatë të përndjekjes.

Pikërisht duke pasur parasysh pasionin e Saimirit për muzikën e atyre viteve, AIDSSH kishte krijuar një ambient me muzikën e asaj kohe në sfond, ndërsa torta e ditëlindjes ishte dekoruar enkas me yjet e muzikës amerikane dhe italiane, si Presley apo Celentano.

Përpara ceremonisë, Maloku nuk e kishte parë dosjen e tij, dhe ishte dukshëm i emocionuar. Në praninë e ambasadorëve të huaj dhe prezencës së OSBE-së, ai falënderoi punën e AIDSSH dhe rikujtoi çaste të tjera nga jeta. “Në shtëpi na vinin mjaft turistë anglezë, suedezë… dhe mua më akuzuan si agjenturë. Imagjinoni, 5 komshinjtë e mi përballë i hoqën sepse ishin të persekutuar dhe aty vunë familje të Sigurimit të Shtetit vetëm që të përgjonin shtëpinë time. Kanë vënë minitransmetues, më kanë ndjekur… rreth 17 spiunë kanë qenë vetëm komshinjtë e mi,” tha ai.

Që prej vitit 1965, familja Maloku kishte korrespondencë me disa nga turistët që kishin ardhur në Shqipëri. Saimiri mbante kontakte me ta dhe shkëmbente pulla ose dhe libra. Në tryezën ku qenë ekspozuar disa pjesë nga dosja e mbajtur e Sigurimit, tërhiqte vëmendjen një kartolinë që Kevin Barry i dërgonte në vitin 1986. Një kartolinë dashamirësie nga Venezia (Itali)… Asokohe Saimiri qe liruar nga burgu, dhe fill me të marrë kartolinën i duhej të shkonte në Degën e Brendshme për të paraprirë çdo përndjekje tjetër. Në tryezë ishte e pranishme edhe letra sqaruese që ai u bënte funksionarëve të kohës, kjo për t’u ruajtur nga një dënim tjetër i mundshëm.

 

Dosjet që iu bënë të mundura t’i aksesonte, ai premtoi se do t’i bënte publike, madje duke ia bashkëngjitur veprave të tij autobiografike që flasin për përndjekjen dhe kohën.

Saimir Maloku, e kishte një ëndërr në kohën e komunizmit dhe ajo ishte “rrëzimi i sistemit”. Kjo do të realizohej më 20 shkurt 1991, kur ai ishte në krye të protestave që rrëzuan shtatoren e diktatorit dhe mundën përfundimisht frikën për t’u përballur me totalitarizmin në Shqipëri.

Sot ai festoi datëlindjen e 72-të duke marrë si dëshmi të gjitha arkivat që përndjekësit i mbajtën kur i rënduan jetën, por sikurse e thotë ai, ndihet “sikurse të ishte ’42-vjeç’ sepse ia doli t’i mbijetonte një sistemi gjakatar.”

Gëzuar Saimir!

IMG_9712

Postime të ngjashme